A PO FRYN ERA E “26 MAJIT ’96” NË DIBËR ?

0

Dje në tokën e lashtë të Dibrës ra një pikë gjaku…Mos lini të bëhen dy, katër, tetë…shi e breshër që nuk e lan as Drini, as Buna, as deti…

Mos i vini Dibrës një damkë që as turku e as serbi nuk ia vu dot.

Mosni bre, ju bëj rixha! 

Në Dibër, si kurrë ndonjëherë në këto 26 vite të pluralizmit shqiptar, në diku tek tetëqind kilometra katrore çka mbledhin malet dhe luginën e Drinit të Zi, nuk janë parë kaq politikanë për “metro katror”, nuk janë parë kaq njerëz me pushtet të lartë, nuk janë parë të ashtuquajtur publikisht “kriminelë”, falanga partiake me “grushte metalike” në të dy duart, me armë “të ftohta e të ngrohta”, kaq gojë të hapura sa pëllëmba hyn diagonalisht, kaq çanta të mbushura me para  droge e krimi, kaq njerëz të gatshëm për tu sakrifikuar për partinë e xhepit të tyre.
Në Shqipëri nuk është parë asnjëherë në këto 26 vite të pluralizmit (dhe asnjë kohe të historisë së saj) që një kryetar partie të bëjë kaq shpesh rrugën e mundimshme Tiranë-Peshkopi, të bredhë fshat më fshat, të bujë shtëpi më shtëpi, të premtojë “kanale të zeza e pastrim llomesh”, të kërkojë me çdo kusht postin e kryetarit të bashkisë për beniaminin e vet.
Në Shqipëri nuk është parë asnjëherë në këto 26 vite të pluralizmit që partitë politike të shtrëngojnë radhët kaq fort, të mblidhen grusht bashkuar, ndarë pa asnjë mungesë, proporcionalisht në dy krahë, në të majtë dhe të djathtë, pro Ramës e Shehut…
Në Dibër thonë se kur i zoti i shtëpisë  ka një hall të madh del vetë e i thirr miqtë në dasmë.
Mbrëmë u derdh gjaku i parë, u përcoll në media fytyra e gjakosur e një administratori të fshatrave që dje formonin komunën e Tominit. Të dy koalicionet fajësuan njeri tjetrin. “Sebepi” tashmë dihet “blerja e votës me para”, blerje e cila në dy ditët që vijnë pritet të shtrojë trasenë e dhunës së madhe, dhunë që ajo e vitit 1996 mbase do të harrohet.
Politika e të dy krahëve, në pamundësi që ti japi Dibrës alternativë zhvillimi mbi bazën e burimeve të shumta të nëntokës e të mbi tokës, të dorës punëtore të burrit dhe gruas dibrane, për alternativë ka blerjen e votës, blerje që ndodh vetëm në një vend ku shpresat janë shuar. Dhe dibranit shpresat i janë shuar, drutë janë të njomë e unori nuk lëshon xixa mbi eshkën e lagur e zjarri nuk nxjerr as tym e as flakë…
E vetmja alternativë është të shtrijë dorën, ta shtrijë si në elegjinë e Migjenit: “Zotni, zotni, të lutem, zotni, ma fal ndoj send!
“Të gjithë drejt Dibrës!”- vikaste me germa të mëdha gazeta e opozitës.
“Të gjithë…”
Nuk mjafton Basha me grupin e vet kuvendar. Nuk mjaftojnë ish ministrat dhe ish drejtorët e drejtorive të rrjepjes së popullit. Nuk mjaftojnë të akuzuarit për korrupsion që i presin “shtatë dritaret”.  Duhet edhe elita e dhunës, bijtë e 1996 që e hodhën si të vdekur në përroin e Ostrenit kryetarin e partisë socialiste të Bulqizës Muharrem Kola. Duhen edhe ata që e dhunuan barbarisht Bexhet Kalecin, e nxorën në televizor dhe e akuzuan se ka vjedhë votat kur ata, siç u dokumentua më vonë, kishin vjedhë jo vetëm votat e Dibrës për tu krenuar se fituan 8:0, por votat e të gjithë Shqipërisë…
“Të gjithë drejt Dibrës!”…
E frikshme kjo thirrje…
E kam jetuar me therje në palcë njëzet vjet të shkuara, ato ditë të tmerrshme, para e pas 26 majit 1996.
“Të gjithë drejt Dibrës!”…
Ndaleni këtë rrjedhë të zezë, ndaleni që Dibra të bëjë vetë zgjedhjen e saj, si e ka bërë në histori, pa pari e pa parti. Mos e gjakosni Dibrën….
Nuk është më ‘96-ta. Falangat e krimit janë shtuar, janë në të dy anët, djathtas e majtas, me uniformë e pa uniformë, me gjithë mëninë dhe egërsinë e shpirtrave pa shpirt.
Dje në tokën e lashtë të Dibrës ra një pikë gjaku…
Mos lini të bëhen dy, katër, tetë…shi e breshër që nuk e lan as Drini, as Buna, as deti…
Mos i vini Dibrës një damkë që as turku e as serbi nuk ia vunë dot.
Mosni bre, ju bëj rixha!

Abdurahim Ashiku

Athinë, 9 shtator 2016

Shënim: Për kujtesë kohës së mbrapshtë “maj 1996” po përcjell një fotografi me pamjen ogurzezë të detashmenteve partiake në një qendër të rrënuar votimi…

qender-votimi-ne-peshkopi-me-26-maj-1996

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.