A KISHTE “LUZNAKË” NË MITINGUN E RAMËS NË PESHKOPI ?

0

Rezonancë

Mu duk se dibranët i thanë në kor e me duartrokitje frenetike “PO SKAVICËS”, po mbytjes së Dibrës, po korrupsionit që lidhet me të…

Do të desha të bëhej një pyetje me fjalën e hidhur luznake në kësi mortesh: “Ku do të na i caktoni varret Zotni?”.
E ndoqa në germë dhe në figurë (aq sa e lejon kronika televizive) mitingun prezantues të kandidatit të “Rilindjes” për kryetar të bashkisë së Dibrës zhvilluar në Pallatin e Sportit “Bashkim Lala” në Peshkopi.
Më “ngrohu” në pikën e zhegut të gushtit premtimi një çerek shekulli i përsëritur si në garat e stafetave “katërqind metra me pengesa”, për Rrugën e Arbrit, tash me një ligjërim të veçantë…
”Nuk iki nga zyra e kryeministrit pa mbaruar Rrugën e Arbrit”.
Kjo më ngjau me atë meselenë e borxhliut që premtonte se do t’ia jepte paratë “të shtunën” pa i cilësuar as datën e as orën…
Kështu ndodhi edhe me kryeministrin tonë që “din ta mbajë fjalën”.
Në kronikat televizive pashë në figurë e në zë të gazetarit një deputet të partisë çame PDIU (!?) dhe një deputet të larguar të partisë së Metës LSI (!?), ta pyesnin kryeministrin për Rrugën e Arbrit (gjë që ua jepte e drejta e votës së popullit ta bënin në sallën e Kuvendit, në një interpelancë të posaçme për këtë), pyetje që e detyroi atë të bënte deklaratën e njohur tashmë në media si “premtimi i karriges”.
Nejse, lëshoji dushke. Me deklarata e premtime tashmë të njohura si “premtime elektorale” Dibra jo thjesht është ngopur por është nginjë deri në fyt, nga të dy krahët, nga e djathta dhe e majta, nga Berisha, Nano, Rama, Meta, Basha…
Me deklarata dhe premtime mjekut të Dibrës nuk i shtohet as edhe një duzinë vota. Dibra donë vepra e jo premtime.
Relativisht i besueshëm do të ishte Rama sikur në udhëtimin e tij zgjedhor drejt të Dibrës të ishte ndalë në Klos e ti ngjitej të përpjetës deri në pikën ku do të dalë tuneli i përfolur në “shtatë krajli” i Rrugës së Arbrit, të kalonte Urën e Vashës për ta regjistruar në kujtesë për një tablo të madhe për “Sallonin e Hartave”, t’i binte në këmbë trasesë së rrugës që përshkon luginën e bukur të Planit të Bardhë e për tu ngjitur e hedhë një sy mbi Bulqizën me “këmbë në florinj” e me “trup në qefinj.
Nuk e bëri…dhe as do ta bëjë ndonjë herë…
Ministri i Ramës, i deleguar për fushatën zgjedhore në Dibër, Gjiknuri, ulur në radhë të parë u pa me një dritë buzëqeshjeje në fytyrë. Komod si askush.
Prisja që në adresë të tij të dilte ndonjë “luznak”, ndonjë prej atyre që hidrocentrali i Gjiknurit, deklaruar se do të niste themelet e digës (dhe shkatërrimin e gjithë atij mjedisi të bukur që përmbledh Katundin e Ri me deltën e gjerë të Drinit ku do të merren inertet, Hoteshin, Selanet…) më 1 janar 2017 t’i bëhej një pyetje e thjeshtë, një pyetje me fjalën e hidhur luznake në kësi mortesh: “Ku do të na i caktoni varret Zotni?”.
Për rrugën e Arbrit u fol në mitingun zgjedhor në Peshkopi kurse për Skavicën e madhe dhe “sakavicat” e vogla nuk u tha asnjë fjalë. As edhe një fjalë e vetme…
Rruga e Arbrit do të ndërtohet një ditë, me apo pa Edi Ramën, është në logjikën e jetës.
Rruga e Arbrit pa Dibrën si e ka krijuar natyra, pa luginën e bukur të Drinit të Zi nga Mireshi në Skavicë, mbytur përjetësisht  me të kaluarën historike dhe me të tashmen burim i jetës dhe i të ardhmes së trevës, bukës së “Nëntë Maleve”, nuk i shërben krahinës. Është rrugë në troje të mbytura.
Është kjo që desha të dëgjoja në takimin e Ramës me dibranët…
Është kjo që desha që ndonjë “luznak”, të pyeste jo për të kaluarën por për të ardhmen e tij, për varret e pasardhësve të tij…
Nuk pyeti njeri…
Më vjen keq.
Mu duk se dibranët, për hir të partive politike, e duan Dibrën nën ujërat e turbullta…
Mu duk se dibranët i thanë në kor e me duartrokitje frenetike “PO SKAVICËS”, po mbytjes së Dibrës, po korrupsionit që lidhet me të…
Mu duk…
Shpresoj që shqisat e mija të gabojnë…

Abdurahim Ashiku

25 gusht 2016

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.