Ish ambasadori i liruan nga detyra, me prona e pasuri dhe dhurata marramendëse …

0

Një nga ambasadorët më të përfolur për pasurinë e tij, Edmond Çaça është liruar nga detyra e ambasadorit të jashtëzakonshëm në shtetin e Katarit.

Vendimi për lirimin e tij është marrë nga presidenti i Republikës Ilir Meta në datën 30 tetor 2017. Ambasadori shqiptar në Doha të Katarit, gëzon një pasuri të jashtëzakonshme. Mësohet se presidenti Meta ka shfrytëzuar disa informacione, të cilat e kanë bindur për të firmosur dekretin për lirimin e tij nga detyra e ambasadorit. Ky ambasador ka qënë dhe herë të tjera i përfolur, jo për pasurinë, por për refuzimin e tij nga Arabia Saudite për të qënë diplomati shqiptar në këtë shtet Islamik. Shaqet e këtij refuzimi në atë periudhë kanë qënë të ndryshme, gjë e cila solli dhe mosdekretimin e tij si ambasador në këtë shtet.

Deklaratat e pasurisë kontrata 2.1 mln euro
Në dy deklaratat e interesave financiare dhe kapitale të bëra nga ky ambasador konstatohen dy troje në Tiranë, apartamente, dhurata në makina dhe ora të shtrenjta, biznese e shumë llogari të majme. Në dokumentacionin rezulton se Edmond Çaça në 2012, vetëm 33 vjeçar, ka nënshkruar një kontratë për blerjen e një trualli në rrugën “Jordan Misja” në Tiranë. Blerja e truallit është bërë në 29 mars 2012 tek anëtarët e familjes S.

Kjo familje kishte vetëm dy ditë që e kishte regjistruar sipërfaqen e tokës prej 8.250 m2 në hipotekë dhe pas kësaj e gjithë prona është blerë nga Edmond Çaça në vlerën prej 2.103.750 euro kundrejt çmimit 255 euro për m2. Sipas kontratës noteriale të firmosur nga Edmond Çaça dhe anëtarët e fisit S., shuma e mësipërme do të paguhej në 8 këste në bankë dhe se pagesa e fundit do të realizohej në 25 dhjetor 2012.

Në deklarimet që ambasadori Çaça ka bërë në ILDKPKI ka pohuar se për këtë truall ka paguar vetëm 210 mijë euro, duke blerë vetëm 2.500 metra katrorë, pasi pjesën tjetër e kanë blerë tre investitorë të tjerë që mësohet të jenë shtetasit F.J, K.E. dhe shoqëria I….T. Sipas deklaratës së tij, kjo shumë është paguar për shkak se ai ka bërë dhe rolin e ndërmjetësit për t’u realizuar blerja e këtij trualli. Por në fakt personi i vetëm që ka firmosur në kontratën e 29 marsit 2012 së bashku me pronarët e tokës, në cilësinë e blerësit, ka qënë blerësi Edmond Çaça.

Ndërkohë që në këstet e paguara sipas kontratës noteriale rezulton të mos ketë asnjë pagesë prej 210 mijë euro. Ambasadori Çaça thotë në deklaratën e pasurisë se këtë shumë për blerjen e kësaj prone e ka siguruar nga pagesat dhe shpërblimet të përfituara nga veprimtaria e tij dhe e bashkëshortes si partner dhe konsulent i jashtëm për organizimin e pelegrinazhit dhe fluturimet me charter me kompaninë “ASAS” në Xheda të Arabisë Saudite. Si dhe nga të ardhurat vjetore nga pagat si subvencione nga MPJ kuvajtjane për periudhën 2010-2013.

Shitja tek një 26 vjeçar
Gati 4 vite pas kësaj superblerje, Edmond Çaça, në cilësinë e ambasadorit, ka vendosur të heqë dorë nga ky truall në rrugën “Jordan Misja”, duke ia shitur 24-vjeçarit O.Ç. Trualli që në kontratën e shitjes rezulton i blerë me mbi 2 milion e 103 mijë euro dhe i deklaruar nga ambasadori si i blerë me 210 mijë euro, tashmë shitet pjesërisht me një çmim tjetër. Kjo shitje është bërë në bashkëpunim me gruan e ambasadorit Bjanka Ceka. Shuma financiare e shënuar në kontratën e 2 shkurtit 2016 është 637.500 euro. Dhe kjo shumë duhet të kalojë në dy këste, fillimisht janë paguar 150 mijë euro tek llogaria bankare e bashkëshortes së ambasadorit dhe pjesa tjetër prej 487.500 euro ështa caktuar afati i datës 30 nëntor 2017 për të paguar. Ish-ambasadori Edmond Çaça me dokumentacion rezulton të jetë larguar nga kjo pasuri, për të cilën tashmë është bërë pronar shtetasi 25 vjeçar O. Ç., megjithëse ky i fundit nuk ka bërë pagesën e plotë prej 637.500 euro.

Shitja tek i njëjti person
I riu O. Ç. nuk është i panjohur për ish-ambasadorin tonë në Katar Edmond Çaça. 26-vjeçari nuk ka bërë vetëm këtë blerje pasurie tek ambasadori. Në dokumentacioni që disponon “Shqiptarja.com” duket qartë që Çaça dhe O. Ç. njihen dhe kanë kryer shitje-blerje dhe më parë. Në 21 gusht 2013 Edmond Çaça vendos të shesë kompaninë e tij “Alb Konstruksion Eis”. Këtë kompani Çaça e ka blerë në tetor të 2010 tek shtetasit E. dhe F. S. kundrejt pagesës prej 10 mijë euro. Mirëpo në shtator të 2013 Çaça këtë kompani ia ka shitur të riut O. Ç. kundrejt një pagese prej vetëm 1 milion lekë të vjetra. Pikërisht pas kësaj shitjeje Çaça është larguar nga kjo kompani. Ndërkohë në deklaratën e pasurisë nuk është deklaruar blerja dhe shitja e kësaj kompanie nga ana e ambasadorit tonë në Katar.

Dhurata, ora “Rolex” “Breitling” dhe BMW 740 LI
Në deklaratën e pasurisë që ish-ambasadori Edmond Çaça dhe bashkëshortja e tij Bjanka Ceka kanë depozituar në ILDKPKI, kanë deklaruar se janë pronarë të disa apartamenteve, të disa llogarive bankare që sipas tyre kanë rjedhur si rezultat i punës së zhvilluar në vendet e botës arabe dhe kursime nga familjarët. Mirëpo në deklaratat e pasurisë janë dhe disa dhurata tepër të shtrenja, ku bëhet fjalë për një automjet tip “BMË 740 LI” e dhuruar nga një mik i Edmond Çaçës nga Dubai. Makina ka një vlerë prej 60 mijë euro, ndërkohë që sipas Çaçës ky automjet më pas është shitur prej tij, duke blerë një makinë tjetër prej 30 mijë euro të tipit “Infinity”.

Më tej Çaça dhe bashkëshortja e tij Bjanka Ceka deklarojnë se disponojnë në formë dhurate ora “Rolex” dhe “Breitling” me vlerë financiare prej 12 mijë euro të dhuruara nga Emiri i Kuvajtit dhe Emiri i Katarit gjatë vizitave të bëra nga Bamir Topi në 2012 dhe Edi Rama në Katar në 2014. Ish- ambasadori dhe bashkëshortja e tij disponojnë dhe disa llogari bankare me shifra financiare të konsiderueshme.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.