‘Armiku’ i pushtetit të Ramës s’është LSI, por modeli i plaçkës së ndarë

0

Nga Mero Baze

Thirrja e Edi Ramës për të mos votuar partitë e vogla që copëzojnë pushtetin, duket se ka në qendër të saj Lëvizjen Socialiste për Integrim, dhe disa nga partitë e tjera në koalicion me të, por në të vërtet sfida e Edi Ramës është diçka përtej kësaj.

Një nga problemet serioze që ka pasur qeverisja e këtyre katër viteve, por dhe ajo e 2009-2013, është fakti që, administrata qëndrore shqiptare, sidomos agjensitë shtetërore, janë dëmtuar rëndë në rekrutimin e njerëzve, nga fakti se ato janë dhënë si shpërblim për partitë e vogla, të cilat kushtëzonin pushtetin.

Disa muaj më parë një i afërmi im u identifikua me një sëmundje të rëndë, që disa vjet më parë ka qenë e pashërueshme. Aktualisht jo vetëm që është prodhuar një ilaç, por Ministria e Shëndetësisë, në mënyrën më shembullore të mundëshme, e ka vendosur atë në barnat e rimbursueshme. Kalvari në të cilën unë kalova të rakordoja dy agjensi, që merren me shëndetin publik në Shqipëri, ishte një ferr i vërtetë.

Atë që ta jepte ligji dhe Ministria e Shëndetësisë, ta bllokonte agjensia që merrej me Sigurimin Shëndetësor dhe kur ta lironte ajo, ta bllokonte Agjensia e Shëndetit Publik. Kur i zgjidhje të gjitha, nuk të bënin analizën se kishte radhë…! Pastaj të thoshnin se të takon gjysma e rimbursimit se je student, e të tjera sorollatje të frikshme…!

Sikur të mos ishte beteja ime e përditëshme personale, (mundësi që nuk e ka një qytetar i thjeshtë), për një ilaç që qeveria ia ka siguruar qytetarit me ligj dhe është ndër vendet e pakta të Evropës që e ka bërë këtë, kjo gjë nuk do të funksiononte dhe ai tani mund të ishte i vdekur. Të dyja agjensitë që përmenda, drejtohen nga njerëz të dy partive të vogla, të cilët me sa duket përgjojnë njëri-tjetrin duke parë faturën e rimbursimit.

Dhe për ta bërë më dramatike këtë situatë, qeveria ka futur në listë rimbursimi një ilaç për tumorin e mushkërive, që ka së paku një radhë pacientësh që mezi e presin, dhe lista bllokohet nga Ministria e Drejtësisë (hajde merre vesh), pasi ka konstatuar se një importues ilaçesh nuk është i kënaqur nga lista. Tmerre të tilla duhet të marrin fund.

Të tilla si këto janë dhe shumë agjensi të rëndësishme në vend, të cilat realisht janë kontakti i drejtëpërdrejtë i njerëzve me pushtetin.

Nëse ky vend duhet që një ditë të rregullohet, ligji i Nëpunësit Civil duhet të paktën të jetë real për këto agjensi. Edi Rama duhet të parashikojë që agjensitë e pavarura zyrtare duhet të kenë kritere të rrepta për njerëz profesionistë, të cilët nuk mund të jenë oferta lekësh për kryetarë partish, që u vënë kuota mujore dhe ata pastaj shkatërrojnë njerëzit që përplasen në ato dyer.

Nuk është e sigurt se po të vësh në krye të tyre socialistë apo demokratë, nuk janë hajdutë, por e sigurtë është që t’i mund t’i ndryshosh ata, nëse e shikon se janë të tillë, nëse u përkasin partive të mëdha që qeverisin. Problemi është kur ato jepen si shpërblim për partitë e vogla dhe degradojnë gjithë sistemin në tërësi.

Prandaj Edi Rama para se të kërkojë një shumicë në pushtet që të mos jetë në dorë të shantazhit partive të vogla, është më mire të premtojë solemnisht se në krye të agjensive më të rëndësishme në vend, ku përfshihen ato të shëndetësisë, të bujqësisë, të hipotekave, të ALUIZNI-t, të sigurisë ushqimore dhe hidorkarbureve, duhet të vendosë profesionistë jo politikë, të cilët duhen mbështetur dhe mbrojtur me kuadër të fortë ligjor për t’i vënë në vijë ato institucione.

Ato praktikisht janë pushteti real i një qeverie, pasi ato përplasen me njerëzit dhe deformimi i tyre është një gjobë e rëndë edhe për pushtetin.

Është e pafalshme që qeveria të bëjë një kuadër ligjor shumë të mirë pro një të sëmuri me sëmundje të rëndë dhe ai të ngelet në dorë të dikujt që e ka mendjen tek përqindja që duhet t’i japësh ti nga fatura, duke i përplasur derën në fytyrë të sëmurit të pashpresë. Është e pafalshme që një qytetari t’i takojë e drejta për të marrë hipotekën e shtëpisë dhe të mos ketë shans as të aplikojë, e kështu me radhë për ribursimin e bujqësisë, cilësinë e naftës etj.

Beteja reale që duhet të bëjë Edi Rama, nuk janë insinuatat për LSI, apo partitë e vogla, që e kanë shantazhuar në këtë drejitm, por premtimi solemn, se, agjensitë shtetërore nuk do të jenë pjesë e pazareve politike për ndarje plaçke pas 25 Qershorit.

Mënyra se si PD, pas 2009 dhe PS pas 2013 i shpërndau ato, kanë prodhuar realisht një sistem gjobëvënës në politikën shqiptare, ku për votën e një deputeti, pushteti shet shërbimet që duhet të japë ndaj mijëra njerëzve, në dorë të një batakçiu. Kjo është beteja reale që duhet të fitojë Edi Rama, pasi ky është hapi i parë drejt një shteti serioz dhe administrate moderne.

LSI dhe partitë e tjera do të marrin votat e tyre dhe mund të jenë dhe pjesë e qeverisë, por premtimi duhet të jetë që agjensitë shtetërore nuk do të jenë pjesë e pazareve shantazhuese, në shkëmbim të votave. Ndryshe pushteti degradon siç ka degraduar, që ditën që bëhet ky pazar.

Share.

About Author

Leave A Reply