FIRMA VRASËSE MBI SETË

0

VRASJA ME FIRMA E SETËS QË SHKUMZON

Sa të ligjshme janë firmat e banorëve të Çidhnës në lejen për ndërtimin e hidrocentralit të Setës?
Po fotografitë përcjellë  nga Ministria e Mjedisit dhe Turizmit për çfarë flasin?

Të mërkurën 6 nëntor emisioni investigativ Fix-fare përcolli protestën e banorëve të Hormovës për rrëmbimin e ujit të fshatit nga një firmë për ndërtimin e një hidrocentrali, tharjen e fshatit për një pikë uji në buzë dhe një rrjedhë uji në arën e mbjellë me misër. Ajo që tërhoqi vëmendjen ishte se në listën miratuese për ndërtimin e hidrocentralit kishte emra të vdekurish, emigrantësh, minorenësh, të larguarish nga fshati çka përbën skandal.
Emisionin e ndoqa me sy në disa dokumente që më ishin ofruar nga Ministria e Mjedisit dhe Turizmit për Setën, monument natyre dhe historie futur në “tubin” e një hidrocentrali tjetërsues të gjithçkaje.
Në dokumentet që më erdhën kishte fotografi nga pjesëmarrësit në debatin për Setën, lista me firma e numër letërnjoftimi të banorëve të pranishëm.
I kisha lënë në heshtje në arkivin tim të dhënat që më erdhën dhe shkrimin tim.
Ma zgjuan banorët e Hormovës…
Më zgjuan edhe banorët e Zall Gjoçajt, BURRAT E MATI, ngujuar sot në çadra për të mos lejuar tu merret uji i jetës së tyre.
Po e përcjell Setën së bashku me përgjigjet zyrtare dhe me fotot e sjella zyrtarisht.

*                   *                   *

Zëra deri në ngjirje kundër ndërtimit të hidrocentraleve elektrike mbi përrenj, lumenj e burime ujore.
Kundërshtime deri në përplasje me forcat e rendit.
Qeveria as i dëgjon dhe as i sheh.
Shurdhe, qorre e memece…
Në Dibër është ndezë e ka marrë zjarr tash sa kohë përdhuna që i bëhet natyrës dhe interesave të banorëve të Valikardhës, ndërtimi i një hidrocentrali jo thjesht përdhos natyrën e bukur të liqeneve të saj por le pa bukë qindra familje që privohen nga ujitja e arave e që për alternativë të vetme kanë nëntokën e Bulqizës dhe krahë shtrirjen për punë rrugëve të Evropës.
Dhe jo vetëm atje….
Në mbarë vendin…
Në dokumente, si këta që po përcjell për Setën në Dibrën e Poshtme, faktet, ngjarjet janë sukulluar nga një mjegull e dendur, më e errët dhe më e ftohtë nga mjegullat që të thajnë për muaj të tërë dimëror ultësirës së Drinit të Zi.
Po i përcjell me fotografi, firma, debate e vula ligjore…
Seta u vra…
E vrau shteti…

*             *                   *

Në dokumente zyrtare figuron “përrua”.
Për mua nuk është përrua por lumë.
Përroi verës thahet kurse lumi rrjedh verë e dimër.
Nejse debat koti, “e lagu s’e lagu”.
Burimet e saj nuk thahen kurrë. Dalin nga guva shkëmbore (Gurë Lurë), dalin e varen duke krijuar një peizazh unik që ta ka ënda ta shohësh edhe larg, e jo më të mbushësh grushtin me ujin që shkumëzon.
Për të është folur e flitet…
Është shkruar e shkruhet…
Edhe unë kam shkruar jo njëherë…
Kësaj radhe mbase do ti kyç fjalët e mija në arkiva…
Do kohë më parë një shkrim timin ia përcolla portalit “Shqipëria që duam”.
Mora përgjigje drejtpërdrejt.
Po e paraqes ashtu siç më erdhi nga zyrtarë analfabetë, që nuk dinë shqip.
Me firmën “Ministria e Turizmit dhe Mjedisit”…

Përshëndetje Abdurahim Ashiku ,

Përgjigje ndaj kërkesës tuaj me Numër:91511

I nderuar z. Ashiku, Referuar shqetesimit tuaj te paraqitur ne Platformen e Bashkeqeverisjes, ju bejme me dije se me poshte do te gjeni pergjigjen e ardhur nga Agjensia Kombetare e Mjedisit per kete rast. Subjekti “Hidro Seta” është pajisur me vendim për VNM paraprake me nr. 52, datë 18.12.2015 për projektin “Ndërtimi i HEC Seta 4”, në Përroin e Setës, Njësia Administrastive Arras, Dibër, Qarku Dibër. Aplikimi është bërë referuar ligjit nr. 10440, datë 07.07.2011 “Për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis”, shtojca II, pika 3, Industria e Energjisë, ë) Instalime për prodhimin e energjisë hidroelektrike; Pas vlerësimit të dokumentacionit të paraqitur nga subjekti si dhe mendimit të drejtorive teknike, ku nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura është thënë se ndërtimi i “Hec Seta 4” nuk prek monumentet e natyrës “Gryka e Setës” dhe “Burimi dhe Shpella e Sopanikës” dhe nuk bie në zonë të mbrojtur. Gjithashtu zhvillimi i këtij aktiviteti nuk prek apo cënon fond pyjor, jetën dhe shëndetin e banorëve përreth. Subjekti “Hec Seta 4” do të mundësojë prodhimin e energjisë elektrike duke shfrytëzuar hidronergjinë e përroit Seta duke përdorur metodën e devijimit me kanal të mbuluar dhe tubacion turbinash me presion me një prurje ekologjike. Kjo prurje është përllogaritur të plotësojë nevojat e banorëve për bujqësinë dhe ruajtjen e biodiversiteti. Subjektit i janë lënë detyra që gjatë zbatimit të projektit të marrë masa për të eleminuar çdo problem që ndikon në mjedis dhe të marrrë masa për parandalimin e ndikimit në mjedis, si; Kryerjen e aktivitetit vetëm brenda koordinatav; Marrja e masave për masat e dheut që dalin nga operacionet e gërmimit; Moskryerja e ndërhyrjeve në rrjedhën e ujit gjatë periudhës së verës/thatësirës; Sisitemimin e shtratit të burimit ujor; Forcimi i brigjeve të rrjedhës ujore duke mbjellë fidanë të rinj, etj Subjekti do të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme gjatë instalimit të këtij projekti në lidhje me detyrat e lëna. Me konsiderate Zyra e Bashkeqeverisjes
Faleminderit, 
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit

U ndjeva ngushtë! Më vjen turp tek e përcjell për shqipen e përdorur, për drejtshkrimin zyrtar analfabetik!!!
Nuk kam çfarë të bëj. Ky është stani gjuhësorë i administratës sonë!!!


U shkrova:

Përshëndetje!

Këto që më shkruani mua a i keni diskutuar me popullin? 

Po me intelektualët e zonës?

Në përgjigjen tuaj nuk flitet fare për bisedat me popullin.

Unë si gazetar kërkoj një përgjigje për këto.

Me respekt

Abdurahim Ashiku

11 shkurt 2019

U treguan korrekt.
Më dërguan një protokoll…
Në të shkruhej:

MINUTAT E KONSULTIMIT ME KOMUNITETIN NË PROÇESIN E VNM-SË PËR PROJEKTIN E NDRYSHUAR:
Ndertim Hidrocentrali SETA – 4 pjesë e kaskades Perroi I Setës
                                     VENDODHJA:
Perroi SETA, KOMUNA CIDHEN, PESHKOPI
                    SHOQËRIA INVESTITORE
                     “HYDROSETA “ Sh.p.k

Nëpërmjet këtij relacioni, jepet informacion rreth dëgjesës dhe diskutimeve  me publikun të realizuar në takimin e mbajtur ditën e hene , datë 09/03/2015, ora 12.00 në ambjentet e Lokalit te fshatit CIDHEN , qyteti Peshkopi , në kuadër të prezantimit të projektit  Ndertim Hidrocentrali SETA 4 , pjese e kaskades se Perroit te Setës , Peshkopi.
Ky konsultim u organizua ne kuadër te disa ndryshimeve ne projekt te nje kuote terreni.
Në këtë takim, ishin pjesëmarrës rreth 100 persona, nga të cilët përfaqësues të Njësive të Qeverisjes Vendore, përfaqësues të Drejtorisë Rajonale të Mjedisit, përfaqësues të studios mjedisore që ka hartuar raportin paraprak të VNM-së, përfaqësues të subjektit investitor, si dhe përfaqësues nga komuniteti, banorë të fshatit.
Në panelin kryesor të prezantimit të projektit dhe të raportit paraprak të Vlerësimit te ndikimit në Mjedis, ishin:
Ing. Elidiana Shehu (Administratore e EMC Studio, hartuese e raportit të VNM)
Z. Bashkim Korashi (Kryeplaku I fshatit Cidhen)
Z. Ahmet Curri (ZV/Kryetari I Komunes ARRAS)
Z.Ramazan Kalia (Perfaqesues I Shoqerisë Invetitore )
Ing. Muklis Mullarai (Ing. Pyjesh )
Z Shkleqim Skarra (Inspektor I Agjensise Rajonale Mjedisore Peshkopi)
Z Agron Cerri (Kryetar I Agjensise Rajonale Mjedisore Peshkopi) dhe rreth 100 banore të zonës (bashkëlidhur lista e banoreve qe pranuan te firmosin per pjesëmarrje)
Takimi i realizua me dyer të hapura për të gjithë të interesuarit, pas  publikimit te bere te materialit në faqen zyrtare te AKM , si dhe dorëzimit te materialit prezantues në komunën Arras dhe afishimeve te njoftimeve pranë ambienteve te kësaj komune.
Në përmbajtje të materialit prezantues ishte:
– Mirëseardhja, prezantimi i takimit 5 minuta
– Pjesa tjetër u realizua e ndërthurur me debate 20 min.

Disa nga banoret në takim , pa filluar prezantimi I këtij takimi filluan te ngrinin zërin dhe te debatonin me njeri tjetrin pa kërkuar asnje informacion dhe pa marre informacion per çfarë ky takim organizohej.
Banoret e merrnin vete fjalën , ku shprehnin qe ishin dakord me projektin ne fjale pasi kishin dijeni per kete projekt.
Zoti Qazim Daci mori fjalën per te shprehur opinion e tij ne lidhje me kete investim.

Disa persona dhe specifikisht Xhavit, Faik dhe Haxhi Curri ndërprisnin vazhdimisht dhe nxisnin banoret per te prishur takimin.

Pas vetëm 20 minuta debatesh ku here here lejonin te flisnin edhe prezantuesit dhe kërkuesit e këtij takimi disa persona krijuan zhurma dhe cuan drejt mbyllës se këtij Takimi.

U deshën mbi 1 orë që situata te qetësohej dhe personat qe krijuan kete situate te largoheshin.
Me qetësi u ulen serish ne lokal banoret te cilët kërkonin te dinin se pse organizohej ky takim.
Diskutimet dhe sugjerimet e pjesëmarrësve u mbajtën shënim dhe do të pasqyrohen në raportin paraprak te Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis dhe konkretisht mund të përmendim të vetmen kërkesë të cilën ata e shprehën:

  1. Vepra e marrjes te realizohet me kanal te hapur dhe jo me tubacion te mbyllur.
  2. Të kihen në konsiderate nje ujvare pranë nje vepre marrjeje të veprës.

Ky konsultim edhe takimi I dyte per kete projekt nga ana e studiuesve dhe Investitoreve në lidhje me ndërtimin e HEC Seta 4.
Ky hidrocentral pjese e kaskades se Perroit të Setes  është pajisur me Leje Mjedisi nr 288/2 date 14.06.2013 dhe vendimet si nga Keshilli Kombetar I Arkeologjise nr. 355 date 27.11.2014 dhe Keshilli Kombetar I Restaurimeve me nr 26 date 05.03.2015.

Nga kjo përcjellje, mes të tjerash (dhe mbi të tjerat) më tërhoqi vëmendjen një frazë e futur në kllapa (bashkëlidhur lista e banoreve qe pranuan te firmosin per pjesëmarrje).

Nuk e kuptoj, por nga përvoja ime e gjatë “mbledhjeve”, më del përpara rasti i paparë i “firmosjes për pjesëmarrje”???!!!
Madje i firmës së hedhur në shoqëri të numrit të Letër Njoftimit ???!!!
 Mos këtu duhet kërkuar “Lepuri”?
“Lepur” që vrapon kodrave të Çidhnës dhe asnjë langua nuk e ndjek?

Mjegull e dendur mbi Setë.
A do të davaritet për të nxjerr në shesh të vërtetat?
Unë nuk e besoj…
Ndaj rezervohem të shkruaj më…
Ta “gëzojnë” edhe shkatërrimin e natyrës së bukur dibrane ashtu siç “gëzuan” shkuljen me rrënjë të plantacioneve frutore, shkatërrimin në themele të fabrikave, uzinave, kanaleve ujitëse, minierave, ujësjellësve… për ta nxjerr Dibrën “lakuriq me duar në xhepa”.

Abdurahim Ashiku

Athinë, 18 prill 2019

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.