Anëtarët e Vettingut do  ruhen nga Garda e Republikës

0

Zbardhen vendimet e miratuara nga Këshilli i Ministrave në mbledhjen e kësaj të hëne nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama.

Sipas VKM, Garda e Republikës do ruajë anëtarët e komisioneve të Vettingut dhe ndërtesën ku do ushtrohet veprimtaria për vlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, në ish-godinën e Lidhjes së Shkrimtarëve.

Gjithashtu, punonjës të Gardës do kenë në ruajte edhe kreun e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.

Vendimi i marrë nga Qeveria

V E N D I M

PËR

RUAJTJEN DHE MBROJTJEN E ANËTARËVE TË INSTITUCIONEVE TË RIVLERËSIMIT KALIMTAR TË GJYQTARËVE  DHE PROKURORËVE, TË PERSONELIT VENDAS DHE NDËRKOMBËTAR, TË OBJEKTEVE KU USHTROJNË VEPRIMTARINË, SI DHE INSPEKTORIT TË PËRGJITHSHËM   TË INSPEKTORATIT TË LARTË TË DEKLARIMIT DHE KONTROLLIT TË PASURIVE DHE KONFLIKTIT  TË INTERESAVE, NGA GARDA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjave “c” e “ç”, të  nenit 4, të ligjit nr.8869, datë 22.5.2003, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Garda e Republikës së Shqipërisë të ruajë dhe të mbrojë, me truprojë/shofer (nënoficer), si më poshtë vijon:

a) Kryetarin dhe komisionerët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit;

b) Kryetarin dhe gjyqtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit;

c) Komisionerët Publikë;

ç)  Vëzhguesit ndërkombëtarë të emëruar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit;

d) Inspektorin e Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave.

2. Garda e Republikës së Shqipërisë të ruajë dhe të mbrojë objektet (mjediset e punës), ku ushtrojnë veprimtarinë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, Komisionerët Publikë dhe vëzhguesit ndërkombëtarë të emëruar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.

3. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Garda e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

vkm

Share.

About Author

Leave A Reply