Hidrocentralet, nga Vithkuqi në Koman dhe …

0

I kam në kujtesë shumë ngjarje që lidhen me ndërtimin e hidrocentraleve në Veri të Shqipërisë. Më kujtohen si nëpër mjegull vitet e fëmijërisë kur karroceritë e kamionëve mbushur me djem e vajza dibranë niseshin nga Dibra për në Ulzë. Më kujtohet kur më vonë do të kaloja nëpër “Rrugën e Dritës” (siç u quajt atëherë rruga e re Milot – Burrel) hedhja shtat, midis shkëmbinjve të “Skillës e Karibdës”, e Digës së betontë të Shkopetit.

Kam parë se si hapeshin tunelet e Zadejës dhe si hidhte shtat hidrocentrali i Vaut të Dejës ashtu siç kam parë në trevën e Dibrës tek ndërtoheshin hidrocentralet hidrocentralet e vegjël mbi vepra ujore.

Nuk kam qenë as në Fierzë dhe as në Koman fizikisht por kam takuar e kam shkruar për shumë dibranë nga Çidhna, Dardha e Reçi që tek flisnin më ngjanin se mbi shpinën e tyre ngriheshin diga betoni e dheu.

Kam shkruar edhe për një nga heronjtë e mëdhenj të tuneleve të dritës, për Sabri Shinin, “Luanin e tuneleve”, njeriun që çau me kazmë e barominë tunelet e Dajtit për ti dhënë dritë dhe ujë Tiranës në vitin 1952, njeriun që ka vaditur me djersë tunelet e të gjitha veprave hidroenergjetike të Shqipërisë.
Kam bërë edhe një reportazh me ndërtuesit e hidrocentralit të Banjës…

Edhe diçka se desh e harrova. Në vjeshtë të vitit 1955 nëpër tokën e të parëve të mi, vetëm një metër larg avllisë, mes për mes ogrades, do të kalonte uji i vaditjes së Brezhdanit për tu grumbulluar në një hauz të vogël, për të zbritur me shpejtësi e forcë në tatëpjetën e vreshtit tonë e livadhit të Karasanëve për të rënë mbi një turbinë ku gjeneratori i lidhur me të kishte një fuqi prej 50 kilovatësh energji elektrike që ushqente me dritë llambat 110 voltësh të fshatit më të madh të Dibrës…

Ishte koha kur Shqipëria kërkonte dije dhe dritë.

I kisha lënë në harresë ato kohë, ato vite. I kisha harruar ”skllevërit e dritës”…

Është krim ti harrosh. Ata, në çdo pesë vjet ndërtuan nga një hidrocentral, diga e njërit prej të cilëve është më e larta në Evropë…

I kërkova dhe i gjeta “të murosur” mbi “diga drite”, diga që fillojnë në Vithkuq e mbarojnë në Koman…

Këto shënime janë në kujtesë të atyre që i ndërtuan dhe në mësim orësh gjeografie për brezin e ri, brez të cilit i takon të ngrejë vepra të tjera të mëdha për më shumë dritë, “më shumë dritë or vëlla!” siç thoshte poeti i madh i rinisë.

 

Abdurahim Ashiku

 

 

 

Vithkuqi 1933…

 

Hidrocentrali i parë në Shqipëri është ai i Vithkuqit, hidrocentral i cili u ndërtua në vitin 1933 në kohën e regjimit monarkik të mbretit Zog. Fuqia  e instaluar e tij ishte modeste, aq sa t’i jepte dritë fshatit të njohur në historinë dhe kulturën e Shqipërisë.

 

Lanabregas: 1947 – 1952

 

Historia “intensive” e ndërtimit të centraleve që për prodhimin e energjisë elektrike shfrytëzonin  forcën e ujit në Shqipëri fillon me Lanabregasin e Tiranës, me hidrocentralin që njihet me emrin Vladimir Iliç Lenin” të Selitës i cili ndodhet në lindje të Tiranës, rrëzë malit të Dajtit.

Kazmat e para për fillimin e punimeve të ndërtimit të asaj vepre hidroenergjetike, e cila ishte projektuar nga specialistët dhe inxhinierët jugosllavë, për t‘i dhënë
dritë vetëm qytetit të Tiranës, nisën aty nga pranvera e vitit 1947, dhe punimet e tij përfunduan më datën 8 nëntor 1952, kohë në të cilën ai u vu në shfrytëzim.
Ndërtimi dhe vënia në shfrytëzim e asaj vepre u bë e mundur edhe nga ndihma e kreditë e qeverisë jugosllave të akorduara shtetit shqiptar, që asokohe sapo kishte
dalë nga lufta dhe ishte tejet i varfër e i prapambetur. Për të vënë në lëvizje turbinat e atij hidrocentrali, u përdorën burimet natyrore të ujit që rridhte nga nëntoka e Selitës dhe e Shënmërisë, prej nga, që në atë kohë dhe për shumë vjet më pas, furnizohet me ujë të pijshëm qyteti i Tiranës. Uji i përftuar nga ato burime, pasi kalon nëpërmjet gjashtë tuneleve (të ndërtuar në atë kohë), futet nëpër dy tubacione paralele që bien thikë mbi turbinat e hidrocentralit të Lanabregasit nga një lartësi prej 630 metra. Sipas specialistëve të hidroenergjetikes shqiptare (të botuara në statistikat e mesit të viteve ‘80), ai hidrocentral ka një fuqi të vendosur prej 5 mijë kë, me dy agregate dhe me prodhim vjetor të energjisë elektrike që shkon deri në rreth 40 milion kwh. Ndryshe nga hidrocentralet e tjerë, që u ndërtuan më pas në vendin tonë, ai i Selitës i ka të futura nën tokë edhe ndërtesën e centralit elektrik, edhe nënstacionin e tij.

Aty nga viti 1963, prurjet e ujit në atë hidrocentral erdhën duke u shtuar, gjë që bëri të mundur edhe rritjen e prodhimit të energjisë elektrike në atë vepër, uji i të cilës përfundon në ujësjellësin e Tiranës.
Ulzë: 1952 – 1957

 

Menjëherë pas ndërtimit dhe vënies në shfrytëzim të hidrocentralit të Selitës, aty nga viti 1952 filloi ndërtimi i një hidrocentrali tjetër mbi lumin e Matit, pranë Ulzës. Ashtu si hidrocentrali i Selitës, edhe për atë që po ndërtohej mbi lumin Mat,
projektet e para ishin bërë prej specialistëve jugosllavë, por që me prishjen e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, ato u lanë përgjysmë. Hidrocentrali i Ulzës vazhdoi dhe u ndërtua me ndihmën e specialistëve dhe inxhinierëve sovjetikë, duke u
vënë në shfrytëzim në vitin 1957. Në atë vepër hidroenergjetike u ndërtua një digë betoni me një lartësi prej 60 metrash dhe me një gjerësi prej 260 metrash në pjesën më të lartë të saj. Aty është vendosur edhe vepra e marrjes së ujit së bashku me ndërtesën e centralit dhe atë të shkarkimit sipërfaqësor për efekt të prurjeve të mëdha, që përbëhen nga katër hapësira. Ndryshe nga veprat e tjera hidroenergjetike të ndërtuara më pas në vendin tonë, karakteristikë e hidrocentralit të Ulzës është salla e makinerive, e vendosur brenda në trupin e digës, që ka një vëllim prej 260 mijë metrash kub beton. Nga ndërtimi i asaj dige mbi lumin Mat është përftuar një rezervuar (liqen), me një vëllim të përgjithshëm prej 240 milionë metra kub ujë. Në përfundimin e tij, hidrocentrali kishte një fuqi të vendosur prej 25,6 mijë kë, me katër agregate dhe me
një prodhim mesatar vjetor të energjisë elektrike që shkonte deri në rreth 120 milionë kwh.

 

 

Shkopet: 1959 – 1963

Hidrocentrali i tretë i ndërtuar në vendin tonë dhe i dyti mbi lumin Mat, është ai i Shkopetit, i cili para viteve ‘90 njihej ndryshe me emrin “Frederik Engels”. Punimet e para të asaj vepre hidroenergjetike, ngritur mbi Grykën e Shkopetit, filluan në vitin 1959, me ndihmën e specialistëve dhe inxhinierëve sovjetikë, që pas prishjes së marrëdhënieve në mes dy vendeve në fundin e vitit 1961 u larguan duke e lënë përgjysmë. Ndërtimi i tij vazhdoi me specialistët dhe inxhinierët shqiptarë që bënë të mundur përfundimin dhe vënien e tij në shfrytëzim në vitin 1963. Për ndërtimin e atij
hidrocentrali u ngrit një digë e lartë prej 47.7 metrash, e cila është ndërtuar në formë harku, ku dhe janë vendosur: shkarkuesi sipërfaqësor i prurjeve të mëdha, sistemi i sjelljes së ujit, së bashku me veprën e marrjes e tunelin e sjelljes, kulla e ekuilibrimit,
ndërtesa e centralit dhe nënstacioni elektrik. Ajo vepër hidroenergjetike në përfundimin e saj shënonte një fuqi të vendosur prej 24 mijë kw, me dy agregate
dhe me prodhim mesatar vjetor të energjisë elektrike prej rreth 90 milion kwh. Diga e atij hidrocentrali krijon një rezervuar (liqen) të madh, me një vëllim prej 14 milionë metra kub ujë, i cili veç të tjerash prej vitesh është shfrytëzuar dhe shfrytëzohet edhe
për peshkim nga banorët e fshatrave përreth tij.
Bistrica 1: 1960 – 1965

Hidrocentrali i katërt i ndërtuar në vendin tonë është ai mbi lumin Bistricë, i cili para viteve ‘90 është njohur ndryshe me emrin “Josif Stalin”. Ajo vepër hidroenergjetike filloi të ndërtohej në vitin 1960 me ndihmën e specialistëve dhe inxhinierëve sovjetikë, por me prishjen e marrëdhënieve mes dy vendeve, ata e lanë përgjysmë dhe ndërtimi i saj u bë i mundur në sajë të specialistëve dhe inxhinierëve shqiptarë, të
cilët e përfunduan duke e vënë në shfrytëzim në vitin 1965. Në atë vepër hidroenergjetike janë ndërtuar: një digë me një lëndë speciale, e cila është 17 metra e
lartë, shkarkuesi i prurjeve të mëdha tip kulle, sistemi i sjelljes së ujit me veprën e marrjes së ujit pranë digës, tubacioni i sjelljes së ujit prej betoni të armuar, tuneli i sjelljes me një gjatësi prej 3.8 km, kulla e ekuilibrimit dhe tri tubacionet e
turbinave, si dhe ndërtesa e centralit dhe nënstacioni elektrik. Në përfundimin e punimeve dhe vënien në shfrytëzim të atij hidrocentrali, fuqia e vendosur e
tij shënonte 22.5 mijë kw, me tre agregate dhe me një prodhim vjetor prej rreth 110 milionë kwh.

 

Bistrica 2: 1965 – 1966

 

Me mbarimin e Bistrica 1, e cila e shtoi së tepërmi prodhimin e energjisë elektrike në vendin tonë, filloi menjëherë ndërtimi i një hidrocentrali tjetër po mbi atë lumë, i cili u quajt “Bistrica 2”. Ky hidrocentral funksionon me anë të ujit që e merr nga një kanal i hapur, i cili rrjedh prej hidrocentralit tjetër (atij nr. 1).
Hidrocentrali nr. 2, i cili u vu në shfrytëzim në vitin 1966, shënonte një fuqi të vendosur prej 5 mijë kw, me një agregat dhe me një prodhim vjetor mesatar
të energjisë elektrike prej 34 milionë kah

 

Vau i Dejës: 1967 – 1971

 

Pas përfundimit të ndërtimit dhe vënies në shfrytëzim të dy hidrocentraleve mbi lumin Bistricë, duke parë se nevojat e vendit për energji elektrike po rriteshin gjithnjë e më shumë (kjo më tepër, me ngritjen e ndërtimin e disa veprave të reja industriale), qeveria shqiptare filloi ndërtimin e një hidrocentrali tjetër tashmë mbi lumin Drin, në vendin e quajtur Vau i Dejës, pak kilometra në verilindje të qytetit të Shkodrës.

Kazmat e para për ndërtimin e atij hidrocentrali (për të cilin ishin bërë studime
fillestare që në vitin 1915 nga një inxhinier italian), u hodhën aty nga viti 1967, ndërsa përfundimi dhe vënia në shfrytëzim e tij u bë e mundur vetëm në vitin 1971. Përfundimi i asaj vepre hidroenergjetike, e cila u bë realitet edhe në sajë të ndihmave dhe kredive të dhëna nga qeveria kineze, u konsiderua një ngjarje e madhe, pasi me fuqinë e instaluar aty, prodhimi i energjisë elektrike pësonte gati një dyfishim të kapaciteteve të tij. Për ndërtimin e atij hidrocentrali u ngrit një digë mbi fshatin Zadejë dhe një në Qyrsaq, ku në këtë të dytën është ndërtuar edhe tuneli i devijimit të lumit Drin, i cili është përshtatur edhe për prurjet e mëdha gjatë shfrytëzimit të tij. Në Qyrsaq, në digën e ndërtuar prej betoni, e cila është 60 metra e lartë, janë vendosur edhe shkarkuesi i një pjese të prurjeve të mëdha të lumit, si dhe vepra e marrjes së ujit. Në vazhdim të saj është ndërtuar diga me gurë dhe bërthamë deltine, e lartë 46.4 metra, e cila mbyll qafën e Qyrsaqit, tubacionet e turbinave me ndërtesën e centralit dhe nënstacionit elektrik. Ndërtimi i këtyre dy digave ka bërë të mundur krijimin e një rezervuari (Liqeni i Vaut të Dejës), i cili ka një vëllim përafërsisht prej 580 milionë metra kub ujë. Në përfundim të asaj vepre, ai hidrocentral shënonte një fuqi të vendosur prej 250 mijë kw, me pesë agregate dhe me një prodhim mesatar vjetor të energjisë elektrike prej rreth 1.1 miliard kwh

 

Fierza:  1971 – 1978

 

Pas përfundimit dhe vënies në shfrytëzim të hidrocentralit të Vaut të Dejës, qeveria shqiptare e asaj kohe, vendosi që mbi lumin Drin të ndërtohej edhe një vepër tjetër hidroenergjetike, vepër e cila do të kishte një fuqi të instaluar, pothuaj sa të gjitha hidrocentralet e tjera të ndërtuara deri në atë kohë, të marra së bashku. Qëllimi kryesor i ndërtimit të asaj vepre gjigante hidroenergjetike (diga e së cilës është më e larta në Evropë), ishte furnizimi me energji elektrike i Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit, konsumatori më i madh i energjisë në të gjithë vendin.

Fillimet e para të punës për ndërtimin e këtij hidrocentrali, i cili do të ndërtohej mbi lumin Drin (në vendin e quajtur Fierzë), e kanë zanafillën në muajin nëntor të vitit 1971.

Për ndërtimin e hidrocentralit të Fierzës, i cili ashtu si pjesa më e madhe e veprave të tjera hidroenergjetike të ngritura deri në atë kohë në vendin tonë, u bënë të mundura në sajë të ndihmës ekonomike e financiare dhe kredive të dhëna nga qeveria kineze për Shqipërinë, u ngrit një digë me gurë dhe zhavorr dhe me bërthamë deltine, e cila është 166 metra e lartë. Pranë asaj dige janë ndërtuar: sistemi i sjelljes së ujit me veprën e marrjes dhe katër tunelet e turbinave, ndërtesa e centralit dhe nënstacioni elektrik, dy tunelet e shkarkimit të prurjeve të mëdha, si dhe dy tunelet e devijimit të
lumit që u përdorën gjatë ndërtimit të tij. Me përfundimin dhe vënien e tij në shfrytëzim në vitin 1978, ai hidrocentral kishte një fuqi të vendosur prej
500 mijë kw, me katër agregate, me prodhim mestar vjetor që shkonte në rreth 1.8 miliardë kwh. Nga ndërtimi i digës së atij hidrocentrali është formuar një liqen artificial me një vëllim prej 2.7 miliardë metra kub ujë. Ashtu si edhe hidrocentrali i Vaut të Dejës, ai i Fierzës u ngrit me pajisjet dhe makineritë e ardhura nga Republika Popullore e Kinës, me të cilën qeveria shqiptare kishte kontraktuar vite më parë, kur marrëdhëniet në mes tyre ishin tepër të ngushta dhe miqësore. Për ndërtimin e asaj vepre të madhe hidroenergjetike, e cila deri në atë kohë mbante dhe peshën më të madhe në furnizimin me energji elektrike në të gjithë vendin, punuan me mijëra e mijëra punëtorë, teknikë, specialistë dhe inxhinierë, jo vetëm nga krahinat e Veriut të Shqipërisë, si Shkodra, Tropoja, Kukësi, Dibra, Puka etj., por edhe nga rrethet e tjera, deri nga Jugu i Shqipërisë.

 

Koman: 1979 – 1985

 

Hidrocentrali i tretë dhe i fundit që u ngrit mbi lumin Drin, por i fundit edhe në Shqipëri, është hidrocentrali i Komanit (ndodhet në vendin e quajtur Gryka e Melgunit), mbi lumin Drin, i cili para viteve ‘90 është njohur ndryshe me emrin “Enver Hoxha”.

Fillimi i punimeve të asaj vepre hidroenergjetike, e cila është dhe më e madhja jo vetëm mbi kaskadën e lumit Drin, por edhe në të gjithë vendin tonë, e ka zanafillën në vitin 1979, dhe përfundimi i tij e vënia në shfrytëzim u bë e mundur në vitin 1985. Ashtu si hidrocentrali i Fierzës, qëllimi i ndërtimit të hidrocentralit të Komanit ishte furnizimi me energji elektrike i një pjese të madhe të veprave të ndryshme industriale të ngritura ndër vite në disa rrethe të vendit, të cilat përfitonin edhe pjesën me të madh të prodhimit të këtyre dy veprave hidroenergjetike. Për ndërtimin e hidrocentralit të Fierzës janë ngritur: diga e madhe me gurë dhe ekran prej betoni të armuar, sistemi i sjelljes së ujit me veprën e marrjes, dy tunelet e sjelljes, dy kullat e ekuilibrit dhe katër
tunelet e turbinave, ndërtesa e centralit me nënstacionin elektrik, dy tunelet e shkarkimit të prurjeve të mëdha gjatë shfrytëzimit dhe dy tunelet e devijimit të lumit gjatë ndërtimit. Nga ndërtimi i digës është bërë i mundur krijimi i një rezervuari
(liqeni) artificial, i cili zë një sipërfaqe prej rreth 12 km katrorë dhe një vëllim uji prej 450 milionë metra kub. Ndryshe nga veprat e tjera hidroenergjetike, të ngritura deri në atë kohë në Shqipëri, kryesisht ato mbi lumin Drin, të cilat u ndërtuan edhe me ndihmat e kreditë e dhëna nga qeveria kineze, hidrocentrali i Komanit u ndërtua me
asistencën teknike të specialistëve dhe inxhinierëve të ndryshëm që qeveria shqiptare kontraktoi nga disa shtete të Evropës, kryesisht ata francezë, të cilët u morën edhe me montimin e turbinave gjigante. Me përfundimin dhe vënien në shfrytëzim të asaj vepre, ai hidrocentral shënonte një fuqi të vendosur prej 600 mijë kw, me katër agregate dhe me një prodhim mesatar vjetor të energjisë elektrike prej 2 miliardë kwh. Pjesa më e madhe e prodhimit vjetor të energjisë elektrike që përftohej nga hidrocentrali i Komanit përdorej për nevojat e brendshme të vendit (në vepra
industriale dhe konsum familjar) dhe 25% e saj shkonte për eksport.

Me vendosjen e tragetit liqeni i hidrocentralit të Komanit shënoi fillimin e transportit ujor për mallra e pasagjerë në brendësi të territorit të Shqipërisë.
HEC-e të mëdhenj dhe TEC-e të vegjël

 

Përveç ndërtimit të hidrocentraleve të Selitës, Bistricës (1 dhe 2), Ulzës, Shkopetit, Vaut të Dejës, Fierzës dhe Komanit, rrjeti hidroenergjetik i Shqipërisë furnizohej edhe nga dy TEC-e (Termo-Elektro-Centrale), të mëdhenj, ndërtuar në Korçë dhe në Fier. Po kështu, përveç këtyre veprave të mëdha që ishin dhe baza kryesore e prodhimit të
energjisë elektrike në vend, gjatë periudhës së regjimit komunist të para viteve ‘90, pothuaj në të gjithë Shqipërinë ishin ngritur edhe disa dhjetëra hidrocentrale të vegjël lokalë, që përdoreshin kryesisht për furnizimin me energji të fshatrave dhe
zonave të tjera të banuara ku ishin ngritur. Pjesa më e madhe e këtyre hidrocentraleve të vegjël, apo më mirë të themi e ish-hidrocentraleve (pasi nga kalimi i viteve ato janë amortizuar tërësisht dhe pas viteve ‘90 shumë pak prej tyre janë në gjendje për të
prodhuar energji) u ndërtuan në rrethet e Korçës, Dibrës, Librazhdit, Tepelenës, Elbasanit, Tiranës etj. mbi degë të lumenjve ose mbi veprat ujore.
Banja: 15 qershor 1986… ? !

 

Ai nuk u quajt thjesht hidrocentral i Banjës, mbasi vepra nuk ishte vetëm për të prodhuar energji elektrike, por për zhvillimin e bujqësisë në Shqipëri. Kështu ai u quajt “Kompleksi hidroenergjetik i Banjës”, vepër e cila filloi të ndërtohej më 15 qershor 1986.

Në janar të vitit 1987 u bë transferimi i ndërmarrjes së ndërtimit të hidrocentralit nga Komani në Banjë dhe filluan punimet në shkallë të gjerë. Në prill të vitit 1987 mbaruan punimet në kanalin e devijimit dhe lumi Devoll u devijua nga shtrati i tij. Liqeni që u krijua filloi që në verën e vitit 1988 të japë një sasi të konsiderueshme uji për ujitje. Kështu gjatë këtij viti nga ky liqen bujqësisë iu dha 30 milionë m³ ujë. Gjatë verës së vitit 1989 bujqësisë iu dhanë 120 milionë m³ ujë.

Fuqia e instaluar e hidrocentralit të Banjës do të kishte një kapacitet prej 60.000 kilovat me një prodhim vjetor prej 250 milion kw/orë. Liqeni i cili do të krijohej nga ngritja e hidrocentralit të Banjës do të shkonte deri në Gramsh dhe ky qytet do të bëhej një qytet liqenor. Liqeni do të kishte një vëllim prej 700 milionë m³ujë nga i cili 400 milionë m³ ujë do të përdorej për ujitje në bujqësi. Me këtë ujë do të ujiteshin rreth 100.000 ha tokë bujqësore nga e cila 30.000 ha do të futeshin për herë të parë nën ujë, ndërsa 70 mijë ha të tjera do të përmirësoheshin në disa rrethe të vendit si në Elbasan, Lushnjë, Fier, Berat, Durrës etj. Si rezultat i punës së bërë për ngritjen e hidrocentralit të Banjës, lëvizën 3 fshatra: Darëzeza, Shushica e Banja. Fshati i parë kaloi në rrethin e Fierit, ndërsa dy të tjerët u ngritën aty pranë hidrocentralit. Me përfundimin e hidrocentralit të Banjës dhe krijimin e liqenit, parashikohej vendosja e tragetit për lëvizjen e udhëtarëve dhe të mallrave drejt qytetit të Gramshit e fshatrave përreth dhe anasjelltas duke e bërë lumin e Devollit të lundrueshëm.
Në vitin 1990 punimet në hidrocentralin e Banjës kishin arritur në 50%. Zhvillimet e reja Demokratike, që filluan në Shqipëri me Lëvizjen Studentore të Dhjetorit 1990, bënë që Banja të mbetej peng i ndryshimit të sistemeve. Inxhinierë dhe punëtorë të punësuar për ndërtimin e veprës vendosën të largoheshin, ndërsa një pjesë e tyre tashmë me familje vazhduan jetën buzë veprës gjigante, e cila e braktisur në punime, u la në mëshirën e fatit. Në vitet e tranzicionit hidrocentrali i Banjës iu nënshtrua shkatërrimeve duke shtuar këtu edhe faktorët natyralë. Ajo që mund të grabitej u mor me të gjitha mënyrat, ndërsa pjesa tjetër u shkatërrua gjatë viteve nga procesi i ndryshkjes dhe lagështira.

Shënim: Hidrocentrali i Banjës, mbi lumin Devoll, pak më shumë se 60 kilometra në juglindje të Tiranës përfundoi një vit më parë (2016) Ai ka një kapacitet të instaluar prej 73 Megawat, dhe parashikohet të prodhojë në vit 174 Gwh energji, e barabartë me 5 për qind të prodhimit aktual vendas. Hidrocentrali ka një digë të lartë 80 metra ndërsa rezervuari i tij me një sipërfaqe 14 kilometra katrorë mund të mbledhë deri në 391 miliard litra ujë. Të paktën 2 mijë punëtorë, sipas kompanisë Statkraft, u angazhuan në ndërtimin e tij. Kompania norvegjeze ka investuar ndërkohë dhe në ndërtimin e infrastrukturës së zonës, duke ndërtuar rrugë dhe disa ura. (A.A.)

 

Njëzet e një vjet pa asnjë burim të ri energjetik ! ?
Gjatë viteve të tranzicionit, nuk është ndërtuar në Shqipëri asnjë burim i ri energjetik. Është shkruar se në vitin 1994 është bërë një studim për strategjinë elektroenergjitike shqiptare nga Lamahyer, financuar nga Banka Botërore. Nga ai studim dilte që Shqipëria nuk kishte nevojë të ndërtonte burime të reja energjitike deri në vitin 2005. Mirëpo sektori energjetik në Shqipëri ka vite të paktën që nga viti 1996, që është në një krizë permanente…

Kalivaçi: …2011 ? !

Hidrocentrali i Kalivaçit ndërtohet në grykën e Kalivaçit përmbi lumin Vjosë me koncesion nga firma ndërtuese  Beg. S.A. Fuqia është 100 Mw, prodhimi vjetor rreth 350 Gwh. Diga do të jetë 100 metra mbi nivelin e detit. Hidrocentrali do të përmbytë mbi 1700 ha. Qesaraku, një katund në luginën  e rrugës për në Tepelenë do të përmbytet deri në 50 për qind. Hidrocentrali sipas planifikimit ne vitin 2011 hyn përfundimisht në listën e veprave të përfunduara. Vepra e prodhimit të dritës ka një histori 10-vjeçare që përflitet, ndërsa kanë qenë pikërisht dy vitet e fundit që e kanë stimuluar në përshpejtimin e shumë proceseve të punës. Një ndër veprat që ka përfunduar është ura që ka zgjidhur përfundimisht dilemat e banorëve të dy qarqeve për komunikimin e tyre. Ura e ndërtuar ka shkurtuar rrugën duke bërë depërtimin nëpër fshatrat e komunës Sevaster për të mbërritur në Vlorë si dhe e kundërta e saj për të shkuar në rrethin e Tepelenës duke gjallëruar një rrugë të harruar në 18 vitet e fundit.

Shënim: Materialet e mësipërme janë vjelë nga FESH, revista “Ndërtuesi”, kujtime të projektuesve dhe ndërtuesve të veprave dhe botime të tjera në Shqipëri, pa censurë, duke ruajtur edhe emërtimet e kohës. A. A.

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply