Dhoma e Noterëve dhe Hipoteka, takim i përbashkët për transferimin e disa shërbimeve

0
Bashkëpunimi i nisur mes Dhomës së Noterëve dhe Hipotekës, për transferimin e disa shërbimeve, nuk i shteroi problematikat e mbartura. Kur ka kaluar më shumë se një vit, që zyrat noteriale kanë marrë kompetencat që kanë të bëjnë me shitjen e pasurive të paluajtshme, dhurimin, lëshimin e tapisë, e vërtetimeve të pronësisë, verifikimin online të gjendjes juridike të pronës etj., duke u kursyer kohën e mundin qytetarëve, konstatohet se jo çdo gjë ka shkuar sipas pritshmërive.

Kështu, pavarësisht thjeshtimit të procedurave, qytetarët sot vijojnë të hasen në pengesa, të cilat kanë prodhuar vonesa. Trajtimet e diferencuara nga Hipoteka ka qenë një prej problemeve të vëna në pah në takimin e përbashkët mes kryeregjistrueses Blerina Doracaj dhe përfaqësuesve nga Dhoma Kombëtare e Noterëve. Në përputhje me udhëzimin e përbashkët firmosur mes palëve, zyrat noteriale autorizohen që të ofrojnë shërbimet që kanë të bëjnë me hipotekën dhe këtë e bëjnë përmes sistemit online. Pra, për më shumë se një vit qytetarët mund të shmangin kontaktin me Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

Për çdo veprim që ka të bëjë me shitjen e pronave dhe shtëpisë dhe jo vetëm, ata mund të drejtohen në zyrat noteriale. Janë këto të fundit që nëpërmjet sistemit koordinojnë punën me Hipotekën. Por në gjithë këtë periudhë ka ndodhur që punonjësit e ZRPP-së janë treguar selektivë, duke trajtuar një aplikim me përparë- si në raport me një tjetër. “Në takim u raportua dhe për diferencime në trajtimin e aplikimeve të noterëve nga ana e administratës së ZRPP-së. Për t’i dhënë fund kësaj anomalie, kryeregjistruesja u angazhua që të ndjekë vetë respektimin e radhës së veprimeve/transaksioneve të bëra nga noterët. Kjo është e garantuar nëpërmjet sistemit të aplikimit online”, thuhet në njoftim e Hipotekës.

Për t’i dhënë zgjidhje kësaj situate, në takim u vendos që për çdo zyrë vendore të caktohet një person kontakti dhe nga ZRPP-ja dy persona, të cilët do të ndjekin zbatimin e marrëveshjes dhe problematikat me zyrat vendore dhe Dhomën Kombëtare të Noterëve. “Personi përgjegjës në Hipotekë verifikon dokumentacionin dhe kthen përgjigje online te zyra e noterit. Pra, kjo është një mundë- si, një lehtësim që u japim qytetarëve, për ta marrë këtë shërbim te zyra e noterit, pa qenë nevoja që ata të mbajnë radhën në Zyrat e Regjistrimit të Pasurisë”, thuhet më tej në njoftim.

Por kjo nuk është e gjitha. Problematika, sipas kryetares së Dhomës Kombëtare të Noterisë, Mimoza Sadushi, ka pasur edhe në mungesën e informacioneve për çdo ndryshim të bërë. Hipoteka po ashtu nuk ka përmbushur detyrimin ligjor për kthimin e përgjigjeve mbi faturën tatimore, pa shtuar faktin se përllogaritja e këtyre detyrimeve nuk është bërë si duhet. Në intervistën dhënë për gazetën, Sadushi ndalet edhe te masat që pritet të ndërmerren për të mos favorizuar abuzimet e mëtejshme.

“Aktualisht ne jemi duke përgatitur një sistem nëpërmjet të cilit do të bëjmë ndërlidhjen me institucionet e tjera ku përfshihet edhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Ngritja e këtij sistemi nuk do të lejojë më që të ketë preferenca në kërkesat që bëhen nga noterët, pasi nuk do ta lejojë sistemi. Aplikimet do të vijojnë sipas radhës dhe përgjigjja do të vijë po ashtu mbi bazën e rendit të kërkesave të mbërritura”.

Pak ditë më parë është mbajtur një takim i përbashkët mes kreut të Hipotekës, Blerina Doracaj, dhe Dhomës së Noterëve. Cili ka qenë qëllimi i kësaj tryeze?

Në fokus të takimit ishte bashkëpunimi i ndërsjelltë midis dy institucioneve për përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve. Gjithashtu në këtë takim diskutuam edhe për zbatimin e marrëveshjes së bashkëpunimit që është lidhur ndërmjet dy institucioneve, marrëveshje e cila deri tani nuk ka funksionuar si duhet dhe disa pika të saj nuk janë zbatuar si duhet.

Cilat janë këto pika të pazbatuara ende?

Në një nga pikat e marrëveshjes është përcaktuar që institucionet do të shkëmbejnë informacione të ndërsjellta që kanë lidhje me udhëzimet, rregulloret, qarkoret që dalin nga dy institucionet, me qëllim që të gjitha rregullat e përcaktuara në to të njihen dhe të zbatohen nga të dyja palët. Është fakt që kanë dalë udhëzime apo rregullore për të cilat ne nuk jemi informuar, gjë e cila ka sjellë konfuzion te noterët dhe vonesa e shqetësime për qytetarët. Po ashtu në marrëveshje është caktuar afati i kthimit të përgjigjeve për aplikimet online që bëjnë noterët, afat i cili për hir të së vërtetës nuk është respektuar në shumicën dërrmuese të aplikimeve, duke detyruar qytetarët që të drejtohen vetë në sportelet e Zyrave të Regjistrimit dhe të humbasin besimin se te noteri mund të realizojnë në kohën e duhur kërkesat e tyre.

Të gjitha zyrat noteriale janë të autorizuara për t’i ofruar 27 shërbimet që parashikon udhëzimi?

Po, është e vërtetë. Këto 27 shërbime kryhen në zyrat noteriale sipas kërkesave të vetë qytetarëve. Nëpërmjet aplikimit online ne kemi synuar që as qytetari dhe as noteri të mos paraqiten në sportelet e Zyrave të Regjistrimit, por këto aplikime të realizohen direkt nga zyra e noterit. Realisht të gjitha zyrat noteriale janë munduar që këto aplikime t’i kryejnë me korrektësi.

Ky ka qenë pikërisht edhe qëllimi i udhëzimit, që të përmirësojë cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve…

Pikërisht. Por deri më tani kjo pikë e udhëzimit është zbatuar nga noterët, të cilët kanë bërë aplikimet përkatëse, por kanë pasur vështirësi si në kthimin e përgjigjeve për sa u përket vonesave, ashtu edhe në drejtim të përmbajtjes së përgjigjeve që shpeshherë vijnë me akte verifikimi. Ndaj për të gjitha këto probleme diskutuam në këtë takim, vumë në dijeni edhe kryeregjistruesen dhe kërkuam zbatimin sa më korrekt të kësaj pike të marrëveshjes nga ana e Zyrave të Regjistrimit. Menjëherë pas takimit, kryeregjistruesja ka caktuar personin e kontaktit që do të komunikojë me noterët.

Në takim është raportuar për trajtim të diferencuar nga ana e Hipotekës. Çfarë nënkupton kjo?

Rezulton që në praktikë nuk është respektuar radha e aplikimeve të bëra nga noterët. Ka pasur raste kur një noter aplikonte dhe mund ta merrte përgjigjen brenda ditës, por kishte edhe nga ata noterë që mund të aplikonin dhe përgjigjja ka vonuar një, dy ose tri javë. Aktualisht ne jemi duke përgatitur një sistem nëpërmjet të cilit do të bëjmë ndërlidhjen me institucionet e tjera, ku përfshihet edhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Ngritja e këtij sistemi nuk do të lejojë më që të ketë preferenca në kërkesat që bëhen nga noterët, pasi nuk do ta lejojë sistemi.

Aplikimet do të vijojnë sipas radhës dhe përgjigjja do të vijë po ashtu mbi bazën e rendit të kërkesave të mbërritura. Mendoj që sistemet e zerojnë mundësinë e abuzimit. Kjo do të thotë se qytetarët mjaftojnë të paraqiten në zyrat noteriale, gjithmonë në rastet e transaksioneve apo kontratave me bankat për kreditë dhe Hipotekat, e do të jetë ky i fundit ai që do të kryejë gjithë procedurën që nga hartimi i aktit noterial, aplikimi online dhe deri në përfundim të të gjithë procedurës, deri në marrjen e certifikatës së pronësisë apo bllokimit në rastin e kontratave të hipotekave. Një gjë e tillë pritet të lehtësojë punën edhe në Zyrat e Regjistrimit, duke u dhënë fund radhëve të qytetarëve.

Ndër shërbimet që ofrohen është edhe ai për lëshimin e certifikatës së pronësisë…

Noteri mund të kërkojë certifikatën e pronësisë apo kopje të kartelës. Në rastet kur kërkohet të ketë një regjistrim fillestar, punonjësit e Zyrës së Regjistrimit deri dje kanë kërkuar që kjo të bëhet drejtpërdrejt nga qytetarët, ndërsa objektivi ynë është që ta mbulojmë ne këtë si shërbim.

Përfshihen këtu edhe ndërtimet pa leje?

Jo, sepse ALUIZNI e ndjek vetë praktikën dhe i mbyll vetë të gjitha procedurat Agjencia e Legalizimeve.

Sa u takon tarifave që aplikohen?

Janë të caktuara para 3 vitesh dhe janë të njëjtat. Nuk ka ndryshim në aspektin e kostos.

Udhëzimi ka më shumë se një vit që ka hyrë në fuqi, gjatë kësaj periudhe si ka qenë ecuria?

Noteri është gjithmonë shumë afër me qytetarin dhe ne kemi konstatuar që qytetarët janë të interesuar për ndjekjen e të gjitha procedurave nga noteri, sepse në këtë mënyrë ata kursejnë kohën, shmangin sorollatjet dhe ndihen shumë me mirë kur certifikata e pronësisë u dorëzohet nga noteri, i cili në të njëjtën kohë kryen edhe disa veprime të tjera, si kalimi i shumave në llogarinë e palës shitëse.

Kjo procedurë u ofron më shumë siguri dhe lehtësi qytetarëve. Aplikimi nëpërmjet sistemit online është një mundësi e mirë për t’u dhënë fund edhe abuzimeve. Ecuria deri tani nuk është se ka qenë ajo që ne kemi pritur dhe kjo sigurisht është kosto për qytetarët dhe për noterët. Mbas këtij takimi, shpresojmë për një ecuri shumë më të mirë për të ardhmen.

Çfarë problematikash të tjera u raportuan në takim?

Gjithashtu në takim u diskutua edhe për caktimin e personave të kontaktit për të dyja institucionet, persona të cilët do të zgjidhin të gjitha problemet që dalin për noterët dhe për qytetarët, duke synuar që as noteri dhe as qytetari të mos ketë kontakte me punonjësit e Hipotekës dhe të mos sorollaten për zgjidhjen e problemeve. Nga kryeregjistruesja menjëherë është caktuar personi i kontaktit për zyrën qendrore.

U kërkua nga ana jonë që të zbatohet nga Zyrat e Regjistrimit pika e marrëveshjes ku përcaktohet detyrimi i Zyrës së Regjistrimit që të kthejë përgjigje për detyrimin tatimor të qytetarit. Deri më sot kjo nuk është zbatuar asnjëherë dhe detyrimet nuk janë llogaritur shpeshherë ashtu si duhet. Është një praktikë që bëhet nga noteri në të gjitha vendet europiane, dhe pse jo edhe në Shqipëri.

Si është vepruar në këto raste, kur vonojnë një përgjigje në sistem?

Jemi detyruar që informacionin ta marrë dorazi noteri ose është qytetari ai që është paraqitur në sportelet e ZRPP ka marrë kartelën dhe ia ka paraqitur noterit për të përfunduar kontratën. Kjo nuk sjell siguri për qytetarin, seriozitet dhe garanci për noterin.

Share.

About Author

Leave A Reply