E QARA E FOSHNJEVE…

0

E QARA E FOSHNJEVE MBI TRAUN DOGANOR TË KAKAVIJËS

Vëzhgim i gazetarit

Nga Abdurahim Ashiku

Nuk e kanë parë, as dëgjuar, as ndjerë në shpirt!
As kryeministri, as ministrja e shëndetësisë…
As zonjat e shoqatave që çdo ditë, faqeve të gazetave e portaleve, veshur firmato, flasin deri në pasthirmë për fëmijët e njerëzit në nevojë…
Nuk kanë si ta shohin barqeve të avionëve ku rehatshëm udhëtojnë  me paratë e taksapaguesve shqiptarë…
……………..
E kam parë tash njëzet e tre vjet.
Si qytetar dhe si gazetar.
Veçanërisht e kam ndjerë tash kur një rregull i ri i detyron autobusët bosh të skanohen…
E pasagjerët dhimbshëm të presin përpara bagazheve hedhur rrëmujshëm përtokë…
E fëmijët të qajnë sa ta këpusin shpirtin në krahë nënash…
………………
Më dhëmbi fort në shtator të vitit të kaluar e qara e fëmijëve, mundimi deri në këputje kurrizi i pleqve…
Bëra edhe një shkrim që zuri faqet e para të disa gazetave…
Një shkrim me tituj: “Skanimi i autobusëve si dhunë ndaj udhëtarëve në dogana”, “Gazetari që udhëton prej 22 vitesh nga Greqia: Me autobus në Kakavijë? Të shtrydhin!”…
Shkrimi u botua më 16 shtator 2018…
Përveç komenteve dashamirëse shoqëruar me përvojë të drejtpërdrejtë jetësore udhëtimesh, asnjë reagim publik zyrtar…
As i shtetit me të gjithë strukturat e veta..,
As i shoqatave për mbrojtjen e fëmijëve…
Pa le i atyre që mpaken kur flasin për pleqtë e pleqërinë, për invalidët e paraplegjikët që mezi ecin mbajtur mbi shkop apo rrëshqanë karrocave me rrota…
Ia përcolla edhe Kryeministrit në portalin “Shqipëria që duam”…
Mora një përgjigje standarde me premtime ala “kalandrat greke”…

…………………
Udhëtova drejt Athinës të dielën me autobusin e orës 17.00 të “Top Lines”.
Mesnatë…
Ftohtë…
Erë brisk…në një pikë gjeografike ku e hedh vallen devollitshe.
Shyqyr që nuk binte shi.
Se po të binte shi apo borë (siç ka ra një javë me radhë) nuk e di se si do ta përjetonin ata  për të cilët mora penën të shkruaj.
Fëmijët, ata në pelena e ata në krah të mërdhirë nënash…
Veten, me të 78 vjetët mbi shpatulla, e lash në qosh…
E qara e fëmijëve ma shkurton jetën…
E qeshura e fëmijëve ma shton jetën…
Asgjë nuk ka ndryshuar nga shtatori ’18 …
Po ai mjedis…
I hapur nga të katër anët…
Pa një strehë llamarine për tu mbrojtur…
Pa një dhomë të ngrohtë për fëmijët…
Pa tualet…
Pa…

……………………
Nxjerrim nga sirtarët e autobusit bagazhet, valixhet, çantat…
Të gjitha, të gjitha…edhe shishet  e ujit…
I shkarkojmë rrëmujshëm përtokë…
I zvarrisim duke na u dridhur duart e trupi nga të ftohtit…
Fëmijët, strukur në gjirin e nënave qajnë…
Qajnë me lot, qajnë sa dhembja të shkon në palcë…
…………………
Autobusi bën një rreth rrotullim për diku, drejt një hangari ku thonë se skanohet?
Për çfarë?
Për drogën mes xhepave të fshehtë?
Mbase…
Po makinat tjera, të mëdha dhjetëra tonëshe e të voglat pesë vendshe, pse kalojnë pa skanim???!!!

……………….
Doganierët kontrollojnë valixhet, çantat…
Një doganier që më njihte nga shkrimi im më thotë:
“Asgjë nuk është bërë. Siç e le ashtu e gjete”.
I dhimbte doganierit pamja e fëmijëve që qanin, pamja e pleqve mbi “këmbën e tretë” të jetës, shkopin…
Njerëz janë edhe ata. Ani se na bezdis pyetja e tyre me kulturë “A ke gjë të ndaluar?” dhe duart nëpër valixhe e çanta…

………………………………
Kontrolli i bagazheve mbaroi…
Presim të vijë autobusi…
Në qiell të hapur, pa asnjë mbrojtje…
Fëmijët qajnë…
Pleqtë janë mbështjellë thes…
Nuk e di se si ta përshkruaj pamjen. Edhe Migjenit, poeti i mjerimit, nuk  di a do gjente fjalë…
Mbase do ngrinte grushtin për ti rënë “Malit që s’bëzan”

…………………………..
Autobusi vjen…
Me nxitim, të ndihmuar nga ndonjë i ri, përplas valixhet në xhepin e madh.
Fëmijët ende qajnë…
Pleqtë, me ta edhe unë, kapur pas hekurash, ngjisim me mundim shkallët…

………………
Kalojmë kufirin, hyjmë në shtetin drejt të cilit udhëtojmë, Greqi…
Nuk ka ndonjë komoditet  evropian në pritje e përcjellje por, krahasuar me atë që lamë, është lule.
Një mjedis tërësisht i mbuluar në të gjithë hapësirën (diçka e thjeshtë që me pak shpenzime duhet të ishte bërë në anën shqiptare).
Korridore të ngrohtë me ndonjë stol në pritje të rutinës së zakonshme të kalimit policor e doganor.
Një klub ku në pritje merr një kafe apo çaj.
Dhe disa tualete…
Ujë të pijshëm, të rrjedhshëm…
Shqiptarët edhe me kaq janë të kënaqur…

……..
Udhëtoj të tatëpjetës drejt Janinës me mendimin prapa.
Nuk mund ta tërheq…
Është i rëndë…
Është lidhë e nuk zgjidhet nga pamja e ngrirë që e shohim: unë, ti, ai, ajo, ne, ju ata, ato…pasagjerë të përditshëm drejt Athinës…
Nuk e di pse asaj firmës që na hedh si leckë mes baltës, shiut, borës, erës, të ftohtit, të nxehtit, pikës së diellit nuk i kërkohet që nga qindra milionët që merr nga skanimi disa dhjetëra mijë ti shpenzojë për tu krijuar pasagjerëve kushte njerëzore, një dhomë me kondicioner ku fëmijëve tu ndërrohen pelenat, një banjë për burra e gra, një klub ku të pinë një çaj, kafe, një çati ku mos i zërë as era, as shiu, e as piku i diellit…
Nuk e di…
A mund të më jepni një përgjigje z. Kryeministër, ministër, titullar zyrtar që paguhesh nga taksa që merr rrugë tek fëmija që qan e mbaron tek pensionisti?
Po ju drejtues të OJQ-ve e kampionëve që flisni e bërtisni deri në kupë të qiellit për të drejtat e fëmijëve e të njeriut a mund të më jepni një përgjigje?
Po ju drejtues të televizioneve satelitore e tokësore a e keni vështirë që të dërgoni ekipe, ta denonconi me zë e figurë këtë të qarë me lot të fëmijëve në Kakavijë? Dhe jo vetëm atje, edhe në Kapshticë, edhe në…?

Abdurahim Ashiku

Athinë 8 mars 2019
 

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.