Çfarë duhet të bëjë Edi Rama që të mos i shëmbëllejë paraardhësit të tij

0

Nga Rexhep Qosja

Çfarë ndodhi me zgjedhjet parlamentare të qershorit në Shqipëri dhe Kosovë, pse Vetëvendosja e humbi shansin për të qeverisur dhe pse në Shqipëri fitoi aq thellë Partia Socialiste. Cilat ishin arsyet e vërteta të humbjes aq të thellë të Partisë Demokratike më 25 qershor?

Çfarë duhet të bëjë Edi Rama që të mos i shëmbëllejë paraardhësit të tij, për të cilin thotë “Sali Berisha, kur ishte kryetar i Shqipërisë apo kryeministër shprehte veçori të mjafta të autokratit, të despotit. Por u kujdes t’i shëmbëllejë edhe i përzgjedhuri i tij për kryetar të PD-së, Lulzim Basha”.

Në pjesën e dytë të intervistës së tij, Prof. Qosja flet për situatën në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, reformimin e saj dhe një paralele me Akademinë Shkencave dhe Arteve të Kosovës…

 – Profesor Qosja, po e rinisim këtë bashkëbisedim në fillim të një sezoni të ri politik. Para tre muajsh u zhvilluan zgjedhjet parlamentare si në Kosovë dhe në Shqipëri, për të cilat ju patët pritshmëritë tuaja?
-Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri dhe në Kosovë pjesërisht ishin e pjesërisht s’ishin, diku ishin e diku s’ishin në pajtim me parashikimet e mia. Isha i bindur se në Shqipëri do të fitonte Partia Socialiste, por nuk e kisha pritur se do të fitonte me rezultat aq të lartë.

Në Kosovë në opozitë do të duhej të mbeteshin Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës. Dhe do të duhej të mbeteshin në opozitë për shkak të të gjitha të padëshiruarave, të papranuarave, të të këqijave që kishin ndodhur në Kosovë gjatë pushtetit të tyre. Por, nuk ndodhi ashtu.

 – Në Kosovë surprizë ishte mbështetja dhe votat për Vetëvendosjen e cila hyri e vetme në zgjedhje dhe fitoi më shumë vota se koalicionet parazgjedhore që u krijuan. Mirëpo, ajo fitore Vetëvendosjes nuk ia dha shansin për të qeverisur. U krijuan aleanca të reja paszgjedhore dhe tashmë kemi paradoksalisht një qeverisje tjetër. A mund ta konsiderojmë këtë si një tjetërsim të vullnetit të zgjedhësve.
– Mendoj se Vetëvendosja humbi gjasën për të qeverisur pas fitores së madhe, të rëndësishme dhe treguese për vullnetin e zgjedhësve në Kosovë për shkak të disa kushtëzimeve të paarsyeshme prej aleatëve të tjerë dhe për shkak të disa mospajtimeve të veta të arsyeshme me aleatët e koalicionit.

 – A ka ndikuar qëndrimi i Beogradit në hartën e re politike të Kosovës?
– Nuk mund të thuhet se qëndrimet e Beogradit janë plotësisht të pa ndikim në hartën politike të Kosovës. Në Kosovë janë disa parti politike serbe, të cilat, kur e do interesi i tyre, bashkohen rreth një partie, me emrin Lista Serbe. Dhe, kjo parti e serbëve gëzon përkrahjen e disa faktorëve ndërkombëtarë në radhë të parë pse serbëve u është krijuar trajtim shumë i privilegjuar në “Kushtetutën” e Ahtisarit – larg më i privilegjuar se i të gjitha pakicave etnike në Evropë! Dhe, kjo parti e serbëve në Kosovë sot mund të luajë rol në formimin e qeverive dhe mund të luajë rol në rrëzimin e qeverive në Kosovë! Nuk mund të mos thuhet se kjo parti luajti rol në krijimin e qeverisë së Ramush Haradinajt, më 7 shtator të këtij viti.

Unë në asnjë rast nuk jam i pa përkushtim politik e shoqëror ndaj Ramush Haradinajt. Kam shkruar e botuar dy reagime për të derisa ishte ndaluar prej Gjykatës në Francë; kam shkruar edhe më parër për të. Ramush Haradinajt dhe familjes së tij u takoi të durojnë shumë dhembje gjatë luftës dhe shumë padrejtësi e shumë dhembje edhe pas Luftës. Por, unë nuk e quaj veten të palumtur jo pse Ramush Haradinaj u bë kryeministër, por pse u bë kryeministër i kësaj Qeverie pas tre muajsh zvarritjesh të koalicioneve për krijimin e Kuvendit dhe të Qeverisë dhe pse u bë si u bë. Ramush Haradinajt në të vërtetë ia lanë prushin në duar ata që do të duhej të mbeteshin në opozitë më gjatë – LDK-ja dhe PDK-ja. Them kështu për arsye se mendoj se Ramush Haradinaj, si figurë e autoritetshme jo vetëm në këtë qeveri, por edhe në Kosovë në përgjithësi, pashmangshëm ka para vetes dy sfida të rënda për vendosje: përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi dhe krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe. Dhe këto dy sfida mund të bëhen arsyeja që Ramush Haradinaj të humbë prestigjin politik ose të humb qeverinë. Për hir të tij do të doja ta humbte të dytën, jo të parën.

– Në Shqipëri  situata është ndryshe. Partia Socialiste fitoi dhe Edi Rama e krijoi i vetëm qeverinë dhe ka në duar gjithë timonin e pushtetit. Mirëpo kjo fitore e thellë e tij i ka nxitur disa analistë të thonë se Rama ka mundësi të shndërrohet në një autoritar gjatë mandatit të dytë. Ju a mund ta besoni këtë?
– Në Evropë sundojnë sot një varg autokratësh të profileve të ndryshme – despotike, tiranike, cariste. Janë cari i ri rus, Putini, Orbani i Hungarisë,  autokrati i Polonisë, Vuçiçi i Serbisë. Në Shqipëri e në Kosovë ekzistojnë kushte sociologjike dhe psikologjike për shfaqje të autokratëve të profileve të ndryshme. Ish kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, kur ishte kryetar i Shqipërisë apo kryeministër shprehte veçori të mjafta të autokratit, të despotit. Por u kujdes t’i shëmbëllejë edhe i përzgjedhuri i tij për kryetar të PD-së, Lulzim Basha. Gjuha e tij jo vetëm me diksionin, por kur e kur edhe me formulimet, nuk është e liruar prej neostalinizmit apo neofashizmit. E keni dëgjuar kur thotë: “unë si kryetar dhe Partia ime…” Pra, më parë vjen ai mandej pas tij vjen e gjithë Partia Demokratike! E keni dëgjuar këto ditë si shprehej për vetveten: “Unë do të jem kryeministri i ekonomisë dhe i punësimit të shqiptarëve!” E të tjera. E të tjera.

Studiuesit e rendeve politiko-shoqërore dhe juridiko-kushtetare e thonë se tiranët, despotët, diktatorët nuk lindin të tillë, por të tillë i bëjnë kushtet dhe servilët e shumëllojshëm politikë e çerekintelektualët, i bëjnë të tillë “miqtë”, por edhe kundërshtarët e armiqtë. Enver Hoxha nuk kishte lindur diktator, por diktator e bënë kushtet, të këqijat e shumta që prodhuan njerëzit me sjellje e qëndrime të dënueshme, vrasësit, gjakmarrësit, hajnat, plaçkitësit, armiqtë e të tjerë dhe sidomos servilët e panumërt politikë dhe intelektualë.

Mendimtari i njohur gjerman, Maks Veber, beson në politikanin e fuqishëm, por të zgjedhur prej popullit. Për të politika është synim i pjesëmarrjes në fuqinë pushtetore ose i ndikimit në ndarjen e kësaj fuqie qoftë mes shteteve, qoftë mes grupeve të njerëzve në shtetin ku jetojnë.

Edi Rama me fjalë e me sjellje po bën mjaft përpjekje që ta afrojë opozitën, që ta bëjë pjesëmarrëse në vendimmarrje qoftë edhe gjatë përgatitjes së atyre vendimeve. Por, opozita me gjuhën e saj, me urrejtjet e saj, me të pavërtetat e saj që po shqipton për ditë, me shpifjet e saj, me fyerjet e saj si të PD-së ashtu edhe të LSI-së po bën çmos që ta tregojë Edi Ramën çka s’është! Edi Ramës i duhet urtësi politike, që atij nuk i mungon, Edi Ramës i duhet fuqi intelektuale, që atij s’i mungon për të kuptuar gjithë qëllimin e kësaj opozite dhe që të mos sprovohet e që të mos provokohet asnjë çast. Ai duhet ta mundë opozitën siç e mundi në zgjedhjet e 25 qershorit: me përkushtim politik ndaj të gjitha shtresave të popullit, me reformat me të cilat përfaqësohen interesat e të gjitha shtresave, me reformat në përgjithësi, që kanë qenë, janë e do të jenë gjithmonë kushti i përparimit të popullit e të shtetit.

 – E humbura e madhe në këto zgjedhje ishte Partia Demokratike, e cila shënoi humbjen më të thellë që nga viti 1992. Çfarë mendoni se përcaktoi këtë disfatë të saj?
– Duhet që në fillim ta ritheksoj atë që kam shkruar sa herë: Partia Demokratike i duhet shumë Shqipërisë. Por, Partia Demokratike i duhet Shqipërisë jo si është sot e ajo sot është parti pa politikë të re, pa vizione politike, shoqërore, kulturore afatshkurtra e sidomos afatgjata, pa gjuhë të re politike, pa gjykime moderne, demokratike, pa organizim të ri, të pajtueshëm me kohën, e pa liruar prej barrëve të rënda të të vjetrave të saj e të të vjetrave në përgjithësi. Ish kryetari i saj, Sali Berisha, është politikan me arrivizëm tepër të rëndë, por ai është politikan inteligjent, i cili di të këmbejë të kundërtat, të padurueshmen dhe të dëshirueshmen. Nxënësi i tij, Lulzim Basha, është nxënësi i tij, i klonuar keq. Mendoj se disfatën e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 qershorit e përcaktoi, e kushtëzoi, në radhë të parë kryetari i saj, kryetari i saj me mosdijen e tij, me mosprirjen e tij politike, me gjuhën e tij në të gjitha pikëpamjet të padurueshme, me gjestet e tij, me antologjinë e madhe të mashtrimeve, të rrenave, të shpifjeve, të akuzave, të kërcënimeve qesharake, me të cilat, si shihej prej fytyrave të tyre, i irritonte edhe bashkëpartiakët e tij. Disfatën vërtet të madhe të Partisë Demokratike në të vërtetë e përcaktoi Çadra – ajo metaforë e marrëzive politike, në të cilën u përmblodhën të gjitha të këqijat që prodhonte kryetari i saj në Çadër dhe jashtë saj. Jo rastësisht, disa prej themeluesve shumë të merituar të PD-së u ngritën me kohë kundër politikës dritëshkurtër që po bënte ai, por kot: ai u rizgjodh siç u rizgjodh! Dhe, po e vazhdon mumifikimin çoroditës të Partisë Demokratike!

– Çfarë shikoni si prioritet të Qeverisë Rama në katër vitet e ardhshme?
– Detyrë mbi të gjitha detyrat, detyrë, pra, parësore të Qeverisë së Edi Ramës konsideroj vazhdimin e reformave, të reformave në të gjitha fushat e jetës politike, shoqërore, arsimore, kulturore e administrative, tashmë të filluar suksesshëm në Shqipëri. Kjo Qeveri po bën shtetin evropian mbi parainstitucionet e parashtetit. Po ka dhe do të ketë kundërqëndrime, rezistenca, si reformat e reformatorët gjithmonë e gjithkund, por nuk duhet të ndalet. Reformatorët gjithmonë janë kërcënuar e kur e kur janë likuiduar prej inkuizitorëve.

Edi Rama, për fat të keq, nuk e ka përballë një opozitë konstruktive që i duhet aq shumë demokracisë dhe natyrisht Shqipërisë. Edi Rama me qeverinë e tij ka përballë një opozitë të pamëshirshme e cila më parë bën përpjekje ta komprometojë atë moralisht e madje ta mënjanojë edhe politikisht. Dhe këtë opozitë që zbaton, kështu, metodë të Inkuizicionit të dikurshëm, e përbëjnë Sali Berisha – Lulëzim Basha nga ana e djathtë dhe Monika Kryemadhi – Petrit Vasili, nga ana e djathtë dhe nga ana e majtë!

Detyrë veçmas të rëndësishme të Qeverisë Rama konsideroj zbatimin e Vetingut në sistemin e drejtësisë dhe jo vetëm të drejtësisë, por, edhe në sistemin politik. Dua të shpresoj se me Vetingun do të bëhet luftë e frytshme kundër dy të këqijave në Kosovë edhe më të mëdha se në Shqipëri: luftë e frytshme kundër korrupsionit dhe nepotizmit. Korrupsioni është një e keqe shumë e madhe, me pasoja të shumëfishta në jetën politike, shoqërore, në shtetin në përgjithësi. E ne nuk duam t’i shohim pasojat e tij.  Te ne lufta kundër korrupsionit vazhdon të jetë e mbuluar me një retorikë mashtruese edhe pse dihet mirë se korrupsioni mund të luftohet në mënyrë efikase në radhë të parë duke u hulumtuar prejardhja e pasurisë së pushtetarëve të pasuruar lehtë e shpejt, siç janë pasuruar një varg oligarkësh politikë në Shqipëri e në Kosovë. Dhe prejardhja e pasurisë duhet të hulumtohet patjetër duke filluar prej kryetarëve të shtetit, funksionarëve të lartë e deri te zyrtarët e të gjitha niveleve.

Nuk mund ta di se kush krejt prej politikanëve e ka zhvatur Shqipërinë gjatë këtij çerekshekulli, por e di përafërsisht se kush krejt prej politikanëve e ka zhvatur e plaçkitur dhe po e zhvatë e po e plaçkitë Kosovën sot. Serbia ishte pushtuese e pamëshirshme që e shfrytëzonte Kosovën, që përpos të tjerash edhe kolonizoi pjesë të madhe të saj me kolonë serbë. Por, individualisht, veç e veç serbët nuk e zhvatën dhe nuk e plaçkitën Kosovën siç e zhvatën dhe e plaçkitën dhe siç po e zhvasin e po e plaçkisin bijtë e saj, oligarkët e saj politikë sot!

Brazili këto ditë e nxori para Gjykatës ish kryetarin Da Silva të akuzuar për korrupsion. Ish sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Ksavier Solana, ka thënë në një rast se korrupsioni është tradhti ndaj popullit, kurse të korruptuarit në pozita politike e shtetërore janë tradhtarë!

Në Shqipëri, kurse në Kosovë më dukshëm se në Shqipëri, një e keqe tjetër e madhe (në disa vende evropiane e thonë më e madhe se korrupsioni) është nepotizmi. Me nepotizëm cenohen meritat e të merituarve, shpërfillen aftësitë e të aftëve, mbushen politika, administrata, shteti, fushat e ndryshme të jetës shoqërore e shtetërore me familjarë e farefis, pavarësisht sa janë të aftë, të paaftë, të merituar a të pamerituar, të ndershëm a të pandershëm.

Si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë për nepotizmin gati se nuk flitet nga institucionet shtëtërore! E si të flitet!? Nepotizmi në këto dy shtete është sistem! E si mund të flitet për nepotizmin këtu kur me nepotizëm “stolisen” edhe postet më të larta partiake e shtetërore?

Kështu, fjala vjen, Kuvendi i Kosovës, qeveritë e Kosovës dhe institucionet e tjera politike e shtetërore të Kosovës janë përplot me vëllezër, motra, bij e bija, nuse e dhëndurë, kunetër e kunata, nipa e mbesa, kushëri e kushërira, miq e farefis të zyrtarëve më të lartë politikë e shtetërorë.

Kështu, fjala vjen, kryetari i Shqipërisë Ilir Meta mund të quhet kryenepotisti shqiptar sot. Pasi u zgjodh kryetar shteti, partinë e tij LSI-në, në krye të së cilës ishte prej themelimit të saj, ia dhuroi të shoqes së tij Monika Kryemadhi. Tani kryetari i Shqipërisë, Ilir Meta, bën politikë për të gjitha partitë e për gjithë shqiptarët, kurse e shoqja e tij bën politikën partiake që bënte ai në fushatën e zgjedhjeve të fundit! Hajde tani t’i pajtojmë këto dy politika kundërshtimore! Hajde tani të themi se Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi nuk ndikohen politikisht ndërsjelltas! Hajde tani të vetëpyetemi a është fare e mundshme lufta kundër të keqes së madhe të quajtur nepotizëm në Shqipëri e në Kosovë?!

Detyrë tjetër që dua ta quaj po ashtu parësore të qeverisë Rama konsideroj edhe vëmendjen doemos të shtuar shtetërore ndaj shkencës dhe kulturës. Nuk ka dyshim se qeveria Rama po sjell ndryshime të dukshme në trajtimin e kulturës në gjithë Shqipërinë, kurse kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, po e bën Tiranën shembull jo vetëm në Shqipëri, të përdor një fjalë të madhe, të shkëlqimit të përgjithshëm kulturor të Tiranës. Erion Veliaj, me sjelljen e tij politike në përgjithësi, është bërë shembull i zhburokratizimit të funksionarit politik e shtetëror dhe i krijimit të një gjedheje të re udhëheqëse, që jep fryte të mëdha dhe dëshirohet prej qytetarëve.

Share.

About Author

Leave A Reply