Me një protestë të paralajmëruar për orën 10:00, opozita sot do të mundohet që ta parandalojë, siç thonë liderët e saj, kontrabandimit e kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçit president.
Marrë parasysh se deputetët opozitarë kanë të drejtën e pjesëmarrjes në këtë seancë, Thaçi mund të jetë president i parë në botë që zgjedhet nën tymin e gazit lotsjellës.
Kryesia e Kuvendit ditë më parë paralajmëroi seancën e jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit sot në ora 11:00, në ndërkohë që një presion i madh kundër kësaj seancë është duke u përgatitur nga tabori opozitar, me aktivitete kundërshtuese brenda Kuvendit dhe protesta jashtë Kuvendit.
Mbrëmë u pa një numër i shtuar që iu bashkuan opozitës, ndërkohë që Hashim Thaçi, pretendenti për president, bëri thirrje që simpatizantët e tij, në rast zgjedhjeje president, të rrinë dhe të festojnë nëpër shtëpitë e tyre për të evituar dhunën në rrugë.
Thaçi, problemin nuk e ka vetëm me opozitën. Ai nuk i ka të sigurtë edhe votat e deputetëve të partisë me të cilën ka koalicion, LDK-së , si dhe Listës Serbe, e cila po ashtu është e përfshirë në këtë koalicion.
Megjithatë, Thaçi vazhdimisht ka thënë se marrëveshja e koalicionit do të zbatohet dhe ai do të bëhet president i Kosovës në mënyrë transparente dhe në bazë të afateve kushtetuese.