CERTIFIKATAT DUAN SIPËR VULË QË TA NJOHË BOTA Z. RAMA

0

Në një komunikatë në shtyp nga mbledhja e parë e Qeverisë më 13 shtator 2017 përparësi i jepej: “Lehtësimit të procedurave me certifikatat që lëshohen nga gjendja civile”
Për mua si mërgimtar i më se dy dhjetëvjeçarëve “lepuri” i “certifikatave” fle gjetkë.
Certifikatat vetjake, familjare, martesore etj. mjaft të kërkuara në mërgimtarët në Greqi (dhe gjetkë) nuk vlejnë po qe se nuk marrin vulën e ambasadës dhe të konsullatave greke në Shqipëri. Administrata greke nuk i pranon edhe pse ata janë shumë më të sofistikuara se certifikatat që lëshohen nga gjendjet civile greke për qytetarët grekë.
Dikur, certifikatat e shtetasve shqiptarë në mërgim ishin të vlefshme dhe të pranueshme për administratën greke kur merrnin vulë dhe firmë nga konsullatat shqiptare në Greqi. Ajo kohë, për ambasadën dhe konsullatat shqiptare në Greqi (dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme) ishte “kohë korrjesh me autokombajnë”. Në këtë periudhë ambasada shqiptare në Athinë doli nga ndërtesa e saj (pallat-apartament) në Kolonaq ku sa hyje ndjeje erën e groshës, peshkut e gjellëve të tjera të familjarëve në katet e sipërme, dhe hodhi themelet e krijoi mjedise në një lagje në Filothei. Ndërtimi, mobilimi, pajisja me të gjithë mjetet e nevojshme u bë nga mbledhja e parave për çdo vulë mbi dokumentet e mërgimtarit.
Ndodhi ajo e “zakonshmja”. Nëpunësit e konsullatave filluan allishverishet, vulosjen e dokumenteve  të fallsikuara, dokumente që sajoheshin në Omonia të Athinës e që në pazare të sekserëve me nëpunësit, xhepat e të dy palëve fryheshin.
Korrupsioni ishte hapur, në dritë të diellit, fiksuar në gazetat në mërgim dhe nga emisionet investigative në Tiranë. Një gazeta në shqip në Athinë fliste me emër e mbiemër për një konsull “Shejk”.
Kjo nuk kishte si të mos binte në sy të autoriteteve greke të cilët e donin “shatin” ta tërhiqte paranë pas vetes. Ata dhanë alarmin dhe konsullatave tona në Greqi iu mohua e drejta e legalizimit të dokumenteve. Kjo e drejtë i kaloi konsullatave greke në Shqipëri.
Për disa dokumente që mua (dhe mbi njëqind mijë shqiptarëve në Greqi), dokumente që lidhej me një lloj pensioni nga OGA (?!) për të gjithë ata që kanë kaluar moshën 67 vjeç dhe kanë të ardhura të ulëta, duhej që certifikatat familjare dhe të ardhurat nga pensioni, pasi të firmoseshin dhe vuloseshin në Prefekturë dhe në Ministrinë e Jashtme të kalonin për tu legalizuar në konsullatat greke në Tiranë, Korçë apo Gjirokastër, shoqëruar me një “çek” prej 30 euro për çdo dokument nëpërmjet bankës greke në Shqipëri “Alpha bank”.
E dini se sa euro kanë hyrë në bankën greke për llogari të shtetit grek? Me 60 euro për çdo aplikim (çdo pëson dy dokumente) i bie më se mbi 6 milionë (për 100.000 aplikues)
Sikur këto para të futeshin në llogari të shtetit shqiptar atëherë shkolla shqipe në mërgim (një pjesë të kësaj shume) do të kalonte për mësuesit vullnetarë, deri sot (16 vjet jetë) pa asnjë lloj shpërblimi material e moral, do të ecte në rrugë të mbarë duke ndihmuar në mos shuarjen e gjuhës shqipe në brezin e dytë të mërgimtarëve.
Personalisht, në të gjitha rastet që jam paraqitur pranë gjendjes civile për të kërkuar dokument identiteti, nuk kam pritur më shumë se 10-15 minuta.
Kryeministri ynë, në mbledhjen e parë të qeverisë, foli për “lehtësimin e procedurave me certifikatat që lëshohen nga Gjendja Civile.”
Le të lehtësohet, madje deri atje sa ta marrë secili nga shtëpia certifikatën nëpërmjet internetit, në mos kjo, nëpërmjet konsullatave tona në botë.
Problemi nuk shtrohet tek fleta fizike e certifikatës, por tek vula në fund të faqes së saj.
Kryeministrin ynë nuk thotë që vula në certifikatë, dhe në çdo dokument të administratës së tij, sot e në të ardhmen do të jetë vulë që do të njihet nga shteti grek (në rastin e mbi pesëqind mijë mërgimtarëve legalë) apo shtete tjerë.
Kjo pritet nga mërgimtarët, më se një e treta e shtetasve të Republikës së Shqipërisë në vende të ndryshme të botës.
Pajisja e mërgimtarëve me dokumente ka qenë dhe është një nga maratonat më të lodhshme dhe më të kushtueshme.
Dhe kjo sepse shtetit tonë i ka “humbur vula”…

Abdurahim Ashiku

Athinë, 13 shtator 2017

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.