Ditët e dhimbjes dibrane, 9 mars 1996

0

Pika loti të mbledhura njëzet vjet në një grusht që rrjedh…

…Ju thoni i nderuar Ministër se “Nga kontrolli i dokumenteve përkatës rezultoi se në vitin 1996 Policia Italiane ka njoftuar Policinë e Vlorës për gjetjen e dy kufomave me emrat  Sulejman Qoku dhe Pertrit Qoku nga fshati Kllobçisht i Maqellarës dhe më pas edhe katër kufoma të tjera të cilat nuk mund të identifikoheshin për shkak të dekompozimit”…
Një përgjigje të tillë mund ta presësh nga kushdo por jo nga një ministër rendi. Çelësi për identifikimin e kufomave tashmë është kaq i njohur sa është bërë dhe po bëhet edhe në dhjetëra mijëra apo më shumë njerëz, viktima të Cunamit. Është AND-ja…
A është bërë, qoftë edhe një veprim i vogël në testimin e atyre kufomave nëpërmjet testeve bashkëkohore?…
Me njoftimin që dhatë ju mendoj se keni sjellë një tronditje të re, të thellë, midis familjarëve të viktimave. Ata, me siguri, duan të dinë emrat e atyre djemve, të marrin eshtrat dhe t’i varrosin në fshatin e tyre, pranë dhembjeve të tyre….”

…Ishte  13 marsi, Nata e Verës, dita që ndan dimrin nga vera, ditë tradicionale  që në Dibër fillon me mbledhje lulesh, me vendosjen e tyre  mbi portat e shtëpive, me zjarre që flakërojnë tërë krahinën, me rite pagane që rrënjëzojnë në mijëravjeçarë…
Dibrës diku i qante e diku i qeshte zemra…
Lajmin e mori me shkrim dore Hamdi Jupe, redaktori i gazetës, një njeri që kishte jetuar për shumë vite në Dibër. E porosita që ta verifikonte edhe në burime të tjera qëndrore dhe ta botonte pa shtuar dhe hequr asgjë. Në jetën time si gazetar gjithnjë i kam pas frikë redaktorët, daktilografistët, linotipistët, korektorët. Jo një herë më kishte ndodhë që të ulja kokën përballë trelave të tyre…
Lajmi u botua në faqen e parë më 14 mars 1996…
Pas meje, me burim nga Vlora, gazeta “Koha Jonë” dhe “Gazeta Shqiptare” përcollën në publik ndonjë lajm të shkurtër, të thatë…
Gazetat pro qeveritare, radiotelevizioni shqiptar…  heshtnin sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Partia në pushtet, mandati i  së cilës  mbaronte më 22 mars, kishte mobilizuar të gjitha forcat dhe mjetet për ta mbyllur “Otranton Dibrane” me kyç të ndryshkur. Ajo ishte futur në hulli të dhunës së pashembullt elektorale të 26 majit 1996, dhunë e cila për mua nisi më egërsisht se kurrë më 14 mars 1996…
Dhunë që më detyroi të largohem natën nga vendi im e tash 20 vjet të jem në troje të huaja…
Si dëshmi të atyre ditëve të vështira ku loti, në sytë e nënave, motrave, nuseve të reja  “5 muaj të martuara“, nuse – nëna që mbanin në mitër trashëgiminë e jetës, kishte madhësinë e arrës e tek binte çante gurin e digjte drurin, po përcjell fletë nga ditari im, shënime të shkurtra – tituj për tragjedinë që jetonte familja dibrane ato ditë…

FLETË  NGA  DITARI

E shtunë, 9 mars 1996…
Ditë e bukur, e ftohtë, me diell. Në mbrëmje nisi dëborë…
Sipas nënës time të dashur sot, 5 ditë para Ditës së Verës, 55 vjet më parë, kam lindur. I lindur më 9 mars 1941, jam regjistruar më 11 maj 1941…

E diele, 10 mars 1996
Ka rënë borë, pak centimetra, flokon lehtë. Ditë e ftohtë marsi…

E martë, 12 mars
Ditë me dëborë (në mëngjes 30 centimetra), dëborë që s’pushon së rëni. Rrugë të bllokuara. Telefona pa zë. Për Tiranë nuk udhëton asnjë mjet. Gazetat nuk erdhën.

E mërkurë, 13 mars 1996: Kohë e butë, ditë me diell. Dëbora e cila që nga 9 marsi nuk rreshti, vazhdon të shkrijë…
Shefqet Rusi më informon se Maqellara ka shpërthyer në lot. Në brigjet e Otrantos është gjetur trupi i pa jetë i djalit të Zaudin Qokut nga Kllobçishti. Ai ka qenë në një gomone me 30 vetë të tjerë që synonin të shkonin në Itali…Shkëlqim Farruku nga Greva troket  tek dera e shtëpisë dhe pa hyrë brenda pyet për djemtë e tij në Greqi. Pyeti dhe iku. Nuk mora vesh pse gjithë ky nxitim. Mos vallë Pëllumbi (kushëriri im) është nisë për në Itali !?
Nisa të shkruaj…
“Lajmi i zi arrin në Maqellarë. Komisariati i Vlorës  njofton komisariatin e Peshkopisë se një djalë i ri nga Maqellara e Dibrës është gjetur i vdekur në breg të detit, nxjerrë nga valët e ftohta të tij.
Njerëzit e familjes, me dhimbjen e madhe për njeriun e tyre të dashur nisen për të marrë djalin e vdekur. Në Vlorë mësojnë se kufoma nuk është gjetur në brigjet e detit shqiptar por në anën tjetër të detit, në brigjet e Otrantos.
Në Maqellarë të Dibrës është hapur mort. Familja Qoku pret e përcjell njerëz, pret të vijë djali i tyre i shtrenjtë.
Por në Maqellarë tmerri i vdekjes është më i gjerë, më i madh, i pranishëm në dhjetëra familje. Kjo lidhet me faktin se njëkohësisht me djaloshin Qoku janë nisur në drejtim të Vlorës, e më tej me gomone në drejtim të Italisë, tre mikrobusë me djem të rinj, rreth 30 vetë. Deri tani për ta nuk ka asnjë lajm, asgjë që të qetësojë zemrat e ngrira nga tmerri të nënave, baballarëve, motrave, grave, fëmijëve, të afërmve të këtyre familjeve.
Një djalë i ri është gjetur i vdekur në brigjet e detit italian. Dhjetëra djem të tjerë nuk dihet ku janë, nuk dihet në se kanë arritur në brigjet e ëndrrës së tyre për një jetë më të mirë apo i kanë përpirë dallgët e zeza të detit. Familjet pranë zyrave të postë telekomunikacionit  pyesin në adresa të ndryshme në shtetet fqinj dhe nuk marrin përgjigje.
Duke uruar që djemtë të kenë arritur shëndosh e mirë në Itali e familjet e kësaj zone të mos shohin gjëmë e kob, Maqellara kërkon të hidhet zyrtarisht dritë mbi këtë ngjarje të rëndë, të qetësohen zemrat e ngrira të prindërve.

Peshkopi, 13 mars 1996

E enjte 14 mars . DITË VERE ’96. Kthjellët lart, mjegull e dendur  luginës së Drinit, nga Maqellara në Dardhë e Reç…
Vazhdon alarmi tmerrues. Kabinat telefonike në Maqellarë e Peshkopi janë të zëna. Nuk reshtet së kërkuari njerëz të afërm në Itali. Flitet për pesë djem nga Greva të humbur. Erdhi Pëllumbi (djali i tezes) dhe më tha se nuk kishte shkuar në Itali…
“Zëri i Popullit”  ka botuar lajmin tim në faqen e parë, poshtë, në krah të djathtë…
E premte 15 mars. Ditë me shi. Bora shkriu. “Gazeta shqiptare” boton lajmin mbi humbjen e një skafi ku kanë qenë, ”34 vetë nga Dibra” dhe gjetjen në brigjet e Otrantos të kufomës së Sulejman Qokut nga Maqellara.

E shtunë 16 mars. Ditë e vranët. Asnjë lajm për djemtë e humbur në skafin e Vlorës. Shteti hesht. Hesht dhe si për karshillëk nxjerr në televizion një skaf bosh…në Shëngjin ! Z. Dani, oficer civil, i ri në moshë, buçko, me një nishan në faqe, më konfirmon ardhjen e një lajmi për vdekjen e Sulejman Qokut në Itali. Ai shton se hollësirat i din mirë z. Mulosmani në Vlorë…

E diele 17 mars.  Kohë me shi. Qielli qan…Vazhdojnë kërkimet telefonike për të humburit e 9 marsit. Gjendja është tepër e rëndë. Asnjë lajm. Heshtje mortore në media, heshtje që vret…Një djalë i ri nga Greva, oficer i veshur civil, djali i kryetarit të PD-së së fshatit, i cili ka humbur djalin e xhaxhait dhe të hallës, me dorën mbi kobure më kërcënon pse kam shkruar në gazetë. Me sa duket PD-ja “dhimbjen po e kthen në forcë”… kundër fjalës së lirë… kundër gazetarëve !

E hënë 18 mars.  Ditë e vranët. Shi i imët…Pajtim Aga ka njoftuar se grupi i eksodit  ka përfunduar në ishullin grek të Korfuzit. Njerëzit mbahen në burg…
Dëgjova njërën anë të bisedës telefonike, të gruas së një shokut tim me Maqellarën. Pash për herë të parë pas kaq ditësh lot gëzimi në sytë e një gruaje e cila sapo mbaroi bisedën vrapoi drejt Melanit për ti dhënë të motrës sihariqin se djemtë janë gjallë. Sonte ka gëzim në familjet dibrane. Gëzimin e tyre ia përcolla Kiços në “Zërin e Popullit” me porosinë që lajmi të konfirmohet me Ramazan Ilnicën, prokuror në Vlorë, dibran,  i cili  citohej si burim i këtij sihariqi..

E martë 19 mars. Natën ka rënë një puhizë dëbore…
Në PTT, njeri nga aktivistët më të egër të rrugës të PD-s, ish kandidat për deputet në Shupenzë në zgjedhjet e 30 marsit 1991më kërcënon me jetë…
Shëtitorja e Blirëve është bllokuar nga makina targa verdha. Partia Demokratike  zhvillon aktivin e saj. Ka ardhur edhe Tritan Shehu, kryetar i PD-së…

E mërkurë 20 mars. Shi, shi dhe prapë shi. Qielli derdh lot. Lajmi i gëzuar i dy ditëve  më parë është zbehur. Lotët kanë ngrirë. Përsëri rrahin telefonat. Drejt Vlorës ku kanë shkuar shumë familjarë të të humburve, drejt Italisë por edhe drejt Greqisë. Në Athinë, sekretar ambasade është Ahmet Lala, dibran. Zilja e telefonit të tij nuk pushon së thirruri…
Shteti vazhdon të heshtë për djemtë e Dibrës. Heshtje e madhe ! Pse ?

E enjte 21 mars .  Shi i ftohtë marsi…Njerëz që kërkojnë djemtë e skafit. Kërkojnë me telefon. Kanë shkuar e kërkojnë në Vlorë. Kërkojnë dhe nuk marrin përgjigje. Në publik thuhet se Tritan Shehu në aktivin e PD-së një pyetjeje nga salla për djemtë e 9 marsit i është përgjigjur me ngritje karakteristike supesh, me një murmurimë “Nuk di gjë”. A e beson kush se me të vërtetë numri Një i Partisë Demokratike “nuk di gjë”?
Edhe në Bulqizë paska nisur sulmi ndaj meje për lajmin e 14 marsit. Shoferi i kryetarit të PD-së, i paska thënë një njeriut tim “Abdurahimi ka shkruar për mbytjen e skafit. Do ta linçojmë ?”
Pyes: Pse i djeg kaq shumë Partisë Demokratike kjo ngjarje? Pse kërkon ta fshehë kaq brutalisht  9 Marsin 1996 ?

E shtunë 23 mars. Ditë e vranët…
Një pensionist  më thotë se I… një polic elektrik, kobure e PD-së, më paska dënuar me “Tre muaj burg për përhapje lajmi të rremë” !…Një kushëri imi më thotë se drejtori PD-ist i fabrikave të makaronave paska ofruar (nga arka e ndërmarrjes) një milionë lekë për atë që rreh Abdurahimin. Nuk e di  se sa e kanë paguar “policin”  në gjakosjen në zyrë që mu bë tre vjet më parë …

E diele 24 mars. Ditë me diell, e ngrohtë sa xhupi nuk mbahet më. Ruzhdi Merdani. më kap në rrugë dhe më thotë që të ruhem se disa grevas janë përgatitur për të të rrahur për lajmin e refugjatëve…

E mërkurë 27 mars. Qielli qan. Dibra mërdhih. Televizioni shqiptar, pas  18 ditë heshtjeje më në fund bëhet i gjallë. Spikerja njofton thatë se në brigjet e Italisë  është gjetur një kufomë dhe se 29 dibranë të nisur me një skaf më 9 mars  kanë humbur…
Telefonat me Tiranën nuk punojnë. Luan C. më pyet për ikanakët e skafit. Ka nipin dhe e kërkon. Tha se do të shkojë në Vlorë. Është i pari kuadër i PD-së që më flet njerëzisht.

E enjte 28 mars. Erdhi në shtëpi Shkëlqimi dhe më foli për sulmet ndaj meje në Grevë. Më bëri thirrje që të mos shkruaj. Nuk e kuptova: kishte ardhur vetë apo e kishin dërguar ?!  Nuk e kuptoj pse po tregohet kaq i egër Ajet Fida, një shok banke i viteve 1952-1954 në shkollën shtatëvjeçare të Peshkopisë, një familje që ka  nxjerrë duzina  komunistësh, sot drejtor shkolle? Ai është bërë kryetar i PD-së së fshatit. Është organizator i gjithçkaje. Bukur thotë Haveli “Më të zi se korbi janë komunistët e bërë demokratë”
Fola me Kiçon në redaksi. Folëm për shkrimin që dërgova pas lajmit të djeshëm të televizionit. Më tha se Gëzim Tushe nga Vlora kishte bërë një shkrim për të humburit e Dibrës por nuk ia kishin botuar!?
Pse Thoma Gëllçi dhe stafi qendror i ZP-së i qëndron  larg kësaj ndodhie të dhimbshme.
Po Partia Socialiste pse hesht ?
Këto pyetje më mundojnë dhimbshëm…

E premte 29 mars 1996. “Zëri i popullit” boton shkrimin  “Ku janë djemtë e Dibrës” me nëntitujt…
-Një i mbytur në brigjet e Otrantos, varrosur para pesë ditësh në Kllobçisht të Maqellarës.
-Një tjetër i mbytur në brigjet e Otrantos, i pa identifikuar.
-29 djem të Dibrës, hipur në skafin e 9 marsit nuk dihet ku janë.
-Vaje e lot në Maqellarë, Grevë, Melan, Brezhdan etj. për djemtë e humbur.

E mërkurë 3 prill
. Udhëtim për në Tiranë. Në redaksi mësova  disa hollësi për  lajmin që kisha dërguar më 13 mars. Mësova se Bashkim Gazidede dhe Avni Shehu kërkesës për konfirmim të lajmit i ishin përgjigjur në një zë: “E dimë por nuk na intereson ta japim”. Komenti është i tepërt…

E martë 14 maj 1996.  “Zëri i popullit” në faqen 10 në “Human Right Watch raporton: “ Abdurahim Ashiku, Zëri i Popullit: “Një korrespondent i “Zërit të Popullit” në zonën e Dibrës, zoti Ashiku, u rrah keq në zyrën e tij më 22 prill 1993 nga tre vetë. Ashiku kishte shkruar një artikull për një anëtar të ekipit të kontrollit të shtetit që sipas raportimeve shtiu pushkë në një urban, duke plagosur një njeri. Që nga ajo kohë ai thotë se është kërcënuar nga Medat Kaca, shef i ekipit të kontrollit në Dibër:”

E diele, 19 maj 1996. Ditë me diell, e nxehtë. Sot, në minutat e para të ditës së re, në mesnatë, ka arritur në Peshkopi Sali Berisha në krye të 69 makinave (një pensionist i pa gjumë i kishte numëruar tek kalonin përpara dritares së tij nëpër Shëtitoren e Blirëve ). Dyndje e madhe “salijugenësh” nëpër qytet, thirrje histerike, bori makinash që nuk pushojnë, zhurmë e madhe…
Peshkopia nën një trusni të pa parë kurrë…
Sali Berisha erdhi natën në Dibër. Populli thotë se nata është e hajdutëve… Në Kastriot paska përuruar  fillimin e punimeve (!) të ujësjellësit të Sopanikës. Unë e kam shkelë tërë trasenë e atij ujësjellësi, mbi 60 për qind e  punimeve të tij  (përfshirë edhe shtrimin, saldimin dhe mbulimin e tubacione) pat përfunduar që në vitin 1988-1990.
Në Maqellarë, në mitingun e organizuar, Sali Berishës i është bërë një pyetje për djemtë e humbur më 9 mars 1996. “Nuk di gjë” është përgjigjur Saliu. Dhe pa e mbaruar frazën e nën zëshme ka dhënë direktivën “Ata që kanë tokë ta mbjellin grurë e misër. Ata që nuk kanë tokë ta mbjellin…çfarë të duan“ dhe “kur isha mjek më vinin Maqellarasit me sëmundjen e misrit!” (!)

Maqellarë 15 maj 1996. “Zëri i Popullit” boton… ”Ku bie Santa Maqellara” ? me autor Q. Hamzaj…
Po e zbardh…
14 marsi, dita kur fëmijët bëjnë ritet e Ditës së Verës, kur nuset dhe vajzat e reja sjellin në shtëpi ujin e kristaltë të krojeve, ky 14 mars, këtë vit, fushën e Maqellarës e gjeti nën dëborë. Poshtë saj nxinte toka e mbi të rëndonte i plumbtë qielli…Por më i zi e i rëndë se plumbi erdhi në familjen e Ziaudin Qokut në Kllobçisht lajmi i kobshëm se djali i tij 20 vjeçar, Sulejmani, i sapomartuar, humbi jetën në det, duke kaluar me skaf për në Itali…
Djemtë e Maqellarës, mjeshtër në bujqësi e punëtorë të fronteve më të vështira në minierë e gjeologji, mbetur pa punë, u janë drejtuar rrugëve të kurbetit, rrugëve të Maqedonisë, Greqisë, Italisë. Vetëm në një vend në rrethinat e Napolit punojnë më shumë se njëmijë Maqellaras. Vendi ku punojnë më shumë thirret Santa Maqellara, se sa me emrin e vet, Santa Maria.
Dhe ndodhin ngjarje të kobshme…
E prapë emigrimi vazhdon. Rendin të rinjtë Maqellaras drejt shpresës së madhe si fluturat drejt dritës, ndonëse si fluturat edhe digjen. Mjaft prej tyre kthehen me ndihmat e bashkëkombësve, me ndihmat e qytetarëve të mirë italianë. Listat, me emrat e njerëzve nga e gjithë Shqipëria, lexuar nën lotët çurkë para varreve, sa vijnë e shtohen. Djemtë kthehen në arkivole druri e metali. Ndodh që nuk kthehen as të vdekur…
Trupi i pa jetë i Sulejmanit u preh në gjirin e vendlindjes.
Për djelmoshat e tjerë, 29 a më pak, kryesisht Maqellaras, që ishin në të njëjtin skaf, asnjë lajm, asnjë shenjë. Dikush tha se i ka marrë një anije e huaj. Dikush thotë se janë burgosur në një vend të huaj. TVSH, tepër thatë, dy javë më pas njoftoi vdekjen e Sulejman Qokut dhe të një viktime të pa identifikuar. Tha se ekspertët shqiptarë më 18 mars kanë shkuar në Itali për të ndriçuar ngjarjen.
Që atëherë heshtet…
Ankth dhimbjeje dhe pritjeje, vegim shprese në familjet e 2 vëllezërve në Burim, të 2  vëllezërve Elezi në Vojnikë, të njerëzve të një gjaku e të një moshe në Kllobçisht, Majtarë, Burim, Vojnikë, Maqellarë, Grevë, Melan, Trepçë, Rashnapojë, Brezhdan…
Dhembje pritjeje e pranishme në çdo familje dibrane…
Emigrantët në Itali pyetjen e parë për ikanakët e kanë “Mos jeni ato të skafit të 9 marsit?…”

E mërkurë, 22 maj 1996. Ditë e nxehtë, pak e vranët…
Në Grevë tek A. Fida udhëheqja e lartë e rrethit me kandidatin për deputet, zëvendës ministër i mbrojtjes, ngre dolli për fitoren. Eshref Fidës, shofer i parkut automobilistik shpallur komunist  në vitet ’90-të, i cili është kthyer nga Italia për të pritë njerëzit për djalin e humbur në dallgët e Otrantos, i kanë çuar për aheng prapavijën e taborit elektoral, shoferë e të tjerë. Thonë se pasi u dha raki sa u frynë i bëri të ngrihen në këmbë dhe me grushtin lart të këndojnë “Enver Hoxha, tungjatjeta!”!!!

E premte, 24 maj 1996. Një grup njerëzish, me Azem Hajdarin në krye, kanë goditur për ta vdekur kryetarin e Partisë Socialiste të Bulqizës Muharrem Kolën dhe e kanë hedhur në një përrua në Ostren. E kanë gjetur fshatarët dhe e kanë çuar në shtëpi nga ora 12.30 e natës. Në orën 2 ka ardhur policia të hyjë në shtëpi. Në orën 7 e kanë marrë me forcë dhe e kanë hedhë gjysmë të vdekur në burg…
26 maj 1996 – 21 korrik 1996. Koha më e vështirë e jetës sime. Më 27 maj,. nën krisma revolesh e automatikësh PD feston “fitoren” në sheshin “Nazmi Rushiti”. Drejtuesit e Partisë Socialiste të Dibrës kanë kaluar në ilegalitet. Nuk mund të dal bulevardit. N. D. Nga Pollozhani më del në mes të bulevardit dhe më kërcënon se po pashë nga klubi “26 maji” (emër i vënë një ditë më parë) do të të thyejmë kokën. Në një tavolinë një grup “hitlerjugenësh” qeshnin e duartrokisnin. Në mes të bulevardit digjen publikisht të gjitha gazetat Zëri i popullit” dhe “Koha jonë”.
Gazeta “Dita informacion” boton një shkrim me titullin “Kërcënohet gazetari i “Zërit të popullit”…
Vjen momenti më i vështirë. Më jepet ultimatumi: “O mbylle gojën ose do të rrëmbejmë fëmijët”! Tentuan të më rrëmbejnë vajzën. Fati e solli që në atë moment ishte me të ëmën, mësuese e respektuar në Peshkopi. Në krye të degës së PD në Peshkopi është djali i dajës i bashkëshortes time. “O tempora o morës”,  ku jemi katandisur!
Nuk më mbetej rrugë tjetër. “Situata mjaft e turbullt. Ikja trimëri e ditës…” shënoja në ditarin tim më 8 korrik 1996.
Më 21 korrik, ditën e ikjes, do të shënoja… “Me Indritin, nisja në orën 6 të mëngjesit. Pritje katër orë në Kakavi…Kthim nga autostrada e Patrës për arsye bllokimi…Arritje në Athinë në orën 2.30 pas mesnate. Në Perama taksixhiu na kërkoi 15 mijë dhrahmi kur rruga bënte vetëm dy mijë. Në xhep kisha gjithsej vetëm pesëmbëdhjetë mijë. Ishte udhëtimi më i varfër i jetës sime. I dhashë pesë mijë, dy herë e gjysmë më shumë…”
Ika, lash atdheun, lash Dibrën që më rriti e më bëri njeri. Me vete mora “penën”. Pa të jeta në mërgim nuk kishte bardhësi.
Pas një viti përpjekjesh u bashkua e gjithë familja…
Nuk e përjetova “97-tën. Mbase sot nuk do të isha duke shkruar…

 

TETË VJET MË VONË..

E enjte, 15 janar 2004. Igli Toska, Ministër i Rendit në një paraqitje në Kuvend për të parën herë deklaron publikisht se “do të isha i padrejtë të mos përmendja edhe tragjedinë  e 30 dibranëve në 09 mars 1996 që u mbytën. Askush nuk tentoi t’i shpëtonte dhe mizorisht fakti iu fsheh publikut dhe familjeve të tyre”!

4 mars 2004, gazeta “Ballkan”: Kreu i komisionit parlamentar të Rendit e SHISH-it, Neritan Ceka, u shpreh dje për gazetën “Ballkan”, se po dje i kishte kërkuar takim motra e dy vëllezërve të humbur gjatë tragjedisë së 9 marsit 1996 në Otranto. “E prita dhe dëgjova shqetësimin e saj, madje i kërkova edhe një shkresë ku të paraqiste ankesën përkatëse. Ajo më vuri në dijeni për ato që dinte dhe për dyshimin se vëllezërit e saj janë gjallë dhe mbahen të mbyllur në një kamp, por që nuk mund të jetë e besueshme”, tha kreu i komisionit, Ceka. Por ende nuk ka ndonjë material konkret për këtë ngjarje, pasi janë edhe shumë viktima. Ceka pohoi se e afërmja e dy vëllezërve të zhdukur në këtë tragjedi ishte ankuar edhe pas ngjarjes tek ish presidenti Berisha dhe ky i fundit i kishte dhënë përgjigjen se “Deti ka ngrënë dhe do të hajë shumë viktima”. Do të interesohem vetë për këtë ngjarje për t’i mësuar të vërtetat’, përfundoi kryekomisioneri Ceka.

9 mars 2004. Gazeta “Emigranti”, gazetë për komunitetin shqiptar në Greqi, boton shkrimin “Të vërteta dhe mite për “Djemtë e Dibrës”.

17 e 18 mars 2004. Në dy numra nga dy faqe, gazeta “Koha jonë” boton shkrimin tim “Ku janë Djemtë e Dibrës”

“KLAN”, Dibranet vdiqën… I ka rënë ministrit të Rendit Publik Igli Toska, detyra e rëndë për t’u komunikuar familjarëve të një grupi të rinjsh dibranë që ishin zhdukur prej shumë kohësh nga shtëpitë e tyre, se hetimet për fatin e tyre kanë nxjerrë në dritë se ata janë mbytur gjatë përpjekjeve për të mbërritur ilegalisht me skaf në Itali dhe se shpresat për t’i pritur ata të mbërrijnë të gjallë ose për të marrë ndonjë lajm, duhet të ndërpriten.
Lajmi i hidhur vetëm sa ka konfirmuar frikën që familjarët mbanin brenda vetes për shumë vite, ndërkohë që kishte qenë vetë kryeministri Nano, gjatë një vizite në Maqellarë, ai që u kishte premtuar atyre se do të bënte të pamundurën për të zbardhur fatin e të zhdukurve.
Kanë mjaftuar vetëm disa muaj dhe përgjigja ka ardhur. Edhe pse negative.

29 mars 2005. Ministri i Rendit Publik, Igli Toska, ka shkuar sot paradite në Maqellarë të rrethit të Dibrës, për të informuar familjarët e 29 personave të humbur në 10 mars të vitit 1996 në detin Adriatik, mbi përfundimin e hetimeve të bëra nga strukturat e Policisë së Shtetit mbi fatin e këtyre personave.
Hetimet rreth kësaj ngjarjeje të rëndë u rihapën pas interesimit të Kryeministrit Fatos Nano dhe urdhrit të ministrit të Rendit Publik, disa muaj më parë, për t’u dhënë një përgjigje kërkesave të familjarëve, që prej 9 vjetësh nuk kishin asnjë informacion për fatin e njerëzve të tyre.
Hetimet janë kryer në bashkëpunim të ngushtë me policitë e Italisë dhe Greqisë, duke kontrolluar të gjithë dokumentacionin e kohës kur ka ndodhur ngjarja, madje duke kontrolluar edhe të gjithë shtetasit e burgosur në burgjet e këtyre shteteve që nga viti 1996. Oficerët e ndërlidhës të Ministrisë së Rendit në Itali dhe Greqi kanë marrë në intervistë të gjithë shtetasit shqiptarë që janë arrestuar në periudhën e lartpërmendur.
Në përfundim të hetimeve rezultoi se të 29 shtetasit nga Maqellara e Dibrës dhe tre personat që drejtonin skafin nga Vlora janë mbytur. Nga kontrolli i dokumentacionit përkatës rezultoi se në vitin 1996 Policia Italiane ka njoftuar Policinë e Vlorës për gjetjen e dy kufomave me emrat Sulejman Qoku dhe Petrit Qoku nga fshati Kllobçisht i Maqellarës dhe më pas edhe katër kufoma të tjera të cilat nuk mund të identifikoheshin për shkak të dekompozimit.
Prokuroria e rrethit Vlorë ka nisur procedimin penal për këtë çështje të cilën e ka pezulluar në 10 tetor 1996. Personat që kanë luajtur rolin e sekserëve në grumbullimin e njerëzve, janë amnistuar në vitin 1997 nga presidenti i asaj kohe.
Rreth një vit më parë Policia e Vlorës ka arrestuar shtetasin Sokol Veizi, i cili ka qenë pronari i skafit të mbytur.

29 mars 2005. Sot ministri i Rendit Publik në familjen e Abdulla Hakores, i cili ka humbur djalin në këtë ngjarje tragjike. Ndërsa u ka dhënë familjarëve lajmin e hidhur ka qenë i pari që i ka ngushëlluar sipas zakoneve të vendit. Ministri Toska ka premtuar në emër të qeverisë se do të shihen të gjitha mundësitë për të ndihmuar financiarisht fëmijët e viktimave.

Athinë, 2 prill 2005. Në një letër të hapur në adresë të ministrit të Rendin Igli Toska, ndër të tjera shkruaja…
…Ju thoni i nderuar Ministër se “Nga kontrolli i dokumenteve përkatës rezultoi se në vitin 1996 Policia Italiane ka njoftuar Policinë e Vlorës për gjetjen e dy kufomave me emrat  Sulejman Qoku dhe Pertrit Qoku nga fshati Kllobçisht i Maqellarës dhe më pas edhe katër kufoma të tjera të cilat nuk mund të identifikoheshin për shkak të dekompozimit”.
Unë, në atë kohë, kam pas mësuar për gjetjen e kufomës vetëm të njërit, të S. Qokut, që deputeti i PD-së, njeriu i afërt i tij, Agron Qoku shkoi dhe e njohu vetë dhe e solli në Kllobçisht ku ka edhe sot e kësaj dite varrin e vet. Ju jepni edhe një emër, që të paktën unë nuk e kam ditë si të vdekur, të Petritit, por nuk jepni emrat e katër personave të tjerë që “nuk mund të identifikoheshin për shkak të dekompozimit”. Një përgjigje të tillë mund ta presësh nga kushdo por jo nga një ministër rendi. Çelësi për identifikimin e kufomave tashmë është kaq i njohur sa është bërë dhe po bëhet edhe në dhjetëra mijëra apo më shumë njerëz, viktima të Curnamit. Është AND-ja. A është bërë, qoftë edhe një veprim i vogël në testimin e atyre kufomave nëpërmjet testeve bashkëkohore? Me njoftimin që dhatë ju mendoj se keni sjellë një tronditje të re, të thellë, midis familjarëve të viktimave. Ata, me siguri, duan të dinë emrat e atyre djemve, të marrin eshtrat dhe t’i varrosin në fshatin e tyre, pranë dhembjeve të tyre. Këtë, i nderuar Ministër duhet ta bëni. Dhe ta bëni sa më shpejt të jetë e mundshme” .

E enjte 11 mars 2011 “Plus Gazeta e Athinës”. “Tragjedi dibrane ’96” Shteti harron dhe hesht. Një lajm që doja ta kisha shkruar…

*              *            *

E hënë, 25 janar 2016.
I nderuar profesor Duro ! Takova mikun tim, profesor Qamil Sulën dhe më hodhi idenë e një libri për skafin e mbytur të Maqellarës, për te cilin kishit diskutuar. A mund të më thuash mendimin tënd për këtë çështje?
Me respekt
Osman Xhili

E hënë 25 janar 2016.

Unë kam një zarf kompjuterik me materiale për këtë ngjarje të rëndë dhe kam qenë i gatshëm ta botoj. Arsyeja pse nuk e kam botuar është se dibranët që iu mbytën fëmijët besojnë se ata janë në një burg të sigurisë së lartë në Korfuz.
U jam drejtuar një pjese të madhe të tyre por ata nuk flasin asnjë fjalë.
Kam takuar ish deputetin e Maqellarës Agron Qoku i cili shkoi në Itali dhe mori trupin e pa jetë të kushëririt të tij. Më premtoi që tu përgjigjet pyetjeve të mija në një intervistë me të për ngjarjet e 9 marsit 1996.
I jam drejtuar edhe katundarit tënd Ramazan Ilnica që ishte asokohe prokuror në Vlorë që të më vejë në dispozicion dosjet e hetimeve të atyre ditëve dhe përjetimet e tij por nuk më është përgjigjur.
I jam drejtuar edhe katundarit tim Abdulla Hakorja i cili humbi djalin dhe në shtëpinë e tij ministri i rendit Igli Toska piu kafen e humbjes së djalit dhe deklaroi se ata janë mbytur dhe nuk më është përgjigjur.
Pa këto prononcime një libër për ta është i zbehtë. Unë çdo 9 mars, tash 19 vjet botoj shkrime si homazh për këtë ngjarje që Berisha me Gazideden etj. e mbyllën sepse donin qetësi në zgjedhjet e tmerrshme të 26 majit 1996.
Ishin këto zgjedhje, ishin shkrimet e mija (dhe shkrimi i Qamil Sulës me pseudonim) që më detyruan mua të iki natën nga Dibra dhe Shqipëria sepse më kërcënuan: “O mbyll gojën ose do të rrëmbejmë fëmijët”!. Dhe provuan ta bëjnë me vajzën time.
Një libër për ta dhe një monument përkujtimor tek ura e Topojanit ku nënat, motrat, gratë…të mblidheshin çdo 9 mars për të hedhë lulet e Ditë Verës për t’ia përcjellë detit dhe shpirtit të “lofkës së zemrës”, do të ishte nder dhe vlerë për Dibrën.
Dibra, fatkeqësisht e ka gojën të mbyllur për këtë ngjarje. Vlora, Shkodra etj. hedhin lulet e kujtesës çdo vit në ditët e tragjedisë së marsit ’97 për mbytjen e “Katerit të radhës” dhe tragjedinë e Karaburunit…
Po qe se ti si Maqellaras më bëhesh krah atëherë bëjmë librin me dy emra, timin dhe tëndin.
Unë edhe këtë vit të 20 vjetorit të ikjes, si çdo vit tjetër do të shkruaj dhe do të zbres në bregdetin e Pireut dhe do të hedh një tufë me lule në kujtim të Djemve të Dibrës, këtyre “Zogjve të malit”…
Me respekt
Abdurahim Ashiku
Athinë, 25 janar 2016
 E diele 21 shkurt 2016…

Radhët e këtyre shënimeve, me një pikë loti që rrjedh brazdave të 75 vjetëve të moshës sime, po i mbyll me “Një këngë beratase kushtuar të rënëve të Dibrës…” me titull: Otranto, Port i Dhimbjes dhe Shpresës” përcjellë në adresën time nga poeti i njohur Namik Selmani…

O zot, mos më keq!

Mos të pafsha më,
O Ditë e marsit në Otranto!

Athinë, 21 shkurt 2016

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.