OSHEE, Çela mbikëqyr investimet në Elbasan

0

Administratori i OSHEE-së, Adrian Çela, i shoqëruar nga zv.ministri i Energjisë, Ilir Bejtja ka inspektuar këtë të enjte investimet që po kryen në qytetin e Elbasanit për përmirësimin e rrjetit elektrik, çka automatikisht pritet të sjellë rritjen e cilësisë së furnizimit me energji dhe uljen e nivelit të humbjeve në rrjet.

Sipas Çelës, Elbasani është një nga qytetet me pagesat më të larta dhe humbjet në rrjet më të vogla, dhe OSHEE, tha administratori, po e përkthen korrektësinë e qytetarëve me investime. 

Për vitin 2015 në Elbasan, OSHEE investoi rreth 99 milionë lekë, ndërkohë që këtë vit investimet pritet të kapin një shifër edhe më të madhe, prej 160 milionë lekësh. 

“Këto investime kanë për qëllim jo vetëm uljen e humbjeve, por edhe rritjen e cilësisë së energjisë për qytetarët. Elbasani është një nga rajonet në avangardë për humbjen e energjisë në shkallë vendi”, deklaroi Çela. 

Ndërkohë, zv.ministri i Energjisë, duke përmendur disa nga investimet që pritet të kryhen në të gjithë vendin, përmendi sistemin pilot i cili do të aplikohet fillimisht në Elbasan dhe që bën të mundur identifikimin në kohë reale të vendit ku ndodh defekti apo ku ka ndërhyrje në rrjet. 

“Ne do instalojmë skadën në gjithë territorin dhe një nga qytetet e para ku do ta bëjmë këtë është Elbasani. Këto instalime do të na ndihmojnë të identifikojmë në kohë ku ndodh defekti, ku vidhet energjia, apo ku duhet ndërprerë për shkak të mospagesës”, tha zv.ministri Bejtja. 

Në qytetin e Elbasanit ka përfunduar rikonstruksioni i rrjetit të tensionit të ulët në lagjet Skëndërbej, Kala, Stacioni i Trenit, Bardhyl Popa, 5 Maji, etj. Ndërkohë që e njëjtja punë po vijon edhe në qytetet e tjera të qarkut të Elbasanit, sidomos në zonat ku rrjeti ka qenë tejet i amortizuar.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.