Bien akuzat për policin Avdulaj

0

Renaldo Avdulaj, efektivi i policisë së Vlorës i shpallur në kërkim policor nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si i implikuar në trafikun e drogës me grupin e Taulant Haxhiraj, nuk do të hetohet dhe gjykohet si pjesë e këtyre grupeve kriminale por do gjykohet veccmas në Gjykatën e Vlorës për “Shpërdorim detyre”. Vendimi për të ndarë Avdulajt nga pjesa tjetër e të pandehurve të dosjes së prokurorisë ku ai ishte pjesë e këtij grupi kriminal, është marrë në seancën paraprake që është zhvilluar në Gjykatën e Krimeve të Rënda.
Gjyqtarja Ilirjana Olldashi në seancën paraprake, ku ka vlerësuar provat e prokurorisë, ka pranuar të mirqënë hetimin e dy prokurorëve Vladimir Mara dhe Ended Nakacci për Taulant Haxhiraj, Xhovalin Baco, Shkelqim Koçiaj, Reshat, Radhima, Marjus Barjami, Klajdis Imeri, Anis Pajo.
Ndërsa për ish-specialistin e hetimit të krimit Ekonomik në policinë e Vlorës, gjyqtarja, Ilirjana Olldashi, ka vendosur që polici të mos akuzohet për kultivim dhe prodhim të lëndëve narkotike kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, por ai të akuzohet për “Shpërdorim detyre”. Menjëherë pas këtij vendimi prokurorët e cështjes tashmë do shpallin moskopetencën hetimore për rastin e Avdulajt dhe cështja ndaj policit të shpallur në kërkim për më shumë se një viti, do i kalojë për veprime të mëtejshme gjykatës së Vlorës, ku Avdulaj do gjykohet për “Shpërdorim Detyre”.
Prokurorët e dosjes thanë se vendimi i gjykatës në seancën paraprake është i pabazuar në ligj dhe prova, por në pamundësi ligjore për ta ankimuar këtë vendim do e respektojnë verdiktin e gjyqtares Olldashi. “Këto janë pasojat e ligjit. Një gjyqtare e vetme vlerëson për gjysëm ore hetimin dhe punën e një prokurori që ka kryer për një vit me rradhë.
Ne ishim të bindur në prova konkrete që Avdulaj, kishte parcelë droge në fshatrat e Vlorës dhe se ishte pjesë e këtij grupi kriminal, që drejtohej nga Taulant Haxhiraj”-thonë prokurorët. Mirëpo pavaërisht ngritjes së akuzave të tyre kundër Avdulaj, tashmë këto akuza janë rrëzuar nga gjyqtarja Olldashi dhe se pritet që shumë shpejt ish-polici i implikuar në kultivimin e drogës, do gjykohet vetëm për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.
Konkretisht Taulant Haxhiraj, është personi kryesor që organizon veprimtarine kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike cannabis sativa dhe në fushën e shitjes dhe tregtimit të lëndëve narkotike të forta. I pandehuri Haxhiraj, siguronte mbrojtje për bashkëpunëtorët e tij, duke qenë se ai kishte lidhje me inspektorin e Policisë të pandehurin Rinaldo Avduli dhe efektivë të tjerë policie të paidentifikuar ende nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Hetimet kanë provuar se Renaldo Avdulaj kishte në përdorim 6 numra celularë ndërsa, Haxhiraj 7 të tillë.
Avduli, i cili dyshohet se zotëronte edhe vetë një parcelë të mbjellë me kanabis është përgjuar të paktën katër raste duke dekonspiruar përpjekjet e kolegëve të tij policë për të gjetur prova për grupin e mësipërm. Procesverbali i transkriptit të një bisede telefonike të kryer më 7 gusht 2016 mes Haxhirajt dhe Avdulit, i cili përshkruhet në kërkesën për gjykim, ekspozon përpjekjet e punonjësit të policisë që bashkëpunëtori i tij në kultivimin e kanabisit të mos binte pre e një agjenti të infiltruar.
“Po erdhi nonjë nga Kruja atje mos e qas as për kafe as për tutje…Nonji i panjohur krutan,” mësohet t’i ketë thënë Avduli Haxhirajt përmes telefonit. Sipas Prokurorisë, biseda lidhej me përpjekjen për të infiltruar një agjent të policisë si blerës kokaine dhe kanabisi brenda grupit të Haxhirajt.
Insistimit të këtij të fundit për të mësuar arsyet, Avduli i është përgjigjur: “Mos e qas thashë se është nga tanët…”. Implikimi i punonjësve të policisë në fenomenin e kultivimit masiv të kanabisit gjatë vitit 2016 ka qenë një ndër çështjet më të debatuara të politikës gjatë dy viteve të fundit. Për këtë arsye, një numër i madh drejtuesish të policisë në rrethe u ndryshuan në pranverën e vitit 2017, ndërkohë që ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka premtuar “vettingun” në polici për ta adresuar këtë çështje.

Share.

About Author

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.