Divorci kushton !

0

Nga Mero Baze

Vrasja  makabre e ish- gruas nga babai i fëmijëve të saj, ka ngjallur një valë zemërimi dhe patetizmi kundër drejtësisë dhe pafuqisë së shoqërisë sonë për ta ndalur këtë plagë. Është një ritual që përsëritet pas çdo tragjedie dhe do të vazhdojë të përsëritet. Shto këtu dhe melodramacitetin e faktit, që viktima është edhe gjyqtare, pra është viktimë dyfishe e profesionit të saj dhe martesës së saj.

Nuk jam shumë i prirur të besoj se dhuna në familje dhe krimi për shkak të divorceve është përgjegjësi vetëm e drejtësisë. Ajo ka një peshë të madhe në vendime shpesh absurde, por nuk është e gjitha. Kam parë përshembull vendime gjykate skandaloze në Kavajë, që i imponojnë gruas së ndarë të shkojë të jetojë me ish- vjehrrën dhe vjehrrin derisa të përfundojë gjyqi i pasurisë, çka nënkupton dënim me vdekje për njërën palë. Quhet Luan Lusha dhe është i njëjti gjyqtar që i ka dhënë këtij vrasësit dënimin qesharak për tentativë vrasje. Apo vendime të tjera absurd, kur ti merr urdhër mbrojtje por gjykata urdhëron burrin t’i rrijë 2 metra larg në një dhomë katër me katër si ai në Fier, dhe pastaj ai e hedh nga ballkoni.

Por problemi kryesor nuk është drejtësia, por vetë pafuqia e shtetit dhe qeverisë shqiptare për të krijuar një infrastrukturë që përballon këtë dramë shoqërore. Është një kosto e madhe, e pamarrë seriozisht kurrë.

Gjatë komunizmit, fuqia e shtetit ishte më e madhe dhe frika nga ai edhe më e madhe, dhe kjo detyronte çiftet e divorcuara t’u nënshtroheshin ligjeve të shtetit.

Tani kjo situatë është e ndryshme. Numri anomalisht i lartë i divorceve, dhe arsyet e forta emocionale të divorceve, përplasin viktimat e tyre në një shoqëri të varfër, të pashpresë, pa infrastrukturë dhe fuqi të përballojë këtë “luks” të shoqërisë së sotme.

Nëse duhet marrë seriozisht ndonjëherë kjo çështje, Shqipëria ka nevojë për një legjislacion të ri dhe buxhet social, që të përballojë këtë plagë. Të gjitha aktet e dhunës vijnë nga varfëria me të cilën përballen çiftet pas divorcit, panikut për jetën, dhe në raste më të pakta, nga konflikti për pasurinë, kur ka qenë  e madhe. Kur burrat janë në anën e humbur të pasurisë, janë dhe më agresivë.

Të përballosh këtë plagë duhen miliona për shtëpi sociale, miliona për streha grash të dhunuara, për burra të shkalluar nga trutë dhe mbi të gjitha, një infrastrukturë punësimi për ata, që të ndjehen të sigurtë.

Kjo nuk është çështje lotësh në Facebook, apo aksidente për të cilat mund të thuhet se e ka fajn Saliu, Rama, Meta apo Fatos Nano. Ky është një realitet që ne nuk e përballojmë dot ende si shoqëri dhe shkojmë në drama të tilla, të cilat nuk besoj se do të pushojnë, pasi të pushojnë lotët tanë të krokodilit.

Shqipëria është nga vendet e para në Europë qysh në vitin 1923, që falë zotit ka një ligj për divorcin, para se ta kishte Italia apo ndonjë vend tjetër. Por e  drejta e divorcit në Shqipëri nuk përputhet me kulturën e shoqërisë për divorcin dhe as me kulturën e vet aktorëve të divorcuar. Dhe kjo duhet të jetë po ashtu pjesë e një beteje afatgjatë emancipuese, që nis qysh me edukimin e njerëzve për martesa të sigurta dhe për fund të tyre pa drama, kur nuk prodhojnë më asgjë.

Viktima e sotme nuk u vra si gjyqtare, por si grua e ndarë që nuk zgjidhte dot historinë e divorcit me një burrë idiot. Ajo ishte e dënuar të jetonte në një lagje me të, të përballej me kërcënimet e tij dhe indiferencën tonë. Fakti që vrasësi është liruar nga drejtësia, edhe pse duket dramatik, nuk është thelbi i çështjes, pasi ai mund ta kishte vrarë edhe nëse lirohej pas një viti nga burgu, sipas dënimit.

Problem është fakti që divorci në Shqipëri është një problem i zgjidhur me ligj dhe i pazgjidhur nga shoqëria, shteti, familja, dhe mbi të gjitha nga pikëpamja financiare. Divorci kushton. Fatkeqësisht shpesh herë dhe jetën. Ndaj para tij duhet të mendohen të gjithë, shteti, shoqëria, individët. Është sëmundje luksoze e shoqërive të reja e të pafuqishme si e jona. Nuk është çështje emrash, biografish apo OJQ. Më së paku OJQ. Ato janë neveria e kësaj zhurme.

Share.

About Author

Leave A Reply