INVESTIMET DHE JO KËRCËNIMET SJELLIN UJË…

0

Në 26 vjet asnjë burim uji për banorët e Tiranës !

Në 25 vjet asnjë investim i madh për furnizimin e Tiranës me ujë të pijshëm të bollshëm. ASNJË…
Do të më përmendeni Bovillën? Ujëmbledhësi i Bovillës u ndërtua me mendimin që t’i japë Tiranës së asaj kohe me dyqind mijë banorë, ujë të pijshëm sa të donte, ujë të pijshëm me vetërrjedhje edhe në katet më të larta dhe ujë të bollshëm për lulishtet e Tiranës.
Si gazetar kam intervistuar në përfundim të ndërtimit të tunelit  të Bovillës Hashim Zyberin, drejtuesin e skuadrës heroike kuksiane që kishte marrë titullin e madh popullor “Luanët e Tuneleve”. Ai dhe shokët e tij ua lanë Bovillën hallkave të më pasme për furnizimin me ujë të Tiranës dhe më gjerë fshatrave të saj, për të vijuar tuneleve të kromit ku edhe i kam fiksuar në një fotografi.
Tirana gjatë këtyre 27 vjetëve ngriu vetëm me burimet e vjetra të furnizimit të qytetit, burimet e Selitës vepër e citit 1951, burimet e Fushë Kuqes vepër e viteve gjashtëdhjetë dhe ujëmbledhësi i Bovillës.
Gjatë këtyre viteve ujë në Tiranë nuk u ngjit në katet e sipërme të pallatit. U ngjitën “kazanët” familjarë ashtu siç zbritën podrumeve të pallateve shumëkatëshe rezervuarët e mëdhenj që pomponin ujë me pagesën dhe mbajtjen në gatishmëri të pompave nga banorët. Tirana përbën shembullin “ginis” të kazanëve mbi pallate, vlera e të cilëve (po të mblidheshin)  do të ndërtonin një Bovillë të re.
Gjatë këtyre viteve tubacioni i Bovillës për shkak të vrimave pambarim mbi të, nuk solli ujë të plotë në Tiranë. U shkrua pambarim faqeve të shtypit dhe u fol përditë (qeveri pas qeverie) televizioneve se do të mbyllen vrimat, por ato u shumuan dhe u zgjeruan.
Tirana tash me rreth një milionë banor nuk ka ujë në çezma, as në katet e para e as në ato të fundit.
Furnizimi  me ujë i Tiranës qarkon në rrethin e ngushtë “Bovillë-Selitë-Fushë Kuqe”. Asnjë alternativë deri sot nuk është dëgjuar të jepet nga asnjëra nga partitë që janë ngjitur e kanë zbritur karriget e shtetit, nga asnjeri krye bashkiak i kryeqytetit.
Po ju jap një shembull që mbase e lexon krye bashkiaku i Tiranës Veliaj dhe kryeministri i Shqipërisë Rama, një shembull nga fqinji jonë jugor që furnizon me ujë të pijshëm të bollshëm rreth 6 milionë banorë, ujë me rrjedhje të lirshme në katet më të larta, ujë për ujitje kopshtesh e lulishtesh, ujë për të gjitha bizneset e Athinës me të vetmin kufizim: matje në metro kub në disa shkallë ku secila ka pagesë më të lartë se e para. Uji është i paprekshëm ashtu si edhe energjia elektrike. Ligji është i ashpër për shkelësit e tij.
Burimi kryesor i furnizimit të Athinës me ujë është Lumi i Monrosë, lum i cili prej atje ku buron e derisa derdhet në gjirin e Korinthit, është shtatëdhjetë e shtatë kilometra i gjatë. Është një lumë i vogël si të gjithë lumenjtë e Greqisë. Më shumë se kaq nuk thotë teksti i gjeografisë së gjimnazit…
Por një tekst tjetër “gjeografie”, ai që është i lidhur me EIDHAP ( Εταειρεία Ύδρευσεις και Αποχέτευσης Πρωτεύσας – Ndërmarrja e ujë-kanalizimeve të kryeqytetit) dhe furnizimin pandërprerë të Athinës dhe rrethinave me ujë të pijshëm thotë të tjera gjëra…
Hulumtimit për Monronë nuk do t’i hyja sikur, sapo u futëm nëpër zonën shkëmbore të rrugës mes përmes Thivas të mos  na kishte dalë përpara një kanal i madh, ose më saktë me thënë, një lumë i tërë në monolite betoni, herë i mbuluar me pllaka të mëdha, herë në tunele e herë në qiell të hapët…
Lumi Morno nëpërmjet një dige që citohet të jetë “diga më e lartë prej dheu në Evropë me lartësi 126 m.”, kthehet në një liqen të bukur, si liqenet e bukur të vendit tim; ai i Ulzës, Shkopetit, Vaut të Dejës, Komanit, Fierzës, Banjës, dhe së fundmi ai i Buvillës. Ngritja e digës dhe formimi i liqenit nuk kanë pas synim prodhimin e energjisë elektrike por furnizimin me ujë të pijshëm të kryeqytetit grek Athinës dhe të tërë Atikës. Duhet theksuar se ai nuk është i vetmi ujëmbledhës që është krijuar për të njëjtin qëllim. Si ai është edhe liqeni i Marathonës dhe të tjerë. Duhet theksuar gjithashtu se ai dhe të gjithë ujëmbledhësit e tjerë nuk janë vepra të “kohëve të fundit” por vepra me një zanafillë masive të viteve ’30-të të shekullit të kaluar. Dokumentet e shkruara dhe veçanërisht fotografitë e publikuara në internet flasin për një punë sistematike për sigurimin e ujit të pijshëm për kryeqytetin por edhe për të gjitha zonat e Greqisë.
Kanali që lidh ujëmbledhësin e Mornosë me Athinën është 188.5 kilometra i gjatë. Ai përshkon 67.5 kilometra tunele, 113,5 kilometra kanale të sistemit të hapur e të mbyllur, 7.5 kilometra sifone…
…Nuk po vazhdoj më gjatë, veçse një brengë dua ta vazhdoj e ta ndaj me të gjithë.
Vendi ynë, Shqipëria, ka aq burime uji të pijshëm sa, duke përjashtuar vendet nordike (thonë), zë vendin e parë në Evropë për “ujë burimi kristal” për frymë të popullsisë. Vendi ynë, Shqipëria, ka aq  “liqene Morno” sa do të furnizonte me ujë të bollshëm jo vetëm fqinjët në kufij tokësor por edhe të kalonte detin.
Shkopeti, matur me “kilometrat Morno” është shumë afër Tiranës, Durrësit, Kavajës…
Vau i Dejës e Komani janë shumë afër Shkodrës e Lezhës…
Shqiptarët, larg ujit, “të etur e të palarë”, i ka mbajtur (dhe do të vazhdojë t’i mbajnë) politika…
Uji që del nga liqeni i Shkopetit nuk ka pse të derdhet në det. I futur në një kanal betoni në qiell të hapur, i futur në tubacione çeliku në një sistem të mbyllur, përcjellë në rrjedhje të lirë, kaluar nëpër impiante pastrimi e dezinfektimi ai do të furnizonte bollshëm me ujë jo vetëm për të pirë hapësirën gjeografike nga Miloti, Laci, Vora, Shijaku, Durrësi e Kavaja. Me një sistem pompash ngritëse do të furnizonte edhe Tiranën.
Investimi këtu është tubacionet shpërndarës dhe sistemi i pastrimit. Asgjë më tepër.
Përkundrejt 50-60 kilometrave gjatësi, ky ujësjellës do të ishte simbolik përkundrejt ujësjellësit prej 188.5 kilometrave të Athinës (me prurje 23 metro kub në sekondë), me barrën e madhe financiare të ndërtimit të “digës më të lartë prej dheu në Evropë me lartësi 126 metro” të ujësjellësit të Mornosë.
Nga fqinjët duhet të mësojmë si u shërben njerëzve jo vetëm në kryeqytet por edhe në tërë hapësirën tokësore e detare. Edhe në ishujt pa “pikë uji” të Greqisë turistët gjejnë ujë të bollshëm për nevojat e tyre të përditshme.
Në Shqipëri është dhënë alarmi. Tirana është pa ujë për shkak të rënies së nivelit të liqenit të Bovillës. Durrësi nga plazhi në Golem është në zgrip të furnizimit me ujë për shkak të tharjes së shpejtë të liqenit të Mansturisë.
Krye bashkiaku i Tiranës që gjatë fushatës zgjedhore e kemi parë çdo natë në përurime sheshesh, kopshtesh, çerdhesh etj. nuk është parë asnjëherë të përurojë ndonjë ujësjellës që u jep banorëve të tij ujë.
Tash kur temperaturat janë ngjitur në kufijtë e dyzet gradëve ai jep një alarm që për çdo  kryetar bashkie është i pa konceptueshëm.
Po citoj…
“Të vadisësh sot me ujë të pijshëm është krim. Do të gjobiten dhe procedohen penalisht ata që e bëjnë. I kam propozuar kryeministrit që në të gjithë Shqipërinë të kemi një aksion të ngjashëm me atë të energjisë elektrike. Të spërkasësh lokalin për ta freskuar me ujë të pijshëm, kjo s’ka sens. Sot dikush nuk bën dot dush në një cep të Tiranës, sepse ai tjetri lan oborrin. Nuk do lejojmë një 10% që ta kthejë ujin në kulluese makaronash. Në zonat e paformalizuara, do të vendosim sahatet që ata mos ta shpërdorojnë më ujin e pijshëm për vaditje fushash”.
Do ti thosha kryetarit Veliaj ta lejë retorikën me “burg”. Të mbledhë specialistët hidroteknikë dhe të bëjë projektin për furnizimin me ujë të pijshëm e me të gjitha funksionet e tjera qytetare jo thjesht për vitin 2030 por edhe më tej se vitet 2050.
Dhe jo vetëm të bëjë projektin por edhe të fillojë menjëherë punën për furnizimin e Tiranës së tij por edhe në bashkëpunim me kryeministrin edhe të Durrësit, Kavajës dhe qyteteve të tjerë të Shqipërisë bregdetare e malore.
Shqipëria ka burime të mëdha natyrore, ka edhe investime të mëdha liqenesh artificialë të cilët duhet të futen në sistemin e ujit të pijshëm në qytete e në fshatra.
Investimet dhe jo kërcënimet sjellin ujë…

Abdurahim Ashiku

Gazetar
Athinë, 30 qershor 2017

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.