FUSHATË ELEKTORALE ME  DHËNDURË… !

0

Në Dibër vendi i dhëndurëve është tek dera e odës. Ata vetëm kur bijtë kanë kaluar brezin futen në odën e miqve…

Isha shtrirë në zhezllong ndërsa nga kufja që lidhej me një radio sa një paketë cigaresh më përziheshin shushurima e dallgëve të detit nga njeri vesh dhe muzika pop nga tjetri, pa më tërheqë pas vetes as njëra e as tjetra. Ishte mesditë. Dielli ishte në zenit e hija e çadrës  ma veshte copa-copa trupin.
Kundroja dallgët, vetullat e tyre të zbardhura tek takonin rërën e imët, meditoja në qetësinë e pushimeve që po u soseshin ditët. Javën e ardhshme do të jem diku shtatëqind kilometra larg në troje të huaja. Kisha ikur njëzet vjet të shkuara një ditë të nxehtë korriku për ti shpëtuar “vapës përvëluese politike” të asaj vere që do të mbahet mend për  rrënimin e vendit…
Diçka preka mbi radio dhe një zë i çjerrë ma bëri leckë melodinë popullore.
E kisha dëgjuar atë zë dalë nga gurmaze të një tjetri nga ballkoni i shtëpisë time që e shihte sheshin “Nazmi Rushiti” në pëllëmbë të dorës. I njëjtë në germa, fjalë e fjali, në vibrim deri në ekstazë…
Fliste për “Rrugën e Arbrit” si ta kishte pronë të tij…
Fliste edhe për Skavicën, për mbytjen e luginës së Drinit të Zi. E dëgjoja zhurmshëm mes zallamahisë së thirrjeve sa për një çast u tremba se mos vala e zërave do të shkërmoqte harqet e pallatit të sportit  “Bashkim Lala” e katastrofa do t’ia kalonte jo tërmetit por cunamit.
U befasova. Partia Demokratike në gojën e “dibranit” Basha flet për Skavicën, për mbytjen e Dibrës? I thotë jo Skavicës!!!
Unë që kam bërë një libër të tërë me titull “Po Dibrës! Jo Skavicës!”, libër kundër vendimit të Sali Berishës, idhullit të Bashës e të Partisë Demokratike, nuk mund tu besoja veshëve që ende mbanin të mbyllur jehonën e zërit  të doktorit “Unë di të ndërtoj vepra botërore… “
Po citoj fjalët e tij në shkurt të vitit 2010 kur në kujdesin që të mos mbytej Shkodra kërkonte të mbytej Dibra…
“Skavica do të jetë në 2 vitet që vijnë projekti kryesor i punëve publike në Republikën e Shqipërisë”.
”Shqipëria ka të gjitha potencialet për të ndërtuar këtë vepër të mrekullueshme”.
”Ne jemi para dy alternativave: e para është të shkojmë sërish në tender, por ka dhe një alternativë tjetër që më është dukur gjithnjë më e mira, që qeveria shqiptare të marrë përsipër ndërtimin e kësaj vepre të mrekullueshme energjetike”.
”Tani është krijuar një situatë tjetër shumë më premtuese që qeveria të konsiderojë vetë ndërtimin e kësaj vepre gjigante.”
”Në kohën që përgatitet projekti, do një kohë minimumi 1 vit dhe maksimumi 2 vjet, kohë kjo kur edhe projektet e mëdha të rrugëve do të kenë marrë drejtim zhvillimi”.
Ndërtimi i këtij HEC-i, ”jo vetëm që shton me rreth 350 apo 400 megavat prodhimin e energjisë, por optimizon funksionimin e gjithë kaskadës”.
”Kjo ide ka rreth 30 vite që qarkullon. Qeveria e mëparshme kishte firmosur një memorandum mirëkuptimi me një nga kompanitë më serioze të energjetikës së Italisë dhe grupit më serioz financiar. Qeveria jonë vendosi ta njohë këtë vendim dhe këtë memorandum e shtroi në një tender më vonë, të cilin e fitoi kompania italiane”.
Qeveria zhvilloi negociata me konsorciumin italian, i cili, “u tregua i arsyeshëm dhe pranoi kriteret e qeverisë shqiptare”.
“Kërkoi hapjen e një tenderi të dytë për Skavicën, për të cilën treguan interes kompanitë më të mëdha të Evropës”.
Ndërtimi i HEC-it të Skavicës “Ul në mënyrë të ndjeshme edhe mundësitë e përmbytjeve të mëdha në zonën e Nënshkodrës dhe Shkodrës”.
”Ndërtimi i këtij HEC-i do të fillojë gjatë këtij mandati dhe shpresoj që mandatin tjetër ajo të jetë vepra kryesore publike.”
”Skavica do të jetë në 2 vitet që vijnë projekti kryesor i punëve publike në Republikën e Shqipërisë”.
“Qeveria ka faktuar se në Shqipëri ekzistojnë mundësitë e ndërtimit të veprave botërore. Pas rrugëve, Skavica është vepra më e domosdoshme që brenda portofolit tonë mund të ndërtojmë”, – tha shefi Berisha duke theksuar se “Qeveria ka faktuar se në Shqipëri ekzistojnë mundësitë e ndërtimit të veprave botërore”.
“Ne duhet të ndërtojmë Skavicën. Kaskada është pasuri e madhe, Skavica është nëna e të gjitha digave nën të”.
“Skavica është një nga ngushticat më të ngushta në vendin ku presupozohet se do ndërtohet diga, por edhe me shpatullat shkëmbore më të forta. Do prodhohet më shumë se 1 miliardë kilovat orë energji.
“Duhet të hapë tenderin për projektin, nga studimet fillestare deri te projekti i zbatimit”
Botohet sipas librit “Po Dibrës! Jo Skavicës” faqe 137-138
Basha i “Rrugës së kombit” dhe Mediu i “Gërdecit”(!!!), Sherefedini… persona me portofol të madh në “Qeveritë Berisha”, duhej që këto përbetime të mësuesit të tyre të madh ti lëçitnin në tubim, të kërkonin ndjesë publike dhe të distancoheshin nga qëndrimet zyrtare për ndërtimin e HEC-it të Skavicës dhe mbytjen e Dibrës.
Nuk e bënë duke u treguar qesharakë me fjalët e tyre, me atë plagë të madhe që do ti hapet Dibrës nga mbytja përgjithmonë e 65 kilometrave katrore të tokës më pjellore të Dibrës dhe shpërngulja e 40.000 banorëve shpërngulja e tretë e madhe e dibranëve nëpërmjet një dhune të pashembullt për kohën.
“Dibranët nga ndërtimi i liqenit artificial të Dibrës dhe hidrocentralit të Shpiles nuk panë asgjë të mirë për këto 40 vjet pos humbjes të rreth 5000 hektarë të tokës më pjellore dhe që vaditej nga dy lumenj, burimi kryesor i ekzistencës të numrit më të madh të familjeve dibrane.
Sot të mirat nga prodhimi i rrymës përfitohen vetëm nga qeveria maqedone që nuk do të ja dijë në se këto familje u detyruan të largohen në Turqi ose SHBA për të siguruar ekzistencën”
Janë këto fjalët e Argëtim Fidës, kryetar i komunës së Dibrës në Maqedoni, paralajmërim i kobit që do të ndodhë në Luginën e Drinit të Zi nga ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës…
Në mitingun e PD-së u pa të ngjitet për të bërë kryevend edhe dhëndëri i Dibrës Mustafaj…
Në Dibër vendi i dhëndurëve është tek dera e odës. Ata vetëm kur bijtë kanë kaluar brezin futen në odën e miqve…
Kafeneve të qytetit të Peshkopisë u panë të gjerbnin politikë elektorale figura të pushtetshme të Partisë Demokratike, figura që më kthyen njëzet vjet të shkuara ditëve të dhunshme të para e pas 26 majit 1996…

Abdurahim Ashiku

27 gusht 2016

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.