Drejtoria e policisë së Durrësit bën përmbledhjen e punës së dy javëve të fundit

0

Drejtori i Policisë së Durrësit, Alfred Çepele në një deklaratë për mediat ka bërë një rezyme të punës në dy javët e fundit. Ai u shpreh se janë arrestuar 9 persona në kërkim, mes tyre 7 në kërkim ndërkombëtar për prostitucion dhe trafik droge, ndërsa dje u prangos edhe një polic, pasi pajisi me leje jashtë ligjit mikun e Lul Berishës.

Deklarata
Policia Vendore e Qarkut Durrësit ka kryer disa aksione 15 ditët e fundit, gjatë të cilave janë arrestuar e ndaluar mes të tjerëve edhe 9 shtetas shqiptarë, me precedentë të rëndë kriminalë, pjesë e grupeve kriminale të trafikut të drogës dhe shfrytëzimit të prostitucionit.

7 prej të arrestuarve janë persona në kërkim ndërkombëtar, kryesisht nga drejtësia e vendit fqinj, Italisë.

Shtetasit e ndaluar janë të dënuar ose janë në proces gjyqësor, për vepra të rënda penale të tilla si “Trafikim të lëndëve narkotike”, “Krime me armë kundër personit”, “Pjesëmarrje në organizata kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”, dhe “Trafik personash e shfrytëzim prostitucioni”, kryer ndër vite.

Për të gjithë këta shtetas, autoritetet ligjore të Shqipërisë po kryejnë procedurat e ekstradimit.

Përveç këtyre rasteve, që kanë të bëjnë me krime të kryera jashtë territorit të vendit, janë arrestuar edhe persona për “Armëmbajtje pa leje”. Në 2 aksione, personat e arrestuar janë kapur në kushte të flagrancës dhe dyshohen si pjesëtarë të grupeve të strukturuara kriminale.

Në këtë kuadër, është arrestuar edhe një punonjës policie, për shkak se i ka mundësuar një shtetasi të pajisej me armë në kundërshtim me ligjin. SHÇBA ka kryer hetime në bashkëpunim me Prokurorinë dhe u ndalua nënkomisari Gjergji Azisllari për “Shpërdorim detyre”.

Aksioni për zbulimin dhe kapjen e personave në kërkim ose që dyshohen për pjesëmarrje në veprimtari të paligjshme, do të vazhdojë me intensitet në ditët në vijim.

Në kuadër të zbatimit të një plani të detajuar masash, Policia e Shtetit ka siguruar informacion të plotë dhe do të vijojë punën për goditjen e elementëve kriminalë, me qëllim përballjen me drejtësinë.

Do të vazhdojmë goditjen e grupeve kriminale e të godasim bazën ekonomike të këtyre grupeve akoma më fort, sesa ka ndodhur këto ditë. Kjo është një betejë e gjatë, por ne jemi të vendosur ta çojmë deri në fund.

Policia e Shtetit fton qytetarët të telefojnë falas në numrat 112 ose 129 për të denoncuar çdo shkelje të ligjit apo veprimtari kriminale, duke i garantuar për reagim të shpejtë dhe të ashpër në çdo rast.

Policia e Shtetit do të vazhdojë me përkushtim dhe profesionalizëm, me mbështetjen e partnerëve, të përmbushë me përgjegjësi detyrat në zbatim të ligjit dhe shërbim të qytetarëve duke e bërë Shqiprinë një vend më të qetë e të sigurt.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.