Gjermani, miratohet ashpërsimi i rregullave të azilkërkimit

0

Parlamenti gjerman ka rënë dakord gjatë kësaj të enjteje për të ashpërsuar rregullat e azilit, me synimin për të rrudhur fluksin rekord të refugjatëve, ndërkohë që ndihmësit më të afërt të Kancelares Merkel kanë hedhur poshtë raportimet se, zyrtarë të ministrisë prisnin rreth 3,6 milionë emigrantë deri në vitin 2020.

Dhoma e ulët e “Bundestag”-ut gjerman kaloi një paketë ligjore, ku ndër të tjera përfshihet edhe një ndalim dyvjeçar të së drejtës për bashkim familjar për disa azilkërkues, gjë që do të prekë gjithashtu edhe minorenët e pashoqëruar. Parlamenti gjerman miratoi gjithashtu një ligj të ri, që lehtëson deportimin e shtetasve të huaj, të cilët kryejnë vepra penale, nxitur kështu nga një seri sulmesh seksuale ndaj grave prej mbrëmjes së Vitit të Ri, për të cilat fajësohen emigrantët.

Shefi i stafit të Kancelares Merkel bëri të ditur se Berlini kërkon të reduktojë fluksin e emigrantëve që mund të vijnë në Gjermani, por askush nuk mund të saktësojë sesa të tillë priten gjatë këtij viti apo në vijim, duke shtuar se përllogaritjet e brendshme të zyrtarëve të ministrisë nuk duhen parë si parashikime të qeverisë.

“Nuk ka asnjë shifër të besueshme, sepse asnjë nga ne nuk e di sesi do të zhvillohen gjërat”, tha Peter Altmaier, duke iu referuar me “gjëra” luftës civile në Siri dhe negociatave me Turqinë, nga ku niset shumica e refugjatëve përmes udhëtimeve me varka të papërshtatshme për lundrim.

Burime qeveritare konfirmuar një raport të medias së shkruar, sipas të cilit ministritë përgjegjëse për emigrantët përllogarisnin se rreth 500 mijë të tillë do të arrinin në Gjermani çdo vit, nga 2016-a deri në 2020-n. Duke shtuar këtu 1,1 milionë të regjistruarit gjatë vitit 2015, kjo bën të mendosh se Gjermania mund të presë rreth 3,6 milionë emigrantë deri në 2020-n. Megjithatë, kjo është një përllogaritje “tërësisht teknike”, thonë zyrtarët.

Kreu i Zyrës federale për Emigracionin dhe Refugjatët në Gjermani, Frank-Jurgen Weise, u bëri jehonë deklaratave të Altmaierit, teksa tha se agjencia e tij nuk punon mbi bazën e shifrave të ministrisë. “Nuk i pres të tilla shifra”, tha Weise kur u pyet mbi 3,6 mln emigrantët e pritshëm deri në 2020-n.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.