MESELE DIBRANE PËR “KAUN” I VENDIT DHE “BUALLIN” E PRIZRENIT

0

Kryetarit të ligjshëm të Dibrës Muharrem Rama (nuk e njoh nga afër) do ti jepja një këshillë mërgimtari që i djeg shpirti për Dibrën. E kam parë disa herë në kronikat televizive që i deleguari nga Tirana ia merrte shpesh nga goja fjalën. Ai tashmë është në krye të vendit në rrethin e “Odës Dibrane”, “Universitetit të Dibrës”. Le ta nxisë debatin. Të flasin të gjithë, me radhë e pa ia prerë fjalën njeri tjetrit. Në fund “kunjin” në majën e mullarit ta vendosë vetë. Atëherë, dhe vetëm atëherë “mullarit” nuk do ti hyjë pika e shiut…

Zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë së Dibrës përfunduan me një diferencë të theksuar votash në favor të Muharrem Ramës, me një “shpullë të fortë” për Lulzim Bashën i cili më në fund zbuloi se është Shimçanas, fshat që nuk ia dha votën, me një “grusht të fortë” për Sherefidn Shehun, i cili humbi edhe në vendlindje, vendin ku tash tetë vjet ishte deputet.
Në “Odën Dibrane”, “Universitetin Popullor të Dibrës”, këto ditë është folur gjerë e gjatë për “Kaun e vendit” dhe “Buallin e Prizrenit”, është debatuar siç dinë të flasin në “Odë” njerëzit e mençur të saj, “njeri flet e të tjerët dëgjojnë” dhe në fund “i kanë vënë kunjin mullarit”.
Është folur edhe për “Kulaçin e Prizrenit”, “kulaç” i cili iu tregua Dibrës  sa një “saç” nga aradha e jashtëzakonshme, e denjë për një “rekord Gines elektoral”, e deputetëve dhe e tërë drejtorëve që kishin ardhur të gjenin “vulën e humbur” me parullën “Të gjithë në Dibër”.
Dibranët, si gjithnjë në histori, të paktën që nga 18 betejat fitimtare të Skënderbeut në trevën e tyre, betejat e mëvonshme kundër turqve osmanlinj dhe serbëve sllavë, dijtën të marrin pjesë në “betejë” me mend, dijtën edhe këtë radhë të zgjedhin “kaun” e vendit në vend të “buallit” të Prizrenit, dijtën, ti japin votën Muharrem Ramës së tyre me rrënjë e degëzim në Dibër kundrejt Sheh Sherefedinit, rrënjë e degë shkulur…
Dibranët me urtësinë e tyre përballuan propagandën më të mbrapshtë dhe më agresive që është zhvilluar ndonjëherë ndaj një krahine, propagandë në të gjitha dritaret e shkruara dhe elektronike me flamurin e “Shukriut” në krah e në dhëmbë.
Dijtën ti tregojnë një gaz(e)tari  që paturpësisht thërriste nga këneta e shtypit të pistë “O dibran, o mjeran”, duke ofenduar një krahinë të tërë, se Dibra është Dibër! .
Dijtën ti thotë një gazetareje që e mban veten si “yll i publicistikës” se Dibra nuk është “Dibra e Shukriut dhe e miellit”, por është Dibra e virtyteve të larta dhe e krenarisë.
Dijtën ti thotë një gazetari “ meteorologjike” se të gjitha vektorët e hequr mbi bashkën e prerë shqipfolëse nga “Londra ’13”, bashkohen në Dibër duke formuar “qendrën gjeografike shqiptare” dhe “Shkumbini” nuk është dhe nuk do të jetë “mur ndarës” midis Jugut dhe Veriut të cunguar nga historia.
Ua thanë me mënyrën më të kulturuar, me votë të bindëshme…
Padyshim e majta që mbështeti Muharrem Ramën në garën për kryetar bashkie do të krenohet, do të shpalosë flamujt e fitores. Mos nxitojë. Flamujt janë të popullit të Dibrës në tërë hapësirën gjeografike prej diku 800 kilometra katrore, nga Ura e Topojanit në Urën e Dode, nga Kalaja e Dodës në Selishtë, nga Vlesha në Krejë-Lurë e në Vlashaj. Para se të ngrejë e shpalosë flamujt të mendojë mirë se çfarë do të bëjë nga Tirana për Dibrën, të mendojë se si e sa do ta mbështesë Muharrem Ramën. Shpresoj të ketë mësuar diçka nga kultura dhe “Oda Dibrane”
Kryetarit të ligjshëm të Dibrës Muharrem Rama (nuk e njoh nga afër) do ti jepja një këshillë mërgimtari që i djeg shpirti për Dibrën. E kam parë disa herë në kronikat televizive që i deleguari nga Tirana ia merrte shpesh nga goja fjalën. Ai tashmë është në krye të vendit në rrethin e “Odës Dibrane”, “Universitetit të Dibrës”. Le ta nxisë debatin. Të flasin të gjithë, me radhë e pa ia prerë fjalën njeri tjetrit. Në fund “kunjin” në majën e mullarit ta vendosë vetë. Atëherë, dhe vetëm atëherë “mullarit” nuk do ti hyjë pika e shiut…
Urime Muharrem Rama !

Abdurahim Ashiku

Athinë 12 shtator 2016

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.