Autobusë “blu” me 600 votues drejt Dibrës ?!

0

Opinion

Bënë  gabim? Jo. Dhanë një mesazh për Kuvendin e Shqipërisë…

U pohua dhe u përcoll në efir në të gjithë botën deklarata e një deputeti të së majtës që “tetë ditë” në “shtatë ditë e net të javës” del e lëçit bëma të ndryshme për kampin kundërshtar.
Deputeti deklaroi se më 11 shtator 2016, për të mbështetur kandidaturën e Sherefedin Shehut për kryetar të Bashkisë së Dibrës, janë nisur nga Kamza një duzinë autobusësh në ndenjëset e të cilëve ishin gjashtëqind votues… Autobusët si pikë fundore kishin zonat e Dardhës, Reçit, Sllovës, Kalasë së Dodës etj. Shpenzimet për transportimin e tyre deputeti ia ngarkoi kryetarit të Bashkisë së Kamzës Xhelal Mëziu, i pranishëm gjatë gjithë periudhës gusht-shtator në mbështetje të zotit Shehu.
Deputeti sa e shpalosi këtë fakt në katër-pesë sekondat e lëçitjes, u tërhoq menjëherë duke e deklaruar si gjë e ligjshme. Kjo, në kushtet kur votuesit ishin banorë të këtyre zonave dhe gëzonin të drejtën e votës.
Kaq u tha dhe fjalët e tij i mori era si të mos ishin thënë kurrë e si të mos kishte ndodhur asgjë.
Kjo kaloi lehtë në rastin kur e majta fitoi me numër të madh votash në favor të kandidatit të saj Muharrem Rama.
Sikur të kishte ndodhur e kundërta, sikur Sherefedin Shehu të kishte fituar postin e kryetarit të Bashkisë së Dibrës, lëçitja do të shndërrohej në një seri deklaratash përmasat e të cilave do të krijonin një klimë krejt të kundërt me atë që ka ndodhur dhe vazhdimisht po ndodh me akuzat e sharjet më të mëdha që janë parë e dëgjuar ndonjëherë ndaj Dibrës dhe Dibranëve.
Nuk ndodhi, ndaj kjo ngjarje u kalua në heshtje, kur duhet të ngjitej e bënte vend jo vetëm në median e shkruar dhe atë pamore por edhe të shndërrohej në një debat kuvendar e të vihej në hapësirën e një pike të veçantë në Kodin Zgjedhor.
Në Shqipëri ka tash më se një dhjetëvjeçar që flitet  për votën e emigrantëve, votën e rreth një të tretës së shqiptarëve që jetojnë, punojnë e banojnë në Greqi e Itali (më e afërta) dhe më tej në Evropë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Australi etj. Të gjithë ata (edhe unë bashkë me ta) janë votues në qytete e qendra të banuara nga jugu në veriun e vendit, votues që nuk e kanë ushtruar shumë gjatë (unë kam që nga maji 1996) të drejtën e votës.
Është folur e shkruar për autobusët dhe avionët që me shpenzimet e partive politike (që kurrë nuk janë bërë transparente) sillen e përcillen në Shqipëri, për të votuar për njërën apo tjetrën forcë politike në zgjedhjet kuvendare apo ato vendore.
Është lëçitur faqeve të gazetave e lajmeve televizive për “votim elektronik” të emigrantëve, por kurrë nuk është bërë asnjë hap për ta bërë fjalën vepër e për tu dhënë mundësi mërgimtarëve të jenë pjesëmarrës në vendimmarrjen për të ardhmen e Atdheut të tyre.
I miratuar në 19 shkurt 1996  dhe i botuar në gazetën zyrtare më 9 mars 2016, ligji 14/2016 “Për identifikimin dhe regjistrimin e adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”
parashikonte që brenda 6 muajve (nga 9 marsi) të gjithë emigrantët të japin adresat ku jetojnë, por deri sot nuk është regjistruar as edhe një i vetëm.
Kryeministri Rama do të deklaronte se me këtë “i hapim rrugë pas 25 vjetësh mundësisë së çdo shqiptari, jo vetëm brenda por edhe jashtë, për ta trajtuar atdheun në radhë të parë si hapësirën  ku ka të drejtën kushtetuese për të vendosur me votën e tij”.
Ndërsa ministri Tahiri do ta quante regjistrimin e emigrantëve  “kontrata jonë patriotike”.
Deri sot, megjithëse kanë kaluar  më se 6 muaj, askush nuk është regjistruar mbi bazën e këtij ligji.
E drejta e votës është një detyrim kushtetues, detyrim që shteti duhet ta garantojë për të gjithë personat e regjistruar në listat e votimeve kudo që ndodhen.
Veçanërisht kjo është lehtësisht e kapshme për votuesit banues në Shqipëri, banues në Tiranë, Durrës, Lezhë etj., votues emri i të cilëve figuron si votues në fshatin e lindjes kudo qoftë ai, nga Konispoli në Vermosh.
Ka një praktikë të tillë në një vend në kufi tokësorë të Shqipërisë në distancën prej 700 kilometrash nga dy kryeqytet, nga Tirana në Athinë.
Greqia, me ligj të veçantë i “detyron” qytetarët e vet të votojnë atje ku kanë gjendjen civile ku emri i tyre figuron në listat e votimeve në periferi, në qendra të banuara  shumë larg vendit të punës e të vendit të banimit. Greqia për efekt edhe të shpërndarjes së votave në të gjithë hapësirën e saj gjeografike nuk i ka lejuar qytetarët e vet të “shpërngulen nga fshati”. Ata janë qytetar të Athinës (tash drejt 6 milionë banorëve) ose të qyteteve të tjera, por qendrën e votimeve e kanë në fshatin apo qytetin e lindjes.
Në ditët e votimeve kuvendare apo vendore, shteti grek u siguron votuesve mjetet e udhëtimit (autobusë, tragete etj.) Shteti mbulon të gjitha shpenzimet e udhëtimit për çdo votues.
Një votues, në qoftë se nuk shkon për të votuar duhet ta vërtetojë mos shkuarjen me dokumente justifikuese ligjore. Në të kundërt përballet me sanksione.
Ky shembull mendoj se duhet të kishte tërhequr me kohë vëmendjen e Kuvendit të Shqipërisë për ta futur si nen të veçantë në ligjin për zgjedhjet qendrore apo vendore dhe ta mbështeste financiarisht.
Shqipëria aspiron të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, anëtare me të drejta të plota e me detyrime pa asnjë dallim me vendet e familjes Evropiane.
Krijimi i hapësirave që secili qytetar shqiptar të votojë për partinë apo për individin në garë për deputet apo kryetar bashkie është një detyrim kushtetues dhe barra që ai ta realizojë këtë është përgjegjësi e shtetit. Në shpenzimet për zgjedhjet duhet të parashikohet edhe dërgimi dhe kthimi falas i të gjithë votuesve në qendrën ku janë të regjistruar e ku duhet të shprehin vullnetin e tyre demokratik.
Për emigrantët duhet të krijohen hapësira ligjore votimi, në mënyrë elektronike apo, për hapësira të afërta si Greqia apo Italia, edhe me transportim falas, shpenzim i parashikuar në ligjin zgjedhor. Mënyra e deritanishme e transportit partiak me autobusë, vetëm në krahinat kufitare me Greqinë (Gjirokastër, Sarandë, Përmet, Tepelenë, Kolonjë, Korçë etj.) jo vetëm se është e gabuar por është selektive, në mos dasi gjeografike.
Në zgjedhjet vendore të 11 shtatorit 2016 në Dibër u vu re një shtim i votuesve si asnjëherë më parë, në veçanti i votuese femra. Një analizë për këtë, me të dhëna nga terreni, është i domosdoshëm për të krijuar praktika ligjore për të ardhmen.
Dibra dha shumë mësime. Çështja është që ata të lexohen pa pasione partiake.

Abdurahim Ashiku

Athinë, 18 shtator 2016

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.