Janë mbyllur të gjitha thertoret me aktivitet të paligjshëm në të gjithë vendin

0

Janë mbyllur të gjitha thertoret me aktivitet të paligjshëm në të gjithë vendin. Ky është bilanci i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) vetëm në dy javë të aksionit të ndërmarrë për sigurinë ushqimore në tregjet e thertoreve të kafshëve blegtorale.

Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), Agim Ismailaj, tha se therjes së kafshëve në rrugë i erdhi fundi.

“Të  84 njësitë e therjes (të “miratuara” apo ilegale), që ekzistonin dhe funksionin jashtë të gjitha standardeve, janë mbyllur të gjitha, sikurse edhe 103 njësitë e tregtimit të mishit. Nga ky aksion, janë  sekuestruar mbi 3 ton mish (2.4 ton nga të cilat vetëm në Tiranë) dhe mjete pune e pajisje të thertoreve”. Në çdo rast, kur inspektorët janë penguar në detyrë është kërkuar ndihma e forcave të policisë, e cila në çdo rast ka ardhur menjëherë”, deklaroi ai.

Disiplinimi i sigurisë ushqimore
dyqan mishi

Disiplinimi i procesit të therjes së kafshëve dhe kontrollit të gjithë zinxhirit të sigurisë ushqimore, që nga kontrolli i transportit, kushtet e ruajtjes, e deri në njësitë e tregtimit të mishit, janë çështje të planit prioritar të  Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, për këto 100 ditë të para të Qeverisë “Rama2” .

Drejtori Ismailaj tha se, “për të garantuar sigurinë ushqimore, kemi intensifikuar kontrollet në të gjitha njësitë e therjes, të cilat kanë rezultuar pa standarde”.  Por që çuditërisht, siç shpjegon ai, janë pranuar dhe legalizuar nga strukturat përgjegjëse deri tani.

“AKU po inspekton thertoret, për të cilat kishim të dhëna që nuk kanë standardet minimale të lejuara si dhe njësitë problematike të shitjes së mishit. Ndërsa për thertoret që kanë standarde (pra janë biznese të mirëfillta, të organizuara) kemi vijuar një formë të re kontrolli, përmes autokontrollit”, tha Ismailaj.

Në kuadër të këtij plani kombëtar, është kërkuar që vetë subjektet të verifikojnë secilin prej treguesve të standardeve sipas një liste verifikimi të miratuar dhe të njoftojnë AKU-në lidhur me to. Pas këtij procesi AKU-ja do të verifikojë me imtësi në vend,  standardet e secilit subjekt”, tha kreu i AKU-së.

Lejet për thertore – Penalizim abuzuesve të ligjit

Abuzuesit e ligjit me lejet për thertore, do të denoncohen në strukturat e krimit ekonomik apo dhe ato të hetimit tatimor.

AKU, krahas kontrollit të thertoreve në të gjithë vendin, po vijon të shqyrtojë dokumentacionin për miratim/lejim të njësive të therjes pa standarde, me qëllim që të identifikojnë personat përgjegjës, që i kanë miratuar ato në kundërshtim me ligjin.

“Për të garantuar sigurinë ushqimore, punën e nisur,  të mos e konsiderojmë “aksion”, por ta kthejmë në një standard pune të përditshme”, u shpreh kreu AKU-së, i cili vuri në dukje se, në këtë periudhë ka patur intesifikim të punës, por ka ende për të bërë më shumë në drejtim të rivitalizimit të strukturave në çdo qark.

 Prodhimet shtazore në ‘sitë’ të AKU-së
mkaine plehrash

Sektori më problematik është sektori i prodhimeve shtazore dhe pikërisht intensiteti më i madh i punës është fokusuar për disiplinimin e therjeve dhe krejt zinxhirit të tregtimit të mishit.

Nuk mund të ndajmë një, apo tjetër qark si më problematik, pasi shkeljet si më sipër janë hasur ngado, por duhet ta themi se në vend (gjithë gjeografinë) ka kapacitete thertoreje, mjete transporti dhe njësi shitje me standarde, që garantojnë furnizimin e gjithë konsumatorëve me produkte të sigurta. Ndërkohë përveç punës në drejtim të disiplinimit të procesit të therjes dhe tregtimit të mishit, AKU ka vepruar edhe në aspekte të tjera të detyrës: konkretisht ka zbuluar dhe ndëshkuar subjekte ilegale të prodhimit dhe tregtimit të produkteve të tjera ushqimore, apo mbi bazë të sinjalizimeve ka vepruar në subjekte të tjerë.

Kështu, vetëm dy ditë më parë u bllokuan 56 000 kg produkte, vaj ulliri, ullinj të konservuar, salcë domatesh, turshi etj, informon Ismailaj.

Formalizimi –garanci për investimet e huaja
niko pleleshi

AKU-ja nuk ka rol të drejpërdrejtë për thithjen e investimeve në sektorin e mishit, por falë punës dhe këmbënguljes sonë,  thotë Ismailaj, do ia dalim që të nxisim investimet në këtë treg . “Bizneset nuk do të konkurrohen padrejtësisht nga “biznesmenë” me një thikë dhe ngrehinë (njësi therje). Për rrjedhojë do të investojnë në rritjen e mëtejshme të kapaciteteve dhe ç’është më e rëndësishmja në standardet”, shprehet Ismailaj.

Jo penalizim padrejtësisht të tregtarëve

Aksioni për sigurinë ushqimore në thertoret e vendit, nuk i penalizon padrejtësisht tregtarët. “Ligji parashikon qartë, se për detaje dhe shkelje të vogla, dënimi është “paralajmërim” dhe AKU-ja edhe këto kohë ka dhënë dënime të tilla”, thotë kreu i AKU-së, Ismailaj. Mirëpo, shpjegon ai, për detaje të cilat sipas akteve rregullative përbëjnë shkelje të tjera, atëherë penalizimi nuk mund të jetë paralajmërim, por mbyllje aktiviteti.

“E kemi shumë të lehtë marrjen e vendimeve edhe nga ana emocionale përballë shkelësve, për shkak se,  shkeljet që konstatohen,  nuk kanë të bëjnë me shkeljen e një rregulli, apo vendimi administrativ (që duhet ndëshkuar), por me moszbatimin e standardeve të sigurisë ushqimore, pasoja e të cilave është drejpërdrejtë në dëm të shëndetit të qytetarëve”, thekson Drejtori i AKU-së.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.