ALEKS ÇEREPI

0

ALEKSI NË NJË NDËR DHJETËMIJË FOTOGRAFITË E MIJA…

Meditime në ditëlindjen e shtatëdhjetë të Aleks Çerepit

Një fotografi e fiksuar nxitimthi me sfond, djathtas një rrugë ku lëvrijnë njerëzit, e mbrapa kangjellat e një garazhi që edhe tash pas dymbëdhjetë vitesh kyçur është, pa asnjë makinë strehuar…
Një portret nxitimthi, ndër mijëra portrete të jetës sime…
Nxitimthi sepse ai tërë jetën eci, eci, eci…
Portretin, në anën tjetër të murit që ndante dy apartamentet tona, e shkrova me dashuri e respekt për një njeri të palodhur të punës në mërgim…
Më kishte rrëmbyer ecja e tij…
Ec e ec e ec…
E botova në një gazetë që merrte formë e botohej në Tiranë, posaçërisht për emigrantët në Greqi…
“Emigranti” e kishte emrin…
E botova edhe në librin tim të parë: “Njerëz që i dua”…
Mund ta gjeni në faqet 110-111…
Lexojeni…

 

                                      ALEKSI

Sa kilometra rrugë mund të bëjë njeriu në ditë ?
E kam fjalën për një njeri që del nga shtëpia në orën dhjetë të mëngjesit dhe kthehet nga ora 10 – 11 e mbrëmjes ?
Një njeri që ecën me një hap monoton, të ngeshëm, që ecën duke kërkuar me sy, që hyn në biseda me njerëzit…
Nuk e kam fjalën për një këmbësor që ka një objektiv të caktuar dhe u mëshon këmbëve që të arrijë sa më shpejt…

Aleksi me të cilin bisedoj nuk më jep përgjigje.
“ Eci, thotë, gjithë ditën u bie rrugëve dhe rrugicave të Athinës, nga Agio Nikolao ku banoj, në Omonia, Sintagma, Manastirion, Thision e deri në Akropoli. Po nuk luajte këmbët, thotë populli ynë, nuk luan dhëmbët…”

Me Aleks Çerepin kemi qenë komshinj për disa vjet, komshinj që i kishim dyert pa çelësa e tenxheret pa kapak. Tani jemi larguar ndonja pesëqind metra larg, por prape se prapë jemi komshinj.
Unë zakonisht e takoj rrugëve e shesheve, kurse gratë mblidhen e kuvendojnë deri vonë, të paktën njëherë në javë.
Mblidhemi edhe ne me nga një gotë raki Shqipërie përpara, por pak më rrallë, me sebepe.
Ai ka dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë, fëmijë punëtorë, të sjellshëm, mbi të gjitha të etur për dije. Të dy fëmijët mbaruan këtu shkollën e mesme, liqion siç i thonë vendasit dhe tani po përgatiten për t’u futur në universitet.
Lolës i pëlqen mjekësia, puna në laboratorët mjekësor, specialitet që e mori në shkollën e mesme por që dëshiron ta përvetësojë në nivel universitar.
Djalit, Lencit, i pëlqen informatika, punët elektrike e elektronike.

Aleksi në Shqipëri ka punuar saldator, ka qenë pjesë e montatorëve të kombinatit metalurgjik të Elbasanit.
Shpresa ka bërë një specializim në Kinë për analiza laboratorike të metaleve. Ka punuar në Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit…
Këtu punon si ndihmëse shtëpiake, siç i quajnë gratë që punojnë nëpër shtëpitë e grekëve.
Fëmijëve kanë dëshirën e madhe tu japin arsim universitar. E kush prind nuk e donë fëmijën mbi veten? Më të kulturuar, më të arsimuar, më të aftë për të përballuar sfidat e jetës ?

Aleksi  shet lotari. Me shitjen e tyre e ka lidhur jetën e vet, të ardhurat e familjes dhe bazën ekonomike për t’i futur denjësisht fëmijët e vet në shoqëri. Ankohet se që kur u hoqën nga qarkullimi ksistotë, ato karta fati që në Shqipëri quhen “Gërvisht e fito”, puna ka ra dhe të ardhurat janë ulur. Shpreson se qeveria do të bie një ditë në ujdi me pronarin e tyre, miliarderin Kokali, për t’i rivënë në qarkullim. Këtë ma ka thënë sa herë jemi shtruar duke pirë kafe.
Iku një qeveri dhe erdhi tjetra, iku një parti dhe erdhi tjetra. Ai shpreson. Shpresa për njeriun shuhet e fundit. Por, me sa duket qeveritë dhe miliarderët e kanë vështirë të merren vesh. Duke qenë të një race, të një ngarkese elektrike apo magnetike, ata shtyjnë njeri tjetrin. Viktima të kësaj shtyrjeje janë njerëzit e punës, ata që bëjnë dhjetë dymbëdhjetë orë punë në ditë për të marrë përqindjen – sadaka të plutokracisë.

Aleksi vazhdon çdo ditë rrugën e tij…
Dymbëdhjetë- trembëdhjetë orë rrugë, në shi e dëborë, në vapën e prapë athinase.
Ai nuk e ka matur  se sa kilometra rrugë përshkon në ditë.
Unë, me atë masë hapi që hedh, them se Aleksi bën më shumë se njëzet kilometra.
Ky është mendimi im.
Po ju sa thoni bën?

Athinë, shkurt 2005
Fotografia u fiksua në gazetë…
I pëlqeu Aleksit…
I pëlqeu familjes…
E vunë në kopertinën e albumit familjar…
Koha ecte…
Ecte edhe Aleksi me hapin e tij monoton…
I qeshur, fjalë ëmbël…
Çdo ditë, nga mëngjesi në darkë, sa çelte e mbyllej dita…
Nuk i mjaftonte dita për punë…
Mesnatën e priste në kioskën e tij në stacionin e autobusëve “Paradhisio” në Aharnon…
Punëtor si Aleksi nuk gjen…
Mëngjeseve mu bë shprehi jete ora dhjetë…
Në atë orë binte zilja e telefonit…
Ishte Aleksi…
Çdo punë që kisha e lija në mes…
Një kafe me Aleksin në sheshin Agio Nikolaos, një gllënjkë raki nga shishka që e mbante gjithnjë me vete, ma mbushte ditën …
Një mëngjes Aleksi nuk më mori në telefon…
E mora unë…
Më doli Shpresa…
Më përcolli dhimbjen…
Më shpërtheu lotin…
Kishte pësuar hemorragji cerebrale…
Iu luta publikisht të mos ikte…
Iku…
Në “të dyzetat” pashë të ngrirë në mermer fotografinë time…
Në mermerin e një varri mbuluar me lule…
Më shikonte sikur më kërkonte ndjesë që nuk më kishte marrë në telefon…
E shikoja përmes perdes së lotit…
E përcolla fotografinë tek një mik në Tiranë…
Ma ktheu në një pikturë me përmasa 50 me 70 me autor piktorin Shpëtim Kazo…
Sot, 13 shkurt 2019, Aleks Çerepi do të na mblidhte në lokalin e përhershëm për të ngritë dolli e shëndete…
Nuk do të na mbledhë…
Do të mblidhemi ne për Të…

Abdurahim Ashiku

Athinë, 13 shkurt 2019
 

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.