ÇRruga e Dibrës”-drejt Dibrës

0

Kujtesë 20 vjeçare

“RRUGA E DIBRËS” – DREJT DIBRËS ?!

Alternativa për zhvillimin e zonave malore

Shkruar në mars 1996. Përcillet për botim sipas origjinalit në dorëshkrim nxjerrë nga arkivi i gazetarit.

  1. PAK HISTORI

Egnatia, rrugë e lashtë që zinte fill në Adriatikun shqiptar për tu zgjeruar e bashkuar me rrugë të tjera të lindjes, po merret sot si trase e lidhjeve të kohës me Lindjen, lidhje aq e domosdoshme për popujt  sa çdo fjalë e thënë është teprinë.
Egnatia e vjetër në zhvillimet e kohës së vet ka qenë si një lumë me degë të shumta. Një ndër këto degë, më e madhja, ka qenë Rruga e Dibrës, rrugë që niste nga Durrësi e duke kaluar nëpër Tiranë, Shkallën e Tujanit, Klos, Bulqizë, Dibër, Pollog… degëzohej duke sjellë e përcjellë mallra e ushtri pushtuese e çlirimtare.
Dibra, në të cilën kalonte boshti gjeografik e ku ndodhej “Verduni” arbëror, nuk mund të mbetej jashtë interesave të kohës, interesa ekonomike, politike e ushtarake. “Egnatia”, e pranishme në këtë “qendër” me një degë e shumë degëzime të saj, luan një rol të veçantë si në kohën romake-bizantine ashtu edhe në dyndjet e mëdha sllave e osmane.
Nuk janë rastësi as vërshimet osmane në boshtin rrugor Pollog-Dibër-Krujë dhe as betejat e Skënderbeut në Torvioll (fusha e sotme e Kastriotit dhe Shumbatit), në Vajkal (lugina e sotme e Bulqizës) dhe as kështjella të tilla të kësaj periudhe si Sfetigradi, Petralba, Stelushi, Çidhna etj.
“Egnatia” dibrane do të ishte “pikë e rëndësishme strategjike” edhe në synimet e njohura serbe të fillimit të këtij shekulli. Nëpër të do të kalonin edhe forcat demokratike të revolucionit të Qershorit të vitit 1924 ashtu si do të kalonin edhe mercenarët që e mbytën me gjak demokracinë e parë shqiptare në dhjetor 1924.
Historia e të tëra kohëve rrugën nga Durrësi në Tiranë, Klos, Bulqizë e Dibër e quajti me një emër “RRUGA E DIBRËS”, emër që jetoi dhe jeton edhe sot.

2. RRUGA ME EMËR-PA EMËR

Në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, ka disa rrugë kryesore, rrugë të cilat e lidhin atë me qendra të ndryshme të vendit.
Në Tiranë ka një rrugë që quhet “RRUGA E ELBASANIT”, ashtu si ka një rrugë të dytë që quhet “RRUGA E DURRËSIT”, një të tretë që quhet “RRUGA E KAVAJËS”…
Ka edhe një rrugë që quhet “RRUGA E DIBRËS”…
Ndryshimi midis tyre është se ndërsa të parat lidhin me të vërtetë Tiranën me Elbasanin, Durrësin, Kavajën…., ndërsa këto rrugë janë të gjalla, “RRUGA E DIBRËS” është e vdekur, rrugë në thonjëza, në faqe muresh, në adresa reklamash, në adresa njerëzish. Është njëlloj si të gjitha rrugët e tjera në adresat e kryeqytetit.
Rruga e Dibrës nuk shkon drejt Dibrës. Ajo është një rrugë e harruar, një relikte e historisë, një rrugë me emër-pa emër…

  1. “TIRANDAT” DHE “KOLLANI”, ALIAS “QYSTEKU” DHE “BREZI”

Dibra shehër, qytet, quajtur edhe Dibra e Madhe, prerë nga një bisturi makabre në tryezën e operacionit të superfuqive  të fillimit të këtij shekulli, prerë në boshtin gjeografik shqiptar, në “Verdunin” arbëror do të lidhej me Tiranën dhe Durrësin jo me “kollanin” e saj të natyrshëm, Egnatian e moçme, por me “tirandat”.
Dibra, trevë e gjerë, me “Nëntë Male”, një “Bajrak” e “Topalltinë” (fushën) do të lidhej (në vitet tridhjetë, dyzetë e më pas) me Tiranën në shumë drejtime, drejtime që çuditërisht vetëm zgjateshin.
Dibranëve do tu takonte të udhëtonin mbi kamionë fillimisht nëpërmjet Strugës. Më pas nëpërmjet Elbasanit e Qafës së Kërrabës, nëpërmjet. Më pas drejt Burrelit e Rubikut, nëpërmjet Burrelit e Qafë-Shtamës, nëpërmjet Burrelit e Shkopetit, nëpërmjet Qafë-Murrës e Lisit, nëpërmjet Lurës e Mirditës, nëpërmjet Klosit e Shëngjergjit…
Dibranëve  për “bukën dhe kripën”, “Rrugës së Dibrës” do të udhëtonin me rrezikun për jetën, me tmerrin e kalimit të Shkallës së Tujanit…
Në këtë gjysmë shekulli nuk mund të themi drejt Dibrës nuk kanë shkuar rrugë. Vetëm se, po të shikoni skicën hartografike këto rrugë janë piketuar e orientuar larg saj. Ata u ngjajnë tirandave të pantallonave që kalojnë “krahëve”, e “qafave”, larg “kollanit”.
Në fund të viteve  30-të Peshkopia (qendra e trevës së Dibrës pas prerjes makabre të 13-ës) do të “udhëtonte” drejt Tiranës nëpërmjet Muhurrit, Qafë- Murrës e Burgajetit. E hapur që atëherë kjo rrugë nuk do të ishte asnjëherë “Rruga e Dibrës”, ashtu si nuk do të ishte as rruga Gollobordë-Elbasan-Tiranë.
Në Klos, me ndërtimin që në kohën e pushtimit italian të rrugës së Bulqizës, rruga nuk do të kalonte asnjëherë as nga Shëngjergji, as nga Qafë-Shtama por (deri në vitin 1957 me ndërtimin e hidrocentralit të Ulzës) nëpër Rrëshen e Rubik e më vonë nëpër Ulzë e Shkopet.
Në këtë trase (në fillim “me kalldrëm” e më vonë “me asfalt”) do të rridhte një lumë i tërë kromi (në disa vite edhe një milionë tonë në vit) lumë i cili do të bënte një “shtrat” teje të madh rruge për cilëndo trevë në fatin e së cilës do të ishin “burimet” e tij…
Duhej…dhe…duhet. Ajo që nuk u bë dje duhet bërë sot…

  1. “RRUGA E DIBRËS”-DREJT DIBRËS, KËRKESË E KOHËS

“Rruga e Dibrës” duhet të dalë nga thonjëzat, të shkojë drejt Dibrës.
Nuk është një kërkesë e dibranëve të thjeshtë, kërkesë e intelektualëve të kësaj treve të gjerë. Po të ulesh e ta mendosh mirë, në gjerësi dhe thellësi, ajo është një kërkesë e tërë Shqipërisë, është një pikënyjë e interesave të të gjithë shqiptarëve.
Theksuam se nëpër Klos, nga Dibra dhe Martaneshi, kanë kaluar vetëm krom-një milionë tonë në vit. Me paratë e marra nga kromi (vetëm Bulqiza ka dhënë mbi 13 milionë tonë) është ndërtuar Shqipëria, janë ngritur fabrika e hidrocentrale, janë tharë këneta…
Bulqiza me krahët e saj; me Batrën, Krastën, Theknën, Tërnovën, Selishtën, Shkallën, Cerujën…është në lulëzimin e vet gjeologjik. Pohohet se në thellësitë e Bulqizës janë lehtësisht të kapshëm 6-7 milionë tonë krom i pasur. Pohohen rezerva të mëdha kromi në të gjitha krahët e sipërpërmendur të saj, rezerva të momentit dhe të perspektives.
Kromi me rezervat e mëdha dhe koniukturat e qëndrueshme, përbën argumentin e padiskutueshëm ekonomik të hapjes së Rrugës së Dibrës.
Por kromi nuk është i vetëmi. Nëntoka dhe mbitoka e Matit dhe e Dibrës janë teje të pasura me minerale metalorë dhe jo metalorë, me pyje e vende të mrekullueshme malore. Drejt tyre shkohet me rrugë të gjera bashkëkohore…
Argumenteve ekonomike mund tu shtojmë edhe shumë argumente të tjera midis të cilëve vend kryesor zë ai social…

  1. FJALA ËSHTË PËR “PAK INVESTIME” E “SHUMË INICIATIVË”

U zgjatëm tek  “TIRANDAT”  “Rrugës së Dibrës” për tu ndalë tek “kollani”, tek “veza e Kolombit”. Fjala tashmë zbret për “pak investime” dhe “shumë iniciativë”.
Vëzhgoni skicën hartografike. Vëzhgoni “tirandën” Klos-Burrel-Milot-Fushë Krujë-Tiranë. Vëzhgoni edhe “kollanin” Klos-Zall Dajt-Tiranë. Pjesa më e madhe e rrugës është e hapur si trase, e shtruar me gurë e zhavorr, e kalueshme për makinat. Vetëm një pjesë e rrugës, një e pesta e saj (treguar me vija të ndërprera) është  pa hapur fare.
Specialistë thonë se hapja e saj nuk përbën ndonjë problem të mprehtë teknik.
Fjala është pra për “pak investime”, investime të cilat i “paguajnë me grumbull” pasuritë e zonave nga kalon rruga.
Fjala është për “shumë iniciativë”, iniciativë të cilën më mirë se kushdo i futet shteti që ekonomia e tregut, pasuritë e mëdha të nëntokës dhe mbitokës të zonave nga kalon rruga i sheh me syrin social.
Është koha që “RRUGA E DIBRËS” të përcjellë makina, mallra e njerëz DREJT DIBRËS dhe më gjerë.

Abdurahim Ashiku

Mars 1996

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.