Deklarata, Gjermeni për lejet e ndërtimit: Nga 31 Marsi aplikimi do bëhet vetëm online

0

Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni ka deklaruar duke filluar nga data 31 mars aplikimi për lejet e ndërtimit do yë bëhet vetëm online.

Po ashtu Gjermeni tha se të gjithë qytetarët do të informohen në mënyrë elektronike për ecurinë e kërkesës së tyre për leje ndërtimi.

Ministrja Gjermeni tha se ndërtuesit do të shohin online tek cili institucion është bllokuar leja.

Veç kësaj, ajo deklaroi se të gjithë qytetarët tashmë do të njoftohen online për të gjitha procedurat dhe për ecurinë e kërkesës së tyre për lejen e ndërtimit.

Sistemi elektronik do të thjeshtojë punën e bashkive në shqyrtimin e lejeve, por nga ana tjetër shton akoma më shumë përgjegjësinë për të gjitha bashkitë dhe institucionet e përfshira në dhënien e lejeve. Sistemi do të monitorohet sa i përket vonesave, do të informojë në kohë reale qytetarin se në cilin institucion ka mbetur praktika e tij, dhe mbi të gjitha do të gjenerojë automatikisht vendimet e miratimit, në rast heshtjeje nga institucionet përgjegjëse.

“Dëshiroj të theksoj edhe një herë, se procesi i dhënies së lejeve nuk është as i bllokuar dhe as i pezulluar dhe se është detyrim ligjor i secilës bashki të pranojë dhe shqyrtohet aplikimet e qytetarëve. Në territoret e ish-bashkive ku ka plane të përgjithshme vendore të miratuara (Bashkitë Himarë, Lushnjë, Berat, Kamzë, Tiranë, Fier, Vorë, Mamurras, Durrës, Shkodër, Rrogozhinë, Fushe-Krujë, Bulqizë, Korçë), bashkitë mund të vijojnë normalisht me shqyrtimin dhe dhënien e lejeve të ndërtimit, në përputhje me planet vendore përkatëse, për territoret administrative bashkiake përpara reformës territoriale”, tha ministrja.

Ky sistem elektronik do të realizojë njëkohësisht parimin e shërbimit me një ndalesë përmes ndërveprimit elektronik të të gjitha institucioneve të përfshira si dhe do të evitojë vonesat në vendimmarrje. Sistemi parashikohet të funksionojë si vijon:

Aplikimi për leje do të kryhet online në portalin e-Albania, ku secili aplikues do të aksesojë me kredencialet e tij.

Aplikuesi do të plotësojë hap pas hapi të dhënat e kërkuara lidhur me (a) llojin e kërkesës që paraqet (p.sh. leje ndërtimi, shtyrje afati, leje përdorimi, plotësim dokumentacioni etj); (b) llojin e kategorisë së ndërtimit (standarde apo kompleks); (c) nëse është procedurë e përshpejtuar; (d) të dhënat e pronës ku ndërtohet.

Sistemi do të mund të lidhet dhe marrë automatikisht të dhëna nga regjistrat e gjendjes civile, QKR dhe QKL dhe sapo të jetë e mundur nga ZRPP.

Dokumentacioni i nevojshëm për shqyrtimin e kërkesës do të ngarkohet online nga aplikuesi, pasi të jetë nënshkruar prej personave përkatës me firmë elektronike, bashkë me një deklaratë të vetë aplikuesit lidhur me vërtetësinë dhe autenticitetin e dokumentit të ngarkuar në system.

Gjatë gjithë procesit, aplikuesi do të njoftohet me e-mail lidhur me statusin e aplikimit të tij dhe do të marrë po kështu me e-mail njoftim për të gjitha vendimet që do të merren lidhur me aplikimin e tij;

Pas dërgimit të aplikimit, sistemi do të njoftojë nëpunësit e Bashkisë kompetente ose të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, në rastin e lejeve të Këshillit Kombëtar të Territorit, në e-mailin e tyre zyrtar, lidhur me faktin se një aplikim është në pritje për shqyrtim në llogarinë e tyre, përmes portalit e-Albania;

Për shqyrtimin e kërkesës, nëpunësi i bashkisë e dërgon aplikimin, përmes sistemit, edhe në institucionet e tjera përgjegjëse dhe merr mendimet e tyre po ashtu përmes sistemit;

Në përfundim të procesit, kërkesa bashke me raportin teknik të nëpunësit përgjegjës, i drejtohet për mendim Kryetarit të Bashkisë. Nëse ky i fundit e vlerëson pozitivisht kërkesën, aplikuesit i kërkohet të vijojë me pagesën e taksës së ndikimit në infrastrukturë;

Në fund, pas vërtetimit të pagesës, sistemi gjeneron vendimin përkatës të nënshkruar me firmë elektronike nga Kryetari i Bashkisë dhe vendimi i dërgohet aplikuesit në llogarinë personale tij në portalin e-albania dhe I njoftohet me e-mail;

Gjithë sistemi do të monitorohet nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit, si kontrollues final automatik i gjithë procesit. Ky sistem parashikohet të fillojë të funksionojë në mënyrë të detyrueshme për të gjithë aplikuesit për leje ndërtimi, duke filluar nga muaji prill.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.