Deputetët argëtohen gjatë seancave plenare, me faqe erotike ?

0

Argëtimi i disa deputetëve, gjatë seancave plenare maratonë, duke hapur faqe me përmbajtje jo etike në ekranin e telefonave të tyre, ka qenë për herë të parë objekt diskutimi në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, në datën 4 tetor. Fillimisht, deputetët që kanë hapur faqe erotike në sallën e parlamentit, janë ankuar tek organet e Kuvendit të Shqipërisë, për shkak se mediat, të vendosura mbi sallën e Parlamentit, pas kurrizit të ligjvënësve, kanë pasqyruar interesin e tyre për video apo foto me përmbajtje jo etike. Madje, disa prej ligjvënëse janë përplasur me stafin e Kuvendit për këtë çështje. Ndërkaq, gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi, u ka kërkuar kryetarëve të grupeve parlamentare të Partisë Socialiste Taulant Balla, Partisë Demokratike Edmond Spaho dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili, që ta diskutojnë këtë shqetësim me deputetët që hapin faqe në internet me përmbajtje jo etike.

“Është ngritur një shqetësim lidhur me sjelljen e deputetëve në sallën e Kuvendit dhe raporti me medien. Meqenëse ne i kemi të gjitha kamerat lart, shumë deputetë gjatë seancave hapin internetin në faqe nga më të ndryshmet dhe ndonjëherë jo etike dhe pastaj dalin në media. Ky është një problem i madh shqetësues, sepse ka raste që edhe deputetët acarohen me stafin e Kuvendit, ndërkohë që stafi i Kuvendit, qoftë edhe ata që mbulojnë medien nuk mund të mbajnë përgjegjësi për veprimet tona si deputetë, që hapim, lexojmë dhe medie nga lart pastaj i nxjerr. E them këtë që ju kryetarët e grupeve parlamentare është mirë, është pjesë e etikës në fakt dhe Rregullorja e Kuvendit e ka që nuk përdoren celularët, por… Ata janë ankuar, z. Vasili… Ekzakt, por ata nuk mund të ankohen për stafin e Kuvendit, nëse i stafi i Kuvendit nuk arrin dot të menaxhojë mediet lart”, është shprehur deputetja Hysi.

Ndalimi i telefonave

Shqetësimi për deputetët që hapin faqe me përmbajtje jo etike, gjatë seancave plenare, u ngrit gjatë diskutimeve për projektvendimin për Kodin e Sjelljes së Deputetëve. Shqiptarja.com sjellë në vëmendje se neni 11 i Kodit të Sjelljes parashikon edhe ndalimin e përdorimit të telefonit nga deputeti gjatë seancave plenare dhe mbledhjeve të tjera të organeve të Kuvendit, duke përfshirë komisionet parlamentare, komisionet hetimore, komisionet e posaçme, Konferencën e Kryetarëve, Këshillin për Legjislacionin, Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetit etj. Gjithashtu, gjatë zhvillimit të punimeve të Kuvendit në komisione dhe seancë plenare, deputeti duhet të paraqitet me veshje zyrtare. Legjislacioni në fuqi pothuajse nuk parashikon asgjë për etikën e sjelljes së deputetëve. Rregullorja e Kuvendit ka vetëm disa rreshta për këtë çështje, ku në nenin 62, parashikon që deputetët nuk duhet të përdorin gjuhë ofenduese dhe joparlamentare në Kuvend, të përhapin informacione që cenojnë jetën private të cilitdo, të sillen në mënyrë të padenjë ose të shkaktojnë rrëmujë në mjediset e Kuvendit.

Diskutimet në Konferencën e Kryetarëve

-Vasilika Hysi: Z. Kryetar, unë kam diçka për projektkodin e etikës. Ka dy vjet që është diskutuar ndërmjet grupeve parlamentare. Vitin e shkuar është bërë një tryezë me ekspertë të Këshillit të Evropës, të BE-së dhe të OSBE-së. Ka qenë në planin e veprimit të Kuvendit të Shqipërisë. Ka dalë i parealizuar në një nga pesë detyrat që kemi në kuadër të integrimit evropian, por, njëkohësisht, do të jetë edhe një nga pikat që do të diskutohet me Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, GRECO, në konferencën e Romës. Sugjeroj që, përveç përfshirjes në kalendar, të ketë konsensus për t’u ulur, për ta parë, se është gati. Janë disa reflektime të vogla që mund t’i bëhen dhe t’i kalohet Këshillit të Rregullores dhe Mandateve.

-Taulant Balla: Ne kemi 3 vjet që kemi filluar punën për këtë. Ish-kryetari i Kuvendit, z. Meta, është përpjekur disa herë që ta fuste këtë në punimet e Kuvendit, por edhe atëherë, në vendin e z. Spaho, z. Paloka, ka kërkuar kohë që kjo çështje të shqyrtohet nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike. Tani, proceduralisht, ne duhet ta depozitojmë me firma këtë projekt, z. kryetar. Unë si kryetar i grupit, zonja Hysi, edhe si nënkryetare Kuvendi, nëse doni, por edhe si pjesë e grupit që ka diskutuar për këtë çështje, ka firmosur edhe zoti Manja, do të ishte mirë dhe në nderin e Kuvendit që kjo të bashkëfirmosej dhe të hynte në procedurën parlamentare. Nuk hyn në procedurën parlamentare po nuk mori firmat e deputetëve. Të mos fshihem pas gishtit! Ta firmosim këtë. As z. Meta, as z. Ruçi nuk e kishin gabim që e shtynë këtë, përkundrazi bënë shumë mirë që e shtynë, sepse në fund të fundit, do të shkohet përballë Këshillit të Evropës në datën 26, që është edhe sponsorizuesi, qoftë financiar, qoftë politik, i këtij projekti shumë të rëndësishëm dhe ne do t’u themi që “ende nuk e kemi futur në procedurë parlamentare”. Të hyjë në procedurë parlamentare dhe të shkojë në Këshillin e Rregullores, por besoj edhe në ndonjë komision, në Komisionin e Ligjeve të paktën, dhe të përcaktojmë se kur do të zhvillohen mbledhjet. Ndërkohë, Partia Demokratike, ditën e hënë, kur ka edhe mbledhjen e grupit, apo ditën e martë, Lëvizja Socialiste për Integrim po ashtu, ne po ashtu, ditën e hënë… Po, po. Ta rifirmosim së bashku.

-Edmond Spaho: Për sa i takon Kodit të Etikës, opinionin tonë do ta sjellim shumë shpejt. Më e rëndësishme se Kodi mendoj se është praktika parlamentare, se mund të kemi Kod dhe të vazhdojmë të sillemi pa etikë dhe ajo që e pëson në raste të tilla gjithmonë është opozita, e cila ndodhet nën presionin e maxhorancës, të pushtetit. Për Kod Etike më të interesuar jemi ne, por nuk duam që Kodi i Etikës të përdoret për t’i zënë gojën opozitës, se boll mjetet joligjore.

-Vasilika Hysi: Është ngritur një shqetësim lidhur me sjelljen e deputetëve në sallën e Kuvendit dhe raporti me medien. Meqenëse ne i kemi të gjitha kamerat lart, shumë deputetë gjatë seancave hapin internetin në faqe nga më të ndryshmet dhe ndonjëherë jo etike dhe pastaj dalin në media. Ky është një problem i madh shqetësues, sepse ka raste që edhe deputetët acarohen me stafin e Kuvendit, ndërkohë që stafi i Kuvendit, qoftë edhe ata që mbulojnë medien nuk mund të mbajnë përgjegjësi për veprimet tona si deputetë, që hapim, lexojmë dhe medie nga lart pastaj i nxjerr. E them këtë që ju kryetarët e grupeve parlamentare është mirë, është pjesë e etikës në fakt dhe Rregullorja e Kuvendit e ka që nuk përdoren celularët, por…

-(Diskutime pa mikrofon)

-Vasilika Hysi: Ata janë ankuar, z. Vasili…

-(Diskutime pa mikrofon)

-Vasilika Hysi: Ekzakt, por ata nuk mund të ankohen për stafin e Kuvendit, nëse i stafi i Kuvendit nuk arrin dot të menaxhojë mediet lart.

-Gramoz Ruçi: Ju lutem, edhe diçka të fundit, do të kërkoja mirëkuptimin tuaj për një gjë. Ju lutem, z. Spaho, z. Vasili dhe z. Balla, dua të njoftoj edhe Konferencën e Kryetarëve për vetë rëndësinë që ka problemi. Autoriteti i Hapjes dhe i Transparencës së Dosjeve në bashkëpunim me Institutin e Krimeve të Komunizmit dhe me Institutin Albanologjik kanë kërkuar bashkëpunimin edhe me ne si Kuvend. Në datën 10 është 70-vjetori i pushkatimit të 15 deputetëve dhe kjo drejtori ka kërkuar një takim me mua. Unë jam shprehur se jam plotësisht dakord dhe do të kërkoja që të bashkëpunoja edhe me grupet parlamentare…

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.