Bujar Karoshi bë njëmesazh shënuar për Abdurahim Ashikun

0

Sot, miku dhe bashkëpunëtori ynë, Abdurahim Ashiku feston 75-vjetorin e lindjes. Duke i uruar edhe 100 vite të tjera të lumtura, po ribotojmë parathënien e botimit të parë të serisë “Njerëz që i dua”, botuar në vitin 2007 nga Botimet M&B.

“Dashuria është më e fortë se urrejtja. Urrejtja shkatërron, kurse dashuria ndërton, prandaj ajo është më e fortë” – është një thënie e P. Abrahams, që të vjen vetvetiu në mendje, sapo mbaron së lexuari librin me publicistikë të Abdurahim Ashikut.
Shumëkush prej lexuesve, ashtu si unë, e kujtojnë gazetarin dibran që ka dhënë dhe jep një kontribut të madh në shtypin e shkruar. Ai punoi në Dibër, në një terren të vështirë të përcjelljes së informacionit dhe mendimit kritik. Ai ishte korrekt me lajmin dhe i qartë në opinion, por realiteti që e rrethonte ishte mbytës e kërcënues. Kështu, 20 të shkuara, u detyrua të largohej në Athinë, jo si shumë emigrantë të tjerë për bukën e gojës, por që të shpëtonte nga realiteti që e rrethonte, për t’i shpëtuar urrejtjes e smirës, të cilat nuk kishin lënë vend për dashuri në atdheun e tij.
Por fati e takon me një taksist “alvanos”, i cili i thotë: “Na jeshëm skipëtarë një qind për qind, po greku na thithi. Nuk na la të vazhdonim skolinë dhe nuk mundëm me mësue dhe me shkrue gluhën tënë. Edhe juve kështu do t’ju ndodhë. Fëmijët tuej nuk e mësojnë gluhën e mëmës, nuk kanë disirë të këthenenë në Skipëri, do bënenë grekër si na…”. Dhe kjo këshillë e këtij “shqiptari” 100% i tregojnë Abdurahimit brengën, shqetësimin dhe mallin për familjen e tij e për Shqipërinë…
Që nga ajo ditë “një flamur të vogël kuq e zi e mban te koka e krevatit”.
Duro do t’i përkushtohej veprimtarisë publicistike. Në shtypin e shkruar për emigrantët, në Shqipëri dhe në Athinë, ai do të shkruajë për dhjetëra e qindra emigrantë, për hallet e tyre, problemet, sukseset, vështirësitë, gëzimet, dashuritë, pasionet, jetën e përditshme, ëndrrat, dëshirat, mirësitë, duke u ushqyer atyre dashurinë për njerëzit dhe për atdheun. I takon në kafe, u shkruan e-maile, flet në telefon, u kujton vendlindjen, malet, fushat…U shkruan me pasion e dashuri, sikur të ishin fëmijët e tij… Ai i merr emigrantët dhe i çon larg, shumë larg në vendlindjen e tyre. I ngjit në Bogë, në ato pllaja të mrekullueshme ku vetëm një here ka qenë në jetën e tij, pastaj i çon më larg, në luginën e Valbonës, duke i nanurisur me shkumëzimin e atij uji të kthjelltë e të ftohtë. I ngjit grykave të ngushta, i fut në Shpellën e Dragobisë dhe i ngrin bashkë me krushqit e legjendës në një pllajë malore të Bjeshkëve të Namura ku Zanat, Muji dhe Halili kanë bërë rrënjë në legjendën e madhe shqiptare. Më tej i zbret butë-butë, si të shkel në një shilte mbushur me lesh deleje rude, fushës së bukur të Kosovës… Pastaj i ngjit në Korab, në zemër të tij, atje ku ujërat e dëborës shkrijnë në burime të ftohta, mblidhen e humbasin midis shkëmbinjve për të dalë diku në bjeshkët e Radomirës, duke formuar Veleshicën ujë pastër.
Ngjitet në Gramë, në Bjeshkën e Zonjave, merr me vete blegërimat e deleve dhe qengjave, fluturon mbi Drin e ndalet në malet e Lurës, në Gjagjisht e Runjë, për të pirë ujë krojeve e për t’u çlodhur me pamjen e zambakëve të Liqenit të Luleve në sy. Pastaj, si manar, u ngjitet maleve dhe bjeshkëve të Jugut. Udhëton maleve të Skraparit, të Qafë – Devrisë, të Gjerbësit, Melovës e Rehovës, që në sy kanë Tomorrin e lashtë dhe malet e Korçës e të Pogradecit, tutje pyllit të majave shkëmbore. Ngjitet edhe në Kuç, Kallarat, Bolenë e Tërbaç, luginës së bukur të Shushicës. Ulet në breg të liqenit të Pogradecit e bredh fushës së Korçës, asaj treve që ka ngjizë në shpirtin e të riut dhe plakut gëzimin që sjell melodia e kitarës…
Në mënyrën e të shkruarit të Abdurahim Ashikut vihet re një rilindje e tij. Ashtu si rilindësit tanë që krenoheshin me bukuritë e Shqipërisë dhe, nëpërmjet saj, u bënin thirrje shqiptarëve të punonin e kontribuonin për vendin e tyre, edhe ai kërkon të bëjë të njëjtën gjë, duke u rritur emigrantëve dashurinë për atdheun dhe gjuhën shqipe…
Kur e takova para pak kohësh, kishte ardhur në një seminar që organizohej me mësuesit e gjuhës shqipe në botë, mes të cilëve ishte dhe ai. Duro filloi të më tregonte për jetën e tij të re në Athinë, për punën, familjen, gazetarinë, për bashkëpunimin e tij me gazetën “Emigranti”, por më shumë më foli për “profesionin” e ri të të mësuarit të ABC-së fëmijëve të emigrantëve. Vështirësitë, problemet, pengesat… Ato çaste mu duk një Rilindas i shekullit të ri…
Në këtë libër gjithë “dashuria” e tij nuk njeh diferenca në të shkruarin. Me të njëjtën dashuri ai ka shkruar për artistin, doktorin, shkencëtarin, emigrantin, qytetarin grek…
Në faqet e këtij libri përshkruhen me dashuri Vangjeli, shoku grek i klasës në shkollën e mesme, Kureasi, Fiqreti, Agroni, Alketa, Foto, Kesnofoni, Brunilda, Ana, Vasilika, Vojsava, Englantina, Afrimi, Aleksi, Eqeremi, Lindita, Fehmiu, Grigori, Kastrioti, Jorgji, Lefteri, Mario, Novruzi, Panajoti, Ramazani, Gjergji, Kola, Mondi, Durimi, Nikolla, Lulëzimi, Alekoja, Levisi, Serafina, ashtu si dhe portretet e intervistat e personaliteteve si Kadri Roshi, Dritëro Agolli, Afrim Agalliu, Muhamet Liko, Agron Hamo, Sabri Fejzullahu, Cekes e shumë e shumë të tjerëve…
Të gjithë këto personazhe i bashkon në librin e Duros ndjenja njerëzore e dashurisë, mirësisë dhe respekti për njerëzit e Atdheun.
Ai kujton me dhimbje edhe Fitimin, Pirron, Ilmiun, si një dëshmi të tranzicionit të vështirë shqiptar… Dhimbje të cilën Duro e jep të gjallë te çdo fytyrë nëne, gruaje, motre, te çdo tregim i kësaj përmbledhje publicistike.
Kur mbaron së lexuari librin, çdonjëri prej nesh zbulon një dimension të ri të jetës: dashurinë për njeriun, atë dashuri që Abdurahimin e ka shndërruar në një Rilindës Modern.
“Ata që dashurojnë deri në fund, nuk plaken kurrë – thotë B. Franklin. Ata mund të vdesin nga pleqëria, por vdesin të rinj”.

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.