Ben Blushi në Athinë erdhi me gojë…pa veshë

0

Në vend të një letre të hapur deputetit Ben Blushi…

…I thashë se në hapësirën kohore nga 7 marsi i vitit 2001 (kohë kur ai ishte ministër) e deri sot asnjë pushtetar shqiptar (president, kryeministër, ministër, deputet, nëpunës i ministrisë së jashtme apo ministrisë së arsimit) nuk ka qenë i pranishëm në asnjë klasë të shkollimit shqip të fëmijëve në Greqi.
…Prita që më 7 mars deputeti Ben Blushi të ngjitet në podiumin e Kuvendit dhe të flasë për rilindësit e rinj të gjuhës shqipe në Greqi, rilindës në një vend ku gjuha shqipe ka qenë në majën e thikës dhe mbi prushin e këndellur të qarqeve të njohura dashakeqëse të saj.

Ben Blushi të dielën e fundit të shkurtit ishte në Athinë. Erdhi më se një orë me vonesë çka u dha një ngjyrë mavi fytyrave që e prisnin në një nga sallat e leksioneve të Akademisë së Greqisë. E justifikuar sepse nuk është i vetmi. Ka ndodhur edhe me Edi Ramën dhe me të tjerë që harrojnë orën në Tiranë, harrojnë që Greqia është një “orë përpara” (jo vetëm në kohë astronomike).
Erdhi me “Kandidati-n” në diku te dhjetë duzina kopjesh që u shitën me “çmim Greqie”, pa faturë.
Këto po i lë mënjanë. Gjë e zakonshme që nuk hyn në sy sepse “syri është mbushur plot”.
Ben Blushi erdhi, siç tha, si autor i librit dhe deklaroi se nuk do të fliste për politikë megjithëse recitimet e disa pjesëmarrësve (ndonjëri i tha se je “Kadare i Dytë”) e sollën politikën në rrung e trung çka kronistët televizivë në lajme “flash” asaj do t’i mëshonin.
Edhe këto po i lë anash…
Atë që nuk mund ta lë dhe më shqetëson është se pushtetarët tanë, që nga rang presidenti, kryeministri, ministri e thjesht deputeti, tash një çerek shekulli vijnë në mërgatë vetëm me njërën zgavër të kokës, vetëm me gojë. Vetëm flasin. Nuk dëgjojnë, nuk shikojnë, nuk nuhasin. Flasin e flasin pa u lodhur. Premtojnë e premtojnë sa kapin qiellin. Kritikojnë e kritikojnë sa zhveshin edhe dushkun në zabel.
Kjo do të ndodhte edhe me Ben Blushin. Ai do të fliste për Basenin, Kadim Sedinin e vdekur…heronj të romanit të tij që me ndonjë ndryshim vendi të germave janë… të gjallë.
Folën edhe disa lexues. Nga ata që e kishin lexuar romanin dhe nga ata që sapo e kishin marrë në dorë dhe në hapësirën boshe të pritjes dhe të recitimeve kapën diçka.
Folën edhe për problemet e mërgatës shqiptare, probleme që lidhen me kontributin maksimal financiar në adresë të vendlindjes (para disa vitesh flitej për rreth një miliard euro postime-remitanca) dhe për kontributin zero të shtetit shqiptar në vlerë të mbështetjes së emigrantëve për qendër kulturore në Athinë…për mësimin e gjuhës shqipe nga fëmijët e mërgimtarëve në Greqi e të tjera.
Mu dha rasti që të flas edhe unë.
Iu drejtova zotit Blushi si gazetar i “Koha jonë”, kohë kur firma e tij nga Tirana dhe imja nga Dibra, qëllonin të ishin në të njëjtën faqe.
Iu drejtova si ish ministër i Ministrisë së Arsimit  dhe Shkencës në vitet 2001-2002.
Iu drejtova edhe si deputet i shumicës kuvendare të Shqipërisë.
Nuk fola si bashkë gazetar për faktin se “Koha jonë” u dogj dhe zjarrvënësit vazhdojnë të djegin pa u shqetësuar.
U ndala paksa gjatë me Ben Blushin, ministër i arsimit kohë që përkon me një ngjarje të madhe për mërgatën shqiptare në Greqi dhe për arsimin shqiptar në gjerësi.
I thashë se pas një jave (atë ditë kalendari shënonte 28 shkurt) do të festohet 15 vjetori i hapjes së shkollës së parë shqipe në emigracion, Shkollës Shqipe të Selanikut, më 7 mars 2001, kohë kur ai ka qenë ministër.
I thashë se në librin “Shkolla Shqipe e Selanikut” përshkruhen në gjinitë e ndryshme të publicistikës 21 mësues që në këto 15 vjet u kanë mësuar më se njëmijë fëmijëve të shkruajnë, lexojnë e këndojnë në gjuhën e bukur shqipe.
E vazhdova gjeografinë e shkollimit shqip të fëmijëve që nga Kavalla e deri në Arta, që nga stereja e deri në ishujt e Egjeut, dokumentuar në librat “Rilindësit e kohës sonë” dhe “Shkolla shqiptare e Athinës”.
I thashë se bashkërisht, në 1100 faqe  janë përcjellë portretet e 67 mësuesve shoqëruar me 410 fotografi e dokumente të cilat flasin për një punë rilindëse (jo të asaj partiake) të një brezi mësuesish atdhetarë në Greqi që sakrifikojnë fundjavën për tu mësuar pa asnjë shpërblim fëmijëve gjuhën e Nënës Shqipëri.
I thashë se në hapësirën kohore nga 7 marsi i vitit 2001 (kohë kur ai ishte ministër) e deri sot asnjë pushtetar shqiptar (president, kryeministër, ministër, deputet, nëpunës i ministrisë së jashtme apo ministrisë së arsimit) nuk ka qenë i pranishëm në asnjë klasë të shkollimit shqip të fëmijëve në Greqi.
E ftova që atë ditë të shkonim në Shkollën Shqiptare të Athinës (ishte ditë mësimi), të shikonte klasat, të takonte nxënësit dhe prindërit për tu bërë i pari deputet i Kuvendit të Shqipërisë i fotografuar midis tyre.
I dorëzova me përkushtim librat “Rilindësit e kohës sonë”, “Shkolla shqiptare e Athinës” dhe “Shkolla shqipe e Selanikut”.
I kërkova ndjesë se nuk më ndodhej me vete CD-ja me filmin dokumentar “Vera-mësuesja e dy ishujve” bashkautorësi me gazetarin televiziv Arian Melonashi, film i cili kishte në qendër të vet mësuesen Vera Shkurti e cila pasi mblodhi 72 fëmijë në ishullin e Tinosit kapërceu detin për më se një orë e gjysmë dhe bëri të njëjtën gjë në ishullin e Sirosit. U mësoi dhe u mëson fëmijëve si ta shkruajnë, lexojnë dhe këndojnë gjuhën shqipe.
I thashë se këtyre mësueseve që Dritëro Agolli i ka quajtur “Rilindës të kohës sonë”, deri atë ditë nuk u është dhënë qoftë edhe një fletë nderi e thjeshtë le pastaj ndonjë dekoratë apo shpërblim monetar për punën e bërë. Mësuesit nuk janë edhe thjesht emra të përveçëm në amzën e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve të Republikës së Shqipërisë.
Duke ia dorëzuar ato i kërkova që si deputet, si ish ministër, të ngrihej më 7 mars 2016 në podiumin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe në bazë të nenit 81 të Kushtetutës së Shqipërisë, në emër të mësuesve të hidhëte për diskutim një projekt ligj të përgatitur nga ne për mësimin e gjuhës shqipe në mërgatë, me këshillën që paraprakisht të shikonte ligjin e miratuar për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë nga Kuvendi i Kosovës dhe udhëzimin administrativ të Ministrisë së Arsimit dhe Teknologjisë së Kosovës….
…Kur mora nënshkrimin për librin e tij “Kandidati” e pyeta në se dëshironte të shkonim në Shkollën Shqiptare të Athinës apo në se donte të takohej me disa mësues që atë ditë kishin ardhur në atë takim.
Më tha se kishte axhendë tjetër…
Dhe axhenda ishte një drekë para nisjes, çka më kujtoi një mesele të vjetër dibrane “Shkova, pashë, hëngra”…

*                 *                 *

Prita që më 7 mars deputeti Ben Blushi të ngjitet në podiumin e Kuvendit dhe të flasë për rilindësit e rinj të gjuhës shqipe në Greqi, rilindës në një vend ku gjuha shqipe ka qenë në majën e thikës dhe mbi prushin e këndellur të qarqeve të njohura dashakeqëse të saj.
E kam parë gjithë këto ditë të dalë ekraneve të vegjël të të gjithë kanaleve televizivë kombëtarë e jo kombëtarë, faqeve të para të të gjitha gazetave dhe portaleve në kërkim të postit të kryetarit të Partisë Socialiste.
Punë e tij…
Mësova se Ben Blushi ka bërë një libër të ri…”Letër një socialisti”.
Them se Ben Blushi kishte kohë të mjaftueshme (për 12 ditë ka bërë “Kandidati-n”) të bënte një libër me titull “Mësuesit e harruar të gjuhës shqipe në Greqi”.
Në qoftë se i ka ngelë diçka në vesh nga ai takim më 28 shkurt 2016 në Athinë ka kohë ta bëjë. Ka hapësirë që me të në dorë të ngjitet në podiumin e Kuvendit dhe në karriget e mediave televizive të flasë. Pse jo edhe të bërtasë.
Të bërtasë fort duke qenë i pari ligjvënës në Shqipëri që kur vjen midis mërgimtarëve, vjen jo vetëm me gojë por edhe me veshë, edhe me sy, edhe me kokë…
Ben Blushi kërkon të bëhet kryetar i Partisë Socialiste. Kryetar pa votën shpirtërore të emigrantëve shqiptarë në mbarë botën është gjysmë kryetar, “gjysmagjel”.

 

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.