“qerosi i përrallës” dhe “buzëprerët e politikës”

0

Buzëqeshjet e këtyre ditëve, të policëve e politikanëve, dhëmbëjashtë  aq sa të krijohej përshtypja se ishin prerë buzësh, më nxori nga thellësia e kujtimeve të largëta të fëminisë një përrallë që na e tregonin prindërit

netëve të gjata të dimrit, nën dritën e pishës apo të kandilit. Po e rikujtoj,  pjesërisht…

Qerosi, vëllai tretë, pasi pa se si dështuan dhe përfunduan në varr dy vëllezërit e tij hyzmeqarë tek një aga zemër kazmë që u kishte vënë përballë  alternativën “vajzën me prikë ose vdekjen me thikë” vendosi ta sfidojë again duke marrë hak për dy vëllezërit e tij, t’i marrë vajzën e ta rrënojë ekonomikisht. Ai vendosi të pranojë bastin. Alternativa ishte: “Në qoftë se arrin që të më zemërosh aq sa të të përzë nga puna merr për grua vajzën dhe pasurinë time. Në rast të kundërt unë të marr jetën!” Ditën e parë të punës, ndërsa hapi trinën e vathës dhe bagëtia dolën në oborr, agai i tha.

– Delet, të ngopura në kullotë, dua të mi biesh duke qeshur e duke kërcyer…

Qerosi e vuri tufën e madhe të deleve përpara dhe humbi në kullotë. Kur u kthye në mbrëmje të gjitha delet qeshnin dhe kërcenin. Qerosi u kishte prerë të gjithave buzët duke ua nxjerrë dhëmbët jashtë dhe u kishte thyer

të gjithave nga një këmbë. Kështu, dhëmbëjashtë delet “qeshnin” dhe këmbëthyer “kërcenin”. Agai zjeu nga brenda por nuk e dha veten. Se po ta jepte, po të zemërohej, qerosi, sipas bastit do t’i merrte vajzën dhe tërë pasurinë…

 …Përralla vazhdon. Për fëmijët kuriozë vazhdimin do ta tregojmë ndonjëherë tjetër, një natë shëndreu, nën dritën e kandilit dhe të pishës, kur KESH-i pret dritat…

Thashë se nuk do të isha kthyer aq larg në një përrallë të fëmijërisë sikur policë e politikanë të mos i shihja këto ditë “dhëmbëjashtë”.

Të parin pashë një polic me gradë gjenerali, zotin Shehu, i kthyer në Shqipëri sipas një vendimi të një gjyqi “civil”. Kaq jashtë i kishte dhëmbët z. Shehu, kaq fort ia kishin prerë buzët sa edhe agait modern do t’i binte të fikët. Ai, në një intervistë, në sinkron figura me zërin, do të shpëlante me ujë trëndafili një nga kohët më të errëta dhe më kokë ulëse për Shqipërinë dhe shqiptarët, zgjedhjet e majit të vitit 1996, rrahjen e opozitës në sheshin “Skënderbej” dhe katrahurën e pashoqe të dimrit dhe pranverës ’97. Nga të gjitha ato që tha vëmendjen më tërhoqi një ngjarje në rrethin ku lindi dhe u rrit deri në nivelin e konviktorit të shkollës së mesme bujqësore. Nuk e tha me emër e mbiemër por unë që e kam njohur ngjarjen në tërë dramën dhe tragjedinë e momentit nuk kisha se si të mos e adresoja. Fjala ishte për rrahjen barbare që iu bë kryetarit të PS për Bulqizën në Ostren nga bodigardët e një kandidati të ekstremit blu dhe hedhjen e tij si të vdekur në përrua. Një grua ostrenase që e kishte parë me dhimbje ngjarjen do ta përmendte e me njerëzit e saj do ta çonte në shtëpinë e tij në Shupenzë. Veprimi do të merrej vesh dhe në orën katër të mëngjesit forcat e ndërhyrjes së shpejtë do të vinin, thyenin portën prej kompensate të shtëpisë dhe në vend që ta çonin në spital do ta hidhnin në çimenton e ftohtë në burgun e Bulqizës. Këtë njeri, që ishte hedhur në përrua si i vdekur do ta akuzonin se kishte organizuar forca paramilitare për të dhunuar e vjedhur votat e 26 majit. Këtë skenë do të ma sillte në kujtesë gjeneral Shehu kur do të përmendte “forcat paramilitare” të PS-së. Do ta “arkivoja” në kujtesë këtë sikur e njëjta shprehje të mos përdorej jo më vonë se një javë më pas nga segmentet e politikës në krah të tij, sikur shprehja “forca paramilitare” (e përdorur dhe e aplikuar egërsisht nga Millosheviçi ndaj popullit kosovar në kapërcim të dy shekujve ) të mos zinte faqet kryesore të gazetave të pozitës dhe sikur politikanët e lartë nënpushtet të mos i kishin prerë buzët e nxjerrë jashtë dhëmbët edhe kur dilnin nga një dhomë spitali ku një njeriu i ishte rrezikuar jeta.

Do ta “arkivoja” sikur  rezultati 91 për qind të mos ishte i njëjtë me rezultatin e atij “kandidatit” në hapësirën gjeografike  nga Ostreni e më tejdhe në hapësirën kohore ‘ 96 – ’07.

Do ta “arkivoja” sikur një grek i kulturuar të mos kishte qeshur me mua për atë “rezultat diktaturash”, siç më tha ai.

Çështja nuk është se fitoi njëri apo tjetri kandidat, edhe me rezultat të thellë, çështja është se pamja e servirur nga media dhe nga politikanët “buzëprerë” e “dhëmbënxjerrë”  nuk do të na kthente “një shekull mbrapa” , nga shekulli XXI në shekullin XX. Do të na ulëte kokën para botës, kjo, veçanërisht se furtunat e kohës na i ka shkulur rrënjët e hedhur në tokë të huaj…

 

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.