Dy dervishët që xhveshën Hysni Pashën dhe taboret e tij

0

Dhe një homazh për Dervish Hysenin (Sheh Hysenin), Dervish Emrullahun, Sheh Ibrahimin e Tominit, Sheh Hysenin e Peshkopisë

Meditime duke lexuar vëllimin e parë të librit “DIBRA 1840-1860” të Munir Shehut

Munir Shehun e mbaj mend me një çantë violine nën dorë në qetësinë kalimtare të tij nën kurorën e blirëve në rritje drejt shtëpisë së kulturës apo shkollës pedagogjike. Nuk e kam njohur nga afër dhe nuk do ta kisha njohur sikur, rastësisht, mbi një tavolinë në librarinë e mikut tim në Tiranë Bujar Karoshi mos më ishte fiksuar shikimi mbi kopertinën e një libri ku shkruhej: “MUNIR SHEHU DIBRA I NË VITET 1840-1860, RRËFIME DHE KËNGË DIBRE.”
Nuk ngurova ta blej në vijimin jetësor që sa herë udhëtoj në Atdhe të mos marr me vete  “një dorë” libra me autorë të vendlindjes, “dorë” e cila mbush vazhdimisht raftet e bibliotekës sime modeste në mërgim.
Prisja të gjej “Këngë Dibre”, folklor, anekdota, përralla…
Gjeta histori të gjalla dibrane, histori të marra nga gojë e kujtesë njerëzish të mençur, me laps e letër në dorë, pa mikrofon, në kohë që nisnin nga vitet ’30-të të shekullit të kaluar. Qindra emra tregimtarësh, këngëtarësh të këngëve historike, me emër e mbiemër, të njohur, të dëgjuar, ndonjërin prej të cilit e ke tëndin, ke pirë kafe, ke ngrënë bukë e ke biseduar pa kalem e letër në dorë, pa mendjen e “vjelësit” të “fryteve” të jetës së tyre. Dhe kur i përjeton këto, faqe pas faqeje të vëllimit të parë të Munir Shehut për Dibrën dhe Dibranët e viteve 1840-1860, të dy ngjarjeve të mëdha historike, fitoreve kundër urdisë së Hajredin Pashës dhe Hysni Pashës, ndjen respekt për autorin dhe përgjegjësi intelektuale se pse ti nuk ke bërë të njëjtën gjë, pse duke udhëtuar nëpër Dibër, nuk ke vënë në gjunjë fletoren e nuk ke hedhë kujtimet e njerëzve.
Diku, në kujtimet e tij Ismail Strazimirit, luftëtar i tre betejave të mëdha historike në Dibër, i betejave kundër turqve osmanlinj, serbëve lakmitar për të dalë në Adriatik dhe nazifashistëve (Ai dha jetën në Sllovë në përballje me forcat gjermane dhe bashkëpunëtorët e tyre në nëntor 1943) thotë se dibranit nuk i ka munguar kurrë shpata dhe pushka, trimëria, por i ka munguar pena për të shkruar historitë e shpatës dhe pushkës në duar njerëzish trima e të mençur…
Munir Shehu më vjen në librin e parë DIBRA me vlera që të bëjnë të ngrihesh në këmbë e të përkulesh me respekt.
Nga leximi “pa laps në dorë”, u ktheva pas për tu ndalë në një fletë të historisë së treguar prej Munirit, në vendin dhe rolin e klerikëve dibranë në fitoren historike popullore kundër Hysni Pashës…

*              *             *
…Hysni Pasha vjen në Dibër me krenarinë dhe arrogancën anadollake të një pashai të ri, vjen pa e mësuar “Këngën e Hajredin Pashës”, metafora e së cilës jeton edhe sot e kësaj dite në të folmen popullore. Vjen “hipur në kalë”, metaforë tjetër kjo e “Odës dibrane”. Vjen për të rënë në një “grackë” të menduar mirë, “grackë” (as)pak të njohur dhe (as)shkruar.
Autor i “grackës” Salë Markja kish lënë djalin peng tek pashai, kishte ra edhe vetë peng, madje në një pozicion ku i rrezikohesh jeta, atij dhe dy të tjerëve, kjo si rezultat i një kobureje shkrepur në drejtim të pashës me devijim plumbi në sekondën e fundit…
Pashai detyrohet të presë një dyshe klerikësh, dyshe e përbërë nga Dervish  Emrullahu i Teqesë së Këllëç Babës dhe Dervish Hyseni i Teqesë së Kuqit. Misioni i tyre ishte të qetësonin pashain dhe të lironin nga burgu pengjet në rrezik jete.
Taktika që do të ndiqnin ishte…. njeri ta mbajë e tjetri t’i bjerë…
Po e përcjellim skenën ashtu siç na e ka dhënë me mjeshtërinë e historianit dhe të tregimtarit Munir Shehu…

*             *            *

Kapuxhiu hyri në dhomë dhe lajmëroi se dy dervishët e ditës së djeshme, kishin ardhur përsëri dhe bënin rixha të pranoheshin në takim.
– Ata thonë, shtoi kapuxhiu, – se janë dy dervishët e teqeve më të vjetra të qytetit. Njëri është Dervish Emrullahu i teqes së Këllëç-Babës dhe tjetri Dervish Hyseni i teqes së Kuqit. Ata thonë se janë të dërguar nga gjithë ulematë dhe paritë e qytetit për të biseduar.
Këta dy dervishë ishin dërguar nga populli i qytetit, me qëllim që t’i mbushnin mendjen pashës për t’i liruar të burgosurit. Ata qenë të caktuar për dy arsye:
E para , se ishin fetarë dhe pasha nuk bënte luftë me çallmat e pejgamerit, kurse të tjerëve jo vetëm jo vetëm që nuk do tu shkonte fjala, por edhe do t’i arrestonte.
E dyta, sepse ata ishin zë lidhur me popullin dhe luftën, ishin shumë të zgjuar, hazër xhevap dhe ajo që kishte rëndësi, ishin moshatarë me pashën, bile dervish Hyseni ishte martuar atë vit.
Duke ecur rrugës, dervish Hyseni i thotë shokut tjetër:
– Nuk e dimë si do të na ecë falli, megjithatë unë jam i mendimit se pashës nuk duhet t’ia nxjerrim frikën që i ka hy në bark. Prandaj ti lëmoje e unë t’i bije me çekiç dhe të mos i ndahemi, derisa të na i japë me vete.
Kur dy dervishët u dukën në prag të derës, pasha ra në shehadet (një lutje fetare), se iu kujtuan dy dervishët e ëndrrës, të cilët nuk i shqepeshin nga truri. Por këta ndryshonin, se në vend të qefinëve kishin herka prej cohe të shtrenjtë damasku dhe në vend të tebereve mbanin tespi të duar. Pastaj nuk ishin të vdekur, por ishin të gjallë e, megjithatë, ndoshta pasha kishte frikë se po i del paralajmërimi i ëndrrës. Dervish Emrullahu, kishte trup të gjatë e të hollë, kurse dervish Hyseni, pak më i shkurtër, por më i mbushur. Qysh në prag të derës të dy i qeshnin pashës. Ky e mori veten dhe u çua në këmbë. Pasi mbaruan “merhabatë e temenatë” (përshëndetjet), me pashën dhe me zabitllarët, dervishët u ulën në divanin pranë tavolinës së pashës dhe i tërhoqën një salavat (bënë një lutje të shkurtër fetare). Atëherë dervishi që kishte marrë përsipër të përdorte “limën”, e mori fjalën:
– Pasha hazreteli, Allahu është i madh. Pa urdhër të tij, robi robit nuk mund t’ia shkurtojë jetën. Ne na kanë dërguar të gjithë ulematë, shehlerët, hoxhallarët, dervishët e muhibët tonë, si dhe gjithë bejlerët, agallarët, tregtarët e zanatçinjtë, gjithë qyteti, i madh e i vogël, për shyqyrllëk që shpëtove nga ai taksirat (rrezik), që të ndodhi dje. Ne të erdhëm edhe dje, por kapuxhiu na tha se ishit zënë me punë dhe shkuam në shtëpiat tona. Shyqyr, njëmijë herë shyqyr! Allahu ta shtoftë ymrin e të ruajte nga rreziqet!
Pasha e dëgjoi me vëmendje. Ai kishte nevojë për një ngushëllim të tillë fetar dhe iu bë qejfi shumë. Ai tha:
– Allahu qoftë me ju! Jam shumë i gëzuar që më keni ardhur për ziaret. Por mua më duhet të rregulloj punët e hyqimetit. Përse të mos vijnë bashkë me ju edhe bejlerët dhe agallarët? Këtu po shkon puna shumë keq. A s’kam të drejtë të zemërohem?
Tani i erdhi radha dervish Hysenit të marrë “çekiçin” në dorë, por në fillim duhet sjellë me ngadalë:
– Ashtu është pasha hazreteli, vërtet punën kanë vajtur ters, por do të vijnë të gjithë, bejlerë dhe agallarë, veçse edhe ti, punët duhet ti marrësh pak më me ngadalë dhe më shtruar, sepse, pastaj, do të jetë keq për të dy palët. Ju keni pushkë edhe ata kanë pushkë, mirëpo të dy palët i keni hipur mushkës së prapthi dhe do të hani kokën e njeri-tjetrit. A nuk do të jetë më mirë të merremi vesh, se ky popull është pak i egër, po të zemërohet e të çohet në këmbë, bën hata!
– Si të merremi vesh, kur asnjë nuk vjen të bisedojë me mua?
– Ke ca faj edhe ti vetë. E ke zemëruar shumë popullin. Atë ditë që erdhe, të gjithë dualën përpara për të të pritur me nderime e donamë, por ti, as nuk begenise të zbresësh nga kali për të nderuar e përshëndetur taxhat e pejgamerit dhe krerët e agallarët. Asnjë pashë nuk ka bërë kështu. U zemëruan të gjithë, Edhe ne, ulematë, u zemëruam, se mbajmë në kokë kijafetin (uniformën, taxhën) e pejgamerit. Allahu ka thënë: ”Kush nderon taxhën e pejgamerit, ka nderuar mua!”
Hysni pasha u skuq si fëmijë i kapur në faj. Oficeri i papjekur i taborit të Bursës, nuk kishte ç’të thoshte dhe nguli sytë në mes të tavolinës.
– Vazhdo, -i pëshpëriti Emrullahu kolegut të tij, – për limë nuk ka nevojë.
– Prandaj edhe ne u shpërndamë dhe nuk të erdhëm në hyqimet, – vazhdoi Hyseni, – domethënë, ta bëmë si na e bëre. U bëre shkaktar edhe që të mbyllet pazari, fajet i ke vetë.
– Ju duhet të më njihni për mytesarif, se më ka dërguar Divani i Larë, më ka dërguar vetë Sulltani.
– Si të të njohim ty, kur ti nuk na njeh ne? Kur ti nuk njeh as çallmat e pejgamerit! Sulltani nuk të ka përgatitur kështu! Nuk ka si bëhet kjo!
– Për këtë duhet të më falni, kjo nuk është gjë e madhe. Ç’të keqe kam bërë tjetër?
– Si? Pak të duket kjo që bëre dje? Shave e horlladise gjithë qytetarët të cilët kishin dalë për të të përshëndetur e për të të marrë temena. Shave e horlladise, duke ua luajtur  kërbaçin përreth hunde, krerët më të mëdhenj të Dibrës, të cilët do të vinin për vizitë, për mysafirë në zyrën tënde, në shtëpinë tënde. Kështu i pret miqtë ti? Kështu asnjeri nuk të vjen në zyrë. Kështu nuk të duron kush! Punët do të shkojnë shumë keq, prandaj, duam s’duam jemi të detyruar t’i shkruajmë edhe sulltanit për këto gjëra, gjatë e gjerë.
Pasha, shtangu në vend dhe iu prenë damarët. Këtë nuk e priste. Atij i hyri frika, se e ndjente veten me të vërtetë fajtor.
– Çekiç i rëndë ky!- pëshpëriti Dervish Ermullahu.
– Vazhdo njëherë ti me limën, – i tha Hyseni, të shohim ç’do të dalë.
– Megjithatë, këto punë mund të rregullohen, – foli me zë të lartë Emrullahu.
Pasha ia nguli sytë e hapur, se kishte nevojë për ndihmë. Dervishët e shikonin se kishin të bënin me një kalama të mbrapshtë e të papjekur, i cili kishte në dorë të të prishë shtëpinë dhe prandaj ishte shumë i rrezikshëm e duhej sjellë me kujdes me të.
– Puna e parë që të bësh, – i tha dervish Emrullahu, ata tre të burgosurit, duhet t’i sjellësh këtu në zyrë sa jemi edhe ne këtuyseni, – të shohim Ç’do të dalë.
– Megjithatë këto mund të rregullohen, – foli me zë të lartë Emrullahu H. Ti duhet të pajtohesh me ta dhe t’i lirosh nga burgu, se i ke miq. Ata, erdhën me qëllim që të të ndihmojnë. Ata prishin e ndreqin çdo punë, pa ta, nuk mund të bësh asgjë, prandaj unë them se kjo është e mira jote. Dërgo një nizamë dhe thirri të vijnë këtu.
– Ata më vranë por më shpëtoi Allahu, u përgjigj pasha.
– Ti u bëre sebep!- ia priti Hyseni- për pak sa nuk i shtype me kalin tënd!
– Ajo ishte punë e shejtanit, – ndërhyri Emrullahu.- Shejtanit nuk duhet t’i shkojë fjala. Allahun duhet t’a dëgjojmë, se kështu shkojnë punët mbarë. Thirri të vijnë këtu, pasha hazreterli, për të mirën tënde e kemi.
Këtu u hap një bisedë e gjerë, në të cilën morën pjesë edhe zabitllarët. Si përfundim doli se Salë Markja i kishte shpëtuar jetën pashës duke i rënë me bërryl Mane Demës. Salë Demiri kishte folur me urtësi dhe nuk kishte pasur qëllim vrasjeje, ndërsa Mane Dema ishte rrëmbyer nga gjaknxehtësia dhe nuk kishte qenë në vete.
– Shikoni ç’keni bërë? – ia priti pashës Dervish Hyseni.- Ai tjetri ju shpëton jetën dhe ju e futni në burg! Si e quani ju këtë? E vërteta është se jo kot më koti mbani në burg katër njerëz të pafajshëm. Edhe djalin e Salë Markes, të cilin e keni mikun më të ngushtë, kot e mbani në burg. Kjo është punë për t’u çuditur! Tani këtu do të vijnë të gjithë malësorët dhe do të bëhet luftë e madhe, do të vriten gjithë ata njerëz, të gjithë, ju do t’i merrni në qafë. Për këtë duhet shkruar sa më parë valiut dhe sulltanit, se ju jeni fajtor.
Hysni Pasha thirri kapuxhiun dhe i dha urdhër të sillte vetëm Salë Marken e Salë Demirin.
– Edhe dy të tjerët!- thirrën me një gojë dervishët.
Ata nuk i liroj. Do t’i mbaj peng. Nuk kam besim tek këta njerëz. Po t’i bëhet dëm, ose të më vritet ndonjë nizam, unë do t’i vras. Ndryshe u betohem për Allah, se do t’i mbaj shumë mirë, derisa të zgjidhen këto çështje dhe punët e administratës të shkojnë në rregull. Më tepër mos kërkoni, shkurt fjalë.
Dervishët e panë se ishte e kotë të vazhdohej më tej.

*               *         *
Dervishët natyrisht janë njerëz fetarë dhe çështjet i lidhin gjithmonë me fenë, por këtu duhet të kuptohet gjithashtu se ata fenë e përdorin si një mjet për tu ardhur në ndihmë të burgosurve, sepse ndryshe nuk do të merreshin vesh dhe ta bindnin pashën. Duhet theksuar gjithashtu se këta dy dervishë kanë mbajtur një qëndrim patriotik gjatë gjithë jetës së tyre. Në kohën e Rilindjes, teqet e tyre ishin çerdhe ku bënin mbledhje klubistët dhe patriotët, të ashtuquajturit “farmasonë”, të cilët punonin për luftën kundër turqve, për pavarësinë dhe shkollën shqipe. Dervish Hyseni, më vonë sheh Hyseni, është dekoruar me rastin e jubileut të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në vitin 1978
Natyrisht, kuptohet se edhe biseda e mësipërme në zyrën e pashës, është ndërtuar në bazë të të dhënave të cunguara të pleqve të Dibrës së Madhe, sepse edhe vetë ngjarjet dhe rrjedhimet e tyre, lenë të kuptohet, që kjo bisedë pak a shumë, kështu duhet të jetë bërë. F.225-230

*             *                 *

Disa nga krerët e Dibrës së poshtme, të fushës e të malësisë, pasi vunë përpara sipas zakonit të atëhershëm fetarët e tyre, sheh Ibrahimin e Tominit dhe Sheh Hysenin e Peshkopisë e ndonjë tjetër, u nisën për në Dibër të Madhe. Po kështu erdhën aty edhe krerët e fushës dhe të maleve të Dibrës së Epër. Ata bujtën atë natë nëpër miqtë e tyre. Të nesërmen, muarrën edhe krerët e qytetit, bashkë me Dervish Emrullahun dhe dervish Hysenin dhe, pasi vunë përpara fetarët dhe Salë Marken, i vajtën pashës në hyqimet dhe u ulën në sallën e xhelisit f. 246

*             *                 *

Ka qenë zakon në atë kohë që, kur shtroheshin sofra (gosti) të tilla të mëdha, në fund të të ngrënit bëhej duva, prandaj, pavarësisht se aty tani do të bëhej luftë, ishin ftuar edhe fetarë. Sidomos në këtë rast, këta ishin të domosdoshëm, për t’i dhënë pashës të kuptojë se aty po shtrohej një drekë e zakonshme. Mungesa e tyre, do t’a bënte pashën të dyshojë. Por këta fetarë ishin fetarë të lidhur me popullin, si dervish Emrullahu, dervish Hyseni, etj. Këta shehlerë ishin të rinj, moshatarë me pashën, por ishin edhe shokë e miq midis tyre. Sheh Ibrahimi ishte martuar me motrën e dervish Emrullahut. Sheh Hyseni i Peshkopisë bënte bejte, të cilat në mungesë të alfabetit shqip, i shkruante me shkronja turke. Mosha e tyre e re, si dhe kjo periudhë kryengritjesh në të cilën ishin rritur, nuk i lejoi të futen në fanatizmin e theksuar fetar, por të kenë po ato mendime të popullit në mes të të cilit jetonin. Pasha mendonte se ata kishin ardhur aty, që të bënin duva për vendosjen e administratës së plotë turke, kurse ata kishin ardhur aty, për të luftuar e ndoshta edhe do të vriteshin… f. 268.

*             *        *

Dervish Hyseni i Teqes së Kuqit dhe Dervish Emrullahu i Teqes së Këllëç Babës u bënë pjesë e “Loxhës” që iu bë Hysni Pashës, “Loxhë” e çarmatosi dhe zhveshi pashën osman pa derdhur asnjë pikë gjaku…
Dhe kënga i shkoi prapa…
Udhë e mbarë, or Hisni pasha,
Se Nand Malet i ke përmbrapa!

 

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.