DASHMIR ZAÇE MERITON TË JETË “NDER I KOMBIT” ZYRTARISHT

0

DASHMIR ZAÇE MERITON TË JETË “NDER I KOMBIT” ZYRTARISHT

Një letër drejtuar kryetarit të Bashkisë së Përmetit Niko Shupuli më 22 qershor 2018.
Dhe Presidentit dhe Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë SOT…

Inderuar kryetar!

Ju shkruan një gazetar, mërgimtar prej 22 vjetësh, i dashuruar me veprën e mësuesve vullnetarë të gjuhës shqipe në Greqi dhe në veçanti të Dashmir Zaçes, mësuesit të parë të gjuhës shqipe në Selanik që më 7 mars 2001, dashuri e shprehur në katër libra me mbi dymijë faqe dhe mbi gjashtëqind fotografi, ndër të tjera edhe në librin “Dashmir Zaçe – një rilindës i kohës sonë”. Librin besoj se e keni në bibliotekën tuaj si një vlerë sa përmetare aq edhe kombëtare. Në mos lexim të thelluar faqe më faqe, besoj se e keni kaluar “diagonal” për të fiksuar në kujtesë e në ndërgjegje një vlerë të jashtëzakonshme që i bën nder vendlindjes së tij dhe Tuaj, Përmetit të Rilindësve të Mëdhenj të Kombit Shqiptar, por edhe tërë mërgatës shqiptare, veçanërisht mësuesve vullnetarë në Greqi e më gjerë që, pa frikë, me guxim e sakrifica, i dhanë dritë dhe jetë mësimit të gjuhës shqipe në mërgim. Dhe ku? Atje ku ajo në shekuj ishte mbi prushin e këndellur fort për ta djegur, mbi tehun e thikës dhe në shishen e helmit për ta vrarë. Për këtë dhe të tjera Dritëro Agolli i letrave dhe kulturës shqipe i quajti “Rilindës të kohës sonë”. Unë bëra një libër për një përmetar që e doja dhe më donte, një njeri në zemrën e të cilit kishte aq mall e dashuri sa vetëm një rilindës si Naimi mund të gjejë fjalën për ta vënë si gur qosheje në veprën e tij. Jam munduar dhe mundohem të gjej ndryshimin midis Rilindësve të mëdhenj të Kombit Shqiptar shtrirë në kohë dhe hapësirë me Rilindësit e Rinj të Kohës Sonë, Mësuesit Vullnetarë të Gjuhës Shqipe në Greqi, midis dy përmetarëve, Naim Frashërit dhe Dashmir Zaçes. Ndryshimi më mblidhet nyje e më bëhet një, nyje që nuk e zgjidh dot me një apo dy rreshta…
Ata, Rilindësit e Mëdhenj luftuan për Gjuhën Shqipe…
Naimi shkruante… “Gjuha jonë sa e mirë, Sa e ëmbël sa e vlerë…”
Për Gjuhën Shqipe luftuan edhe Rilindësit e Rinj të saj, Dashmir Zaçe me shoqe e shokë…
Dashmiri thërriste… “Mësuesit e mësimit plotësues të gjuhës shqipe janë pasuria më e vlershme e një populli që ka etje për dituri dhe zhvillim”. Rilindësit e Mëdhenj nuk e shkruan fjalën e shqipes ulur në divane zyrash nëpunësish osmanë. Për të nuk kishte shkolla, libra, madje edhe fjalor e alfabet të gjuhës shqipe. E shkruan… Maleve të Shqipërisë, lisave të gjatë, bregoreve bukuroshe ndërmend ditë e natë…
Rilindësit e Rinj fjalën shqipe e shkruan fshehtas, sallave e podrumeve në një vend ku racizmi gjuhësor gëlonte. Dashmiri i përgjigjej pyetjes time në bisedën e parë me të më 29 korrik 2009 në Mitrovicë të Kosovës…
“Unë dua ta shtrij në kohën e rilindësve sepse edhe ne punojmë në ato kushte që bëhej mësimi i shqipes në kohën e tyre. Edhe ne bënim mësim fshehur me frikën se mos na zbulonte policia greke. Edhe ne e bënim pa libra, i fotokopjonim ato dhe ua jepnim nxënësve. Por ka një ndryshim të madh që mua më shqetëson, nuk më kënaq. Në qoftë se librat, abetaret, në kohën e rilindësve shtypeshin në shtypshkronjën e Bukureshtit, sot në kohët moderne ne punonim pa abetare. Dua të them se ne punojmë në kushte të vështira. Lumturia jonë është sepse ne edhe në këto kushte të vështira gjuhën shqipe arrijmë tua mësojmë fëmijëve. Rrënjët e identitetit ne po i ruajmë dhe nuk do ti lëmë që të zhduken për atë pjesë që na vjen në shkollë. Ka edhe diçka tjetër. Ne, përveç abetares, gjithmonë në veprimtaritë tona fëmijëve u japim vetëm poezi të rilindësve. Kjo sepse, atje është në mënyrën më të qartë, identiteti kombëtar. Atje pasqyrohet në mënyrë, jo se në të tjerat nuk pasqyrohet, por është më i kapshëm, kombi, thjesht patriotizmi i kulluar. Për veprimtari ne shfrytëzojmë literaturë nga Fan Noli, nga Migjeni, nga Nonda Bulka, Lasgush Poradeci, Fishta, Mjeda… Naimi është i pari, por edhe nga Kadareja edhe nga Agolli dhe poetë të tjerë shqiptarë…”
Mimoza (Bejkollari) Dako, drejtuese e shoqatës “Shqiptarët e Selanikut”, organizatore e hapit të parë të mësimit të gjuhës shqipe në Greqi MË 7 MARS 2001, mësuese, bijë e Përmetit në bisedë me të tregon:
“… Kur çdo gjë ishte gati, pak ditë para datës së caktuar, më thirri në zyrë drejtori i Vatrës së Emigrantit. Ishte serioz dhe i shqetësuar. Një parandjenjë e keqe më përshkoi shpirtin… Me një ton që asnjëherë s’më kishte folur më parë, më pyeti se ç’është ajo shkollë shqipe që po hapni?! Siç më tha kishte marrë sinjalizime nga sigurimi grek (asfalia). Me zë të dridhur dhe me një lëmsh që më ishte mbledhur në grykë iu përgjigja se ishte pikërisht ajo për të cilën kishim folur dhe rënë dakord që në fillim, për kurse falas të gjuhës shqipe, ashtu si dhe mësuesit grekë jepnin mësime falas në atë institucion për emigrantët. Më tha që të ndaloja menjëherë çdo lëvizje derisa të më thoshte ai. Brenda meje u shemb diçka, mu prenë gjunjët, u zhgënjeva, por mbi të gjitha përfytyroja se si do t’u dilja përpara gjithë atyre njerëzve të cilët e dinin se më 7 Mars do të festohej festa e mësuesit dhe se do të fillonin kurset e shqipes. U përlota, s’e mbajta dot veten… Ai më pa dhe duke e zbutur tonin më tha të bëja pak durim. Durim! Fjala e parë që mësova në greqisht…. U largova duke sharë dhe mallkuar veten se si arrita të ngatërrohesha kaq keq, ç’pasoja do të kisha unë dhe familja ime, çdo të bëhej me gjithë atë mobilizim që ishte bërë në media, mes njerëzish të thjeshte, prindër, mësues… Ishte një goditje e rëndë që i bëhej besimit se diçka do të bëhej për këtë çështje, mësimin e gjuhës amtare! Për këtë gjë fola vetëm me Edin, bashkëshortin dhe pritëm… Nuk e mbaj mend sa ditë prita, sa nuk plasa nga ankthi derisa më thirri përsëri drejtori në zyrë. Për çudinë dhe fatin tim të mirë ai më tha se mund të vazhdonim rrugën e nisur, madje më tha se nëse do të keni ndonjë problem mund të kontaktoja me të pa hezitim!! Nuk mund ta besoni sa u gëzova! Prisja me padurim 7 Marsin. Një natë më parë, së bashku me Dhimitra Malon e I. Floqin pastruam dhe rregulluam çdo cep të Vatrës. Madje djali i Dhimitrës kishte printuar germat shumëngjyrëshe (si ylber) të fjalëve GEZUAR 7 MARSIN, të cilat duken dhe në foton e mësuesve që bëmë atë pasdite…. Dhe dita e shumëpritur erdhi…. Nuk e mohoj që frika dhe gëzimi ishin bërë njësh në shpirtin tim… Porositëm 40 karafila (aq mundëm me fondet e shoqatës) për mësuesit që menduam se do të vinin. Salla po mbushej. Vinin njerëz që i njihja e që nuk i njihja. Në tryezën ku do të flisja mbaja abetaren dhe fletën ku kisha shkruar diçka për të thënë. Thirra pranë meje mësuesen Dhimitra Malo si dhe mësuesin përmetar Dashmir Zaçe. Duke qenë se dhe origjina ime është nga Përmeti, një arsye më shumë më bëri që për këtë njeri të krijoja respekt të veçantë… … Në një moment qetësie, me abetaren në dorë ftova mësuesin Dashmir Zaçe të jepte orën e parë të mësimit të fëmijëve që ishin të pranishëm. U ndjeva e lehtësuar. Kaq ishte! Filloi…”
Ka ardhur koha që këta Rilindës të Kohës sonë të vlerësohen, tu jepet ajo që nuk u është dhënë në këto 17 vjet punë e përkushtim si askush tjetër në mërgim. Të vlerësohen dhe të mbrohen si rilindës të gjuhës shqipe në mërgim. Dhe kjo mendoj duhet të fillojë në Përmet me Dashmir Zaçen.
Të fillojë me një emër të përveçëm si qytetar i parë i Përmetit, “Qytetar nderi”, me një emër rruge, me një emër shkolle maleve të Dangëllisë, me një bust në qendër të qytetit.
Të fillojë me një propozim unanim të Këshillit të Bashkisë në adresë të Presidentit të Republikës që Dashmir Zaçes ti jepet titulli “Nder i Kombit”. Dhe mos harroni edhe qytetaren tjetër të Përmetit, mësuesen Mimoza Bejkollari Dako për vlerat që ka dhënë dhe ende vazhdon të japë për mësimin e gjuhës shqipe në mërgim.
Mos harroni edhe Irena Mullarin nga Këlcyra, mësuese vullnetare e shkollës shqipe të Selanikut. Edhe për to titulli “Qytetar Nderi” është i merituar.
Në dyvjetorin e ikjes së Dashmir Zaçes, nga fundi i shtatorit 2018, mendoj që në Përmet të paraqes librin tim kushtuar këtij mësuesi të palodhur, të përkushtuar deri në amshim për gjuhën shqipe në mërgim. Shpresoj që deri atëherë të bëni të mundurën dhe të pamundurën që Dashmir Zaçe të ngrihet në piedestalin e Nderit të Kombit, Nderit të Përmetit, Nderit të Mësuesisë Shqiptare.

Me respekt Abdurahim Ashiku Gazetar,
Athinë 22 qershor 2018
Ju lutem më njoftoni marrjen dhe hapat që do të ndiqni.

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply