A DUHET TË HESHTIM…

0

A DUHET TË HESHT?, A DUHET TË HESHTIM?, A DUHET TË FLASIM E BËRTASIM?
PËR SHQIPEN NË MËRGATË…


Sot, 7 tetor 2018, në Selanik të Greqisë filloi për të SHTATËMBËDHJETIN vit (nga 7 marsi 2001) mësimi i gjuhës shqipe, mësim për fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë, nismë tashmë e njohur që fëmijët të mësojnë të shkruajnë, lexojnë e këndojnë gjuhën shqipe, bazë për të mos u asimiluar.
Në mbarë Greqisë, nga Veriu në Jug, nga Lindja në Perëndim, nga stereja në ishuj, mësues vullnetarë, pa asnjë shpërblim, moral a material, pa asnjë mbështetje ligjore nga shteti amë (por edhe nga shteti grek) kanë mbledhur fëmijët në mjedise aspak të përshtatshme për mësim normal shkollor, për tu mësuar fëmijëve gjuhën e gjyshes.
A nuk e meritojnë ata të quhen, ashtu siç i ka quajtur Dritëro Agolli, “Rilindës të kohës sonë”?
A nuk duhet që shteti shqiptar, me një ligj Kuvendi, t’i ngrejë në një nivel të barabartë (në mos më të lartë) me mësuesit në Shqipëri ?
Dhe jo me “Logje Kavaje”, siç u premtua në Seminarin për mësimin plotësues të gjuhës shqipe zhvilluar në Tiranë në fundkorrik e fillimgusht të këtij viti, nga Ministrja e Arsimit dhe Ministri i Diasporës..
Po përcjell në solidaritet me të gjithë mësuesit e gjuhës shqipe në Greqi (dhe më gjerë) një meditim…

*                 *                 *

 

Mbase duhet të hesht,
Ta thyejë lapsin,
Ta mbyll kompjuterin,
t’i shuaj zarfet
mbushura plot
me mësuesit…
RILINDËS TË KOHËS SONË.

Ata…
Ato…
Mësues…
Mësuese…
Mërgimtarë…
Si unë…
Si ti…
Por jo…
Sa unë…
Sa ti…

Një ditë në javë
Si bleta mblidhen
Fëmijët
të mësojnë,
të shkruajnë,
të lexojnë,
me shpirt
të këndojnë
shqip.
“Nëntë male kaptuar”.
Si në balada…

Mbase duhet të hesht
siç hesht shteti,
qeveria,
ministria,
parlamenti
më 7 mars
festën e mësuesit…
Më 15 shtator
festën e nxënësit…
ASNJË FJALË
PËR MËSUESIT,
NXËNËSIT NË MËRGIM…

Asnjë !!!???
Kur hesht ministrja,
kryeministri,
kryetar i shumicës,
kryetari i pakicës
pse duhet të flas unë?
Pse?
Ata e dinë se në Greqi
ka një numër të madh
shkollash shqipe
vullnetare,
me dashuri mësuesish,
me kërkesa modeste,
pa shpërblim,
pa pare…
E dinë që
për mësuesit
janë shkruar
katër  libra….
“Rilindësit e kohës sonë”,
“Shkolla shqiptare e Athinës”
“Shkolla shqipe e Selanikut”…
“Dashmir Zaçe një rilindës i kohës sonë”…
Dhe mijëra shkrime…

Dhe në qoftë se:
kohë s’kanë pas
për t’i shfletuar
kanë aq kalemxhinj
në dispozicion
për të mësuar
për këta “Rilindës të rinj”
që u mësojnë fëmijëve
gjuhën shqipe falas,
me përkushtimin
e rilindësve të mëdhenj të kombit.

Nuk e di,
mbase e kam gabim
që përjetoj dilemën hamletiane
“Të hesht apo të mos hesht”.

Heshtja,
për gjuhën shqipe në Greqi,
për mbijetesën,
për rrezikun
para syve tanë
të asimilimit gjuhësor
është ulje koke,
nënshtrim…

Unë hesht…
Ti hesht…
Ai hesht…
Ajo hesht…
Heshtje që vret…

Unë po flas…
Ngritur në këmbë,
Ngre zërin,
bërtas
Po nga ju…
Kush do të flasë?
Kush do të bërtasë?

Ah si s’mblidhemi
grusht,
N’lule t’ballit
bashkë
t’i biem
Shtetit që s’bëzan
E lumnueshëm,
Shqip të flasim…
Shqip të lexojmë…
Shqip të këndojmë…
Shqip të vallëzojmë…
Shqip…
Shqip…
Shqip…

Abdurahim Ashiku
Gazetar në mërgim

Athinë 7 tetor 2018

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.