FOTOKOPJE E MJERIMIT

0

FOTOKOPJE E MJERIMIT

          -Skica në dy kohë

                   “…Mjaft ma, zotni mësues, mjaft, mjaft na mësuet, megjithatë, na po rrojmë si po rrojnë stërgjyshit tanë, po n’ato gëzime, e po n’ato mjerime, të lanun e të tretun në këto bjeshkë…”

                                      Migjeni, “Zeneli”

Koha e parë: korrik 1992

Ai hyri në zyrë duke e shtyrë derën ngadalë, si të shtynte një qelq të vyer. Pleqëria i vizatohej në fytyrë e i rëndonte në trup. Jeta e kishte përplasur si vala ashklën në breg dhe e tërë qenia e tij ashklës i ngjante.
          Kërkonte të fotokopjonte diçka që se kishte! Një dokument sekuestrimi pasurie, “dy dhi e një jorgan”, që diçka mbante mend vetë e shumëçka ia “kishte thanë nana”. Kërkonte të fotokopjonte një dokument pushkatimi e një letër internimi. Internim nga ai fshat në humbëtirën e maleve ku tërë jeta internim është!
          Pimë një kafe. Iu bë qejfi e iu çel fytyra. E udhëzova si duhej të vepronte e ku duhet të kërkonte.
          Shpejt erdhi me dokumentin e internimit në dorë. Më pas priti dy ditë sa të kthehej nga Tirana mësuesi i vetëm i italishtes në qytetin tonë verilindor. I duhej të përkthente një kërkesë në adresë të ambasadës italiane për shërbimin e të atit në ushtrinë e huaj…Shpresonte për një pension.
          Së fundi i mbetej një dokument pa plotësuar. Duhej të ngjitej deri në Gjykatën e Lartë…
          E përmendi dhe u ndal. Nxori nga xhepi një qese plastmasi dhe numëroi katër qindëshe të vjetra.
          – Me këto nuk shkohet në Tiranë, – tha mendueshëm duke i peshuar në dorë. – Dy mijë lekë vetëm për të shkue…
          E mbylli me kujdes qesen e pasi e siguroi në xhep tha:
          – Po shkoj në katund. Po mbledh do bimë e po i shes. Po punoj do sheka e bucela (ishte specialist i përkryer i tyre) dhe po i shes. Masanej po i bie në kambë deri në Kurbnesh.

Koha e dytë: Shkurt 1996

Ishte gdhirë një ditë e egër, ditë nga më të egrat e këtij viti. Bora kishte kapur të tridhjetat pjesë të metrit dhe nuk pushonte. Nën strehët e çative vareshin hej të gjatë akulli, hej që zgjateshin e zgjateshin si të donin të preknin tokën.
          Në një nga klubet e qytetit, ulur pranë dritares së kioskës, po gjerbja kafenë e po bisedoja me një shok, një doktor shkencash i pa punë.
          Hapet dera dhe në tërë kornizën e saj portretizohet ai, Ai për të cilin diçka kisha shënuar në kujtesën time. Pleqëria i rëndonte mbi fytyrë e gjymtyrë në atë kërrusje kurrizi malmbajtëse. Varfëria i lexohej në opingat e ziftit (siç i quajnë kësaj ane) qepur me tel për të sukulluar këmbët ujë nga dëbora. Varfëria i vizatohej në peliçen që arna mbi arrën qepej…
          U ngrita dhe i bëra vend në një karrige. Më pa mendueshëm si të më peshonte në qelizat e kujtesës së tij. Kur më njohu bëri buzën në gaz.
          U ul duke shkundë mbi dysheme dëborën e supeve dhe lagështinë e rrobave.
          I ofruam kafe e konjak. Të parën e pranoi, të dytën jo. E rrufiti lëngun e zi pa i hedhë sheqer, kafe të ithët, si në mort.
          – Nga vjen, e pyes, nga katundi në këtë kiamet?
          – Jo, tha, vij nga gjykata. Mbrëmë kam qenë këtu.
          – Si ia bëre me ato dokumentet ? – e pyes. A i more të gjitha dhe a sigurove ndonjë ndihmë?
          Më pa në sy dhe vuri buzën në gaz. Një gaz në cepin e djathtë të buzëve të rreshkura nga vuajtjet. Pastaj tundi kokën duke derdhë mbi tavolinë pikëza nga dëbora e shkrirë e tha:
          – I bana, i bana, nji për nji të gjitha. Shita çfarë kisha në shtëpi dhe nuk lash gja mangut. Bana edhe ato që s’ta pret mendja, që s’ta nxe truni…
          Uli kokën mendueshëm dhe pasi rrotulloi telfen e zezë të kafesë në fund të filxhanit si të kërkonte të shtinte fall e përcolli shikimin sa tek unë, sa tek shoku i tavolinës.
          – Ma në fund jam me babë. Jam bir i babës tim. Tash më duhet të vërtetoj se jam edhe me nanë, më ka le nana ime…
          – Si, si ? – pyesim në një gojë.
          – Kam kohë që sorollatem gjyqeve, që shpenzoj për dokumente e avokatë, që marr rrugën pesë orë në kambë në borë e në shi. Dhe të gjitha këto i bana për të vërtetue se jam i biri i babës tim, të atij babe që ma vranë e më lanë jetim. Nuk përputheshin nja dy dokumente. Në njërin baba figuronte me emër e mbiemër e në tjetrin figuronte me emër, emër babe e mbiemër. Mu desh të vërtetoj se asht i njëjti njeri, baba im.
          – Po tashti?
          – Tash më duhet të vërtetoj në gjykatë se nana ime që më ka ba kokën asht nana ime. Prandaj kam ardhë në këtë gazepllëk…
          Mërmëriti diçka, si një sharje a mallkim, dhe pasi na dha dorën iku.
          Iku nëpër dëborën që binte flokë-flokë, si zogj të vrarë. Iku duke tërhequr opingat e ziftit mbërthyer me tela. Iku i kërrusur, i lodhur, i vrarë në trup e shpirt.
          I vranë të atin. Po e vrasin edhe atë…

Abdurahim Ashiku

Shkurt 1996

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.