Durrësi e rit çmimin e ujit më shumë se Tirana … ?

0

Ndërkohë që bëri shumë bujë vendimi i Bashkisë së kryeqytetit për rritjen e tarifavfe të ujit të pijshëm, pa bujë fare, një gjë e tillë ka ndodhur në Durrës. Madje, duke miratuar tarifa edhe më të larta se ato të Tiranës, për të cilat në opinion dhe në Këshillin Bashkiak pati sherre të vazhdueshme, edhe mes forcave politike.

Enti Rregullator i Ujit ka miratuar aplikimin e ujësjellësit të Durrësit për rritjen e tarifave të furnizimit me ujë të pijshëm për këtë qytet. Kërkesa pati marrë më parë dhe opinionin pozitiv të Këshillit Bashkikak të Durrësit. Vendimi hyn në fuqi me 1 shtator dhe do të zgjasë për 4 vite.

Tarifat
Sipas vendimit të Entit, rritja më e madhe është për konsumatorët familjare për të cilët një metër kub ujë do të kushtojë 70 lekë nga 61 lekë që ishte. Ndërkohë për bizneset dhe sektorin publik rritja është 5 lekë për metër kub. Paralelisht fatura e ujit ka pësuar rritje edhe për pjesën e kanalizimeve.

Për familjarët tarifa shkon nga 37 lekë për metër kub në 50 lekë/m3. Rritje më të moderuar ka dhe për biznesin dhe sektorin publik. Njëkohësisht çdo klient do të paguajë 100 lekë në muaj si tarifë fikse. Këto tarifa kanë si objektiv sipas Entit Rregullator të Ujit, uljen e humbjeve, një furnizim për 7 orë e gjysmë në ditë me ujë dhe rritjen e arkëtimeve.

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Sokol Dervishaj, duke marrë pjesë në punimet e Konferencës Shqipëri-Hungari “Sjellim së bashku profesionistët e biznesit të ujit”, në prill të këtij viti, duke folur në emër të qeverisë shqiptare, kishte deklaruar se nuk është e nevojshme të ketë rritje të tarifave të ujit.

Ai tha se në katër vjet janë investuar rreth 200 milionë euro në ujësjellës të rinj. “Bashkë me donatorët si Qeveria Gjermane me KFË, Banka Botërore, Bashkimi Europian etj., i kemi kushtuar vëmendje sektorit të ujësjellës-kanalizimeve, ku kemi investuar së tepërmi. Kështu, kemi përuruar ujësjellësin e ri të Sarandës me vlerë 6.7 milionë euro, ndërsa kemi përuruar më parë edhe ujësjellësin e Beratit, Lushnjës, Peshkopisë etj.

Kemi shtruar qindra kilometra me rrjet të ri në të gjithë vendin. Është rritur dukshëm mesatarja e furnizimit me ujë në të gjithë vendin, ku Qeveria Shqiptare ka investuar rreth 60 milionë euro në 4 vite. Tejet i rëndësishëm është bashkëpunimi ynë me donatorët ndërkombëtarë, ku në 4 vite janë përfituar dhe investuar 140 milionë euro, ndërsa në fushën e kanalizimeve 20 milionë euro”, tha ministri Dervishaj.

Por, pak muaj pas kësaj deklarate, bashkitë po sjellin propozime në rritje dhe Enti Rregullator i Ujit po i miraton ato.

Njëkohësisht Enti Rregullator ka marrë në shqyrtim aplikimin e Ujësjellësit të Tiranës dhe opinionin e Këshillit Bashkiak për ndryshimin e tarifave të ujit të pijshëm në kryeqytet. Dokumentacioni i plotë do të fillojë të shqyrtohet në fund të gushtit dhe procesi i vendimmarrjes do të zgjasë rreth 1 muaj.

Vlen të theksohet se, pavarësisht nga rritja e propozuar, Tirana mbetet me tarifa më të ulta se Durrësi. Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar me 31 vota, nga 61 anëtarë, propozimin e Bashkisë së Tiranës për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm me 44%, nga 45 lek/ m3 në 65 lekë/m3. Ndërkohë, çmimin e ujit Lezha e ka 77 lekë për metër kub, Fieri po aq sa i bëhet Tiranës – 65 lekë, Korça e tarifon metrin kub 99 lekë, Kamza 65.7 lekë, etj.

Ndryshimi i tarifave i miratuar nga Enti Rregullator i Ujit

Tarifat e furnizimit me ujë Bashkia Durrës
Konsumator familjar ishte: 61 lekë/m3; bëhet: 70 lekë/m3

Konsumator publik ishte:  115 lekë/m3; bëhet: 120 lekë/m3

Konsumator privat ishte: 125 lekë/m3; bëhet:  130 lekë/m3

Tarife fikse 100 lekë në muaj

Tarifat e largimit të ujërave të ndotura Bashkia Durrës
Konsumator familjar ishte: 37 lekë/m3; bëhet 50 lekë/m3

Konsumator publik ishte: 54 lekë/m3; bëhet 60 lekë/m3

Konsumator privat ishte: 56 lekë/m3; bëhet 60 lekë/m3

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.