EMINI…

0

EMINI I ASHIKËVE TË BREZHDANIT

Elegji për njeriun më punëtor që kam njohur…

Emini iku…
Iku thjeshtë dhe qetë, siç ikin njerëzit me dinjitet…
Për të nuk shkruan gazetat…
Shkroi djali i tij, Blerimi në një kënd të faqes për të gjithë, në facebook…
E mbuluan ngushëllimet…
Si tufa me lule…
Si kurora me shkronja dhimbjeje dhe kuraje…
Më dhëmbi shumë…
I shkrova Blerimit…
“Ngushëllime për ikjen e babait tuaj, shokut tim të fëmijërisë, njeriut më punëtor që kam njohur në jetë EMIN DIK DHE NIJE ASHIKUT. Të rroni, ta kujtoni dhe ta nderoni.”
Do të desha të kem adresat dhe tu shkruaja, tre djemve të tjerë, se katër lindi dhe rriti Emini me Serveten…
Eduardit, Marenglenit dhe Sadikut (paska marrë emrin e Dikës, gjyshit të tij)…
Tri vajzave: Beltrinës, Valbonës e Alketës…
20 nipërve e mbesave (një lagje e tërë, tash jo në Dibër por në Durrës)…
Është e madhe dhembja me kaq degë të dala nga një trung, me kaq lotë të mbushur grusht…
Por, si i thonë në Dibër, kur prindi i le fëmijët prapa, nuk ikën i djegë, përcillet me lodër e cule…
Unë e jetova dhimbjen në një bisedë me Stivenin, djalin e Blerimit. E pyeta në se më njihte kur më drejtohej “xhaxhi”. Më tha se jam 16 vjeç…
Nuk më njihte nga pamja por nga gjaku…
Stivenit i iku Gjyshi…
Unë do t’i tregoj pak për stërgjyshin dhe stërgjyshen, Dikë Ashikun dhe Nije Ashikun…
Do ti dërgoj dhe një fotografi të shtëpisë në Zdojan, shtëpi që e ndërtoi stërgjyshi, shtëpi ku lindi gjyshi me vëllezër e motra, shtëpi që e fotografova
tre vjet të shkuara, shtëpi e braktisur por ende në këmbë mbi themele stërgjyshore, rrënjë nga kanë dalë e kanë marrë dheun pema e madhe e jetës…
Atëherë, kur fotografinë e përcolla në facebook, shënoja…
Të moçmit, të mençurit, gjysh-stërgjyshat tanë thoshin…kur të bësh shtëpi të re, shtëpinë e vjetër mos e shemb, mbaje në këmbë, mbushe me drithë, me jonxhë të tharë e kashtë për dimër.
Kjo është shtëpia e Dik Ashikut. E mbaj mend kur hodhi themelet dhe vuri çatinë… Fëmijët e tij, Veseli, Emini dhe Sinani lindën dhe rritën “një mëhallë me djem” të cilët kanë bërë shtëpi të reja në Zdojan, në Tiranë, Durrës dhe jashtë vendit.
Shtëpia e prindërve dhe e gjyshit Dikë dhe gjyshes Nije Ashiku është në këmbë.
Respekti për të parët tregohet duke mos ua rrënuar djersën dhe mundin e derdhur një jetë të tërë
.”
Dika, babai i Eminit ishte i pari i tre vëllezërve bijë të Sel Ashikut: Sadullit dhe Lamit…
I mbaj mend mirë se jam rritur nën hijen e tyre… Vetëm rruga që përshkonte tërë lagjen i ndante trojet e mia…
Dika ishte njeri i qetë, i punës në bujqësi e i punës në mulli. Portretin e tij e ruaj në kujtesë të thinjur e të zbardhur rrobash nga puhiza e miellit që mbushte tërë hapësirën e mullirit. Me Nijen, një grua edhe ajo e qetë si i shoqi, lindën e rritën Veselin, Eminin dhe Sinanin nga djemtë dhe Narushien e Kadrien nga vajzat…
Veseli, lindur tri javë diferencë me mua, iku i ri duke lënë pas gruan dhe dy fëmijë…
Sinani nuk rreshti të kërkojë një vajzë për pjesë të familjes së tij. E gjeti pas shtatë djemve…
Sadulli ishte inteligjent. Kishte një dyqan në fillim në shtëpi e më pas në një të ndarë të mullirit. Shiste deri gjërat më të vogla jetësore e shkollore,  veçanërisht për gra e vajza. Blinte vezë, misër, groshë e të tjera prodhime bujqësore asokohe kur ende në fuqi ishin triskat e gjërat e jetesës ishin ngushtë e ngushtë…
La pas djem e vajza që mbushën mëhallën me themele shtëpish. Basriu dhe Hyseni më vijnë në kujtesë…
Edhe Lumja, e bukura Lume, aq e dashur, aq e mirë, aq e qeshur…
Lami, derisa iu rritën djemtë, në shtëpinë e vjetër dykatëshe jetoi. Bedriu dhe Ramazani hodhën themele të reja në ugrade…
Zarifka, aq e dashur dhe punëtore e  lidhi jetën me trojet e të parëve…
Emini, që sot ma hapi liqenin e lotëve, ishte njeriu më punëtor i lagjes, i fshatit…
Nuk kishte shkollë Emini, shtatëvjeçaren vetëm…
Kishte shkollën e punës, shkollën e njeriut që çfarë i sheh syri ia bën dora… Shkollën e jetës që është vlera më e madhe për njeriun e thjeshtë…

Abdurahim Ashiku

Janar 2019

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.