Hëngri Big Mac-un e Ramës, ëndërron King Maker-in e Metës

0

Nga Lorenc Vangjeli

Ku ka dy, ka edhe tre. Mund të thuhet edhe ndryshe: nuk ka tre pa pasur dy më parë. Kështu po ngjet me tre partitë kryesore politike në Tiranë, PS, PD, LSI. Një trekëndësh, kulmet e të cilit kushtëzojnë njëri-tjetrin dhe janë në një marrëdhënie cilësisht të ndryshme me njëri-tjetrin. Duke nisur minimalisht me korrikun e vitit të shkuar apo dhe pak më herët.

Në mars 2015, për shembull, kur Basha protestonte me parrullën: Meta Ik dhe Rama priste të shihte se çdo të ndodhte apo dhe në pranverën e këtij viti kur Basha nga sera e tij plastike kërkonte që Rama të ikte para zgjedhjeve, me shpresë se do ta dëgjonte edhe Meta.

Të treja këto parti pretendojnë verbalisht se do të dalin forcë e parë në zgjedhje.

Kështu premton Rama.

Kështu pretendon Basha.

Kështu vë bast Meta.

Gjithë shenjat tregojnë se dy pjesët e të majtës, PS e LSI, po hapin një garë mes tyre. Rama për të qenë sërish kryeministër. Meta mbasi u bë vetë President Republike, kërkon që të dekretojë Vasilin si kryeministër. Kjo është një gjë normale dhe e ndershme në një garë që është rihapur. Shmangien nga normaliteti e bën Basha, i cili duke bashkëdrejtuar qeverinë e sotme me Ramën, e ka futur PD-në në një garë tjetër për të nesërmen. Duke i shpallur garën reale LSI-së. Duke shijuar Big Mac-un e Edi Ramës, maksimumi që po kërkon sot, është të zerë rolin e djeshëm prej King Maker-i të Ilir Metës.

Katër vjet në opozitë, mbasi e trashëgoi PD-në si pronë nga Sali Berisha dhe mbasi mezi e bindën të hyjë në zgjedhje, Lulzim Basha nuk hyn në to për të fituar të gjithën, por për të sfiduar pjesën. Jo për të marrë PD-ja pushtetin, por për të qenë ajo që do t’i afrojë pushtetin e nesërm PS-së.

Sfida e tij e përkthyer thjesht është: nëse PS del parti e parë në zgjedhje, t’i afrojë ajo votat për të kapërcyer 71 vendet që formojnë qeverinë dhe jo LSI-ja. Për një parti që përmbysi komunizmin në Shqipëri, simotrat e të cilës në Evropën e Lindjes janë shuar me kohë, nuk ka rrugë tjetër më të mirë drejt shuarjes dhe relativizimit të plotë të rolit të saj. Kaq e thjeshtë është ajo që po ndodh në Tiranë sot.

Çfarë po ndodh sot në Tiranë nuk ka të bëjë me moralin. As me politikën si art i të pamundurës. Ka të bëjë me padurimin e njerëzve pranë Lulzim Bashës. Ata po injektojnë në opozitë ngutin për të marrë nën kontroll punësimin e elektriçistëve të OSSHE-së, oraret e takimeve seksuale në burgje të të dënuarve dhe vulën e hipotekës mbi një parti që lindi me një shumicë aksionerësh intelektualë në 90-tën, u privatizua në mënyrë dramatike nga Berisha dhe u nxorr në ankand qesharak nga Lulzim Basha.

Kaq shumë u shtrëngua tre muaj rresht historia me çadër në Bulevard sa edhe skeptikët gati po bindeshin se Shqipëria kishte mbetur vërtet me barrë me Republikën e Re. Për fat të keq dhe siç kishin parashikuar realistët, shtrëngimi nuk solli një realitet të ri, por vetëm një aromë të vjetër e të njohur. Republika e Re bëri abort sepse morri ALUIZNI-n dhe e hoqi vetë çadrën si liri pa leje në Bulevard.

Në janar të këtij viti, qershori i zgjedhjeve ngjante me një shëtitje elektorale. E vetmja enigmë kishte të bënte me faktin nëse PS e LSI hynin bashkë apo veç e veç në zgjedhje.

Nga shkurti i protestës dhe më pas, me tre muajt e saj të çadrës, PD rihyri në garë fillimisht duke u vetëpërjashtuar prej saj dhe më pas, duke arritur marrëveshjen e pabesueshme bashkëqeverisëse me PS-në.

Nga java e tretë e majit Shqipëria ka një qeveri të panatyrshme, e cila sipas peshës së çdo partie në të, mbështetet në tre skajet PS-PD-LSI.

Në javën e fundit të majit e deri në javën e fundit të qershorit kanë nisur llogaritë elektorale dhe mbi të gjitha, skemat dhe kombinimet e mundshme. Sipas tyre, një koalicion PS-PD nuk është më as një sakrilegj dhe as një akt i pamundur. Përkundrazi, edhe në PS, edhe në PD, e shohin edhe si zgjidhje të shumë halleve që mund të shkaktohen nga zgjedhjet.

Uria e rishtarëve në PD, por dhe përfituesve pa kontribute në PS, thotë pikërisht këtë gjë.  Por atyre nuk jua merr për keq askush që vrapojnë mbas vezës, meqë edhe vetë janë prodhime inkubatori në politikë. Janë të ndryshëm nga njëri-tjetri sa dhe tullat e një pallati të kohës së Enverit. Pavarësisht se kohët kanë ndryshuar. Çfarë ishte dramatike dje, është komike sot. Kryetari trashëgimtar i partisë më të madhe opozitare që përmbysi Enverin, mbasi hëngri Big Mac-un e Ramës që trashëgoi partinë e Enverit, ëndërron vetëm një gjë: të zerë vendin e King Maker-it të Ilir Metës. Me shpresë që ka vend dhe për një të tretë aty ku ka dy.  

Share.

About Author

Leave A Reply