Deformimi i votës, Ministria e Brendëshme rrëzon pretendimet e PD dhe LSI

0

Të dhënat e Ministrisë së Brendshme, e cila drejtohet nga ministri teknik Dritan Demiraj, rrëzojnë pretendimet e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, për deformimin e zgjedhjeve parlamentare të 25 Qershorit, me anë të parave të drogës, përdorimit të bandave, policisë dhe segmenteve të tjera të administratës.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, që nga data 26 Maj dhe deri në 25 Qershor, janë konstatuar 31 vepra penale të korrupsionit në zgjedhje, vepra të cilat po vlerësohen nga prokuroria.

Veprat në fjalë nuk janë konsumuar nga përfaqësuesit e një partie, çka hedh poshtë pretendimet e opozitës për blerjen e zgjedhjeve me paratë e drogës, aq më tepër kur diferenca mes partisë fituese dhe subjekteve të tjera është mbi 300 mijë vota.

Madje, shumica e të procedurave për korrupsion në zgjedhjeve mësohet se janë pikërisht të një subjekti politik, humbës në zgjedhje, por që akuzuan partitë e tjera për blerjen e votave.

Ky realitet u provua edhe nga hapja e 64 kutive në Tiranë, ku të gjitha partitë ishin përfshirë në tjetërsimin e votave gjatë procesit të numërimit. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, referuar gjithnjë të dhënave të Ministrisë së Brendshme, është konstatuar vetëm një rast i shpërdorimit të autoritetit policor në zgjedhje, duke rrëzuar kështu pretendimet e Lëvizjes Socialiste për Integrim për mobilizimin e strukturave të Policisë së Shtetit për deformimin e zgjedhjeve, për llogari të Partisë Socialiste.

Po gjatë kësaj periudhe, janë konstatuar vetëm katër vepra penale të përdorimit të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore, duke shfryrë alarmin e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe përfaqësuesve të disa partive të tjera politike, për përdorimin e strukturave shtetërore për deformimin e zgjedhjeve të 25 Qershorit.

Sipas të dhënave, janë konstatuar 15 vepra penale të kanosjes apo dhunimit ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje, shifër kjo që nuk justifikon kurrsesi pretendimet për manipulimin e zgjedhjeve. Të gjitha të dhënat janë prodhuar nga Ministria e Brendshme, me në krye ministrin teknik Dritan Demiraj, i propozuar nga kryetari i opozitës, Lulzim Basha, pikërisht për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Pretendimet e PD
Disa orë pasi humbja u bë e qartë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, doli në një konferencë për shtyp, duke i shpallur zgjedhjet e 25 Qershorit të manipuluara.

Në datën 27 Qershor, Lulzim Basha, deklaroi se votat ishin blerë, ndërsa disa ditë më pas deklaroi prishjen e marrëveshjes me Edi Ramën.

Deklarata e tij shkaktoi habi për shkak se Partia Demokratike caktoi 7 përfaqësues në dikasteret kyçe të qeverisë ‘Rama’, pikërisht për garantimin e zgjedhjeve. “Blerja e votës u bë masivisht, duke zëvendësuar edhe një herë debatin për alternativën, me shukun e parave për votën, duke zhvleftësuar planin dhe projektin, me pagesë për varfërinë e thelluar, për ta bërë më të lehtë këmbimin e saj me të holla.

Me para të pista droge dhe korrupsioni qeveritar. Kjo ishte një garë e pabarabartë, por sigurisht një garë ku unë nuk kam ndërmend asnjëherë të konkurroj me të njëjtat mjete, e as të ftoj kësisoj qytetarët shqiptarë. Ajo që ndodhi në zgjedhjet e 25 qershorit, është triumf i paligjshmërisë. Me të vërtetë, unë dhe Partia Demokratike morëm një rezultat zhgënjyes”, tha Basha.

Kreu i PD deklaroi vijimin e betejës kundër drogës dhe bandave.

“Është e qartë si drita e diellit, se krimi, bandat, droga, trafikantët e votave e të dinjitetit njerëzor, kanë vetëm një pengesë, vetëm një rezistencë. Dhe unë, e Partia Demokratike, së bashku me qytetarët e ndershëm të vendit, nuk jepemi. Kjo është një luftë për jetë a vdekje për vendin, për njerëzit, për të ardhmen, një luftë që ne kemi ndërmend ta vazhdojmë deri në fitore”, u shpreh Basha.

Pretendimet e LSI
Në datën 10 korrik, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, akuzoi PS për përdorimin e parave të drogës, ta bandave dhe të policisë në zgjedhje. “Më 25 qershor, 225.073 heronj votuan LSI-në. Janë heronj sepse përballuan shantazhin e administratës publike deri edhe duke kërcënuar fëmijët e tyre maturantë.

Përballuan terrorin e policisë dhe të bandave të krimit të organizuar. Përballuan tundimin e parave të drogës dhe të koncesioneve. Heronjtë që votuan LSI-në i dhanë asaj forcën dhe besimin.

Na japin ne sot zemër dhe energji duke na thënë që misioni ynë është një dhe i vetëm: Pa ekuivok, pa dilema, pa mëdyshje, pa tundim, opozitë e fortë, opozitë e vërtetë, opozitë deri në pikën e fundit. Edi Rama me paratë e drogës mund të blejë opozitën e deritanishme, mund të blejë edhe një ndërkombëtar, por me gjithë paratë e rruzullit tokësor, heshtjen e LSI-së kurrë nuk ka për ta blerë”, tha Kryemadhi.

Një ditë më vonë, Kryemadhi bëri një tjetër akuzë. “Këto ditë të nxehta të korrikut doja të ndaja me ju atë që të gjitha partitë po denoncojnë me fakte konkrete, blerjen dhe deformimin e votës së 25 qershorit. Farsën elektorale të drejtuar nga Edi Rama dhe zbatuar nga rilindasit e tij, arrogancën dhe pafytyrësinë e tyre për tjetërsimin e votës së shqiptarëve”, tha ajo.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.