Homazh për Muhamet Likon

0

KUR QESHJA ME LOT ME METIN ME SHOKË…


Nga arkivi i gazetarit

Homazh për Muhamet Likon…

Ata erdhën nga Vlora, nga ai qytet me histori Shqipërie në kohë e hapësirë, nga ai qytet ku lindën dhe u rritën, që i ngjiti në skenë dhe i duartrokiti duke qeshur me lot, që e përcolli humorin e tij në mbarë Shqipërinë e tash në mbarë botën, atje ku flitet e qeshet shqip. Ata kanë ardhur disa herë në Athinë, mbajnë mend shumë takime me spektatorin emigrant dy prej të cilave në një stadium të madh lojërash me dorë, shfaqje që i kanë befasuar dhe ua kanë mbushur sytë me lot. Unë i pashë ato në skenën e një buzuku në Dhafni, në bulevardin Agiu Dhimitriu 46, nën shoqërinë e Andrea Alushit. I pashë se si qeshnin emigrantët spektatorë, si ngjiteshin në skenë e këndonin bashkë me këngëtarët dhe se si vallëzonin në sallë e podium…

Këto, në formën e një meditimi do t’i përcjell në një foto reportazh numrin e ardhshëm. Sot, nga holli i “Hotel President”, duke pirë një kafe ekspres me ta, me Afrim Agalliun, Muhamet Likon dhe Agron Hamon, kërkova të hyj në minierën e humorit të tyre.
Hapa një galeri…
Nga ajo po i përcjell lexuesit paksa nga floriri  që këta BURRA i kanë dhënë popullit…
Dhe do t’i japin edhe shumë vjet të tjerë…

Unë: Kur keni lindur ?

Afrimi: Unë kam lindur më 9 tetor të vitit 1949.

Muhameti: Unë jam gaforrja, 25 qershor 1955.

Agroni: Bricjapi, 15 janar 1950.

Unë: Kur jeni lidhur me humorin ?

Afrimi: Lidhjet tona janë të hershme. Fillimisht jam lidhë unë me Agronin, rreth vitit ’68. Më pas në vitin ‘74 erdhi Maneja kurse në ’76-tën erdhi Meti. U bëmë kështu katër…

Meti: Unë jam lidhur me humorin në shtëpinë e pionierit në Vlorë, në veprimtaritë e shkollës dhe të pionierit në shkollë, në qytet dhe më gjerë në Sarandë dhe vende të tjera. Pasi mbarova ushtrinë fillova në ndërmarrjen e përpunim-drurit me veprimtaritë kulturore, me estradën e ndërmarrjes. Në vitin 1976 kalova si amator në estradën profesioniste. Në vitin 1980 u bashkuam të tërë si profesionistë.

Agroni: Në nëntor të vitit 1967 më zbulon i madhi Piro Sarasi, aktor. Isha në uzinën e sodës kaustike. Në ’68 kalova direkt aktor në estradën profesioniste. Që atëherë nuk i jam ndarë skenës e humorit.

Unë: Si të zbuloi Pirro ?

Në ato kohëra kishte një lëvizje shumë të madhe kulturore në qytetin tonë. Diku e kam thënë edhe në një vend tjetër: Atje mund të gjeje shumë Agrona, shumë Afrima, shumë Mete, shumë Mane. Pastaj ajo që thotë  Meti “Desh Zoti dhe na bashkoi të katërt“

Unë: Kur keni qeshur më shumë në jetën tuaj ?

Afrimi: Të qeshim ne është e vështirë, në qoftë se bëhet fjalë për art. Por ne kemi qeshur. Kemi qeshur dhe do të qeshim kur kemi evenimente, kur kemi gëzime në familjet tona. Kur shohim njerëzit tanë të afërt që gëzojnë dhe qeshin dhe janë të lumtur, natyrisht edhe ne jemi të qeshur e të lumtur. Nuk është kollaj të qeshim, sepse profesioni jonë është  që duhet të bëjmë të tjerët të qeshin. Qeshim në momente kur ka tipa interesantë që tregojnë bukur barsoleta. Sinqerisht unë qesh e kënaqem, kur shoh që  kolegët e mi artistë  bëjnë gjëra të bukura…

Meti: Unë them se ne qeshim më shumë kur qesh spektatori. Po u kënaq ai ndjejmë edhe ne kënaqësi. Por më shumë, që kemi qeshur së bashku me spektatorin, ka qenë kurë në konfidencë me njeri tjetrin kemi bërë ndonjë lapsus në material. E kemi dalluar që të tre që Agroni gaboi. E ka kuptuar edhe spektatori dhe ka filluar të qeshë. Atëherë kemi qeshur  së bashku. Qesh ata e qesh ne, sa ka arritur që materiali është lënë përgjysmë vetëm nga e qeshura.

Unë: Kur ka ndodhë kjo?

Ka ndodhur… Për 8 marsin në Vlorë në pallatin e sportit kur i ra lexhia kolegut tonë me gjithë partiturë. Ai nuk e kishte shkruar atje tekstin por te partitura. I ra… E ngriti… I ra përsëri…E ngriti përsëri… Duke qeshur pësh-pësh, nga një çikë e nga një çikë ne, fillojnë të qeshnin gratë. “avash tha ai se na prishët vëmendjen”, sikur ia kishin fajin ato. atëherë qesh ne me lot, qesh gratë…U la përgjysmë materiali sepse ishte parodi me të kënduar. Kur këndon edhe qesh nuk këndon dot, është e pamundur.

Agroni: Si tha Meti raste ka plot. Edhe në sallë brenda na ka bërë vaki me publikun. Kur ai e ka marrë vesh se ne bëmë ndonjë lapsus, apo edhe ndoshta mund të kemi harruar ndonjë gjë dhe kemi futur ndonjë batutë që nuk ka qenë fare, ka qenë stropjo, ka plasur një gaz që na ka thyer brinjësh.

Unë: Po, e kundërta: kur keni qarë në skenë ?

Afrimi: Unë mbaj mend të kem qarë kryesisht kur kemi qenë për shfaqje në emigracion. Në Greqi, në Amerikë, në Kanada, në Angli, apo edhe në Itali, kudo që kemi qenë, kur shohim emigrantët, motrat, vëllezërit tanë, të afërmit tanë, bashkëqytetarët, bashkatdhetarët që na ndjekin në shfaqjet që organizohen, kur ata qeshin dhe në të njëjtën kohë edhe qajnë edhe ne reflektojmë. Ata pika lot na dalin edhe neve nga sytë. Kur shohim bashkatdhetarët tanë që qajnë.

Meti: Unë për të qarë nuk para kam qarë përveçse në raste gëzimi, kur kemi takuar ndonjë shok të vjetër jashtë shtetit, nga emocionet, nga fjalët e tyre, nga respekti i madh ndaj nesh. Vetëm lot gëzimi, jo qarje.

Agroni: Unë nuk u heq asnjë presje atyre që tha Afrimi dhe Meti. Lot emocionalë me thënë të vërtetën, unë dhe pa diskutim edhe tre shokët e mi, kemi derdhë kur jemi dekoruar me titullin e lartë “Naim Frashëri i artë”. Ishte një vlerësim i punës sonë mbi 35 vjeçare. Ato momente kanë qenë emocionale kur na u dorëzua dekorata e lartë nga ministrja e kulturës e asaj kohe.

Unë: Kujtoni ndonjë moment që lidhet me kulmin e të qeshurit në sallë ?

Afrimi: Momente të bukura ka plot. Në sallë e qeshura është masive dhe nuk mund t’i ndash spektatorët kur ata qeshin të gjithë së bashku. Momente të veçanta pastaj duhet të kujtohemi…

Mbaj mend një rast shumë të bukur në Tiranë, para shumë vitesh, kur Meti tregonte monologun e “Qypit” dhe ne ishim duke ngrënë e pirë me disa shokë miq të Tiranës. Kur arriti Meti tek momenti i “pordhës” njeri nga miqtë tanë qeshi aq shumë sa i shpëtoi shurra në brekë dhe iku. “Nuk duroj dot më, tha dhe duke mbajtur dorën nën shalë iku”. Ky ka qenë momenti që ne kemi qeshur shumë. (qesh)

Meti: Atëherë është qeshur shumë, sidomos në Vlorë. Monologun e “Qypit” unë e kisha xhiruar në ‘86-tën. Meqë ishte pak si banal nuk u dha. I njëjti xhirim është dhënë në ‘91-shin. Ndërkohë këtë unë e futa në skenë në ‘90-tën në Vlorë. Aty kam dhënë tridhjetë shfaqje sepse në Vlorë vinin dhe iknin, nga fillimi i eksodit. Vinin dhe më thonin “Do të na e tregosh atë sot sepse jemi për të ikur për andeja”. Nuk më harrohet një burrë rreth të pesëdhjetave i cili si mbaroi shfaqja mu afrua dhe më tha “Dal të të shikoj tamam se nuk më linin lotët të të shikoja surratin”. Më përqafoi, më puthi, më tha rrofsh dhe iku. Ka pasur shumë raste të tjera që kanë qeshur tamam.

Agroni: Pyetja është një çikë e vështirë. Neve në tërë karrierën tonë na kanë shoqëruar të qeshurat e mëdha në sallë dhe ndoshta kjo është ajo që ne kemi mbijetuar edhe sot e kësaj dite dhe publiku na ndjek me të qeshurat e tij sepse po të mos na ndiqte me thënë të vërtetën ne mund të  ishim shpërbërë si grup.

Unë: Jeni krijues dhe interpretues. Ku buron , cilët janë krojet e humorit tuaj ?

Afrimi: Ne mbështetemi te populli. Një ambient dasme, gëzimi apo ndonjë ambient shoqëror apo edhe në një bar a bufe. Njerëzit që na rrethojnë jo vetëm na dëgjojnë por edhe i dëgjojmë ata. Marrim shkas nga njerëz, nga karaktere, qoftë edhe personazhe që nuk i kishim njohur më parë, që i takojmë rastësisht. Kushdo artist, jo vetëm ne, përgjithësisht artistët e mirë tek populli mbushin “ kovat “ e humorit dhe të artit.

Unë: Met ! Qypin ku e ke gjetë ?

Meti: Qypin ? (qesh) Kur isha amator e kam dëgjuar nga i madhi i estradës së Vlorës, nga të parët, i pari fare, Gaqi Vishi. Po ua tregonte kolegëve të tij. Unë e dëgjova, ma kapi veshi. Dhe në atë rastin që tha Afrimi, që u përmor në brekë nga të qeshurat kemi qenë tek Vjosa në Tiranë, te taverna poshtë, duke pirë e duke ngrënë. Po tregonim barsoleta. Unë thashë me vete “ta tregojë njëherë”: Ishte si provë për vete. Atje ai ra përmbys. E la tavolinën. Iku të ndërrojë benevrekët se ishte burrë i moshuar. Erdhi pastaj. “ Je kështu e je ashtu…”
Në fakt neve veprimtarinë tonë e marrim kudo. Herë pas here na bashkojnë shumë tavolina, shumë njerëz. Mua kur më pyesin se me kë je ti, çfarë krahu je? U them se jam “partia e karaqejfit”, e tavolinës me një fjalë. Në një tavolinë, me miq të dashur e shokë plot, aty  njerëzit tregojnë gjëra të bukura. Ajo që na pëlqen e marrim dhe e kthejmë në material, në skeç, parodi etj. sipas vlerës që ka. Kjo është krijimtaria. Nga njerëzit i marrim, nga jeta.

Agroni: Aktori ka një lloj dhuntie të tillë që hulumton, heton, ta quaj kështu, një thënie që ju mund ta thoni pa ndonjë teklif ne na ngacmon. E diskutojmë me njeri-tjetrin. Këtu e gjejmë pikën mbështetëse në frymëzimin tonë. Temat shoqërore përbëjnë edhe çelësin e suksesit tonë. Ka të tilla tema populli ynë sa të të mbërthejnë shumë shpejt.

         Unë: Në mënyrë figurative, matur me kilometrat e rrugës që keni bërë; detare, ajrore, tokësore, sa është “kilometrazhi” i humorit tuaj ?

Afrimi: Ne kemi bërë shumë kilometra. Në kuptimin figurativ, siç thoni  ju, të humorit, do të vazhdojmë të bëjmë aq kilometra sa të shohim që spektatori të ketë të qeshurën e tij të zakonshme. Në qoftë se do të kuptojmë se spektatori nuk do të na buzëqeshi  ashtu siç na ka buzëqeshur, atëherë kilometrat tona do të shkurtohen. Deri tani e ndjejmë veten se jemi mirë dhe besoj se kontribuojmë dhe do të kontribuojmë akoma.

Meti: Unë them se nuk mund ta matim dot humorin me kilometra se duhet të ishim edhe gjeometra. Muhabeti është këtu që ne do të vazhdojmë me këtë humor edhe për aq kilometra sa të shkojmë deri në fund të rruzullit. Do të vazhdojmë, do të vazhdojmë derisa të kemi fuqi.

         Agroni: Deri më sot, në mënyrë kështu për të qeshur pak, kemi mbi tridhjetepesë vjet kilometra. Kur të mbarojë ajo pika e fundit e benzinës atëherë do të themi se mbaruam, e lamë punën për karburant.

Unë: Mirë por karburanti është shtrenjtuar shumë?

Agroni : Eh ! Edhe ne jemi bërë të shtrenjtë.

Unë: Një “fuçi” humor sa ka shkuar ?

          Meti: Edhe humori, edhe qejfi s’kanë të paguar, ndaj janë shtrenjtuar.

          Unë: Sa herë keni ardhë në Greqi ?

Afrimi. Në Greqi ne kemi ardhë shumë herë. Por ajo që vlen për të theksuar është ardhja e dy herëve të fundit, para një vit e gjysmë dhe këto ditë, dje dhe pardje. Këtë të fundit e ka bërë të mundur Andrea Alushi me kompaninë e tij të njohur kulturore “Univers”.

Agroni:  Pa u heq asnjë presje atyre që thanë shokët e mi ne Shqipërinë e kemi rrahur në të gjitha trevat. Më duket, nuk jemi  keq, jemi mirë edhe në trevat e Greqisë dhe ato të Italisë, deri diku ato të Anglisë dhe Amerikës dhe Kanadasë.

Unë: Cila do të ishte përshëndetja juaj  humoristike për lexuesin emigrant në Greqi ?

Afrimi: Problemi është se ti i bën këto pyetje dhe kërkon përgjigje pa na lënë kohë të mendohemi.

Atëherë bëjmë një pushim dhe mendou.

(Pas pushimit)

Meti: Mesazhi im për emigrantët është ky: Lexoni dhe punoni greqisht  por fëmijëve tuaj dhe vetes i flisni shqip, mos e harroni shqipen.

Agroni: Mjaft emigrim ! Tani duhet të jeni migruar njëqind për qind në jetën tuaj. Ato pesë pare vini në vendin tonë. Do të kenë vlerë akoma më të mëdha.

Afrimi: Urimi im për të gjithë emigrantët, jo vetëm në Greqi por në të gjithë botën, është të kenë jetë e shëndet dhe të kthehen sa më shpejt pranë njerëzve të tyre, në shtëpitë e tyre, të kontribuojnë  jo më për grekun, italianin, gjermanin, anglezin, amerikanin por për vendin e vet.

Meti: Do të desha të shtoj diçka për të qeshur… Siç dihet gjahtarët gënjejnë. Edhe ne kemi një shok gjahtar. Një ditë, katër apesë vetë ishim ulur  rreth tavolinës, kuptohet me ndonjë çikë raki e salcë kosi. Ai filloi të mburrej. “Kam ca pëllumba, tha, nja dyzetë çifte pëllumbash fantastikë. Ca këmbëleshë, ca çaf kularë, ca larashë, ca të kuq, ca blu, ca të zinj…Kanë një gjë fantastike; – ia jap tjetrit një çift e për një orë çifti më vjen në shtëpi.

Ma kërkoi njeri në Lushnje “Aman a të keqen, mu lut duke më rënë në gjunjë, më jep një çift se i ke shumë të bukur”. Ia dhashë. Për tre ditë pëllumbat më erdhën në shtëpi.

M’i kërkoi një shkodran “ T’u bëfça, ta marça më jep një çift”. Ia dhashë. Për një javë më erdhi çifti në shtëpi, në Vlorë. Nuk mbahen.

Më kërkoi një çift një dibran, prej Dibrës së Madhe në Maqedoni. “Allejshkën, di plluma m’ep, ni voc e ni cucë, më tha”. Ia dhashë. Për pesëmbëdhjetë ditë pëllumbat direkt e në shtëpi…

Kushedi se në çfarë vendi të Evropës e Amerikës do të kishte shkuar me pëllumbat e vet sikur mos tia priste llafin një shok i tavolinës. Kishte pirë një çikë mirë shoku ynë.

“ Boll na përrallise ”, i tha duke përplasur gotën mbi tavolinë sa stërkalat e rakisë i ranë në sy.

“ Po pse “?- ia ktheu gjahtari.

“ Po ty ka dy vjet që të ka ikur plaka në Greqi dhe nuk po të kthehet. T’u kthekërkan pëllumbat ty nga Shkodra e Dibra !” (qeshim) 

Bisedoi Abdurahim Ashiku

Athinë 17 korrik 2006

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.