Erion Braçe : Ministër, ja përse nxehem unë !

0

Zoti Ministër, arsyeja pse ju kam thirrur në këtë interpelancë
lidhet me punën e përditshme, jo vetëm tuajën, por edhe të mijëra bujqve anekënd vendit.
Bujqësia është sektori më i gjerë i ekonomisë kombëtare dhe, vazhdon të mbajë një peshë shumë të madhe në prodhimin e përgjithshëm kombëtar, nga 20 deri në 22%,
njëherësh është edhe sektori që mban me punë një numër të
konsiderueshëm shqiptarësh, deri tani ne shumicë dërrmuese banore te fshatit.
Me këtë punë ata realizojnë të ardhurat e tyre bazë, por gjithnjë përnjë jetë që për ta mbetet modeste, asgjë më shumë se kaq.

Ka edhe nga ata që punën me tokën e kane kthyer në një sipërmarrje ekonomike, madje me cikël të mbyllur, por
ata mbeten vazhdimisht pak.

Edhe pse janë dy kategori të ndryshme bashkohen
të gjithë në një interes, që lidhet me punën dhe me produktet që nxjerrin prej saj;
Interesi i tyre janë çmimet e produkteve që ata prodhojnë.

Si rregull, në treg, produkti bën përgjithësisht çmimin,
natyrisht mbi te vepron kërkesa dhe oferta për të ndikuar në të.

Këtu te ne, ku nuk ka tregje, por pazare abuzive, është çmimi ai që po bën mallin.

Nëse një bujk nuk fiton në një sezon, nuk fiton as në sezonin e dytë apo të tretë- siç janë bujqit përgjithësisht në zonën e Divjakës, ku kanë tri cikle prodhimi brenda një viti,
natyrisht për shkak të çmimeve, ai ose nuk do ta
prodhojë më atë produkt, ose do të zvogëlojë sipërfaqen e tokës që do të mbjellë, ose nuk do të ketë më para që të punojë tokën.

E di që do të çohen të gjithë teoricienët e ekonomisë, kryesisht këta të djathtët- jo keta ketu, do të kundërshtojnë me magjinë e tregut, forcën e tij, por këtu magjitë funksionojnë vetëm për disa.

Jua thashë që pazari është magjia e vetme
që funksionon në këtë vend.

Ne një zinxhir shumë te gjatë, nga ata që thjesht
sjellin apo importojnë fara e fidanë, ata që prodhojnë fidanë këtu në vend, ata që kultivojnë përtej fidanit edhe produkte bujqësore, perime dhe fruta, të tjerë që prodhojnë mish apo qumësht, ata që grumbullojnë, ata që eksportojnë, ata që
tregtojnë- veçanërisht këta që i tregtojnë, ata që nuk fitojnë janë bujqit dhe blegtorët e zakonshëm.

Ka një arsye:
i detyrojnë të shesin nën kosto.

Unë jam i bindur që në këtë sallë ka njerëz, nga ata që i
vizitojnë shpesh zonat e tyre, vizitojnë edhe tregjet dhe, natyrisht kanë kuptuar se marrëdhënia sot në këto pazare që funksionojnë anekënd vendit është e tillë:
“Ose lëre produktin me çmimin që të them unë, ose ik”.

Natyrisht, bujku që ka hall e shet produktin që ka nxjerrë nga puna e tij për të garantuar të ardhurat vjetore,
pra shpesh është i detyruar që të bindet.

Këto çmime, po bëjnë që te mendosh se,
po të punosh në bujqësi në këtë vend nuk fiton.
Por ka edhe më keq;
po të investosh paratë e tua i humb edhe ato!
Jo vetëm të tuat, si prind përgjithësisht, por edhe të djalit apo të vajzës në emigracion, mbase edhe të komshiut kur detyrohesh, që për shkak të mungesës së kreditimit
nga bankat, të marrësh para me fajde, siç ndodh sot në fshat.

Është e vërtetë që investitorët më të mëdhenj sot në bujqësi janë emigrantët, djemtë dhe vajzat që punojnë atje në emigracion, dhe natyrisht paratë që kursejnë i investojnë këtu në Shqipëri në bujqësi.

Po të shkosh një herë të vetme në fshat, por ama të qëndrosh, natyrisht nuk do të duhet të shkosh deri në Havard për ta kuptuar pikërisht këtë gjë.

Çmimet po i hanë edhe këto para.
Po e bëj më të thjeshtë:
njerëzit po shpenzojnë të ardhurat e tyre, përgjithësisht kursimet, mbi të gjitha për të prodhuar në bujqësi dhe në blegtori.

Ata meritojnë vlerësimin e kujtdo në
politikë apo jashtë saj, pikërisht për këtë që bëjnë.

Jua thashë pesha që ka bujqësia në prodhimin e përgjithshëm kombëtar shkon nga 20 deri në 22%, por ata nuk fitojnë as paratë që shpenzojnë për tokën. por

Nuk mbaron me kaq, prej parave të tyre po fitojnë vetëm tregtarët.

Konkretisht, rastet tipike do t’ua shpjegoj më pas, duke u ndalur në produkte dhe në kompani, natyrisht për çmimet
që ata aplikojnë.

Nisur nga kjo do të mirëprisja politikën e qeverisë për të mbrojtur prodhimin e çdo bujku dhe të çdo blegtori.

Niko Peleshi:

Falënderoj deputetin Braçe për interpelancën, pasi e shikoj si një mundësi për të treguar se çfarë jemi duke bërë dhe si jemi duke e projektuar të ardhmen e këtij mandati për sa i përket politikave të reja të mbështetjes së bujqësisë, blegtorisë dhe agropërpunimit!

Të gjitha ato që tha deputeti Braçe janë të vërteta.
Natyrisht unë nuk jam në atë ministri për t’i parë çështjet në mënyrë emocionale, por edhe ashtu me emocion ato qëndrojnë.

Ka një të vërtetë të madhe që mbase nuk kemi guxuar ta themi ose për arsye statistikash nuk e kemi thënë.
Ne quajmë sot fermerë këdo që punon dhe jeton në fshat.
Në fakt 89% e fermerëve apo e banorëve të fshatit kanë më pak se 2 hektarë tokë dhe të kesh më pak se 2 hektarë apo më pak se 1 hektar tokë, do të thotë se të ardhurat që siguron nga bujqësia nuk janë të ardhurat primare të familjes.

Le të marrim për shembull një fermer, banor të një fshati që ka 1 hektar tokë, jo në një zonë intensive si Divjaka apo Lushnja, por në një zonë tjetër, në Elbasan, në Korçë, në Vlorë, në Tiranë, apo në fushën e Zadrimës e të tjerë, ku me 1 hektar tokë, sidomos edhe për shkak të kulturave tradicionale që
kultivohen sot, ai mund të fitojë 300 dollarë në vit, pra mesatarisht në muaj janë 30 dollarë.

Kjo do të thotë se këtë kategori të banorëve të fshatit nuk mund të konsiderojmë dot këtë fermer si të gjithë fermerët e tjerë.
Ndaj, ajo për të cilën ne po punojmë, mos prisni që të japë një politikë definitive për vitin që vjen, sepse jemi në kulmin e punës intensive, jo vetëm në ministri, por edhe në
bashkëpunim me ekspertët më të mirë të fushës, me pedagogët e Universitetit Bujqësor të Tiranës, me të cilët kemi vendosur një marrëdhënie shumë të qëndrueshme, intensive dhe po planifikojmë të jemi shumë pranë, edhe në mënyrë inovative duke ngritur institucione të përbashkëta.

Unë, pa dyshim,mund të them se cilat janë piketat sot.
Së pari, jemi duke punuar për përkufizimin e fermës dhe të fermerit dhe jemi duke bërë një ndarje të qartë midis fermerit fermer dhe fermerit kopshtar, i cili nuk i siguron të ardhurat e tij kryesisht nga bujqësia, por nga ekonomitë jobujqësore në fshat, pse jo edhe nga qyteti.

Për pjesën më të madhe të fshatrave
që janë pranë qytetit ne do të fillojmë të rindërtojmë politikat tona të mbështetjes së fshatit.

Për shkak pyetjeve dhe objektit të kësaj interpelance unë nuk do të flas shumë, por jam i gatshëm të vij në çdo interpelancë, komision apo takim me deputetë të opozitës dhe maxhorancës, pra të Partisë Socialiste, të cilën unë përfaqësoj, për të folur për pjesën tjetër, që, në fakt, është pjesa më e madhe e fermerëve që quajta kopshtarë për të treguar që ekonominë bujqësore nuk e kanë primare.

Si do ta mbështesim pjesën më të madhe e fermerëve?

Pa dyshim ne kemi një vëmendje të posaçme përmes programeve të zhvillimit rural; përmes ekonomive jobujqësore; përmes mbështetjes së treguese gjeografikë, pra produkteve tipike; përmes disa instrumenteve, që mbase gjatë fjalës sime do të gjej rastin t’i përmend; përmes përmirësimit të infrastrukturës rurale; përmes shërbimeve publike në fshat dhe kompensimit të të ardhurave të munguara nga toka bujqësore nëpërmjet disa ekonomive shumë interesante; dhe, më kryesorja, përmes agroturizmit.

Ne kemi disa modele shumë të mira për disa fshatra të
Shqipërisë, që do t’i mbështesim me politikat tona për t’i shtuar në të gjithë Shqipërinë, nga Veriu në Jug, atje ku kemi zona me potencial të zhvillimit të agroturizmit dhe që për hir të vërtetës i kemi të shumta.

Unë tani do të flas më shumë lidhur me fermën bujqësore shqiptare dhe për fermerin shqiptar.

Politika e deritanishme, duhet ta pranojmë, me gjithë
përmirësimin e 4 vjetëve të fundit nuk ka shpëtuar dot nga thërrmimi i fondeve pa një politikë të zgjuar.

Thërrmimi i fondeve pa një politikë të zgjuar nga ne, ka bërë që edhe impakti të mos jetë i duhuri, por nuk krahasohet me atë që ndodhte para 4 vjetësh dhe shifrat e tregojnë këtë, si:
rritja e eksporteve, dyfishimi i eksporteve krahasuar me vitin 2013, shtimi i pikave të grumbullimit, janë të
gjitha produktet e një politike më të mirë se në të kaluarën,
por unë them se sot është koha t’i nënshtrohemi një diskutimi të gjerë, i cili del përtej kufijve politikë për një sektor, që, siç e tha deputeti Braçe, na jep 22% të prodhimit të brendshëm bruto, i japim gjithnjë e më shumë, por jo aq sa duhet.

Mbi të gjitha,
nuk duhen fonde, por duhet zgjuarsi, duhet politikë e zgjuar.
Kjo qasje do të ndryshojë në vitin 2018 në kuptimin e raportit ndërmjet nevojave për financim dhe burimeve të financimit. Këtë problem e kemi pasur dhe do ta kemi gjithmonë,
sepse nuk jemi një vend i zhvilluar.
Por edhe në vendet më të zhvilluara nevojat janë gjithmonë më të mëdha se mundësitë.
Kam frikë se në vitin 2018 do të përballemi me një realitet tjetër, ku mundësitë do të jenë shumë më të mëdha se nevojat për shkak të programit IPARD të Bashkimit Europian në bashkëpunim me qeverinë shqiptare.
Shpresojmë shumë ta kemi kaluar provimin e audituesve të Bashkimit Europian.

Ky program është 93 milionë euro.

Çështja është:
a kemi ne fuqi, kapacitete, bujqësi, fermerë apo agropërpunues që t’i përthithin ato?

Sot jemi këtu duke nxjerrë detyrat e shtëpisë për ministrinë tonë, për agjencitë e varësisë, për qeverinë shqiptare dhe,
pa dyshim, për të gjithë ata që kanë një rol për të luajtur.

Pyetja ka të bëjë me kostot, çmimet e grumbullimit, shitjes me pakicë, eksportit të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale.

Natyrisht që kjo është shumë e rëndësishme,
por unë mendoj se sfida jonë e parë është konkurrueshmëria.

Kostoja është një faktor shumë i rëndësishëm i konkurrueshmërisë, por nuk është përcaktues.
Më lejoni të përmend 2-3 shifra.
Domatet tona shiten 70% më lirë në Bashkimin Europian sesa shesin partnerët e tjerë të Bashkimit Europian në të,
bostani shitet 50% më lirë, gështenjat 40% më lirë.

Pra, nuk është çështje e kostove tona të larta jokonkurruese, por ndikojnë disa çështje të tjera.
Kjo nuk do të thotë se do të shmangë përgjigjet e drejtpërdrejta të kostove, por dua ta kap çështjen nga maja.
Ka disa faktorë që shpesh herë janë pengesë, si
certifikimi.
76% e prodhimeve nuk tregtohen në vendet e Bashkimit Europian, sepse na mungojnë certifikatat e standardeve për t’i aksesuar këto tregje, jo se BE-ja nuk ka kërkesë.

Pra, 70% e perimeve nuk tregtohen në Bashkimin Europian, por në tregje të tjera, sepse na mungon certifikimi.

10 kompanitë e para shqiptare janë duke u pajisur me certifikatën GLOBALG.A.P, e cila u jep akses në shumë
supermarkete të Bashkimit Europian.
Për sa i përket marketingut kemi ende probleme me paketimin e produkteve dhe kjo i bën produktet të papërshtatshme për tregjet e Bashkimit Europian.

Sasitë e vogla vijnë për shkak të fragmentarizimit të tokës, për shkak të fermave të vogla.
Shpesh herë grumbulluesit nuk arrijnë të mbledhin sasi të
mëdha, që do t’i bënte të gatshëm të hynin në kontrata me blerës të mëdhenj të Bashkimit Europian apo të tregjeve të tjera.

Përgjithësisht bujqësia jonë është prodhim dhe shitje e shpejtë. Kapacitetet frigoriferike, kultura e magazinimit dhe frigoriferimit te ne është ende në hapat e parë.

Tani do të flas për kostot.
Është e vërtetë që bujqësia shqiptare ka ende
produktivitet të ulët, që do të thotë kosto të larta.
Cilat janë shkaqet?
Shkaku i parë është fragmentarizimi i tokës, që e kemi prodhuar ne, politikanët që kanë hyrë dhe kanë dalë nga kjo sallë, për hir të së vërtetës.
Ferma jo vetëm që është e vogël në sipërfaqe, por është edhe e ndarë në disa parcela. Kjo e bën shumë të madhe koston e prodhimit.

Çështja është çfarë do të bëjmë ne.
Së pari, do të nxitojmë të regjistrojmë titujt e pronësisë.
Kemi një angazhim politik për t’i regjistruar brenda mandatit të gjithë titujt e pronësisë së tokës bujqësore, AMTP-të, siç quhen.

Së dyti, konsolidimi i tokës, që sot nuk bëhet më me “urdhrin e
peshkut”, por përmes incentivave dhe mbështetjes.
Sot nuk mund të bëhet fjalë për kooperativat klasike, dhe ju e kuptoni se është edhe çështje mentaliteti dhe e ndryshimit të konjukturave, por ka disa forma të tjera kooperimi, siç janë fermat me kontratë, të cilat, për hir të së vërtetës, fermeri e ka të vështirë t’i pranojë, e ka të vështirë të ndërtojë besimin te blerësi, por edhe blerësit.
Nuk dua të them se nuk kanë spekuluar me çmimet në vite, siç u tha këtu nga deputeti Braçe.
Natyrisht që pjesën më të madhe të punëve e rregullon tregu dhe ne nuk mund të marrim përsipër të rregullojmë gjithçka, por kemi mundësi t’i adresojmë më mirë incentivat tona, mbështetjen, subvencionet, politikat dhe skemat e mbështetjes, si për shembull, rimbursimin e TVSH-së, i cili ka nevojë të korrektohet, në mënyrë që të shkojë hapur tek i zoti, siç thotë populli, e të tjera.
Shkurt po ju them se, koncentimin e tokës përmes inkurajimit të modelit të fermave më kontratë, Contrat Farm- siç quhet, ne e bëjmë përmes skemës mbështetëse, AZHBR-së.

Kjo skemë në vitin që vjen do të jetë më e madhja që
keni pasur ndonjëherë, do të rritet 1,7 herë krahasuar me vitin aktual, do të jetë rreth 25 milionë euro, shtuar këtu edhe 93 milionë euro me shumë gjasa nga IPARD-i.

Një faktor tjetër që ndikon koston është mungesa e ujitjes dhe e kullimit.
Ne kemi bërë një punë të shkëlqyer në këto 4 vjet duke dyfishuar sipërfaqen nën ujë nga 110 në 225 mijë hektarë, megjithatë kemi edhe më shumë se 100 e ca
mijë hektarë të tjerë në mungesë uji, ndaj uji në çdo parcelë ngelet angazhim politik dhe fokus i punës sonë.
Brenda këtij viti do të përfundojnë 29 skema, për të cilat kemi alokuar fondet në bashki para 3-4 javësh.

Në këtë mënyrë do të shtojmë me 10 mijë hektarë sipërfaqen nën ujë. Do të vazhdojmë decentralizimin e ujitje-kullimit, i
cili provoi të jetë shumë i suksesshëm vitin e kaluar. Pjesën më të madhe të infrastrukturës dytësore dhe tretësore ua kemi kaluar bashkive, por ndërkohë kam pasur kontakte me të gjithë kryetarët e bashkive dhe u kam dhënë gatishmërinë për t’iu transferuar edhe kanalet para, në qoftë se ato fillojnë dhe
mbarojnë brenda një bashkie dhe në qoftë se kryetari i bashkisë pretendon dhe kërkon të bëjë punën.

Natyrisht, nuk e fsheh, e bëjnë punën më mirë se ne, më
mirë se bordet e kullimit.
Jemi duke përmbyllur negociatat me Bankën Botërore për 25 milionë euro të tjera, një program tjetër i skemave të ujitjes për vitin 2018.
Për sa u përket imputeve bujqësore, imputet bujqësore jocilësore shpeshherë janë edhe të shtrenjta dhe natyrisht ndikojnë edhe në koston e prodhimit.

Për sa i përket kësaj të dytës, kemi marrë një angazhim politik që, natyrisht, nuk mund të jetësohet në vitin e parë, që është përjashtimi nga TVSH- ja i një pjese të mirë të imputeve bujqësore që impaktojnë drejtpërsëdrejti koston.

Nuk e bëjmë dot me paketën fiskale të këtij viti, por hap pas hapi, viti pas vit, brenda mandatit, do të kemi arritur që një pjesë e mirë e imputeve bujqësore të jenë përjashtuar nga TVSH-ja, duke ndikuar pothuajse me 20% në koston e prodhimit.

Për sa i përket shqetësimit të drejtë, që u ngrit këtu për cilësinë
ndonjëherë të dobët të produkteve të falsifikuara, ndonjëherë të imputeve bujqësore, ky është fillim-mbarim përgjegjësia jonë, nuk e ka përgjegjësinë fermeri.

Fermeri ka përgjegjësi, por nuk është përgjegjësi e mirëfilltë mungesa e dijës, në shumë raste edhe të njohjes së imputeve bujqësore, por i takon shtetit të vendosë një kontroll më të mirë.
Unë jam këtu për ta mbajtur tani e në vazhdim përgjegjësinë për cilësinë e imputeve bujqësore apo për moslejimin e
ndonjë lloj monopolizimi të këtij tregu.
Nuk është se ka një monopol sot, duhet ta themi, por e vërteta është që kontrolli ka shumë nevojë të përmirësohet, në mënyrë që të mos penetrojnë në treg produkte të falsifikuara, fara që falsifikojnë paketimin dhe nuk tregojnë kur janë prodhuar e të tjera.

Pra, çështja e kontrollit na takon neve dhe, pa dyshim,
jemi duke u përgatitur për ta bërë më mirë.
Infrastruktura e aksesit ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë. Në qoftë se ferma bujqësore është larg tregut ose një rrugë e pa ndërtuar e ndan nga tregu, një rrugë me baltë dhe një rrugë e vështirë për t’u aksesuar, pa dyshim që kostoja e prodhimit rritet.

Projekti që po negociohet me Bankën Botërore është 100 milionë dollarë dhe do të fillojë pranverën e vitit që vjen për të përmirësuar rrjetin e rrugëve rurale në të gjithë Shqipërinë.
Rrugët e parcelave janë shumë të rëndësishme. Mbase nuk kemi folur shumë për to. Janë investime të vogla që nuk ka shumë kuptim, në fakt, që t’i realizojë ministri apo qeveria qendrore, por në bashkëpunim me baskitë, do t’i
ndajmë punët.
Bashkitë duhet të bëjnë sa më shpejt rrugët e parcelave kaq
shumë të rëndësishme për prodhimin dhe për koston e prodhimit, për nxjerrjen e tyre në treg, ndërsa qeveria qendrore do të vazhdojë të përballojë investimet që janë më të mëdha në vlerë dhe kërkojnë më shumë para, siç janë: rrugët, lidhja
e fshatit me rrugën nacionale, skemat e ujitjes e të tjera.

Një faktor shumë i rëndësishëm, që mund ta kisha vendosur edhe të parin, është mungesa e dijes.

Duhet ta pranojmë që ekstensioni përmes drejtorive të bujqësisë nuk ka funksionuar siç duhet në 4 vjet.
Drejtoritë e bujqësisë kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë shumë
funksione veç ekstensionit dhe shërbimit veterinar, që nga mbledhja e statistikave, certifikatat hidrosanitare, dëshmitë e përdorimit të pesticideve, menaxhimi i kontratave të qirasë së tokës bujqësore e shumë të tjera.
Në këto kushte, duke pasur forca të pamjaftueshme për të bërë gjithçka, kanë bërë pak nga të gjitha dhe asgjë nuk e kanë bërë për së mbari.

Ajo që duhet të bëjmë për ekstensionin, është shkëputja e shërbimit të ekstensionit nga drejtoritë e bujqësisë, të cilat do të shkrihen.
Nuk do të thotë se do të humbasin funksionin, por do të riorganizohen funksionet e deritanishme të drejtorisë së bujqësisë.
Shërbimi i ekstensionit do të jetë një shërbim kombëtar i
Ministrisë së Bujqësisë në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Tiranës.
Jemi duke ndërtuar një marrëdhënie bashkëpunimi për të hartuar module trajnimi të përbashkëta për ekstensionistët, për të ndërtuar kartat teknologjike të produkteve bujqësore për ekstensionistët, për të bërë testimin e ekstensionistëve
dhe, në rastin e ekstensionistëve apo të agronomëve, që nuk e kalojnë testimin e Universitetit Bujqësor të Tiranës, po ndërtojmë një program intensiv të kualifikimit të tyre pranë këtij universiteti. Kemi një potencial të pashfrytëzuar te ky universitet. Mijëra e mijëra studentë, disa qindra pedagogë dhe profesorë, të cilët sa më pranë terrenit të jenë, aq më shumë ndikojnë te përmirësimi i transferimit të dijes te fermerët.

Shpeshherë fermerët dështojnë për shkak se nuk dinë si t’i përdorin pesticidet, nuk dinë cilat janë kulturat që kërkon tregu, nuk kanë informacion për trendin e çmimeve e të tjera.

Të gjitha këto shërbime, që i takojnë shërbimit
të ekstensionit, ne do t’i organizojmë, siç u mundova ta them.
Ndërkohë, nuk pretendojmë dot që do të mbulojmë me ekstension mbi 300 mijë fermerë në të gjithë Shqipërinë.
Ne do të përqendrohemi tek ato kultura, për të cilat do të flas më poshtë, që do të jenë prioritare. Janë kultura që
po i analizojmë me një grup ekspertësh, por edhe me një grup të eksportuesve më të talentuar, si kultura me potencial eksporti dhe me potencial konkurrueshmërie.
Në këto kultura ne do të përqendrojmë ekstensionin në
mënyrë të dedikuar dhe individuale. Pa dyshim, për të gjithë fermerët e tjerë do të ketë module të trajnimit, por edhe ekstensioni privat do të inkurajohet dhe do të mbështetet nga ne dhe nga të gjithë partnerët tanë, kam parasysh donatorët
dhe institucionet financiare që kanë programe të zhvillimit të bujqësisë.

Atëherë, po i kaloj shpejt çështjet e tjera.
Nuk e administrova mirë kohën.
Skema e mbështetjes së ASHBR-së rritet 1,7 herë, shkon 25 milionë euro. Do të mbështesë tanimë të gjithë zinxhirin e vlerës së atyre produkteve që do të identifikohen nga ne, si produkte me potencial të lartë për eksport, si:
gështenjat dhe…

Erion Brace:

Të jemi të qartë dhe ju i qete që në krye të herës;
Keni të gjithë mbështetjen time në punën që keni marrë përsipër te kryeni.

Tani, jam padiskutim i emocionuar, madje shpesh edhe nxehem, por nxehem me arsye dhe arsyet ishin
pak a shumë ato që thashë me pare.

Për ta bërë më konkrete po vijoj të them së cila është
arsyeja e të nxehurit tim-si emocion qe ju e shquat me pare: bujqit e thjeshtë në Bubullimë, në Eskaj, ne Kamcisht, ne Pirre, ne Imshte, në Gore, në Shakuj, në Bisqethen, në Krutje, në Fier të Ri, në Gjazë, në Lifaj, në Ngurrëz, në Rupaj, në Zhelizhan, ne Mazhaj, në Delisufaj, në Allkaj, në Tozhaj, në Xëng, në Zharnec, në Kryekuq, në Gurr, në Babunj, në Gradisht, në Kemishtaj, në Fier-Seman, në Mërtish, Sopës mbi të gjitha në kater qendrat, për mua ekselente per sa i perket cilesise së produkteve bujqësore qe prodhojne, ne Divjake, në Spolate, në
Goricaj dhe në Petovë, ku serat janë në maksimumin e tyre të mundshëm, duke shfrytëzuar çdo meter katror tokë, i bëjnë llogaritë shumë thjeshte, nuk kane nevoje per ekstension.

Une minister, jam nxehur prej “tregut” te madh te Tiranes-pazar ne te vertete, ku prej ores 6:30 të mëngjesit sot, si gjithkush tjeter, munda të bëjë krahasimin midis produktit që shitet këtu, në këtë pazar, siç e quaj unë me emocion, dhe çmimeve të produkteve që dalin nga parcelat ne këto fshatra, nga kjo ekonomi, që, më lejoni t’ju them, është ekonomia më e
madhe bujqësore që ka vendi.

Po e përsëris, nga Divjaka deri në Bubullimë është ekonomia më e madhe bujqësore që ka vendi sot.

Pra llogaria që bëjnë njerëzit është shumë e thjeshtë:
paratë që i shpenzon për një dynym ne cilendo kulture bujqesore, sasia e produktit që del prej atij dynymi, çmimi me të cilin po grumbullohen këto produkte bujqësore dhe,
çmimi me te cilin po shitet këtu në pazarin e madh të Tiranës.

Shqetësimi im kalon nëpër të gjitha këto hallka.
Po behem konkret:

Po ju them se karrota që prodhohet në Divjakë, ka një cilësi komplet ndryshe nga çdo karrotë tjetër, që prodhohet në pjesen tjeter te vendit- fare pak kilometra më në veri, karrota është si shkop, si dru, në Divjakë ka një cilësi komplet tjetër.

Kostoja për një dynym karotë është 400 mijë lekë, ose e
përkthyer në kg është, 200 lekë për kg.
Dje karrota në Divjakë është mbledhur
në kosto me 200 lekë, para një jave ishte nen kosto- 150 leke/ kg; por a e dini sa ishte sot në mëngjes në pazarin e madh të Tiranës? 700 lekë/kg.
I thonë tri herë e pak më tepër.

Ky është shqetësimi im! Per kete jam i nxehur!
Si ka mundësi që nga bujku te tregtari diferenca është 3 herë e ca? Si ka mundesi qe bujku humb para ose merr parate e tija nga ky produkt, ndersa tregtari fiton 2-3 here?

Për këtë unë nuk besoj të magjia e tregut, tek e cila edhe ju me referuat edhe nje here tjeter si shumekush qe nuk ka pergjigje.

Patatja, dhe po flas për pataten e dytë, se e para iku me 150
lekë/kg; Kostoja është 800 mijë lekë /dynym.
Sot po grumbullohet me 300 lekë/kg në Divjakë, në kosto,
e dyta, sepse e para është me kosto deri në 450 lekë
dhe, në tregun e madh të Tiranës ishte për 600 lekë/kg.
Dy herë më shumë.

E njëjta gjë është me lakrën kokër, 300 mijë lekë /dynym kostoja, 110 lekë/kg, 120 lekë/ kg mblidhej sot në Divjakë,
500 lekë e gjeta në pazarin e madh të Tiranës.
Flas për sot në mëngjes gjithnje.

Vazhdojmë!
Lulelakra, 300 mijë lekë për dynym, 300 lekë/kg kostoja, 500
lekë po mblidhet në Divjakë dhe 700 lekë/ kg e gjeta në pazarin e madh të Tiranës.
E njëjta gjë është me brokolin, i cili po mblidhet në Divjakë me 800 lekë, ndërkohë që në pazarin e madh të Tiranës ishte nga 1300 deri në 1500 lekë/ kg.

E njëjta histori është me qepën e thatë, me 150- 200 lekë u shit në verë. Dilni sot dhe do të shihni se është me 650 lekë/ kg në pazarin e madh të Tiranës.

Shalqini, shkon me kosto 80-100 lekë/kg, kurse çmimi më i mirë që u mor në Divjakë- nuk shijoi njeri në Shqipëri ate shalqi, iku i gjithi për eksport, ishte 22 lekë/kg, dhe ky ishte i vetmi produkt gjatë këtij vitit, i cili, u dha lekë fermereve në njësinë më të madhe ekonomikë bujqësore të vendit, pra në Divjakë, sepse pak kilometra më poshtë, shalqini i Tërbufit, u shit vetëm me 40 lekë të vjetra. Nën kosto! Shalqini i Imshtës- 300 ha, meqe u fol ketu per siperfaqe e sasi te madhe, u shit me 50 lekë të vjetra për kg, perseri nen kosto.

Mua kjo me nxeh, nuk e di juve ju nxeh kjo apo jo?!

Po të shkojmë të serat, shqetësimi bëhet akoma më i madh. Shikoni!
Për një serë një hektar mbjelle me kastravec, me të gjitha shpenzimet brenda, duke filluar nga ndërtimi i serës, te punimi i tokes, te plehërimi bazë, te plehërimi suplementar me mikroelemente, etj. shpenzimi arrin ne 39 milionë lekë.

Natyrisht, për nje rendiment mesatar 1500 kv/Ha që marrin nga ajo serë, kostoja shkon në 240 lekë/ kg.
A e dini me sa po mblidhet sot në Goricaj?
150 deri në 200 lekë, nën kosto!
Por a e dini sa është çmimi tani në pazarin e madh të Tiranës? 600 lekë/ kg!
Atje po mblidhet nën kosto dhe bujqit po humbin, ndërkohë që në pazarin e madh të Tiranës po shitet tri herë më shtrenjtë dhe tregtaret po fitojne pa mase.

E njëjta histori është me domaten;
për 1 ha serë me të gjitha shpenzimet brenda, duke filluar
elementet e serës, te punimi i tokës dhe për të vazhduar pastaj me plehërimin bazë, me plehërimin me mikroelemente,
kostoja shkon në 36.9 milionë lekë,
Kostoja me një rendiment mesatar
1300 kv/ Ha shkon 370 lekë.
Sot, po mblidhet ne Goricaj një superdomate
vetëm me 400 lekë.
Por në tregun e madh të Tiranës sot ishte 800-100 lekë në
varësi të cilësisë, pra dy herë e ca më shtrenjtë.

Pra nëse atje lë vetëm 3 lek për kg per bujkun,
këtu, tregtarët po fitojnë dy herë e gjysmë dhe ky është një problem shumë i madh.

Pra, problemi që unë kërkoj të adresohet me urgjence është mënyra e funksionimit të këtyre tregjeve.

Natyrisht që ka edhe problematika të tjera në gjithë këtë zinxhir,
por ky i abuzimit të tregtarëve është skandaloz.

Zoti Ministër, kam studiuar për këtë interpelancë, per te qene konkret si ne fushe ashtu edhe ne zyra dhe, kam analizuar të gjitha të dhënat doganore për eksportet- i disponoj, nga 1 janari i këtij viti deri në mes të korrikut, kur mbaroi edhe fluksi më i madh i eksportit të shalqinit apo edhe të pjeprit nga
Divjaka.

Më lejoni të them që çmimet në eksport kanë shkuar tri herë më të shtrenjta sesa cmimet me të cilat te njejtat produkte janë mbledhur.
Me përjashtim të Bullgarisë, importuesit e së cilës në deklaratat doganore- kjo duhet të jetë në vëmendje të ministrit Financave, kërkojnë pa diskutim që t’u bëhet një faturë e rreme për
shkak të TVSH-së që paguhet atje për të gjitha produktet bujqësore që importohen brenda Bullgarisë,
tek të gjithë të tjerët, fatura reale është të paktën
tri herë më shumë se çmimi me të cilin janë grumbulluar nga bujqit produktet bujqësore, duke filluar nga specat deri të shalqini.

Pra, edhe këta që po i bëjnë një nder shumë të madh ekonomisë kombëtare apo edhe ekonomisë bujqësore posacerisht, janë eksportuesit e produkteve bujqësore dhe blegtorale, po fitojnë pa hesap pikërisht në kurriz të atyre që ose po shesin ne kosto duke marre thjesht parate e tyre, ose po shesin nën kosto duke humbur parate e tyre.

Keto jane fakte!

Duke u kthyer në fillim, po ju përsëris:
në qoftë se bujku në Divjakë humb nga patatja, nga qepa, nga lakra, nga karota, të jeni të bindur që sezonin tjetër nuk do të ketë më para për të punuar tokën.

Ky është një shqetësim shumë i madh.

Pa diskutim që ajo që thoni ju është shumë e vërtetë, pra që ne po investojmë jashtë mase në vaditje dhe në kullim, por duhet t’i japim zgjidhje këtij problemi-ketej burojne te ardhurat.

Nuk do të ketë asnjë lloj vlere gjithcka qe ne po bejme në qoftë se paratë nuk i marrin bujqit, por i marrin tregtarët.

Përtej këtij problemi, natyrisht që doja të prekja specifikisht edhe disa probleme të tjera, te lidhura gjithnje.

Së pari dhe mbi të gjitha- unë ju dëgjova me shumë
vëmendje, me Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe parcela, duhet te adresoni menjëherë efektet qe po vijne nga ndryshimi të klimës.

Po t’i pyesni bujqit, ata e ndiejnë shumë më tepër
se gjithkush tjetër që flet per këtë problem.

Ciklet e tyre të prodhimit po dalin jashtë afateve konkurruese me fqinjët tanë, veçanërisht me Turqinë dhe me Greqinë.
Këta maqedonasit, të cilët i përflisni vazhdimisht lart e poshtë se kanë një ekonomi të zhvilluar, as nuk u hyjnë në sy këtyre bujqve shqiptarë, nuk i llogarisin fare, por konkurrencën e kanë drejtpërdrejt me Turqinë dhe me Greqinë.

Në qoftë se ciklet tona të prodhimit konsumohen pasi kanë nxjerrë turqit dhe grekët produktet e tyre në treg-ne Lindje kryesisht, natyrisht që produkti mbetet këtu, nuk shitet, ata e mbysin tregun.

Kjo gjë duhet bërë me urgjencë të madhe për t’i orientuar bujqit që të fillojnë ta mbjellin tokën dhe t’i kryejnë asaj shërbime të tilla që prodhimi të dalë para se grekët apo turqit të
bllokojnë tregjet ku ne eksportojmë, veçanërisht në Lindje.

Po ju sjell një fakt nga Divjaka.
Një grup djemsh shpëtuan këtë radhë të
gjithë shalqinin në Divjakë. Pse? Sepse e nxorën të paktën 12 ditë përpara se Greqia të nxirrte shalqinin e saj dhe te mbyste tregun. Natyrisht, çmimi prej 22 lekësh, që ishte çmimi
maksimal i marrë ndonjëherë në Divjakë për shalqinin, ndihmoi që 90% e prodhimit të ikte menjëherë dhe të garantonte edhe të ardhura për tëkompensuar të gjitha humbjet nga produktet e tjera në Divjakë.

Së dyti, sulmi mbi produktet tona në periudha piku, vecanerisht duke i paditur ato si produkte te demshme, duhet të ndalet.
Natyrisht, Ministria e Bujqësisë duhet të merret me këtë çështje në dy aspekte:
së pari, të mbrojë produktet bujqësore dhe blegtorale nga çdo sulm i padrejtë, i pandershëm që bëhet në media, qoftë për nevoja të konkurrencës, qoftë edhe për nevojat e tregtarëve për t’i ulur çmimet e bujqve.

Një sulm në televizion kundër shalqinit të Divjakës, bëri ne korrik që e gjithë zona të mbetej pa e shitur atë.
Natyrisht, menjëherë, sapo çmimi “ra në tokë”, u shfaqën tregtarët. Nuk e kishin fare problem që në një televizion u tha që ai shalqi, që nuk ishte i Divjakës, ishte prodhuar me
hormone, sipas tyre.

Jo, çmimi ra në 4 lekë dhe të gjithë u turrën për ta blerë,
natyrisht, edhe për ta shitur.

Kjo fushatë duhet të ndalohet, ashtu si edhe fushata
tjetër e ministrisë suaj, nëpërmjet AKU-së, për të bllokuar të gjitha ato produkte që prodhohen jo ndershmërisht me elemente të tjera të palejueshme, duhet të
jetë e shpejtë, sepse qoftë në blegtori- në produktet blegtorale,
veçanërisht për djathin që prodhohet me niseshte dhe del në treg edhe me niseshte, por qoftë edhe në produktet e tjera bujqësore, të cilat dalin në treg më ngjyrosësh apo pjekës artificialë, natyrisht që duhet të jeni ju ata që do ta
mbroni prodhimin e ndershëm pikërisht nga ky prodhim i pandershëm.

Se treti, ju e përmendët pak më parë, ne tani kemi vetëm tregjet e Lindjes per te eksportuar.
Ne nuk hyjmë dot në BE as me patate, as me karrota dhe as me panxharin e kuq, që janë tri produktet bazë të kësaj njësisë së madhe ekonomike për të cilën po flas, nga Divjaka deri në Bubullimë, të cilat, duhet të shiten edhe në vendet
e Bashkimit Europian.
Kërkesa është shumë e madhe.
Zoti Ministër, në Divjakë kanë ardhur polakë e sipërmarrës të tjerë të vendeve të Bashkimit Europian që kërkojnë pataten, të cilën e kanë marrë, i kanë bërë analizat në vendet e tyre, janë kthyer, kanë marrë mostra të tokës, kanë bërë analizat,
janë kthyer përsëri, kanë lidhur kontratat dhe ne e kemi kuptuar
vitin që shkoi, kur jemi ndaluar në doganën hungareze, që ne nuk mund t’i shisnim dot pataten, karotën apo panxharin tonë në vendet e Bashkimit Europian.
Ministria e Bujqësisë ka rol prioritar në këtë pjesë.

E kam pyetur pa pushim paraardhësin tuaj, por nuk mora kurrë një përgjigje se ku jemi me procesin e lejimit të këtyre produkteve në vendet e Bashkimit Europian.

Se katerti, ju fola me heret për abuzimin me çmimet.
Ju thashë- nëse ju do ta vazhdoni këtë interpelancë, do t’ju vë në dispozicion të gjitha evidencat doganore te eksportuesve specifike nga Lushnja e me gjere, çmimet e tyre ne eksport.

Eshte nje element faktik, i vlefshem për të kuptuar se si tregtarët po abuzojnë në kurriz të bujqve që prodhojnë ndershmërisht.
Per mua eshte shfrytezim e nuk kompleksohem hic nga kjo fjale.

Së fundi, skema e tatimit mbi vlerën e shtuar, ashtu siç është shkruar në udhëzim, nuk funksionon ne permbushje te qellimit per te cilen, une kam negociuar shume prej nisjes.

Në qoftë se ne në nenin 13 te udhezimit te ministrise se Financave per kete skeme- besoj se kam edhe
vëmendjen e ministrit të Financave, themi që TVSH-ja do të llogaritet brenda çmimit dhe nuk do t’i shtohet çmimit, do të vazhdojmë të favorizojmë- është neni 8, pika 2, dhe neni 13 vijues i udhëzimi, do t’i japim mundësi çdo
grumbulluesi që jo të paguaje rimbursimin e TVSH te bujku,
por ta përfitojë për vete, siç e ka përfituar përmes rimbursimit qe qeveria ben per te e që po shkon drejtpërdrejt te grumbulluesi.

Ne e kemi diskutuar këtë bashkërisht dhe natyrisht këtij fenomeni duhet t’i jepet fund, por do të kemi rast ta diskutojmë edhe në detaje këtë gjatë diskutimit të paketës fiskale.

Në fund, zoti Ministër, unë fola dhe do të vijoj të flas për ekonominë e vogël bujqësore.

Është një ekonomi që iu vlen të gjithë bujqve në çdo cep të
Shqipërisë, mbi të gjitha do vijoj të flas për ekonominë më të madhe bujqësore nga Divjaka deri në Bubullimë.

Unë për qiramarrësit e mëdhenj te tokes publike bujqesore nuk jam i përgatitur ende të flas, natyrisht e di që u janë vënë në dispozicion qindra hektarë tokë pikërisht këtyre qiramarrësve të mëdhenj.
Kam kërkuar një informacion, i cili po plotësohet kohë pas kohe edhe me vullnetin tuaj të mirë, e qe deshmon se çfarë është bërë me këto sipërfaqe toke.
Po bëj një verifikim vetë, personal, të paktën në atë territor për të cilin ju fola, per te deshmuar ketu se çfarë
është bërë me këto qindra hektarë tokë lëshuar te qiramarrësit e mëdhenj, sa njerëz janë punësuar, sa prodhohet, sa eksportohet prej tyre dhe, besoj se do të kemi rastin që të flasim edhe për këta të mëdhenjtë këtu, në sallën e Kuvendit.

Niko Peleshi:

Në qoftë se ka një diferencë, pa dyshim, nuk mund të
kem asnjë dyshim në fakt, për të gjithë ata tregues dhe informacion që u soll këtu nga deputeti Braçe, por unë nuk besoj se kjo diferencë ndërmjet çmimeve
të shitjes së fermerëve në fushë dhe çmimeve të shitjes me pakicë, vjen për shkak se nuk duhet të besojmë te forcat e tregut.

Çështja është se në bujqësinë shqiptare, ekonomia e tregut është e deformuar, nuk funksionon siç duhet,
ekonomia e tregut ka kuptim t’i besosh, pra ekuilibrave që vendos kërkesa dhe oferta, atëherë kur, së pari, informacioni shkëmbehet siç duhet.

Ne kemi problem të madh me informacionin e çmimeve, ndaj në qoftë se pyesni se si e mendoj unë dhe se si do të zgjidhet, ne po të punojmë me shpejtësi edhe me mbështetjen e donatorëve të ndërtojmë një bursë të produkteve bujqësore dhe blegtorale, në mënyrë që çdo fermer, kur t’i afrohet tregtari, grumbulluesi për t’i blerë dhe oferton blerjen e produkteve të karrotës apo të gjitha produkteve të tjera në fushë në të gjithë Shqipërinë, të dijë sa është çmimi i bursës, sa është
çmimi i tregut të Tiranës, sa është çmimi i tregut të Lushnjës e të tjera.

Pra, pa informacion, në qoftë se informacioni nuk qarkullon në kohë reale, nuk mund të bëjmë dot fjalë për ekonomi tregu, jo se dështon ekonomia e tregut, por ekonomia e tregut te ne nuk funksionon në bujqësi.

Fshatari dhe fermeri janë shumë larg nga tregu, janë shumë të copëzuar, nuk kooperon në shitje me fermerët e tjerë, ndaj dalim në pikën e dytë, kooperimi në shitje dhe kjo është një nga ato që Kryeministri e ka thënë shumë herë. E kemi thënë dhe
do ta përsërisim vazhdimisht, do t’i inkurajojmë fermerët tanë të kooperojnë në shitje. Ndryshe është t’i ofertosh një kuintal karrota dikujt dhe ndryshe është kur të duhet të flasësh me 30 fermerë të bashkuar së bashku, që kanë bashkuar
prodhimin, natyrisht edhe shqisën e informacionit e kanë më të fortë se janë bashkë dhe janë prodhues më të mëdhenj.
Pra, kjo është shumë decizive për përcaktimin e çmimeve dhe për të afruar çmimet e shitjes në fushë me çmimet e
shitjes me pakicë.
Në qoftë se do të ndërtojmë kooperimin në shtije, në qoftë se do te funksionojë siç duhet informacioni, nuk kemi pse mallkojmë ekonominë e tregut, sepse jam i sigurt që ekonomia e tregut do t’i bëjë detyrat e veta.

Neve na takon të alokojmë subvencione në shitje për të rritur fitimin e fermerëve, 15% të vlerës së mallit për sasi nga 100 kuintalë deri në 400 kuintalë.

Rimbursimin e TVSH-së jam dakord me ju që duhet ta korrektojmë dhe të ulemi së bashku, në qoftë se doni, ta zhbirojmë, ndërkohë çmimet e shitjes me pakicë nëpër qytete
për tregtarët do t’i…

Erion Braçe:

Zoti Ministër, edhe një herë, unë nuk mallkoj kënd, as
individë, as ekonominë përgjithësisht.
Për më tepër këtë punën e mallkimit te ekonomisë së
tregut e kam të vështirë, nuk e mendoj dot se si mund të mallkohet nje ekonomi, por me thënë të drejtën,
gjërat nuk funksionojnë dhe, kur nuk funksionojnë për disa cikle
prodhimi rresht, shkojmë atje ku ju thashë, që njerëzit nuk do të kenë para më të mbjellin tokën.

Natyrisht që këtë unë nuk e mohoj dot, as ju dhe askush në
këtë sallë, askush që një herë të vetme shkon në fshat, qëndron atje dhe pyet, dëgjon dhe e shikon me sytë e tij se si funksionon e gjitha.

Kështu që është shumë e rëndësishme për t’u rikthyer edhe një herë tek ajo që thashë:
ka një abuzim shumë të madh në treg;
nga fusha në treg të ndryshojë çmimi me 3 herë
kur hyn brenda thjesht dhe vetëm kostoja e transportit nga Lushnja, Divjaka në Tiranë, kjo është ulëritëse.

Prandaj, po ju them ndërhyni në këtë pikë.
Në qoftë se nuk ndërhyni në këtë pikë, me qellim që bujku ta ndiejë që nga puna me tokën dalin të ardhurat
e tij- ai nuk punon për tregtarin natyrisht, po ju them se nuk do të arrini gjë me ato që flisni ju dhe ato që thuhet se do të bëhen.

Për ta mbyllur, po ju them edhe një herë tjetër:
tani ka filluar të dalë prodhimi i serrave dhe natyrisht, tani duhet ndërhyrë dhe duhet ndërhyrë pikërisht për të ndalur abuzimin e grumbulluesve dhe të tregtarëve.

Unë nuk e mohoj dot që gjatë këtyre 4 vjetëve janë krijuar pika grumbullimi pa hesap- me para publike kryesisht, por po ua them sot se është krijuar edhe një rrjet tregtarësh që janë të aftë të manipulojnë çdo lloj burse që do të ndërtoni ju.

Bien dakord me njëri-tjetrin,
madje bien dakord edhe me mediat se si të sulmojnë produktet bujqësore dhe blegtorale të prodhuara ndershmërisht me qëllim që të ulin çmimet.

Shiheni këtë dhe unë jam i bindur se do ta besoni më në fund.

Share.

About Author

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.