HESHTJA DHE MBYLLJA E TRAGJEDISË DIBRANE, 9 MARS 1996

0

 

21 vjet më parë

Dëshmon Izet Haxhia
Në atë kohë është munduar të mbahet heshtje e të mbyllet kjo tragjedi sepse ata që kanë bërë trafikun e tyre kanë qenë të lidhur me pushtetin e PD dhe SHIKU-t në atë kohë

 

Po flitet përditë për hapje dosjesh për krimet e komunizmit kur duhet të flitet po aq fort edhe për krimet e pas komunizmit, krime që ende kullojnë gjakun e djemve të rinj, e vajzave të reja, krime në kujtesën e drejtpërdrejtë të njerëzve që i jetuan, krime që kanë adresa pushtetarësh.

 

NJË LETËR…

 

I nderuar z. Izet,
Lexoj me vëmendje dhe ju respektoj në misionin tuaj për të hedhë dritë në errësirën që u krijua në Shqipëri, veçanërisht në vitet nëntëdhjetë. Unë kam qenë gazetar i “Zërit të popullit” në Dibër deri në korrik të vitit 1996, kur pas zgjedhjeve të 26 majit, dhuna fizike e tre viteve më parë u shndërrua në dhunë familjare, në kërcënimin për të më rrëmbyer fëmijët dhe në tentativën e hapur për të rrëmbyer vajzën time studente. Përballë ultimatumit “O mbyll gojën, ose të rrëmbyem fëmijët dhe më keq” u detyrova të ikja natën, fshehurazi nga Peshkopia dhe të vendosem në Athinë ku jetoj me vështirësitë e moshës 76 vjeçare dhe të shëndetit tash afro 21 vjet.
Më 9 mars të vitit 1996 një gomone me tridhjetë dibranë u zhduk në ujërat e Otrantos. Një kufomë u gjet në brigjet e Italisë. Kufoma ishte e një djali të ri nga Kllobçishti i Maqellarës e cila u identifikua dhe u mor nga Italia e u varros në vendlindje nga deputeti Agron Qoku. Flitet se janë gjetur edhe dy kufoma të tjera por deri sot nuk janë përdorë teknikat e kohës me ADN për verifikimin e tyre. Më 14 mars 1996 botova një lajm thirrës për ti kërkuar të zhdukurit, lajm që pushteti i Sali Berishës e vuri kundër meje dhe nuk bëri asnjë hap për të sqaruar familjet e viktimave. Ishin kohë zgjedhjesh dhe siç i pat deklaruar një gazetari të “Zërit të popullit”  Bashkim Gazidede (kishin qenë bashkë mësues në gjimnazin e Peshkopisë) “Ata janë mbytur por ne nuk na intereson të bëhet publik”.
Ishte koha përpara zgjedhjeve të 26 majit 1996. Ju keni qenë pranë ngjarjes, pranë bisedave që me siguri janë zhvilluar në kupolën e lartë të kohës dhe në korridoret e institucioneve. Shpresoj të keni për këtë kujtime të cilat do të desha ti kem në arkivin tim për të hedhë një fije drite për këtë ngjarje që u shua në mënyrën më të shëmtuar.
Një vit më vonë do të ndodhte tragjedia e “Sebilës”, e disa vite më vonë ajo e shkodranëve të mbytur në zonën e Karaburunit. Për të dyja këto ngjarje flitet çdo vit dhe kërkohet zbardhja më e gjerë e ngjarjes, ndërsa për 9 marsin e dibranëve është heshtur dhe vazhdon të heshtet. Do të desha që kujtimet tuaja për këtë ngjarje të mi dërgoni që ti bëj publike me rastin e 21 vjetorit të tragjedisë. Shpresoj në ndihmën dhe kujtesën tuaj njerëzore si një homazh për “Djemtë e Dibrës”.
Me respekt Abdurahim Ashiku Athinë, 28 janar 2017

 

PËRGJIGJE NGA  IZET HAXHIA…

 

Përshëndetje Abdurahim,
Më kujtohet si ngjarje kjo e nëntë marsit. Nga Maqellara kanë qenë të gjithë. Me sa me kujtohet rreth 29 apo 30 veta. Në atë kohë është munduar të mbahet heshtje e të mbyllet kjo tragjedi sepse ata që kanë bërë trafikun e tyre kanë qenë të lidhur me pushtetin e PD dhe SHIKU-t në atë kohë. Ndonjë hollësi nuk më kujtohet, por po kujtova diçka do ta përcjell.
Gjithë të mirat!

 

KRONIKA E TRAGJEDISË 9 MARS 1996

 

MAQELLARA NËN TRYSNINË E NJË TRAGJEDIE DETARE

 

Lajmi i zi arrin në Maqellarë. Komisariati i Vlorës  njofton komisariatin e Peshkopisë se një djalë i ri nga Maqellara e Dibrës është gjetur i vdekur në breg të detit, nxjerrë nga valët e ftohta të tij.

Njerëzit e familjes, me dhimbjen e madhe për njeriun e tyre të dashur nisen për të marrë djalin e vdekur. Në Vlorë mësojnë se kufoma nuk është gjetur në brigjet e detit shqiptar por në anën tjetër të detit, në brigjet e Otrantos.

Në Maqellarë të Dibrës është hapur mort. Familja Qoku pret e përcjell njerëz, pret të vijë djali i tyre i shtrenjtë.

Por në Maqellarë tmerri i vdekjes është më i gjerë, më i madh, i pranishëm në dhjetëra familje. Kjo lidhet me faktin se njëkohësisht me djaloshin Qoku janë nisur në drejtim të Vlorës, e më tej me gomone në drejtim të Italisë, tre mikrobusë me djem të rinj, rreth 30 vetë. Deri tani për ta nuk ka asnjë lajm, asgjë që të qetësojë zemrat e ngrira nga tmerri të nënave, baballarëve, motrave, grave, fëmijëve, të afërmeve të këtyre familjeve.

Një djalë i ri është gjetur i vdekur në brigjet e detit italian. Dhjetëra djem të tjerë nuk dihet ku janë, nuk dihet në se kanë arritur në brigjet e ëndrrës së tyre për një jetë më të mirë apo i kanë përpirë dallgët e zeza të detit. Familjet pranë zyrave të postë telekomunikacionit  pyesin në adresa të ndryshme në shtetet fqinj dhe nuk marrin përgjigje.

Duke uruar që djemtë të kenë arritur shëndosh e mirë në Itali e familjet e kësaj zone të mos shohin gjëmë e kob, Maqellara kërkon të hidhet zyrtarisht dritë mbi këtë ngjarje të rëndë, të qetësohen zemrat e ngrira të prindërve.

( Botohet sipas kopjes origjinale në arkivin e gazetarit)

Abdurahim Ashiku

Gazetar

 

*                           *                     *

 

Tragjedia Dibrane e 9 marsit 1996 është e mbyllur, e kyçur në kasafortat e trafikantëve të pushtetit të kohës. Për të është heshtur dhe vazhdon të heshtet…
Po flitet përditë për hapje dosjesh për krimet e komunizmit kur duhet të flitet po aq fort edhe për krimet e pas komunizmit, krime që ende kullojnë gjakun e djemve të rinj, e vajzave të reja, krime në kujtesën e drejtpërdrejtë të njerëzve që i jetuan, krime që kanë adresa pushtetarësh.
Dosja e tragjedisë dibrane duhet të hapet në të gjitha fletët, “sepse ata që kanë bërë trafikun e tyre kanë qenë të lidhur me pushtetin e PD dhe SHIKU-t në atë kohë.”
Fytyra e tyre duhet të dalë në dritën e diellit për ti detyruar të ulen në bankën e të akuzuarit…  

 

Abdurahim Ashiku

Gazetar

 

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.