F1, Lewis Hamilton fiton Çmimin e Madh të Japonisë

0

Lewis Hamilton fiton Çmimin e Madh të Japonisë duke prekur me një dorë titullin, pas tërheqjes së rivalit të tij Sebastian Vettel, pak metra pas startit.

Ka qenë shumë e thjesht për britanikun kjo garë në Suzuka, në të cilën mori suksesin e tretë në këtë pistë i pashqetësuar nga askush, edhe pse gjatë gjithë kohës dy makinat Red Bull të Maks Verstappen dhe Daniel Riccardos mbetën aty jo shumë larg.

Tërheqja që në fillim e Sebastian Vettel sërish për një problem në motorin Ferrari ishte një asist për britanikun, i cili çon në 59 pikë diferencën me gjermanin, kur kanë mbetur edhe 4 gara nga fundi i këtij sezoni.

Edhe pse qëndroi gjatë gjithë kohës në një distancë prej 3 sekondash me kryesuesin, Maks Verstappen nuk e pati mundësinë që të sulmonte Hamilton apo t’i vinte në rrezik vendin e parë, ndërkohë që pas tyre piloti tjetër i Red Bull, Daniel Riccardo arriti të mbaj pas Valteri Botas dhe të ngjitet në vendin e tretë për të lënë finlandezin e  Mercedes në të katërtin.

Pas tyre në vendin e pestë u rendit Ferrari i vetëm që zhvilloi garë, ai i Kimi Raikonen, i cili ishte nisur nga vendi i 11-të për shkak të penalizimit për ndryshimin e kambios.

Pas kësaj gare Formula 1 do të rikthehet pas dy javësh, në kontinentin amerikan, me Çmimin e Madh të Austin.

“Ishte bukur, një ditë shumë e bukur dhe një garë e madhe. Pista ishte fantastike dhe skuderia ime bëri një punë të shkëlqyer. Verstappen? Zhvilloi një supergarë, duke e bërë shumë të vështirë tonën”.

Këto janë fjalët e para të Lewis Hamilton pasi zuri vendin më të lartë të podiumit në Çmimin e Madh të Japonisë, në pistën e Suzukës.

“Red Bull ishin më të shpejtë sa i përket konfigurimit për garën, por ia dola t’i mbaj pas ato. Ishte e vështirë sidomos për shkak të futjes së makinës së sigurisë në pistë”, shtoi më tej piloti britanik.

Sa i përket luftës për titullin kampion bote, ku Hamilton kërkon të rikthehet pas fitores së vjetshme të Nico Rosberg, Hamilton shprehet:

“Mund të them se vetëm sa mund ta kisha ëndërruar një avantazh të tillë. Ferrari ka qenë një kundërshtar i qëndrueshëm përgjatë të gjithë vitit, por ajo që mund të them është se duhet t’i heq kapelën skuadrës sime për punën e tyre të shkëlqyer. Sigurisht që kam edhe unë kontributin tim, por Mercedesi po tregon se është makina më e fortë dhe se po funksionon pa gabime. Titulli? Ende nuk po e mendoj, jam i lumtur me klasifikimin, por duhet të vazhdojmë kështu e të mos i shtrijmë këmbët më shumë sesa jorgani”, ka deklaruar Hamilton.

Në podium u ngjitën Max Verstappen dhe Daniel Ricciardo, dy pilotët e Red Bullit. Holandezi e bëri të vuante britanikun deri në fund. “Jemi duke u rritur e përmirësuar, ishte një garë e bukur. Jam i lumtur për këtë arritje, sepse Suzuka është një pistë që e adhuroj. Hapat që kemi bërë janë premtues. Me gomat e buta isha më mirë, dhashë gjithçka mundesha, por nuk munda ta parakaloja Hamiltonin”, thotë Max.

“Ky është podiumi im i parë në Suzuka. Pista më pëlqen shumë, por me këtë makinë që kam sfida u bë edhe më argëtuese. Gara u nda në dy pjesë, por presioni që ushtroi Bottas në fund ma bëri më emocionuese këtë garë dhe këtë sukses”, shtoi australiani.

I “mposhturi” i madh në këtë garë ishte padyshim Vettel. Gjermani nuk e fsheh keqardhjen pas tërheqjes së detyruar, gjatë xhiros së pestë të garës në Suzuka të Japonisë.

“Nuk ishte dita jonë. Patëm një problem të vogël që na shkaktoi telashe edhe më të mëdha. E kuptova që kisha një problem me fuqinë e motorit që në xhiron e formatimit”, thotë Vettel.

Një goditje e hidhur, që me të gjitha gjasat i shuan shpresat për Botërorin, siç e pranon edhe vet piloti i Ferrarit.

“Nuk ka nevojë të jesh një gjeni matematike që të kuptosh se tashmë është shumë e vështirë. Por duhet të kthehemi në shtëpi e të çlodhemi. Kemi shumë mundësi për të bërë mirë të paktën në 4 garat e fundit të Botërorit”.

Comments

comments

Share.

About Author

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.