Ambasadori Lu deklaron rritjen e buxhetit për trajnimin e ushtarakëve dhe marinarëve të Shqipërisë

0

Ambasadori Donald Lu ka deklaruar se do të rritet buxheti për trajnimin e ushtarakëve dhe marinarëve të Shqipërisë në NATO, vitin e ardhshëm. Ai tha se si aleat i NATO është krenar që Shqipëria po investon në Forcat e Armatosura, duke i cilësuar heronj të vërtetë marinarët dhe ushtarakët shqiptarë.

Diplomati amerikan solli në vëmendje rastin e anijes shqiptare ‘Oriku’, ku javën e kaluar marinarët shpëtuan jetën e 100 refugjatëve sirianë, si dhe operacionet detare të vitit të kaluar, ku u shpëtuan mbi 800 persona. Duke vlerësuar këto nisma të shqiptarëve, ambasadori Lu shprehu mbështetje të plotë në investimet dhe trajnimet për marinarët e FA.

Ai i bëri këto deklarata gjatë prezantimit të 12 automjeteve të blinduara, të cilat qeveria amerikane ia ka dhuruar Forcave të Armatosura të Shqipërisë, ku në ceremoni ishte e pranishme dhe ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

“Anëtarë të guximshëm të FA. Ata janë heronj të vërtetë, kjo s’ka qenë kurrë më e qartë se javën e kaluar, ku marinarët shpëtuan jetën e 100 refugjatëve sirianë. Anija ‘Oriku’ ka shërbyer në operacionin detar të NATO. Gjatë asaj kohe, ata shpëtuan jetën e më shumë se 800 personave. Si aleat i juaji i NATO jemi krenarë t’iu shohim të investoni. Kjo është një kohë e shkëlqyer për të qenë ushtar apo marinar në Shqipëri. Ata po investojnë në njerëz. Kemi sot Saimir Çukun, toger i rangut të parë, shqiptari i dytë i diplomuar në SHBA. Ai përfundoi edhe kursin e lartë të forcave speciale të SHBA dhe sot është udhëheqës i Forcave Speciale shqiptare në Afganistan. Ai përfaqëson të ardhmen e Forcave të Armatosura Shqiptare. Gjeneral Kollçaku dhe Avdiaj janë diplomuar në SHBA. Vitin e ardhshëm do të rrisim buxhetin për trajnim për Shqipërinë. Kam nderin të njoftoj që departamenti amerikan i Mbrojtjes do të presë Olta Xhaçkën për të diskutuar për marrëdhëniet ushtarake dhe për të rritur mbështetjen për FA shqiptare. Ministrja Xhaçka po investon në të ardhmen, po ashtu gjeneral Kollçaku, ne ofrojmë mbështetje të plotë”, tha Lu.

Qeveria amerikane i ka dhuruar Forcave të Armatosura të Shqipërisë 12 automjete të blinduara. Këto automjete do të jenë në shërbim të Forcave Tokësore të FA-ve. Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka falënderuar qeverinë amerikane për mbështetjen, ndërsa ka deklaruar se Forcat e Armatosura shqiptare do të armatosen sipas standardeve të NAT0-s.

Xhaçka theksoi se ushtarakët shqiptarë janë të barabartë me aleatët dhe gjenerues sigurie në zonat me të nxehta.  “Mbështetja e SHBA ka qenë bujare ndaj Shqipërisë. Shpreh bindjen se transformimi nuk do ishte i mundur pa SHBA.

Do të theksoj marrëdhëniet me SHBA në fushën e sigurisë janë histori suksesi. Këto marrëdhënie kanë hyrë në një fazë të re dhe shpreh mirënjohjen për këtë ndihmë. Asistenca e SHBA për Shqipërinë ka qenë e shtrirë në kohë, unë do të veçoja trajnimin në burime njerëzore.

Në memorien e FA numërohen 740 kurse të ofruara nga SHBA dhe rreth 280 në qendrën ‘Marshall’. Ne jemi mirënjohës që shumë gjeneralë kanë kryer studimet në SHBA dhe tani drejtojnë strukturat tona ushtarake. Ushtarakët shqiptarë të barabartë me aleatët, gjenerues sigurie. Gjendemi në zonat me të nxehta bashkë me aleatët. Përballimi i sfidave të reja kërkon rritjen e kapaciteteve, Shqipëria po bën më të mirën e mundshme. Shqipëria është e angazhuar në një proces modernizimi për kapacitetet operacionale, sidomos të atyre që janë pjesë e NATO-s.

Ne po investojmë përmes disa shtyllave, kemi ndihmën e SHBA. Armatimi sipas standardeve të NATO-s, roboti për eksplozivët dhe kostumi për mbrojtjen nga bombat kanë rritur performancën. Falenderim i veçantë për ambasadorin e SHBA. Ju falënderoj për ftesën për të vizituar departamentin amerikan të mbrojtjes” deklaroi Xhaçka.

Ambasadori Donald Lu tha sot se vizita e ministres Xhaçka në Pentagon në janar, do zgjerojë marrëdhëniet ushtarake dhe do rrisë mbështetjen tonë për FA.

Share.

About Author

Leave A Reply