26 Maj 1996 ….

0

Nisi si një proces zgjedhor me probleme të shumta dhe degjeneroi në një dhunë shtetërore ndaj krerëve të opozitës dhe pjesës tjetër mbështetëse të tyre. Zgjedhjet e përgjithshme të 26 majit që u zhvilluan në Shqipërinë e vitit 1996, më shumë se sa për keqadimistrimin e tyre mbahen mend për rrahjen e protestuesve në qendër të kryeqytetit, nga policë pa grada, por të armatosur me shkopa druri e gome aq sa mund të të thyenin në mes po t’ua kapte mirë dora.  Por viktima të dhunës policore dhe të Shërbimit Sekret ishin dhe Servet Pëllumbi, Namik Dokle,Erion Braçe, Pandeli Majko, Luan Hajdaraga, Skënder Gjinushi, Gaqo Apostoli, Paskal Milo, etj. Kronikat e kohës flasin për një dhunë barbare ndaj një pjese të madhe politikanësh shqiptarë. Gjithçka filloi në mesditën e 28 majit 1996, në orën 12.00 kur liderët opozitarë të PS, PSD dhe PAD-së pas thirrjeve që kishin bërë një ditë më parë dolën të protestonin në sheshin “Skënderbej”. Policia kishte rrethuar sheshin me qëllim që të mos i linte protestuesit të manifestonin. Për më tej po citojmë kronikat e kohës:

Gazeta “Republika” e mërkurë 29 maj 1996.

Artikulli me autor Aurel Simoni

Zëvendësministri Shehu dhe Hajdari nën akuzë

Dhunë policore në Tiranë, rrihet gjysma e politikanëve

Ka zbritur dhuna policore, dje, në sheshin Skënderbej në Tiranë. Janë rrahur barbarisht një pjesë e madhe e politikanëve shqiptare. Shumë deputete kanë qenë në mesditë nën shkelmat dhe grushtet e forcave të policisë dhe forcave speciale. Janë rrahur në shesh dhe më pas kanë vazhduar torturat në qeli për nënkryetarët e PS, Pëllumbi e Dokle dhe deputetët Majko e Legisi, për sekretin e përgjithshëm të PAD Imami, dhe kandidatët për deputete të kësaj partie z Pashko e Blendi Gonxhe. Është edhe kryetari i PSD, Gjinushi. Është rrahur barbarisht edhe aktori Artan Imami, të cilin policia bëri ç’është e mundur ta kapte, ngaqë kishte arritur të realizonte fotografi gjatë rrahjes në sheshin Skënderbej. Ndërkohë edhe gruaja e Arben Imamit është futur në rajonin e policisë. Janë rrahur barbakronika risht dy gra, për të cilat dyshohet të kenë vdekur, ngaqë nuk ishin në gjendje të mirë shëndetësore. Gjithashtu janë futur nëpër rajone shume gra e burra, të cilët rrihen vazhdimisht. Kanë qenë nëpër qeli edhe të huaj, vëzhgues anglezë dhe është një rrahur gazetar spanjoll. Nga të dëmtuarit kanë dalë akuza kundër Agim Shehut, zëvendësministrit të brendshëm, i cili ka përdorur edhe vetë shkopin e gomës kundër njerëzve; madje një mjek, i cili ka dashur t’i kujtonte detyrën, është goditur dhe dërguar në rajon. Është akuzuar edhe Azem Hajdari, përgjegjës për Rendin dhe SHIK-un në parlamentin shqiptar, i cili ka qenë prezent në shesh gjatë rrahjeve. Madje Pashko e Majko, dikur, në dhjetor të ‘90 shokë kundër komunizmit, i janë drejtuar. “Ej, merr dhe ti një shkop gome dhe na bjer!” Gjithçka filloi në orën 12 të ditës së djeshme. Liderët opozitarë të PS, PSD dhe PAD në sheshin Skënderbej kishin bërë thirrje për miting, një ditë më parë, megjithëse nuk kishim leje nga policia. Në selinë qendrore ishin grumbulluar që në mëngjes qindra njerëz që prisnin mesditën, megjithëse të rrethuar nga forcat e shumta të Rendit. Këto forca kishin marrë urdhër, këtë e thoshin vetë ata, që të mos lejonin asnjë, as gazetarë, as deputete, pranë selisë se Partisë Socialiste. Megjithatë, në mesdite njerëz të ardhur edhe nga rrethet, dalin nga selia dhe i drejtohen qendrës se Tiranës. Kur dolën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” policët e mbledhur aty filluan të godasin nga çdo ane, pa dalluar gra apo fëmijë. Njerëzit, megjithëse mijëra vetë, u shpërndanë. Ndërkaq rrugën e vazhdon Pashko, të cilit më pas i fut krahun deputeti Majko dhe pesëmbëdhjete vete të tjerë. Kur panë këta që po vinin njerëzit e mbledhur te Hotel Tirana me në krye Doklen, Apostolin, Imamin, afrohen dhe këta drejt qendrës së sheshit.

Forcat e policisë, të stepura në fillim nga paralajmërimet e krerëve se janë deputete, me pas, si duket në një urdhër të dytë, nuk bënë më dallim: filluan rrahjen në masë. Mbi pese vetë u turren Arben Imamit të cilit i binin në një kohë jo më pak se katër shqelma, duke i thyer katër dhëmbë, dhe veç xhungës në fytyrë dyshohet edhe për fraktura të nofullës. Kanë goditur keq në mes të sheshit edhe Pëllumbin Doklen e të terë. Kanë tërhequr zvarrë e rrahur persona pa dallim moshe e seksi duke shpërndarë njerëzit. Disa i morën edhe nëpër rajone të policisë, kryesisht te njëshi dhe treshi. Pastaj kanë vendosur pushtetin mbi shesh dhe bulevard e nuk lejonin që njerëzit të rrinin në një vend por të ishin në lëvizje të vazhdueshme. Ndërkohë filloi dhe një shi i rrëmbyeshëm që ndihmoi në shpërndarjen e njerëzve. Ndërsa politikanët që s’u morën në rajon dhe Hajdari u futen në Hotel Tirana. Tmerri vazhdoi më pas në polici. Vëzhguesin anglez e pyeste polici si e quanin, por ngaqë nuk dinte shqip britaniku shihte i habitur ndaj polici e goditi. Aty ndërhyri Pashko duke i shpjeguar se ishte i huaj ndaj nuk e kuptonte, atëherë polici i është drejtuar deputetit të PAD. Është rrahur edhe kameramani i Asosheidet Press, ndërsa kanë filmuar e fotografuar shumë gazetarë të huaj. Ndërkaq, në selinë e PS vazhduan të mblidhen qindra vetë, të cilët bërtisnin parulla anti Berishës dhe këndonin këngë partizane. Me pas aty kanë shkuar edhe Dokle e Pëllumbi, të cilët edhe janë vizituar nga mjekë vullnetarë. Kurse në Uest Bar, policia arrestoi shumë persona, nga të cilët edhe disa të afërt të Majkos.

 

Shkrim i botuar në gazetën Koha Jonë të datës 7 qershor 1996

Zbulohet fotoja akuzë e masakrimit policor të liderit të PAD Imazhet që po botojmë janë marrë ditën e martë, më 28 maj në sheshin “Skënderbej”. Janë shtatë persona, gjysmë-civilë dhe gjysmë-policë, në çastet që po masakrojnë Arben Imamin, themelues i Partisë Demokratike shqiptare, ish-nënkryetar i kësaj partie dhe kryetar i opozitës së parë në të gjithë historinë e shtetit shqiptar. Janë shtatë njerëz, të cilët mund të mos ndryshojnë aspak nga të tjerë, të cilët përgjakën atë të martë në Tiranë por që celuloidi i bën nga anonimë, gjendjen e tyre reale, në te dukshëm dhe dëshmitarë të asaj që ka ndodhur dhe ndodh në Shqipërinë e pas 26 majit. Një barbarizëm i cili është inspiruar në zyrat më të larta të shtetit, prej projektuesve të absurdit të “zgjedhjeve të lira” dhe prej atyre që urdhëruan masakrën ndaj të gjithë liderëve të opozitës. Pa asnjë dallim apo ngjyrë, pa as më të voglën ide se ndaj kujt shkopinjtë e tyre shkaktonin dhunë. Errësira e tyre, që çuditërisht është mbledhur në duart e shtatë njerëzve të rastësishëm, ka marrë trajtat e një pushteti që pa as më të voglin dyshim quhet diktatorial. Denoncuesit e kësaj diktature janë pikërisht shtatë agresorët e Arben Imamit, të cilët shprehin qartë fytyrën e shtetit policor që ka instaluar Sali Berisha. Të gjendet ky njeri Në foton e vogël paraqitet njëri prej agresorëve të deputetit të Parlamentit Shqiptar, z.Arben Imami. Kush e identifikon këtë person të sjellë të dhëna tek PAD ose në gazetën “Poli i Qendrës”. I pyetur për këtë individ, sekretari i PADsë tha: Imami: Ky person u përpoq të më tërhiqte përpara Hotel Tiranës, por unë fillimisht arrita të shmangem. Më pas, pikërisht tek dera kryesore e hotelit, ai më tërhoqi drejt vorbullës së njerëzve që ju shihni. Pyetje: Ju jeni shprehur se nuk keni urrejtje ndaj atyre që ju kanë qëlluar. Pse kërkoni identifikimin e tij? Imami: Është e vërtetë, unë nuk kam punë me zbatuesit po me ata që kanë urdhëruar. Edh ndaj këtij nuk kam urrejtje, por dua të di se kush e ka urdhëruar. Gjithashtu do të dëshiroja t’a këshilloja të ruhet nga ata që e kanë urdhëruar

Thirrje të dëshpëruara nga selia e socialistëve:

“Jemi të rrethuar nga agjentët e regjimit

Shkrim i botuar te gazeta “Koha Jonë” në 30 maj 1996, i është referuar gazetës italiane “Corriere della sera”

“Selia jonë është e rrethuar prej agjentëve të policisë sekrete. Na kanë prerë dritat dhe telefonat dhe vetëm tani na i lidhën. Ka kaq shumë njerëz këtu brenda dhe kanë frikë të dalin. Tremben se mos i marrin me vete” Skena prej regjimi të shkuar në Tiranë. Por këtë herë zërat e indinjuar vijnë nga selia e Partisë Socialiste, partia kryesore e opozitës shqiptare, trashëgimtare e të ndjerës Partia Komuniste. Udhëheqësit drejtohen për nga telefonat, secili kërkon të shfrehet t’i tregojë botës këtë ditë gjaku dhe frike. Në fund fjalën e merr nënpresidenti i partisë Namik Dokle, nënkryetar i grupit parlamentar legjislaturën e kaluar “Isha në radhën e parë të manifestimeve në sheshin Skënderbej. Me mua qe dhe lideri ynë Servet Pëllumbi dhe gjithë kryetarët e partive të tjera të opozitës. U vumë në krye të njerëzve. Jemi të gjithë persona të njohur në Shqipëri, por kjo nuk e ndaloi policinë. Më rrethuan shtatë vetë dhe nisën të më qëllonin në kokë, në krahë e në këmbë. Ende kam një krah që më rrjedh gjak. Tre gra ndërhynë për të më mbrojtur, i qëlluan dhe aton njëra nuk ka dalë ende nga spitali” Deputetet janë arrestuar dhe janë mbajtur dy orë në një burg të policisë, ndarë nga nëntë veta në qeli dy e gjysmë me një e gjysmë. Atje nuk i kanë prekur por për ti trembur policët kanë rrahur disa të rinj që janë kapur gjatë manifestimit. “Pastaj erdhi njëri prej shefave të policisë dhe na ulëriu: Do tu vras të gjithëve me mitraloz!”, – tregon Dokle. Tanimë ekziston rreziku që Shqipëria të bjerë në kaos dhe që askush të mos i kontrollojë dot më shpërthimet e dhunës. Opozita kundërshton të pranojë një përfundim elektoral që e konsideron truk. Por për momentin thirrjet për mosbindje e përjashtojnë përdorimin e armëve. “Do bëjmë rezistencë paqësore, – thotë Dokle. = Ligji na lejon të demonstrojmë në mënyrë të padhunshme. Edhe pse e dimë që jeta jonë është në rrezik”

Tiranë, dita e shkopinjve të gomës

“Më qëlluan dhe mua”, tregon Marco Scarpelloni, fotoreporter Tiranë.

Mijëra njerëz në shesh nën shiun e dendur për të protestuar kundër qeverisë së Partisë Demokratike të presidentit Sali Berisha që duket se ka manipuluar përfundimisht zgjedhjet e zhvilluara të dielën. Edhe një herë ja tek ia behin kamionët e policisë që pa paralajmërim qëllonin rreptësisht. Dhe e shpërndajnë turmën nën zhurmën e shkopinjve të gomës. Këto ndodhën pardje në mëngjes në sheshin kryesor të Tiranës. Agjentët e maskuar me skafandra kanë qëlluar mes të tjerëve dhe liderët e opozitës, zëvendëspresidentët e partisë socialiste Dokle e Pëllumbi. Liderin e Aleancës Demokratike, Imami dhe presidentin e Partisë Socialdemokrate Gjinushi, të cilët u transportuan në një komisariat ku dhe u morrin në pyetje. Dhjetëra arrestime. “Kam parë një burrë të vjetër që largohej me biçikletë prej nga atje ku zhvilloheshin përleshjet. Një skuadër policësh e ndoqi nga pas. E qëlluan egërsisht me shkopinj gome, dhe kur ra përtokë e shqepën me shqelma. Nuk po bënte asgjë të keqe, ishte thjesht një plak që po kalonte andej. Kur pushoi së lëvizuri e ngritën peshë e futën në një makinë së bashku me biçikletën dhe e hoqën prej andej. Gianni Zampario, vëzhgues i zgjedhjeve në Shqipëri, nuk u beson atyre që ka parë. “Për pak sa nuk shtypën njerëzit me ata kamionë, është një mrekulli që nuk ka të vdekur. Policia u konfiskoi aparatet dhe blloqet shumë gazetarëve”. Rreth orës 10.00 policia rrethoi selinë e Partisë Socialiste. Që këtu arrestimet e para, kur mbërritën liderët socialistë policia u organizua. “Policë fashistë”, thërrisnin njerëzit duke brohoritur parulla kundër Berishës. Më qëlluan dhe mua:, tregon Mauro Scarpelloni, fotoreporteri 36 vjeçar

Rrëfimi i Prof. Servet Pëllumbit

E pyeta dje profesorin për intervistën e pak ditëve më parë të Izet Haxhisë për zgjedhjet e 26 Majit 1996. Serveti më tha se i kishte pëlqyer.

“Izeti ka qenë shumë pranë njerëzve që organizuan masakrën e 26 dhe 28 majit 1996. Ajo intervistë vërteton ato që ai ka rrëfyer në një intervistë për gazetën ‘Dita’ dy vjet më parë, më 18 mars 2013.

Atyre që kam thënë atëherë nuk u ndryshoj asnjë presje”, thotë Profesori. Në atë intervistë Prof. Pëllumbi argumentonte se revoltat e përgjakshme dhe tragjedia e vitit 1997 në Shqipëri e ka zanafillën tek zgjedhjet e manipuluara të vitit 1996.

Profesor Pëllumbi i bën një skaner prej politikani të regjur zhvillimeve të këtyre më shumë se dy dekadave të pluralizmit politik shqiptar, pse dhe si ndodhi manipulimi i zgjedhjeve të 1996-s që pollën vitin e zi ’97.

Një fotografi e bërë më 28 maj 1996, ditën e dhunës së pashembullt në sheshin “Skënderbej”, ku shihet Profesori i rrethuar nga gazetari i “El Mundo-s” dhe disa gazetarë të tjerë të huaj të gjakosur, (fotografi që u vu në kopertinën e revistës “Epoca” dhe që bëri xhiron e botës) u bë zanafilla e kësaj interviste.

Duke analizuar me vëmendje skenën politike shqiptare, ai lëshon një paralajmërim që na kujton shprehjen e famshme të Bertold Brehtit tek Arturo Ui, kur klithte se “barku që e polli (nazizmin) ende nuk është shterpëzuar”.

Paralajmërimi i dhënë në këtë intervistë mund të përshtatej kështu: “Barku që polli ‘97-n nuk është shterpëzuar!”.

 

Timo Luto, gazetar dhe dëshmitar i dhunës

Timo Luto, gazetar dhe dëshmitar i dhunës

Rrëfimi i Timo Lutos, gazetar i RTSH-së

Berisha nuk e kishte harruar humbjen e referendumit për kushtetutën dhe nuk do të lejonte kurrë të përsëritej e njëjta gjë. Por ajo që ndodhi gjatë fushatës për zgjedhjet e 26 majit ishte e paimagjinueshme.

Kandidatët e opozitës ishin nën kërcënim të përhershëm, posterat e tyre dhe ato të Partisë Socialiste griseshin menjëherë sapo vendoseshin, nga persona që nuk ndruheshin ta bënin këtë punë në çdo kohë e në prani të kujtdo. Këto falanga dhune vepronin në çdo qytet, duke i terrorizuar qytetarët e thjeshtë.

Opozita e dhunuar keq gjatë fushatës dhe e grabitur ditën e zgjedhjeve, kërkoi të protestonte në sheshin Skënderbej, më 26 maj në orën 12.00. Rreth një orë para u nisa të shihja ç’do ndodhte.

Në krye të bulevardit, midis dy ministrave, një kordon i forcave speciale nuk linin të kalonin as njerëz e as makina. As unë nuk munda të kaloja. Atëherë shkova nga prapa bankës, por edhe ajo hyrje për në shesh ishte e bllokuar.

M’u desh të kaloja nga prapa Muzeut Kombëtar dhe vendosa të shkoja te hotel Tirana… Në të gjitha hyrjet për në shesh kishte trupa të policisë speciale me mburoja e shkopinj gome në dorë.

Kur ora shkoi 12.00, dolën nga hoteli dhe u nisën për në shesh drejtues të Partisë Socialdemokrate dhe të Aleancës Demokratike; pas tyre edhe nënkryetari i Partisë Socialiste, Servet Pëllumbi. Të parët që guxuan të kalonin trotuarin përpara hotelit dhe që shkelën në shesh ishin Arben Imami e Blendi Gonxhe, dhe pas tyre edhe Gaqo Apostoli. Kur kishin bërë vetëm disa hapa, mbi ta u sulën forcat speciale. Grushte dhe shkelma ranë mbi ta.

Blendi ra përtokë nga goditjet dhe një nga policët e tërhoqi zvarrë drejt shkallëve të pallatit. Arben Imamin e goditën në fytyrë dhe i mbërthyer nga dy policë zvarriste këmbët andej nga e tërhiqnin me forcë.

Mbi kurrizin e Gaqo Apostolit pashë të ngrihej e të ulej një shkop gome dhe Gaqoja me duart pas koke mundohej të mbrohej.

Protestues të rrahur

Protestues të rrahur

Në shesh zbritën edhe të tjerë; Servet Pëllumbi i rrethuar nga disa të rinj socialistë. Policia filloi të qëllonte edhe mbi ta pastaj mbi këdo. Ajo që pashë ishte revoltuese dhe e turpshme.

Prisja me padurim të shihja se ç’kronikë do të jepej në televizion. Ajo që pashë në mbrëmje në TVSH ishte një kronikë poshtëruese e fyese.

Ja ç’thuhej në të: “Opozita u përpoq sot të organizonte një miting proteste në sheshin Skënderbej, por dështoi sepse nuk pati mbështetjen e qytetarëve të ndershëm të kryeqytetit. Pamjet e xhiruara tregojnë se sheshi është i qetë, dëgjohet vetëm zëri i hoxhës që këndon nga minarja e xhamisë”.

 

Rrëfimi i Izet Haxhisë:

Në 26 maj ka pasë një mobilizim të jashtëzakonshëm të gjithë strukturave që drejtoheshin nga SHIK. Kanë vepruar si Gestapo. Berisha i ndiqte zhvillimet nga vila numër 4.

Aty rreth orës 18 vjen me urgjencë Gazidede në vilën Katër dhe dukej që kishte ndodhur diçka e rëndësishme dhe e pakëndshme. Shumë shpejt u mor vesh tërheqja e të gjithë komisionerëve të majtë nga votimet dhe nga numërimi i votave.

Izet Haxhia

Izet Haxhia

Erdhi Sabri Godo që ishte në koalicion me PD në ato zgjedhje, dhe dukej që ishte i shqetësuar. Pasi doli nga takimi me Berishën, e dëgjova që tha “ishalla do dali për hajër kjo punë, se mua nuk po më ngroh aspak kjo gjë”.

Gjithsesi Berisha kërkoi të hapej fjala që kishim informacione që tërheqja e së majtës nga votimet ishte skenar i parapërgatitur me urdhër nga Nikolas Gejxh, një antishqiptar i njohur.

Sot pas shumë vitesh, nëse më lejoni, unë mendoj që 28 maji është fillimi i kthimit të policisë në një polici partiake. Rrahja që ndodhi ishte e pamëshirshme. Ai grupi i politikanëve të opozitës bashkë me përkrahësit e tyre nuk kalonin as të dyqind vetat.

Kush e kreu këtë akt dhune? U krye nga pjesëtarë të policisë sekrete dhe të atyre të forcave speciale. Si operacion drejtohej nga dy persona: Nga Agim Shehu dhe Bashkim Gazidede. Atë ditë tek sheshi kam takuar ministrin e Brendshëm të asaj kohe (Agron Musaraj). Edhe ai ishte i habitur. Më tha çfarë po ndodh kështu. Ai me gungën në kokë (Agim Shehu) me siguri që ka dhënë urdhër për këtë. Situata nuk ndodhej nën kontrollin e tij. Kjo ishte ajo që kuptova.

Edhe unë jam bërë pjesëtar i kësaj dhune. Kam goditur një gazetar me emrin Shpëtim Nazarko. Për mua gjëja më e turpshme dhe më e rëndë ka qenë rrahja nga ana e policisë dhe SHIK-ut e profesor Servet Pëllumbit. Njëri që ka marrë pjesë në rrahjen e profesor Pëllumbit është sot deputet i Partisë që ka themeluar e drejtuar zoti Pëllumbi. Kjo është ironia e politikës shqiptare…

 

Qëndrimi i SHBA dhe Berisha

The New York Times, gazeta më e madhe amerikane, shkroi me këtë rast: “Vëzhguesit me përvojë të tyre kanë thënë se ishte dhuna më e keqe që kanë parë në ndonjë vend të Europës Lindore apo në ish-Bashkimin Sovjetik, qysh prej fundit të komunizmit… Berisha është duke veshur parzmoren diktatoriale të ish-udhëheqësit komunist Enver Hoxha”.

Më 1 qershor Departamenti Amerikan i Shtetit, në një deklaratë për zgjedhjet në Shqipëri, nënvizoi: “Fatkeqësisht, këto zgjedhje u shënuan nga parregullsi, gjë që përbën një hap të rëndësishëm prapa nga zgjedhjet parlamentare të vitit 1992.”

Berisha dhe ish-ambasadori Rajerson

Berisha dhe ish-ambasadori Rajerson

Në Komisionin për të Drejtat e Njeriut në Kongresin Amerikan më 19 qershor, ligjvënësi demokrat Tom Lantosh, duke folur për zgjedhjet në Shqipëri, kërkoi që ato të zhvillohen përsëri.

Një ditë më pas, gjashtë kongresmenë të shquar, me në krye Joseph Kenedin, i shkruanin Presidentit Klinton, ku këmbëngulnin që Shtëpia e Bardhë të lëshojë një deklaratë që të dënojë shkeljet elektorale në Shqipëri dhe të bëjë thirrje për zgjedhje të reja të menjëhershme nën mbikqyrjen ndërkombëtare.

Më 28 qershor, në komentin e Qeverisë Amerikane, thuhej: “Qeveria e SHBA është e mendimit se gjatë zgjedhjeve të 26 majit në Shqipëri ka patur parregullsi të rënda për të cilat duhen zhvilluar hetime të paanshme. Për këtë qëllim SHBA do të inkurajojnë qeverinë e Shqipërisë që të pranojë një mekanizëm ndërkombëtar për rishikimin e zgjedhjeve…”

 

Share.

About Author

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.