ERMAL SULAJ, KRYETARI I RI I FEDERATËS

0

LINDUR NË DURRËS E BURRËRUAR NË MËRGIM

Disa minuta bisedë me Ermal Sulën, kryetar i Federatës të Shoqatave Shqiptare në Greqi.

Në jetën e Ermalit është e zakonshmja që e kemi në familje, që ngjan si dy pika uji me të gjithë.
Rrënjët i ka nga Mallakastra, nga Drizari që siç thotë ka afër Fratarin dhe Symizën, fshatra që na janë fiksuar në kujtesë udhëtimeve shumëvjeçare rrugës së lodhshme tërë kthesa e shembje në linjën Fier-Ballsh-Krastë…
Rrënjë do të shkuleshin një ditë sepse babai i tij ishte ushtarak. Lindi në Durrës bregdetin e të cilit e jetoi deri në moshën 16 vjeç…
Më pas do të fillonte një jetë tjetër, jetë shkollimi, jetë pune, jetë familjare.
Ajo që më tërhoqi në bisedë ishte shqipja e tij, një shqipe e pastër pa ato notat e greqishtes fjalëve të përziera.
“Tani jam 36 vjeç, më thotë, më shumë vite kam në Greqi se sa në Shqipëri.
Është i martuar me një vajzë nga Patosi. U njohën një ditë të zakonshme për të udhëtuar së bashku në Universitetin Amerikan të Indianapolisit. Ai përfundoi studimet për marrëdhënie ndërkombëtare dhe shkenca politike kurse e shoqja për filologji angleze.
As atij dhe as së shoqes nuk i shërbeu profesioni me shkollë. Si të gjithë. Shkolla nuk të jep punë…
Kur studionte punonte me një taksi netëve ndërsa tani punon “transfer” një kompani me emrin ATS. Më thotë që kompaninë e kanë hapur në vitin e fundit të studimeve bashkë me të vëllain.
Merret me organizimin e ekskursioneve brenda Athinës por edhe larg saj, ekskursione 5-8 orësh në përcjellje të turistëve që vijnë me kruaziera. Ekskursione në Akropol, Tempullin e Zeusit, Likavito por edhe më larg Athinës në Sunio, Tempullin e Poseidonit, Argolidhas, Epidavros, Dhelfus, Olimpia, Meteora…
Një punë e bukur ku lodhja shkëmbehet me kënaqësi, kulturë…
E shoqja nuk e ka lënë punën që kishte. I pëlqen puna me bizhuteritë ndaj qëndron.
Ka studiuar edhe për informatikë dy vjet në OAEDH. Këtë nuk e quan sepse, siç thotë, nuk e përfundova në ciklin 3 vjeçar dhe nuk e mora diplomën për arsye se fillova studimet në Universitetin Amerikan.
I pëlqen të angazhohet me emigrantët, gjë që e ka nisur që në vitet e studimeve universitare me shoqatat e studentëve. Kjo do ta afronte me Federatën e Shoqatave Shqiptare ku iu dha hapësira të punonte me rininë. Shpejt do të mësonte se idetë e tij novatore do të binin ndesh me, siç e quan ai, “klanin e facebook-ut pa bërë punë reale”. Kërkues për të renë dëshira e tij për ndryshime binte ndesh me amullinë e zakonshme të punës dhe veprimtarive.
“Kam studiuar në një shkollë amerikane, më thotë, më pëlqen ana praktike e kulturës së punës së tyre. Dua të bëj gjëra konkrete. Dhe një nga ato që kam për komunitetin është shkollimi i fëmijëve në gjuhën shqipe, lufta për mos asimilimin gjuhësor të brezit të dytë të emigrantëve.”
Këtu, si njohës i historisë tashmë gati 17 vjeçare (Më 7 mars 2018 mbushen 17 vjet nga 7 marsi 2001 i shkollimit të parë shqip të fëmijëve me adresë Selanikun), hyjë në debat për të nxjerrë përfundimin që, si të gjithë paraardhësit e tij praktika tashmë e gjerë e mësimit vullnetarisht të fëmijëve në gjuhën e nënës është larg disa organizimeve e tubimeve shqiptare në Greqi dhe heronjtë dhe heroinat, “Rilindësit e kohës sonë” siç i ka quajt Dritëro Agolli i letrave shqipe janë në skaj të vëmendjes.
Ngritja e Federatës si institucion, krijimi i një programi të gjerë gjithëpërfshirës, krijimi i websitit dhe formave të tjera të komunikimit në gjerësi, një grup avokatësh për të çuar deri në gjykatën e të drejtave të njeriut probleme që lidhen me mërgatën shqiptare në Greqi, ballafaqimi me strukturat e shtetit shqiptar që mërgatat shqiptare të mos jetë thjesht një burim të ardhurash për arkën e shtetit por një pjesë e barabartë në të drejtat për arsim, kulturë, mbrojtje ligjore si të gjithë qytetarët shqiptarë në atdhe dhe të tjera synimeve të tij përbëjnë programin në hartim për të ardhmen.
Sa do t’ia arrijë?
Rrugë e gjatë, e vështirë kur mërgimtarët mund të japin ndihma materiale në raste fatkeqësie (siç bënë me rastin e përmbytjeve të fundit në periferi të Athinës) por kur vjen puna për të dhënë qoftë edhe një euro për ngritjen e një qendre kulturore dinjitoze në Athinë, Selanik etj. askush nuk përgjigjet.
Dhe ajo që e bën të vështirë punën praktike të Ermalit është lufta brenda vetë Federatës. Fakti që ai në zgjedhje fitoi me një diferencë shumë të ngushtë votash, zërat allashqiptarçe për “manipulim”, huazim i betejës politike në Shqipëri, kanë krijuar një kanal mbushja e të cilit do punë.
A do ta mbushë këtë Ermal Sulaj me “praktikën” e tij amerikane? Një pyetje që tash për tash nuk mund t’i jepet përgjigje.
Mërgata shqiptare në Greqi, e më gjerë, ka nevojë për tu bashkuar në tubime që i shërbejnë asaj. Në këtë mes është e domosdoshme që shteti shqiptar nëpërmjet strukturës së ngritur me Ministër Diaspore të mendojë jo thjesht për votën e emigrantëve, për atë që japin dhe mund të japin emigrantët për zhvillimin e vendit, por edhe për strukturimin dhe mbështetjen e tubimeve shqiptare të shumta në mërgatë.

Abdurahim Ashiku

Athinë 19 dhjetor 2017

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply