FMN është shprehur kundër uljes së pragut të TVSH-së tek bizneset e vogla

0

Fondi Monetar Ndërkombëtar është shprehur kundër uljes së pragut të TVSH-së tek bizneset e vogla. Në një prononcim për “Monitor”, përfaqësuesi i përhershëm i FMN-së në Shqipëri, Jens Reinke, është shprehur se, “pas vlerësimeve të shumta nga ekspertët tanë të taksave, ne e kemi këshilluar qeverinë fuqimisht kundër uljes së kufirit të TVSH-së nga niveli aktual.

Ndërmarrjet e vogla përbëjnë gjysmën e të gjithë bizneseve, por sjellin vetëm 2% të transaksioneve të taksueshme. Zgjerimi i sistemit të TVSH-së do të jetë një barrë shumë e rëndë për burimet e Tatimeve. Informaliteti dhe evazioni i taksave mund të rritet dhe eficienca e administratës së taksave ka të ngjarë të bjerë. Sipërmarrjet e vogla do të mund të përballen gjithashtu me një barrë të shtuar të kërkesave për raportime”, tha shefi i FMN-së.

Reinke tha se FMN e ka këshilluar qeverinë që të thjeshtojë sistemin e taksave, përfshirë heqjen e përjashtimeve dhe unifikimin e kufirit (psh., ai i zbatuar për TVSH-në, tatimin e korporatave dhe tatimin mbi të ardhurat personale).

“Ne nuk shohim asnjë problem me kufirin aktual të TVSH-së. Ndryshimet e vazhdueshme të politikës së taksave duhet të shmangen pasi ato komplikojnë administrimin e taksave dhe mund të bëjnë konfuz taksapaguesit. Si rrjedhojë, rekomandojmë që të mbahet kufiri i TVSH-së në nivelet aktuale, ndërkohë që administrata i përqendron përpjekjet tek taksapaguesit e mëdhenj”, thotë Reinke.

Në projektligjin e dërguar tashmë në Kuvend në kuadër të Paketës Fiskale 2018, parashikohet të ndryshohet në ligjin e TVSH-së pika 2, e nenit 117, si më poshtë: “Kufiri minimal i regjistrimit për TVSH-në, rastet e përjashtimit apo kufiri minimal i regjistrimit për kategori të veçanta, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”. Ky nen deri tani është kështu: “Kufiri minimal i regjistrimit për TVSH-në përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave”.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.